Të premten nis Superliga, Duro: Kam ardhur të dalë kampion me Kukësin

Të premten në 23 gusht ngre tiparin sezoni i ri i Superligës. Një javë pasi u ndeshën në Superkupën e Shqipërisë, Kukësi dhe Partizani do të përballen në ndeshjen e parë hapëse të kampionatit, që do të luhet të premten në orën 19:00 në Elbasan. Një ditë para kësaj sfide, trajneri i verilindorëve, Shpëtim Duro është shprehur se nga Superkupa i ka mbetur peng rezultati dhe jo loja, duke treguar se nuk ka presion nga takimi i një jave më parë.

“Ishim pranë fitimit për 2 minuta dhe mund të merrnim trofeun por ajo ndeshje më erdhi keq për rezultatin dhe jo lojën. Në një periudhë të shkurtër dhe me probleme në formacion sidomos në prapavijë, jam befasuar nga loja. Historia e një ndeshjeje me eliminim është gjë tjetër. Kam ardhur për kampionatin dhe Kupën dhe e kam thënë para finales. Duke pasur jo skuadrën e plotë dhe duke ardhur Kotobelli me 1 ditë stërvitje, gabimet e tij janë të pranueshme” ka thënë Duro.

 Shpëtim Duro ka treguar se nuk do të ndryshojë asgjë nga ndeshja e parë, ndërsa ka komplimentuar lojën e disa futbollistëve të tij. “Unë luaj ndaj një skuadre të konsoliduar kurse unë lojtarë me një stërvitje. Nuk do të ndryshoj asgjë nga loja por duhet më shumë përqendrim në momente të veçanta. Në pjesën e dytë kishim dominim dhe për 2 minuta do të ishte histori tjetër. Pa Valdet Ramën bëmë super ndeshje dhe imagjino, të ishte edhe ai. Gavazaj më ka befasuar sepse ka 3-4 muaj pa luajtur dhe nuk e prisja atë ndeshje. Largimi i tij dhe i Shkurtajt ndikuan. Nuk dua të ndryshoj asgjë nga loja e shkuar”.

Kristal Abazaj i bashkohet të enjten Kukësit në stërvitje. Sulmuesi tashmë është zyrtarisht pjesë e Kukësit, dhe me përforcimet e bëra gjatë merkatos, Shpëtim Duro ka më shumë optimizëm. “Duam një ndeshje të mirë, pikë por është kampionat i gjatë dhe jo vetëm një trofe me 10 minuta. Nuk ka njeri këtu që të luash me Partizanin në moment të shpejtë në atë formë dhe të dominosh, nuk është e lehtë. Kjo lojë dhe kjo mënyrë loje në skuadër, më bëjnë optimist. Me afrimin e Abazajt dhe ndonjë tjetri, më bën optimist për skuadër të fortë. Nuk ka trajner që nuk e do fitoren”.

Lerda euforik: Fitojmë Superkupën, Shpëtim Duron nuk e njoh

Partizani ndodhet prej disa ditësh në Elbasan, ku po përgatitet për ndeshjen e së dielës në finalen e Superkupës kundër Kukësit. Për trajnerin Franko Lerda, ekipi është gati në të gjitha aspektet, duke u shprehur se skuadra është e motivuar për ta nisur sezonin duke fituar trofeun e Superkupës.

“Ne jemi gati për ta nisur mirë këtë sezon, kemi dëshirën të bëjmë tonin këtë trofe për ta nisur mirë sezonin. Skuadra po punon shumë mirë, ende nuk kemi të gjithë efektivët në kushtet optimale se kemi pasur përgatitje me emra që janë afruar më vonë. Por po punojmë që të gjithë të jenë sa më gati edhe në aspektin fizik, edhe atë teknik”, është shprehur Lerda.

Ndeshja mund të shkojë dhe barazim, dhe gjithçka të vendoset nga pika e bardhë e penalltisë. Trajneri italian i Partizanit shprehet se është përgatitur për këtë situatë, ndërsa nuk ka preferuar të komentojë deklaratat e bëra nga Shpëtim Duro, se “Parizani luan futboll mbrojtës”.

