Aksident masiv në SHBA, vdesin 5 persona. 60 të tjerë plagosen rëndë

Të paktën 5 persona mbetën të vdekur dhe 60 të tjerë u plagosën rëndë nga një aksident masiv që ndodhi në rrugën e Pensilvania në Mount Pleasant Township në juglindje të Pittsburgh, në SHBA. Në aksident u përfshinë disa mjete, mes tyre një autobus dhe disa kamionë. Autobusi u përplas fillimisht me bordurën e rrugës dhe më pas u godit nga disa mjete të tjera.

Dyshimet e oara janë se për aksidentin mund të kenë ndikuar kushtet e kqija të rrugës për shkak të motit. Në aksident u përfshinë 2 mjete të tonazhit të rëndë me rimorkio, një autobus turistik dhe disa automjete të tjera. Pesë personat e vrarë në aksident u gjetën të pajetë në vendin e ngjarjes, ndërsa 60 të lënduar u dërguan në spital.

“Spitali Excela Frick mori 25 pacientë nga 7 deri 52 vjeç, tha zëdhënësja Robin Jennings. Ajo tha se nëntë nga pacientët janë fëmijë. Njëmbëdhjetë pacientë të moshës 15 deri në 67 vjeç u dërguan në Spitalin e Forbes në Monroeville, Pennsylvania, tha zëdhënësja e spitalit Stephanie Waite. Dy pacientë ishin në gjendje kritike dhe nëntë ishin në gjendje të drejtë, tha Waite.nUPMC Somerset mori 18 pacientë – 12 të rritur dhe gjashtë fëmijë, tha zëdhënësi i spitalit Sarah Deist për CNN. Të 18 ishin trajtuar dhe më pas ishin nxjerrë nga spitali, tha ajo”, raporton CNN.

Irak, parlamenti u kërkon trupave amerikane të largohen

Parlamenti i Irakut miratoi një rezolutë nëpërmjet së cilës i kërkon trupave të huaja ushtarake të largohen nga vendi një vendim që pason sulmin ajror amerikan gjatë të cilit u vra gjenerali iranian Qasem Soleimani.

“Qeveria irakiane merr përsipër të anulojë kërkesën e saj për ndihmë nga koalicioni ndërkombëtar që lufton grupin ekstremist të Shtetit Islamik për shkak të përfundimit të operacioneve ushtarake në Irak dhe arritjes së fitores”, thuhej në rezolutën e miratuar sot.

Qeveria e kryeministrit Adil Abdul-Mahdi duhet “të punojë për t’i dhënë fund pranisë të të gjitha trupave huaj në tokën irakiane dhe t’i ndalojë ata të përdorin tokën, hapësirën ajrore ose ujin për çdo arsye”, shtonte rezoluta.

Ndërkohë koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja që po lufton Shtetin Islamik në Irak e Siri njoftoi të dielën se tani për tani ka ndalur shumicën e operacioneve kundër militantëve dhe është përqëndruar në mbrojtjen e forcave dhe bazave të koalicionit, në mesin tensioneve në rritje me Iranin. Një zëdhënës theksoi se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja do të vazhdojë të kryejnë disa operacione dhe se do të veprojë për vetëmbrojtje kundër militantë./VOA/

SHBA, ndalohet përdorimi i disa llojeve të cigareve elektronike

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të ndalojnë përdorimin e cigareve elektronike me shije të mentës dhe pemëve, pas shqetësimeve për përdorim të këtyre të fundit nga adoleshentët.

Ky vendim është shqyrtuar për më shumë se një vit, meqë shumë shtete veçse kanë marrë vendime të ngjashme.

Koreja Jugore, India dhe Brazili janë në mesin e dhjetëra vendeve që kanë ndaluar përdorimin e këtyre cigareve.

Sekretari për Shërbime Shëndetësore, Alex Azar ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka dëshiruar të vazhdojë t’iu ofrojë të rinjve një alternativë të cigareve tradicionale, teksa u është përgjigjur shqetësimeve për rritje të varësisë ndaj produktit të ri.

 “Duke kthyer në prioritet marrjen e masave ndaj produkteve që përdoren shumë nga fëmijët, veprimet tona synojnë të shënojnë një ekuilibër të shëndetit publik”, ka thënë ai.

