Thyen “arrestin e shtëpisë”, përfundon në pranga duke grabitur një banesë

Një tjetër rast i tentativës së vjedhjes së banesës është regjistruar në qytetin e Shkodrës. Por fatmirësisht, ndryshe nga rastet e shënuara në ditët e fundit, Policia reagoi në kohë duke vënë në pranga një 36-vjeçar.

Konkretisht, sipas Policisë së Shtetit, në pranga është vënë shtetasi me inicialet T.V., banues në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër. Arrestimi i tij u bë pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit I. D., 50 vjeç, në lagjen “Daniel Matlia”, Shkodër, në tentativë për të vjedhur.

Gjithashtu, shtetasi T. V. ka thyer vendimin e gjykatës, pasi ndaj tij Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim Nr. 277, datë 16.12.2019, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vjedhja, e mbetur në tentativë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Bardhi nga Shkodra: Qeverinë e largojmë me protesta (si në 2019) por s`kemi datë

Pasi i shmangu protestat për gjysmën e dytë të vitit 2019, Partia Demokratike po mendon të rikthehet te skenari i shkurtit të vitit të kaluar. Pas një takimi që pati me strukturat e PD në Shkodër, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi u shpreh se PD do të rikthehet te protestat.

“Pa asnjë diskutim që objektivi gjatë vitit 2019 është i njëjti objektiv që kemi edhe për vitin 2020: largimi i qeverisë, jo si dëshirë e opozitës, por si e vetmja mundësi për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit. Pa asnjë diskutim, çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë edhe protestat popullore, janë një mundësi reale për ditët në vijim”, tha Bardhi.

Megjithatë, data e protestave ende nuk është vendosur. Numri dy i PD u shpreh për mediat se sapo të ketë një datë për nisjen e tubimeve në shesh, ajo do të bëhet publike. “Jo, nuk ka një datë konkrete për protestë. Sigurisht, kur të ketë një datë konkrete, ne do ta bëjmë publike. Është një vendim që merret nga Kryesia e partisë. Por, unë ju garantoj, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, që është një mjet demokratik, i cili nuk përjashtohet të aplikohet në ditët e ardhshme”, tha Bardhi.

Nga Shkodra, Gazmend Bardhi akuzoi Ministrinë e Drejtësisë se po vonon dërgimin e letërporosisë së Prokurorisë shqiptare te autoritetet italiane për verifikimin e Mark Babanit. “Dua të sqaroj opinionin që kjo vonesë ka ardhur për shkak të bllokimit nga ministria e drejtësisë, prej një muaji e gjysëm letërporosia e përgatitur nga prokuroria nuk i është dërguar autoriteteve italiane duke sjellë një zvarritje dhe duke lejuar një njeri në konflikt me ligjin të ushtrojë një funksion publik”, tha Bardhi.

Më tej, i pyetur për reformën zgjedhore, Bardhi tha se PD është gati për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste, por sipas tij, ata nuk kanë bërë asnjë hap në këtë drejtim. “Ne jemi duke punuar në mënyrë intensive për reformën zgjedhore, kemi drejt finalizimit të gjithë propozimet tona dhe pyetja nuk shtrohet nëse do marrim pjesë apo jo ne sepse kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore. Deri në këtë moment PS nuk ka hedhur asnjë hap duke tentuar të vonojë realizimin e reformës zgjedhore”, tha Bardhi.

Në fund, Gazmend Bardhi u shpreh se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë SPAK dhe BKH. Por sipas tij, për të ruajtur imazhin e kësaj strukture, “do të duhet që prokurorët, integriteti i të cilëve është vënë në pikëpyetje ose për shkak se janë shërbëtorë të regjimit kominist siç është drejtuesi i SPAK ose për shkak se janë vegla të Ulsi Manjës siç njëri nga prokurorët, do të duhet ti hapin rrugë zgjedhjes së prokurorëve të rinj me integritet dhe që gëzojnë besimin e të gjithëve për ti dhënë imazhin e nevojshëm dhe besueshmerinë e nevojshme SPAK”, tha Bardhi.

Tërmeti, Universiteti i Shkodrës dhuron 500 mijë lekë

Universitetit i Shkodrës vendosi të ndihmojë të prekurit nga tërmeti. Me anë të një vendimi të Bordit Administrativ, Universiteti i Shkodrës do të dhurojë 500 mijë lekë nga fundi i tij për të prekurit nga tërmeti. Ndihma financiare do të kalohet në llogarinë e hapur në portalin E-Albania, me qëllim që më pas të përdoret për rindërtimin.

“Universiteti i Shkodrës, Luigj Gurakuqi vendosi për dhënie ndihme financiare nga të ardhurat e Universitetit të Shkodrës për lehtësimin e pasojave të familjeve të prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Në mbështetje të ligjit nr. 80/2015 datë 22.07.2015 për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, Bordi i Administrimit në mbledhjen e tij të datës 28.12.2019 vendosi:

Dhënien e ndihmës financiare në shumën 500 000 lekë, nga të ardhurat e Universitetit të Shkodrës, për lehtësimin e pasojave të familjeve të prekura nga tërmeti i datës 26.11.2019. Kjo shumë të kalojë në llogarinë e vënë në dispozicion nga Qeveria Shqiptare. Ngarkohet administratori i USH-së për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim.