“Ne jemi përgatitur se e parashikon rregulloja, ndaj kemi përgatitur në stërvitje edhe pjesën e penalltive. Nuk mund të përgjigjem ndaj trajnerit të Kukësit pasi nuk e njoh. Ne e kemi përgatitur me idenë tonë preçize të futbollit. Pastaj do të jetë fusha ajo që do ta japë gjykimin përfundimtar”, ka thën Lerda, ndërsa ka refuzuar të përgjigjet për largimin e Emmanuel Mensah.

“Për këtë çështje duhet të pyetni klubin, për këto gjëra është klubi që merret, unë përgjigjem për fushën e lojës”, është shprehur trajneri Lerda. Ndërkohë, lidhur me merkaton, italiani ka thënë se beson te zgjedhjet e klubit. “Kam ardhur në një vend të huaj, në një kampionat që nuk njoh, me një skuadër që ka fituar titullin, me drejtues që kanë ndërtuar një ekip që funksionon se ndryshe nuk do të fitonte. Nga trajnerët jam si natyre prej atyre që i besojnë klubit, ka edhe trajnerë-menaxherë, por unë i besoj kësaj skeme”.

Superkupa, Duro: Partizani më mirë se Kukësi, por ne jemi gati

Të  dielën në “Elbasan Arena” do të luhet ndeshja e Superkupës së Shqipërisë. Partizani dhe Kukësi janë dy skuadrat që do të kërkojnë të fitojnë trofeun e parë sezonal, duke bërë kështu një nisje të mbarë të sezonit të ri të futbollit në vend. Në prag të kësaj sfide, trajneri i Kukësit Shpëtim Duro ka dalë në një konfernecë për shtyp, ku ka analizuar ndeshjen e së dielës. Ish-tekniku i Partizanit që tashmë drejton Kukësin, tregon se “Të Kuqtë” janë disi në avantazh, por shprehet se pavarësisht largimeve që ka pasur në skuadër, ekipi është gati për këtë përballje.  “Janë dy ekipe që kanë rivalizuar sezonin e kaluar. Them që, kjo e bën interesante finalen e Superkupës. Partizani, duke iu referuar ndeshjeve të fundit në Europë, është më para. Kukësi ka ndryshime, sepse janë larguar tre lojtarë bazë, si Cuculi, Rrumbullaku dhe Rama. Janë linja e krahut të majtë. Kemi punuar gjithë javën, për t’i zëvendësuar, dhe për ta përgatitur këtë takim”. Ka thënë Duro.

Më tej ai është shprehur se gjatë këtyre ditëve është punuar shumë në merkato për të plotësuar  vendet vakante, ndërkohë që tregon se Valdet Rama nuk do të jetë pjesë e ekipit. “Sot paraqitet në stërvitje lojtari nigerian që është aktivizuar në Kroaci, që zëvendëson Cuculin. Këtë javë, po tentojmë për një goditje që të jetë në nivelin e Ramës në sulm. Gjici është i gatshëm, po punojmë shumë edhe me Nexhipin për ta plotësuar skuadrën. Duhet edhe koha e duhur për ambientimin me skuadrën. Unë kam dy javë që kam marrë drejtimin e skuadrës. Duke parë Kukësin e sezonit të kaluar, nuk do doja t’i hiqja asnjë centimetër skuadrës. Ka situata të tilla, dikush nuk bie dakord për kontratën me klubin. Valdeti për arsye të justifikueshme, personale, nuk do jetë. Ideja ime ishte që ta mbaja atë skuadër, që mora në drejtim”.

Duke u rikthyer te ndeshja e së dielës, Duro shprehet se Partizani nuk ka ndryshuar shumë, ndërsa tregon se dëshira e tij do të ishte që të shtyhej me një javë kampionati, për shkak të afrimeve të vonuara në skuadër. “Ne jemi përgatitur, Partizani atë fizionomi ka. Më shumë ka qenë ekip racional, por me rendiment. Edhe ndaj Sherifit, ajo skuadër ka qenë. Ka ndryshuar pak vendosjen për sa i përket skemës. Ne kemi punuar, që të përgjigjemi me atë skemë që ka Partizani. Do kisha dëshirë të paktën të shtyhej një javë kampionati, sepse e thashë, Kotobelli ka 2 ditë që ka ardhur. Partizani është një hap para. Por, kemi kontingjent dhe kapacitet”.