Rregullatorët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se 55 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,500 të tjerë janë shtrirë në spital si pasojë e problemeve të lidhura me cigaret elektronike.

Presidenti amerikan, Donald Trump pati thënë në shtator të vitit të kaluar se SHBA-ja do të ndalojë të gjithë llojet e cigareve elektronike përveç asaj tradicionale, mirëpo administrata më vonë është tërhequr për shkak të presionit të industrisë.

“Neve na duhet të mbrojmë familjet tona. Në të njëjtën kohë është industri e madhe. Ne duam ta mbrojmë industrinë”, ka thënë Trump këtë javë.

Përveç këtij ndalimi, SHBA-ja së fundmi ka rritur në 21 moshën e blerjes së cigareve

Cigaret elektronike po ashtu përfshihen në këtë rregull./REL/

SHBA i dhuron pajisje kompjuterike Policisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të dhurojnë pajisje hetimore për institutcionet ligjzbatuese shqiptare. Të hënën, Shërbimi i Sigurisë Diplomatike dhe Ndihmës së Antiterrorizmit pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, i dhuroi Policisë së Shtetit pajisje kompjuterike për hetimin e krimit kibernetik. Këto pajisje u dhuruan për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Labratorin Kriminalistik.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe znj. Janet Meyer, Shefe e Zyrës Rajonale të Sigurimit të Shërbimit Diplomatik në Ambasadën amerikane në Tiranë kanë nënshkruar aktin e dhurimit të këtyre pajisjeve”.

“Veliu ka falënderuar znj. Meyer për ndihmën, mbështetjen dhe suportin në vijimësi që Ambasada amerikane dhe Programi i Ndihmës së Antiterrorizmit ka dhënë e po i jep Policisë së Shtetit dhe ka theksuar se Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët strategjikë për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin. Dhurimi i këtyre pajisjeve është në vijimësi të programit 1.3 milion dollarë nga SHBA-ja, për trajnime dhe suport për Policinë e Shtetit”, thuhet në një njoftim të Polcisië së Shtetit.

SHBA-BE: SPAK do të çojë përpara drejtësisë zyrtarët e korruptuar

Vetëm pak minuta pasi 8 prokurorët e parë të emëruar në SPAK kryen betimin te Presidenti, reagoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në reagimin e ambasadës së SHBA, shprehet urimi për betimin e tetë prokurorëve të SPAK, duke e konsideruar këtë një akt të rëndësishëm të themelimit të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm”, thuhet ndër të tjera në reagimin e SHBA.

Më tej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksojnë se me krijimin e SPAK, Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit demokratik. Gjithashtu, SHBA thotë se do të mbetet një partner i palëkundur në mbështetjen e SPAK. “Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, thotë SHBA.

Edhe Ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca reagoi për betimin e 8 prokurorëve të SAPK. Soreca shprehet se mirëpret këtë akt, ndërsa thekson se ata janë gati për të filluar punën. “Ne mirëporesim betimin e 8 prokurorëve të parë të SPAK para Presidentit. Tani ata janë gati për të filluar punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësia kryesore e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE”, thotë Soreca. /Realstory.al/

8 prokurorët e SPAK betohen para Metës dhe SHBA. Shkrihet Prokuroria e Krimeve të Rënda

Ashtu siç ishte njoftuar, 8 prokurorët e parë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, kryen betimin përpara Presidentit Ilir Meta, në prani të përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian si dhe organizatave që punuan për hartimin e Reformës në Drejtësi. Altin Dumani, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, prej të enjtes së 19 dhjetorit janë zyrtarisht në detyrë.

Në një njoftim të presidencës, thuhet se, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, drejtuesja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, Kreu i KLP, Gent Ibrahimi, Ambasadori i BE Luigi Soreca, përfaqsues nga Ambasada e  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.

Ndërkohë, pas cereomonisë së betimit, të enjten Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë dhe emërimin e Kryetarit të SPAK. Në garë janë Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Arben Kraja. Ata dhanë intervista publike përpara anëtarëve të KLP të mërkurën. Ndërkohë, prej kësaj të enjte shkrihet zyrtarisht Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit për Krime të Rënda.

