“Ka babanë vetëm”, lirohet anëtari i bandës së Durrësit

Një anëtar tjetër i “Bandës së Durrësit”,  Sardian Sulejmani është liruar nga burgu duke iu falur 5 vite nga gjykata e Fierit me arsyetimin e “sjelljes shembullore” se është gati për tu riintegruar në shoqëri dhe faktin e i ati i tij jeton i vetëm. Sulejmani është liruar nga burgu i Fierit në 11 tetor të 2019, nga gjykatësi Piro Sota duke i falur masën e dënimit të mbetur prej 4 vjet, 10 muaj e 17 ditë burgim.

Sulejmani është dënuar me 25 vite heqje lirie në korrik të vitit 2014 nga Gjykata e Lartë, për akuzën e “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” në dy raste ndaj Lulzim Berishës ngjarje të ndodhura në gusht të 2005 dhe “Vrasjes me paramendim” të Avni Gashit ndodhur në tetor 2005 në Tiranë. Për të dyja këto krime Sulejmani ishte dënuar dhe Endrit Dokle, i cili u liruar disa ditë më parë, pasi dy miqtë kanë bashkëpunuar në këto ngjarje kriminale.

Gjykatësi Sota është shprehur se “i dënuari Sardian Sulejmani ka kryer gjithsej 19 vite, 11 muaj e 3 ditë burgim. Sardian Sulejmani, në ditën e marrjes së këtij vendimi, pra në 11 tetor 2019, i mbeten për të vuajtur edhe 4 vite 10 muaj e 17 ditë burgim. Kjo masë dënimi e mbetur duhet të vijojë të shlyhet në periudhë qëndrimi me kusht nga ky i dënuar. Si kusht gjykata vendos për Sardian Sulejmanin që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar. Me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe i dënuari Sulejmani është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri”.

Ndërkohë një tjetër argument që gjyqtari Sota ka nënvizuar për lirimin e këtij të dënuari është dhe fakti se “familja e Barjam Sulejmanit, babai i Sardian Sulejmanit, është e përbërë nga dy anëtarë Sardiani dhe Barjami. Babai, Bajrami jeton i vetëm pasi Sardiani i biri, ka vite që ndodhet ne burg. Kjo familje është banore e lagjes Konferenca e Pezës, Njësia Administrative nr.2 Fier dhe gëzojnë respekt në komunitetin ku jetojnë. Nëna e kërkuesit ka vdekur në spitalin e Durrësit në 12 nëntor 2016, ndërsa vëllai i ka vdekur në vitin 1999”.

Vendimi për lirimin e Sardian Sulejmanit është cilësuar në shkelje të ligjit nga Prokuroria e Fierit, e cila e ka ankimuar atë në Gjykatën e Apelit Vlorë.

I njëjti rats u paraqit edhe më 14 janar 2020, kur gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha vendosi të lironte ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle si dhe ndryshimin e masës nga “burg i përjetshëm” në dënim me 25 vite. Pas 16 viteve në qeli dhe faljes së 4 vite nga amnistia, gjyqtarja Hoxha i fali edhe 5 vite të tjera duke liruar Doklen me kusht. Kërkesa u kundërshtua nga prokuroria e Krujës duke pretenduar se nuk plotëson kushtet, ndërsa kërkuan edhe përjashtimin e gjyqtares Hoxha me argumentin se i njëjti trup gjykues ka dhënë tre vendime në favor të kërkuesit.

Endrit Dokle i njohur si ish pjesëtar i bandës së Durrësit e më pas i kthyer në rivalin e Lulëzim Berishës, qëndronte pas hekurave me dënimin burg përjetë me akuzën e tre vrasjeve.

Skip to toolbar