Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Matthew Palmer ka dhënë sot në Tiranë një mesazh të qartë për opozitën shqiptare: Të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
Pas takimit që zhvilloi dje pasdite me kryeministrin Rama, Palmer sot do të takohet edhe me Presidentin Meta dhe krerët e opozitës, por më parë ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët.
Ai theksoi se të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa opozita duhet të përfshihet në dialog për reformën zgjedhore.
“Nuk jam këtu për të negociuar një platforme me palët. Të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe duhet të punojnë fortë për to dhe procesin politik.
Shqipëria ka një qeveri legjitime me të cilën ne bashkëpunojmë. Ajo është vend aleat dhe do të ketë suportin tonë. Jam konfident se kjo qeveri do të çojë vendin përpara dhe do vazhdojë me zbatimin e reformave si ajo në drejtësi.
Është përgjegjësi e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Ajo duhet të ndajë vizionin e saj me mbështetësit dhe të punojë fortë. Vetëm në këtë mënyrë mundet të fitojë në arenën politike”, është shprehur Palmer.
Sipas axhendës, zv.ndihmës sekretari i Shtetit, Matthew Palmer do të takohet me kreun e PD, Lulzim Basha në orën 13:45. Ndërsa pas një ore, zyrtari i lartë i DASH do të takohet me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Në orën 17:30 Palmer do të pritet në presidencë nga Presidenti Ilir Meta.