Krijoi skema mashtrimi, ekstradohet nga Danimarka greku i dënuar në Shkodër

Interpol Tirana ekstradoi nga Danimarka një shtetas grek, i cili ishte dënuar në vendin tonë për disa vepra penale.

Konkretisht, ndaj 46-vjeçarit me inicialet D.TH., Gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Krijim i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar kryer në bashkëpunim”, “Fshehje e të ardhurave“, “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “Falsifikim i dokumentave”.

“Ky shtetas është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej disa kohësh. Shtetasi grek D. Th., në bashkëpunim me shtetasin shqiptar K. M., dhe dy shoqëri, kanë organizuar dhe vënë në funksionim një skemë mashtruese me qëllim për të përfituar rimburësim të vlerave të TVSh duke krijuar shoqëri fiktive.

Vlera e aseteve që u transferuan është 4 milion euro, ndërsa vlera e veprimtarisë ekonomike që u transferua është 1.9 milion euro”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Kamioni përlaset me “Benzin”, vdes 1 plagosen 3 persona

Një aksident ndodhi mbrëmjen e të enjtes në Shkodër, ku mbetën të plagosur tre persona ndërsa 1 e moshuar mbeti e vdekur. Sipas informacionit zyrtar të Policisë, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në afërsi të fshatit Shtoj Vjetër, janë përplasur dy mjete.

Mjeti tip “Benz”, që drejtohej nga një 63-vjeçar me inicialet S.P., është përplasur me një “Kamion” që drejtohej nga një 21-vjeçar, me inicialet P.L.

Nga përplasja mes dy mjeteve, kanë mbetur të plagosur drejtuesit e tyre, si dhe dy pasagjere, shtetasja me inicialet K.P. 56 vjeçe, që ndodhej në mjetin tip “Benz” dhe shtetasja M.L. 63 vjeçe, që ndodhej në mjetin kamion.

 Të katër të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Shkodrës ku po mjekohen, ndërsa një e moshuar humbi jetën në spital. Ndërkohë, policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe nisi punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

“Loro Boriçi” në terr, ndërpritet Vllaznia-Teuta

Në stadiumin “Loro Boriçi” u ndërpre energjia elektrike mbrëmjen e të dielës. Pak pasi kishte nisur ndeshja mes Vllaznisë dhe Teutës, pati ndërprerje të energjisë elektrike. Në këto kushte ndeshja u pezullua për disa minuta, deri në normalizimin e situatës.

Energjia u ndërpre në minutën e 16` të takimit, kur Vllaznia ishte duke luajtur në zonën kundërshtare. Por normalizimi i situatës nuk zgjati shumë. Pasi vetëm pak minuta më pas, stadiumi mbeti në terr total, pasi u shua energjia. U deshën disa minuta që situata të normalizohej dhe ndeshja të riniste për herë të tretë.

Kjo nuk është hera e parë që në stadiumet shqiptare ndodhin të tilla probleme. Ndërkohë, FSHF ka shtrënguar masat për klubet që dëshirojnë për luajtur ndeshjet me drita. Federata u kërkon klubeve garanci për ndriçimin, por duket se në rastin e të dielës në Shkodër gjërat nuk kanë shkuar mirë.  

Gjykata shtrëngon ‘Bajrajt’, 10 masa sigurie për anëtarët

Policia Shkodër dhe prokuroria e Krimeve të Rënda kanë mundur të dokumentojnë vepra të tjera penale për pjesëtarët e grupit kriminal “Bajri”. Kjo ka bërë që Gjykata të jap 10 masa të reja sigurie, 7 prej të cilëve vendosi “arrest me burg” dhe për 3 të tjera “arrest shtëpie”. Caktimi i masave të reja të sigurisë vjen pas publikimit të skandalit sesi Behar Bajri, njëri anëtarët e grupit të Bajrajve kishte ushtruar ndikim në administratë për të punësuar një grua, e cila është mikesha e tij.

Drejtuesi i grupit Behar Bajri ushtronte ndikim të paligjshëm në Spitalin Rajonal Shkodër, me qëllim që mikesha e tij Jorida Murati, 32 vjeçe nga Tirana, ishte e punësuar formalisht si infermiere në këtë spital dhe merrte pagën çdo muaj në llogarinë bankare. Policia ka ushtruar kontroll edhe në 6 banesa të tjera, ndër to edhe në banesën e shtetases Jorida Murati, ku u gjetën dhe sekuestruan 9 000 euro.

Mes të arrestuarve janë edhe shefi i Shërbimeve në Maternitet, kryeinfermierja, përgjegjësja e financës janë zyrtarët e arrestuar, të cilët janë lënë nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për Behar Bajrin, 39 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i  ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Safet Rustemi, 35 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar  masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ilir Rustemi, 43 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar  masën  e sigurisë “Arrest në burg”.

Asmer Bilali, 30 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar  masën  e sigurisë “Arrest në burg”.