Dosjet hetimore që të kësaj prokurorie i kalojnë SPAK. Paralelisht me krijimin e SPAK, po të mërkurën Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi ngritjen e Gjykatës së Posaçme e cila do të gjykojë dosjet hetimore të SPAK, ndërsa zëvendëson Gjykatën e Krimeve të Rënda. /Realstory.al/

Kongresi miraton akuzat, Trump drejt shkarkimit

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi të mërkurën në mbrëmje dy akuza për shkarkimin e presidentit Trump, hera e tretë në histori që një president i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë.

Votimi historik, i ndarë prerazi në vija partiake, ashtu siç është ndarë mbarë vendi për këtë çështje, e akuzon presidentin e 45 për abuzim të pushtetit të zyrës së tij, pasi i kërkoi një vendi të huaj të hetojë rivalin e tij politik për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Akuza e dytë është për pengim të hetimeve të Kongresit për këtë çështje.

Gjyqi ndaj presidentit do të zhvillohet në Senat. Nëse Senati e shpall presidentin të pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë, presidenti Trump do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me barrën e një kandidati të akuzar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Gjyqi ndaj presidentit pritet të zhvillohet në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit duhen dy-të-tretat e votave të Senatit prej 100 vendesh. Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që miratoi ngritjen e akuzave, ndërsa Senatin e kontrollojnë republikanët, ku pak, ose asnjë republikan, pritet të votojë për shkarkimin e presidentit.

Gjatë ditës së mërkurë, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve debatonte rreth akuzave, presidenti Trump u shpreh përmes një postimi në Twitter se e gjitha kjo ishte “një gënjeshtër e shëmtuar e të majtës radikale, një sulm ndaj Amerikës dhe një sulm ndaj Partisë Republikane”.

Ligjvënësit demokratë thonë se Presidenti Trump duhet larguar nga detyra pasi përdori ndihmën për Ukraninën për interesat e tij personale politike.

Demokrati Jerrold Nadler është Kryetar i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Cili është rreziku nëse nuk veprojmë? Gjatë 94 ditëve që nga fillimi i hetimeve nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe realisht gjatë tre viteve të shkuara, një e vërtetë e padiskutueshme ka dalë: nëse nuk reagojmë ndaj abuzimit të pushtetit nga Presidenti Trump, abuzimi do të vazhdojë. Nuk mund të mbështetemi tek zgjedhjet për të zgjidhur problemin tonë kur Presidenti Trump kërcënon vetë integritetin e zgjedhjeve”, tha ai.

Nga ana tjetër, republikanët argumentojnë se telefonata e presidentit me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy ishte përpjekje për të trajtuar korrupsionin në Ukraninë dhe jo për avantazhe politike në Amerikë. Ata këmbëngulin se demokratët gjatë gjithë kohës kishin në mendje shkarkimin e zotit Trump.

Debbie Lesko është ligjvënëse republikane.

“Ata paracaktuan se do ta bënin dhe e bënë pavarësisht çdo gjëje. Ata nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt por gjithsesi vepruan në të tyren. Ata po e coptojnë këtë vend”, tha ajo.

Historikisht proceset për shkarkimin e presidentit e kanë përçarë vendin. Ndërsa pothuajse gjysma e vendit mbështet procesin ndaj zotit Trump, demokratët argumentojnë se opinioni publik është në anën e tyre.

Nancy Pelosi është kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Publiku mendon se ata duhet të vendosin se kush është president i Shteteve të Bashkuara dhe jo ndonjë fuqi e huaj. Ata mendojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe ne mendojmë kështu. Presidenti duhet të mbahet përgjegjës për abuzim pushteti dhe pengim të Kongresit”, tha ajo.

Edhe pse gjyqi në Senatin e kontrolluar nga republikanët pritet ta shfajësojë zotin Trump, duke e mbajtur atë në detyrë, republikanët thonë se procesi i shkarkimit do të ketë pasoja mbarëbotërore për diplomacinë amerikane.

Kevin McCarthy është udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Presidentit iu desh të publikonte për mbarë botën përmbajtjen e telefonatës. Kjo e ka dobësuar zyrën e presidentit, për këdo që vjen më pas. Cili udhëheqës botëror do të ndajë me presidentin amerikan qëndrime të vërteta dhe mirëkuptim dhe të mos frikësohet se biseda e tyre telefonike do të publikohet për tërë botën?”, tha ai.

Procesi i shkarkimit të presidentit është një moment i rrallë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.

