Superkupa, Duro: Partizani më mirë se Kukësi, por ne jemi gati

SPORT


Të  dielën në “Elbasan Arena” do të luhet ndeshja e Superkupës së Shqipërisë. Partizani dhe Kukësi janë dy skuadrat që do të kërkojnë të fitojnë trofeun e parë sezonal, duke bërë kështu një nisje të mbarë të sezonit të ri të futbollit në vend. Në prag të kësaj sfide, trajneri i Kukësit Shpëtim Duro ka dalë në një konfernecë për shtyp, ku ka analizuar ndeshjen e së dielës. Ish-tekniku i Partizanit që tashmë drejton Kukësin, tregon se “Të Kuqtë” janë disi në avantazh, por shprehet se pavarësisht largimeve që ka pasur në skuadër, ekipi është gati për këtë përballje.  “Janë dy ekipe që kanë rivalizuar sezonin e kaluar. Them që, kjo e bën interesante finalen e Superkupës. Partizani, duke iu referuar ndeshjeve të fundit në Europë, është më para. Kukësi ka ndryshime, sepse janë larguar tre lojtarë bazë, si Cuculi, Rrumbullaku dhe Rama. Janë linja e krahut të majtë. Kemi punuar gjithë javën, për t’i zëvendësuar, dhe për ta përgatitur këtë takim”. Ka thënë Duro.

Më tej ai është shprehur se gjatë këtyre ditëve është punuar shumë në merkato për të plotësuar  vendet vakante, ndërkohë që tregon se Valdet Rama nuk do të jetë pjesë e ekipit. “Sot paraqitet në stërvitje lojtari nigerian që është aktivizuar në Kroaci, që zëvendëson Cuculin. Këtë javë, po tentojmë për një goditje që të jetë në nivelin e Ramës në sulm. Gjici është i gatshëm, po punojmë shumë edhe me Nexhipin për ta plotësuar skuadrën. Duhet edhe koha e duhur për ambientimin me skuadrën. Unë kam dy javë që kam marrë drejtimin e skuadrës. Duke parë Kukësin e sezonit të kaluar, nuk do doja t’i hiqja asnjë centimetër skuadrës. Ka situata të tilla, dikush nuk bie dakord për kontratën me klubin. Valdeti për arsye të justifikueshme, personale, nuk do jetë. Ideja ime ishte që ta mbaja atë skuadër, që mora në drejtim”.


Duke u rikthyer te ndeshja e së dielës, Duro shprehet se Partizani nuk ka ndryshuar shumë, ndërsa tregon se dëshira e tij do të ishte që të shtyhej me një javë kampionati, për shkak të afrimeve të vonuara në skuadër. “Ne jemi përgatitur, Partizani atë fizionomi ka. Më shumë ka qenë ekip racional, por me rendiment. Edhe ndaj Sherifit, ajo skuadër ka qenë. Ka ndryshuar pak vendosjen për sa i përket skemës. Ne kemi punuar, që të përgjigjemi me atë skemë që ka Partizani. Do kisha dëshirë të paktën të shtyhej një javë kampionati, sepse e thashë, Kotobelli ka 2 ditë që ka ardhur. Partizani është një hap para. Por, kemi kontingjent dhe kapacitet”.

Trajneri i ekipi verilindor ka treguar gjithashtu se klubi po punon për të afruar në skuadër Kristal Abazajn, futbollistin e Anderlecht, që nuk ka gjetur hapësira te skuadra belge, pas përfundimit të huazimit në Kroaci të Osijek. “Po, nuk ka asnjë sekret. Jemi në bisedime. Pastaj, a realizohet, do shohim. Me të po merret Nexhipi. OK-in e fundit e jep presidenti, edhe nga ana financiare. Di që Nexhipi është në tratativa me Abazajn. Nëse nuk bie dakord, kemi edhe një pistë tjetër nga jashtë. Nëse vjen Abazaj, jemi të kompletuar”.




Skip to toolbar