Autoriteti
Kombëtar i Aviacionit Civil në Itali informoi se ka urdhëruar pezullimin e
licensës së operimit për transportin e udhëtarëve dhe mallrave për kompaninë
ajrore “Fly Ernest”. Kjo kompani operon edhe në tregun shqiptar, për udhëtimet
midis Shqipërisë dhe Italisë.
Pezullimi
hyn në fuqi në datën 13 janar 2020, me qëllimin e vetëm që kompania të
rregullojë transportin e udhëtarëve që tashmë kanë blerë bileta si dhe të
sigurojë udhëtarët për fluturimet e anuluara.
Aviacioni
Civil italian nuk jep arsye pse ka pezulluar licencën e “Fly Ernest”, por nisur
nga deklarata duket se ajo lidhet me vonesat që kjo kompani ka krijuar me
transportin e udhëtarëve.
Ndërkohë,
sipas komunikatës së Autoritetit të Aviacionit Civil në vendin fqinj, nëse
transportuesi siguron elementet e garancisë të kërkuara nga rregulloret dhe nëse
këto elemente vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ky autoritet, masa e
pezullimit mund të revokohet.
“ENAC do të vazhdojë të monitorojë kompaninë ajrore në mënyrë që të verifikojë miratimin e të gjitha nismave të mundshme për të mbrojtur respektimin e të drejtave të pasagjerëve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Të enjten do të
luhet ndeshja e parafundit në grup për kualifikueset e Euro 2020 mes Shqipërisë
dhe Andorrës. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa deri
më tani numri i tifozëve që do të jenë të pranishëm mbetet i ulët. Megjithatë,
policia e Elbasanit merr masa për të parandaluar çdo situatë problematike. Sipas
një njoftimi zyrtar, mësohet se të enjten do të bllokohen disa rrugë në qytetin e Elbasanit.
“Nuk do të
lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Kamber Sejdini”, nga kryqëzimi i
bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave. Nuk do të lejohet
qarkullimi i mjeteve në bulevardin “Aqif Pasha” dhe bulevardin “Qemal Stafa”,
pasi krahu i djathtë i stadiumit do të përdoret për parkimin e autobusëve të
ndryshëm që vijnë të organizuar me tifozë”.
“Vendparkimet e
mjeteve të UEFA-s, të mjeteve të tifozëve miq, si dhe vendparkimet me autorizim
do të jenë para sheshit të stadiumit. Bulevardi “Qemal Stafa” dhe unaza e
qytetit do të përdoren për qarkullimin e mjeteve. Rrugë-kalimi nga Kryqëzimi i
Tapetave, ish-konservimi deri në dalje në unazë dhe në spitalin rajonal Elbasan
do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij
aktiviteti”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu,
policia do të mbyllë disa lokale që ndodhen pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ndërsa
për sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes do të angazhohen punonjës policie nga
Drejtoria e Policisë Elbasan si dhe komisariatetet e tjera. Të gjithë
sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me
biletë, kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta, shishe (të
çfarëdolloji) monedha apo metale (të
çfarëdolloji) çelësa të ndryshëm.
Të mërkurën, më 9 tetor, u zhvillua një
konferencë nga anëtarë të të dyja partive, Demokratike dhe Republikane, në
Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, për të shpallur mbështetjen e 110
ligjvënësve nga të dyja partitë në dënimin e terrorizmit dhe luftënxitjes së
regjimit iranian në Lindjen e Mesme. Përfaqësuesit theksuan gjithashtu
mbështetjen e tyre për opozitën iranian, Këshillin Kombëtar të Rezistencës së
Iranit, që udhëhiqet nga Maryam Rajavi.
Rezoluta 374 e Kongresit Amerikan për dënimin
e terrorizmit shtetëror të regjimit dhe në mbështetje të dëshirës së popullit
iranian për të themeluar një shtet demokratik, arriti në 110 përfaqësues nga të
dyja partitë.
Kjo rezolutë dënon terrorizmin e regjimit
iranian në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, kundër tubimit të opozitës
iraniane MEK në Villepinte të Parisit, si dhe komplotin terrorist kundër
Muxhahedinëve në Shqiëpri.
