Skandali i njohur si “Zhvatja” në Shkup, ku është përfolur mundësia e përfshirjes së Prokurores së posaçme në largim Katica Janeva, ka dalë me prova të qarta filmike nga gazeta italiane “La Verita”
Ne video shikohen dhe dëgjohen personazhe të dyshuara në këtë rast duke biseduar për lirimin nga procesi gjyqësor të një biznesmeni maqedonas dhe duke numëruar shuma të mëdha parashë dhe duke i nxjerrë ato nga shtëpia e këtij të fundit. Videoja shfaq të dyshuarin Bojan Jovanovski, i njohur në publik si Boki 13 dhe bashkëpunëtorin e tij Zoran Milevski me biznesmenin Orce Kamçev. Dy të parët tashmë janë në paraburgim, ndërsa biznesmeni akuzohet në një tjetër rast nga Prokuroria e posaçme e Maqedonisë së Veriut.
Në një pamje duken sasi të mëdha Eurosh të vendopsur në valixhe dhe të tjera duke u numëruar. Dëgjohet zëri që mendohet të jetë i Boki 13 duke i thënë biznesmenit se “do të lihej i lirë dhe se Katica (Janeva) nuk do të ankohej tek gjykata e Apelit në lidhje me vendimin e gjykatës së shkallës së parë”. Në bisedë përmendet si garante prokurorja speciale publike e vendosur nga ndërkombëtarët pas krizës politike në Shkup për të hetuar përgjimet që rrëzuan nga pushteti Gruevskin.
Gazetari Loris Gaiser, i cili ka publikuar videon është shprehur në rrjetet sociale se “ky ishte vetëm fillimi dhe njoftime shokuese do të pasojnë”.