Jorida Tabaku, Genc Pollo, Edi Paloka, Gerd Bogdani, Albana Vokshi dhe 6 deputetë të tjerë të opozitës kanë paditur në Gjykatën Administrative Kuvendin dhe kërkojnë që të marrin rrogat për periudhën që ata bojkotuan parlamentin.
Në Gjykatën Administrative të Apelit janë regjistruar 11 padi nga ish-deputetët e opozitës, kryesisht të Partisë Demokratike të cilët kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë që t’iu japë rrogën për periudhën e bojkotit. Që nga shtatori i 2018 e deri në janar të vitit 2019 opozitarët nuk morën pjesë në aktivitetet parlamentare. Për këtë periudhë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, jua ndërpreu financat, por tani përfaqësuesit e PD-LSI kërkojnë para nga Kuvendi.
Në fund të korrikut, pra 4 muaj pas djegies së mandateve, ish-deputetet e PD, Jorida Tabaku dhe Nadire Meçorapaj i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit, ku kërkojnë paratë e periudhës së bojkotit.
“Paditës: Nadire Meçorapaj, Jorida Tabaku; I paditur: Kuvendi i Shqipërisë; Objekti: Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë të më paguajë përfitimet financiare të papaguara që burojnë nga legjislacioni për “Statusin e Deputetit” dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit si deputet për periudhën korrik 2018 – janar 2019”, thuhet në kërkesën e opozitarëve.
Gjykatës Administrative të Apelit për të kërkuar pagat për një periudhë kur nuk ka marrë pjesë fare në Kuvend i është drejtuar edhe Luan Baçi. Të tjera emra që si duket nuk po e përballojnë fort mirë djegien e mandateve janë edhe ato të Albana Vokshit, Genc Pollos, dhe Shezai Rrokajt. Ky i fundit deri tani është i vetmi nga radhët e LSI që ka kërkuar pagën për periudhën e bojkotit.
Interesant është fakti se ka nga ata ish-deputetë të opozitës, të cilët kanë mbledhur disa periudha bojkoti për të përfituar sa më shumë para nga Kuvendi i Shqipërisë tani që janë jashtë Parlamentit. Një gjë të tillë e kanë bërë Gerti Bogdani, Oerd Bylykbashi, Edi Paloka, Luçiano Boçi dhe Vangjel Dule.
“Detyrimin e të paditurit, t’i paguajë paditësit Gerti Bogdani përfitimet financiare të papaguara që burojnë nga legjislacioni për “Statusin e Deputetit” dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit, për periudhën 01.07.2014 – 31.01.2015 dhe për periudhën 01.02.2017 – 01.06.2017 në vlerën prej 532.874 lekë. Detyrimin e të paditurit, t’i paguajë paditësit Oerd Bylykbashi përfitimet financiare të papaguara që burojnë nga legjislacioni për “Statusin e Deputetit” dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit, për periudhën 01.07.2014 – 31.01.2015 dhe për periudhën 01.02.2017 – 01.06.2017 në vlerën prej 607.827 lekë. Detyrimin e të paditurit, t’i paguajë paditësit Edi Paloka përfitimet financiare të papaguara që burojnë nga legjislacioni për “Statusin e Deputetit” dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit, për periudhën 01.07.2014 – 31.01.2015 dhe për periudhën 01.02.2017-01.06.2017 në vlerën prej 583.553 lekë”, thuhet në kërkesën e opozitarëve.
Luçiano Boçi nga ana tjetër kërkon pagat për periudhat shkurt-qershor 2017 dhe korrik 2018-janar 2019, ndërsa kryetari i PBDNJ kërkon pagën vetëm për periudhën shkurt-qershor 2017. Pra, opozitarët tani që janë pa paga, kërkojnë nga Kuvendi benefite me qëllim që ta përballojnë jetën jashtëparlamentare./Gazeta SOT