Në këtë konferencë, Hakeem Jeffries, Kryetar
i Grupit Demokratik në Dhomën e Përfaqësuesve, shprehu mbështetjen e tij për
rezistencën iraniane dhe për një Iran të lirë, demokratik e jo-bërthamor.
Rezoluta 374 u bëri gjithashtu thirrje
qeverive që t’i ndalojnë veprimtaritë shkatërrimtare të misioneve diplomatike
iraniane dhe t’i mbyllin ambasadat e këtij regjimi, përfshirë në Shqipëri, si
dhe që ta mbështesin planin me dhjetë pika të Presidentes së zgjedhur iraniane
Maryam Rajavi për një Iran të lirë. Përfaqësuesit në rezolutën dypartiake 374
thanë se mbështesin të drejtën e popullit iranian për të themeluar një
republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore.
Analisti Agron Gjekmarkaj deklaroi në “Real Story”
të gazetarit Sokol Balla, se ambasadorja e re e SHBA dha mesazhe shumë
interesante. Sipas tij, ajo legalizoi krizën politike, duke e njohur atë, si
dhe foli për krimin dhe narkotrafikun, një problem tjetër serioz për vendin.
“Abasadorja amerikane dha mesazhe shumë
interesante, legalizoi krizën politike në Shqipëri që nuk e ngjeh qeveria. Fjala
e saj është linjë e DASH dhe tha që në Shqipëri ka krizë. Kjo tregon që do ketë
presion mbi palët. Dhe kriza do zgjidhet me zgjedhje të parakohshme. Ajo përmendi
krimin dhe narkotrafikut. Ky është një nga faktorët që ne na mbanë jashtë BE. Dhe
tjetra ishte reforma në drejtësi. SHBA e sheh si pjellë të vetën dhe nuk do ta
lërë jetime”, tha Gjekmarkaj.
Më tej, ai shtoi se autoriteti i SHBA-së në
Shqipëri është më i fortë se i Evropës, duke e quajtur njëlloj “protektorati”. Ndërkohë,
për Agron Gjekmarkaj është pozitiv fakti që Lulzim Basha ka ndryshuar diskursin
e komenteve ndaj reformës në drejtësi.
“Autoriteti i SHBA në Shqipëri është më i
fortë se ai i Europës. Jemi “protektorat” amerikan. Shumica shpreson që reforma
në drejtësi do ketë sukses. Sa më shumë ndikim amerikan, i bie që të largohet
nga ndikimi i pushtetit politik reforma në drejtësi. Opozita ka pasur një
modifikim diskursi ndaj reformës në drejtësi. Unë e shoh pozitiv raportin e
Bashës në raport me reformën në drejtësi. Opozita ka një problem madhor, që është
raporti me hajdutët e votave. Prokuroria e përgjithshme atë dosje duhet ta
hetonte. Unë mendoj se sa më shumë të ketë trysni amerikane, dobësohet trysnia
e politikës ndaj reformës”, tha Gjekmarkaj. /Realstory.al/
UEFA caktoi zyrtarisht gjyqtarët që do të
vendosin drejtësi në sfidën e të premtes mes Turqisë dhe Shqipërisë. Një katërshe
nga Rumania do të drejtojë këtë sfidë, me kryesor arbitrin që mban stemën e
FIFA-s, Ovidu Alin Hategan. Arbitri 39-vjeçar, do të asistohet nga Octavian
Șovre dhe Sebastian Gheorghe, ndërsa Sebastian Coltescu do të jetë arbitër i katërt
në këtë sfidë. Po kush është arbitri kryesor?
Ovidiu Alin Hategan është i datëlindjes 17
korrik të vitit 1980. Ai është arbitër ndërkombëtar prej vitit 2008, ndërsa
profesioni i tij i parë është doktor. Ovidiu Alin Hategan vjen nga një
eksperiencë e gjatë si arbitër ndërkombëtar, duke drejtuar ndeshje në të gjitha
nivelet. Vetëm disa javë më parë, ai ishte arbitër i takimit të fazës në grupe
të UEFA Champions League, mes Barcelonës dhe Dortmund, që u mbyll 0-0.