Trajneri i ekipi verilindor ka treguar gjithashtu se klubi po punon për të afruar në skuadër Kristal Abazajn, futbollistin e Anderlecht, që nuk ka gjetur hapësira te skuadra belge, pas përfundimit të huazimit në Kroaci të Osijek. “Po, nuk ka asnjë sekret. Jemi në bisedime. Pastaj, a realizohet, do shohim. Me të po merret Nexhipi. OK-in e fundit e jep presidenti, edhe nga ana financiare. Di që Nexhipi është në tratativa me Abazajn. Nëse nuk bie dakord, kemi edhe një pistë tjetër nga jashtë. Nëse vjen Abazaj, jemi të kompletuar”.

Prezantohet Duro: S`mund ta refuzoja Kukësin, Gjici ka ambicie

Kukësi ka prezantuar zyrtarisht Shpëtim Duron si trajner për sezonin e ri. Gjatë fjalës para gazetarëve, Duro u shpreh se detyra që po merr është një përgjegjësi e madhe për të. “Puna e trajnerit është përgjegjësi në çdo skuadër. Edhe marrja e drejtimit të Kukësit është përgjegjësi, edhe më e madhe, sepse Kukësi ka qenë protagonist me Skënderbeun dhe Partizanin në dekadën e fundit, duke fituar edhe trofe. Është një kënaqësi të marr drejtimin dhe falënderoj drejtuesit dhe presidentin për besimin. Pozitive është që është fillimi i sezonit, ndaj kemi kohë”, është shprehur Duro.

Sipas tij, Kukësi është nga ato ekipe që nuk refuzohet për t`u drejtuar, ndërkohë në lidhje me raportin që do të ketë me presidentin Safet Gjici, Duro është shprehur se: “Janë disa skuadra që nuk refuzohen. Projekti dhe objektivat, skuadra cilësorë që ka, këto më binden të pranoj. Puna e trajnerit e tillë është. Është hera e parë që bashkëpunoj me Gjicin, është president ambicioz, që ka fituar shumë. Nga jashtë e kam parë që skuadrat e ndërtuara këtu kanë qenë gjithnjë të forta, shpresojmë të bëjmë më të mirën”.

Ekipi, sipas trajnerit të ri, është me lojtarë cilësorë, ndaj për Shpëtim Duron puna në merkato do të jetë e vogël. “Nuk ka arsye për të ndërhyrë fuqimisht në ekip. Do ketë ndonjë largim që do zëvendësohet. Skuadra është cilësore, unë kam mendimet e mia ku mund të përforcohemi, në bashkëpunim me Nexhipin, të cilin e kam pasur edhe futbollist, tani e kam drejtues”, është shprehur Duro.

Ai ka treguar se ofertën e parë, që Safet Gjici i ka bërë një trajneri në superiore disa vite më parë, ka qenë pikërisht ndja tij. Shpëtim Duro ka vlerësuar edhe faktin që krah tij, si drejtor të klubit, do të ketë Nderim Nexhipin, të cilin më herët e ka pasur futbollist te Partizani dhe Shkëndija e Tetovës. Lidhur me rivalët në kampionat, duke u shprehur se e shkuara mbetet e shkuar, ndërsa tani do të fokusohet te Kukësi.

“Kam punuar te Partizani, por jemi profesionistë. Nuk e mohoj të shkuarën, por tani do të bëj të pamundurën për të ndihmuar Kukësin të fitojë. Nuk i kam qejf termat mbrojtës, sulmues, janë përkufizime të dala mode. Unë kam pasur gjithnjë ekipe të ekuilibruara, elastike, në varësi të kundërshtarit. Rëndësi ka që skuadra të funksionojë”. Ka thënë ndër të tjera në fjalët e para si trajner i Kukësit Shpëtim Duro.

Skip to toolbar