Ismet Idrizi, 29 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën  e sigurisë “Arrest në burg”.

Sirjan Alija, 34 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, është  shpallur në kërkim, Gjykata i ka caktuar  masën  e sigurisë “Arrest në burg”.

Jorida Murati, 32 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar  masën  e sigurisë “Arrest në burg”, është ndaluar gjatë mëngjesit të sotëm, në Tiranë.

Ndërsa janë dhënë masat “arrest shtëpi” për S. H., 46 vjeç, Shef shërbimesh te materniteti pranë Spitalit Rajonal në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar masën  e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

F. H., 48 vjeçe, banuese në Koplik, kryeinfermiere pranë repartit obstetrik në maternitetin pranë Spitalit Rajonal Shkodër, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar  masën  e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

M. N., 50 vjeçe, banuese në Shkodër, përgjegjëse finance në Spitalin Rajonal Shkodër, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar  masën  e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Aksident në Shkodër, makina del nga rruga dhe përmbyset në arë

Dy makina janë përplasur mes tyre duke përfunduar jashtë rrugës, njëra prej të cilave është përmbysur. Aksidenti ndodhi mëngjesin e të enjtes në aksion rrugor Lezhë-Shkodër, ku dyshohet se për shkak të shpejtësisë janë përplasur. Njëra prej makinave përfundoi e përmbysur në fushat anës rrugës.

Personat që ndodheshin në makinë kanë marrë plagë të lehta, por jashtë rreziku për jetën. Nuk dihen ende detaje të tjera për ngjarjen.

Shkodër, makina “fluturon” në ajër këmbësorin

Një makinë ka përplasur një këmbësor në aksin rrugor Velipojë-Shkodër, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. I plagosuri Emiljano Toma, 32 vjeç, është marrë para nga makina dhe përfundoi disa metra më tutje. Është ende e paqartë nëse 32-vjeçari po ecte anës rrugës, apo po tentonte ta kalonte atë.

Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa i riu ndodhet në sallën e reanimacionit në Shkodër në gjendje të rëndë.

Sherr në mbledhjen e PS në Shkodër: Nuk pranojmë drejtorë nga Tirana!

Mbledhja e strukturave të PS-së në Shkodër është shoqëruar me debate të forta që janë dëgjuar edhe pas dyerve të mbyllura për mediat. Emërimi i drejtorëve të rinj në Shkodër dhe shkrirja e strukturave drejtuese të PS në këtë qytet kanë shkaktuar debate dhe përplasje të forta mes socialistëve. Mbledhja e kryesisë së PS-së u drejtua nga deputeti i PS Arben Pëllumbi, i cili sqaroi për mediat se në mungesë të kryetarit të degës së PS Shkodër dhe asamblesë për të riorganizuar strukturat drejtuese të socialistëve në këtë qytet ka sjellë dhe shkrirjen e kësaj strukture dhe procesi do të menaxhohet nga një grup koordinatorësh. Kjo nuk është pëlqyer nga socialistët e Shkodrës të cilën shpreh revoltën e tyre ndaj emërimeve të drejtorëve nga Tirana, ndërkohë që bazës shkodrane i kërkohet vetëm të bëjë fushatën e të mbledhë vota.

 “Me vendim të Kryesisë së Partisë Socialiste është shkrirë struktura drejtuese e PS-së në Shkodër. Ky grup që kishim sot zëvendëson pikërisht mungesën e atyre strukturave drejtuese të partisë për të menaxhuar dhe koordinuar procesin e zgjedhjeve në PS. Në të gjitha bashkitë e vendit këtë proces e menaxhon kryetari partisë së degës së bashku me asamblenë socialiste. Në Shkodër me qenë se nuk i kemi këto struktura sot kemi këtë grup nismëtar koordinatorësh dhe stafet që ata kanë zgjedhur pikërisht për të menaxhuar të gjithë kalendarin e zgjedhjeve në PS, përfshi edhe Bashkinë e Shkodrës. Emërimi i drejtorëve është një pjesë që ka një rëndësi të madhe sepse pikërisht ka të bëjë me shërbimet që ofron administrate ndaj qytetarëve të Shkodrës por edhe më gjerë. Por nuk është pjesë e kësaj bisede sot, nuk është pjesë e këtij takimi sot.

Ne kemi ngritur një grup qytetarësh të spikatur ndofta edhe një cikë më i gjerë se kaq, të cilët janë duke bërë propozimet e tyre për emra që ata mendojnë se mund të jenë përfaqësuesit më të mirë të qytetarëve të Shkodrës për të drejtuar institucionet qofshin ato shtetërore qofshin lokale. Në këtë konsensus pak të gjerë sigurisht fjala e fundit i takon qeverisë, i takon ministrave, i takon kryeministrit, në dijeninë time është një proces që po zhvillohet. Duhet të kuptoni dhe të mirëkuptoni që nuk është një proces i lehtë se po të ishte i tillë bëhej me një të rënë të lapsit. Po përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme për të dhënë përfaqësuesit më dinjitoz, qoftë për PS-në qoftë edhe për drejtuesit e administratës.” tha Pëllumbi

Skip to toolbar