Dënohet shqiptari që planifikonte sulme terroriste në SHBA

Fabjan Alameti, shqiptari 21 vjeçar që banonte në Nju Jork është dënuar me gati pesë vite burg. Më herët ai kishte pranuar fajësinë për deklarim të rremë tek Byroja Federale e Hetuese kur u pyet rreth aspiratave të tij për t’iu bashkuar organizatës terroriste Shteti Islamik dhe planin për hakmarrje pas sulmin në një xhami në Nju Zelandë.

Atij iu lexua dënimi në gjykatën federale në Missoula të shtetit të Montanës. Alameti është dënuar me 4 vite e 9 muaj heqje lirie.

Autoritetet e drejtësisë intervistuan Alametin për herë të parë në vitin 2018. Më vonë ai kishte postuar shkrime në rrjetet sociale, në mbështetje të organizatës ISIS.

Prokurorët thonë se ai po udhëtonte me autobus drejt Montanës më 15 mars, kur një person i armatosur vrau 50 njerëz në një xhami në Christchurch të Nju Zelandës. Alameti kishte biseduar online me një person pa e ditur se ai ishte informator, e të cilit i kishte shpalosur planin e tij që të sulmojë njerëz të zakonshëm në shenjë hakmarrje sikurse edhe planet e tij që të ndëmerrte një sulm kundër një objekti ushtarak në SHBA.

Ai u arrestua më 3 prill në një poligon armësh në shtetin Montana. Avokati mbrojtës i të dënuarit tha se deklaratat e klientit të tij janë të mbrojtura nga amendamenti i parë./VOA/

SHBA dhuron pajisje për asgjësimin e “pakove bombë”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Ushtrisë Shqiptare disa pajisje që shëbejnë për shpërthimin e kontrolluar të lëndëve plasëse. Pajisjet i janë dorëzuar Batalionit Xhenier të Forcave të Armatosura Shqiptare. Njoftimin e dha me anë të një deklarate për shtyp Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhuroi muajin e kaluar pajisje për asgjësimin e lëndëve plasëse për Batalionin Xhenier të Forcave të Armatosura Shqiptare. Pajisjet do të përdoren për të rritur aftësitë e forcave të armatosura shqiptare në asgjësimin e lëndëve plasëse, në mbështetje të operacioneve aktuale të Shqipërisë me NATO-n, si dhe në mbështetje të operacioneve të ardhshme paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në mbarë botën. Ne jemi NATO”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Dhurimi i pajisjeve për shpërthimin e kontrolluar të lëndëve plasëse është kontributi i radhës që SHBA i jep institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri. Më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhuruan pesë poligrafë të cilët do të përdoren për Byronë Kombëtare të Hetimit. Poligrafët do të përdoren gjatë intervistimit të kandidatëve që do të synojnë të bëhen pjesë e BKH-s, por më vonë ato mund të përdoren edhe për qëllime hetimi.

“Jemi krah Shqipërisë”, SHBA: Po punojmë për të kthyer njerëzit të sigurtë në shtëpi

Ekspertët amerikanë janë duke kryer inspektimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ambsada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lajmëroi të premten pasdite, se inxhinierët e strukturave po vijojnë vlerësimin e dëmeve në terren së bashku me inxhinierët shqiptarë. Ambasada shkruan se ekspertët po punojnë për të ndihmuar njerëzit të kthehen të sigurtë në shtëpi.

Kush mendoni se duhet t`i riparojë pallatet e dëmtuara nga tërmeti?

“Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për rimëkëmbjen pas tërmetit të 26 nëntorit, ekipi i inxhinierëve të strukturave nga Zyra për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID, po vijon të kryejë vlerësime në terren së bashku me inxhinierët shqiptarë dhe ndërkombëtarë”.

“Inxhinierët po punojnë për t’i përcaktuar ndërtesat si të sigurta apo të pasigurta, për të ndihmuar njerëzit që të kthehen të sigurtë në shtëpi. SHBA qëndron krah Shqipërisë”, mbyllet mesazhi i ambasadës.

Inxhinierët amerikanë janë pjesë e  një grupi ekspertësh ndërkombëtarë, që së bashku me ata shqiptarë, janë duke kryer vlerësimin e dëmeve të tërmetit në banesa. Raporti i tyre do të përcaktojë nëse banesat janë të sigurta për banim, kërkojnë riparime apo do të shemben.

Skip to toolbar