Ndërsa, po në këtë kompeticion për sezonin
aktual, 39-vjeçari rumun, gjykoi ndeshjen midis Rosenborg dhe Dinamo Zagreb në
fazën e play-offs. Gjithashtu, ai ka gjykuar edhe takime të rëndësishme në
nivele kombëtaresh, si Zvicër-Angli në UEFA Nations League, ndërsa eksperienca
pasurohet me takime në UEFA Europa League.
Takimi i së premtes nuk do të jetë i pari, që arbitri rumun do të gjykojë Shqipërinë. Në vitin 2012, arbitri Ovidiu Alin Hategan, ishte kryesori i takimit Zvicër – Shqipëri, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror, që përfundoi me fitoren 1-0 të Zvicrës. Ndërkohë, arbitri rumun numëron rreth 114 ndeshje ndërkombëtare në karrierën e tij. Ai jep mesatarisht rreth 3 kartona të verdhë gjatë një ndeshje, dhe 0.1 të kuq, ndërsa jep 0.11 penallti për ndeshje.
Fitorja ndaj Islandës riktheu shpresën në kombëtaren
tonë. Kjo ndeshje në fakt ishte deçizive për shumë arsye; së pari për të besuar
ende te kualifikimi në Euro 2020, së dyti për të krijuar besim brenda grupit të
lojtarëve dhe së treti për të rikthyer besimin e tifozëve te kjo skuadër. Madje,
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një falënderim për tifozët, duke i
dedikuar atyre një meritë të veçantë të suksesit të kuqezinjve.
Me anë të një mesazhi publik, FSHF shkruan; “Faleminderit
nga zemra! Federata Shqiptare e Futbollit dhe të gjithë lojtarët kuqezi,
dëshirojnë të falenderojnë tifozët tanë të mrekullueshëm që nuk e braktisin
kurrë ekipin Kombëtar, që nuk kanë hezituar kurrë të bëjnë me mijëra kilometra
për fanellën e shenjtë kuqezi dhe kanë qënë pranë skuadrës në ditë të mira dhe
në ditë të vështira. Ky binom, tifozë-lojtarë, na ka treguar edhe më parë se
është binomi fitues. Së bashku kemi treguar se kur jemi të bashkuar mund të
arrijmë rezultate që për shumë dukeshin utopike, duke bërë bërë të pamundurën
të mundur. Ëndrra vazhdon, së bashku mund të shkojmë shumë larg”, përfundon mesazhi
i falënderimit.
Megjithatë, ndeshja e së martës, pati dhe
disa rekorde. Së pari, për herë të parë në historinë e ndeshjeve zyrtare, kombëtarja
jonë shënon 4 gola ndaj një ekipi dhe për më tepër ndaj një rivali që ka pasur
suksese të rëndësishme në futboll vitetet e fundit. Së dyti, për herë të parë në
karrierën e tij si lojtar profesionist në nivele të larta, Hysaj shënoi gol. Më
herët, Hysaj ka shënuar vetëm një gol kur luante me Empolin në Serie B në 17
prill të vitit 2014 në ndeshjen kundër Virtus Lanciano. Prej asaj date, Hysaj
nuk ka shënuar më në asnjë ndeshje, jo vetëm në klube, por as në mbi 50 ndeshje
të luajtura me ekipin tonë kombëtar. Goli i së martës, i jep mundësi mbrojtësit
të rifitojë dhe vendin e titullarit te Napoli.
Një tjetër rekord ishte numri i biletave të shitura. Deri në mëngjesin e të martës ishin shitur shumë pak bileta, rreth 4 mijë. Por, deri në mbrëmje pak para se të niste ndeshja, u shitën gati 10 mijë bileta, duke bërë që shkallët e stadiumit të ishin pothuajse të mbushura. Një tjetër rekord i vendosur ndeshjen e së martës ndaj Islandës, ishte fitorja ndaj këtij ekipi pas 28 vitesh. Për herë të fundit, kombëtarja jonë e kishte mundur Islandën në ndeshje zyrtare në vitin 1991, ndërsa kishte fituar dhe një takim miqësor në vitin 2004. /Realstory.al/
Një zjarr i madh ka rënë në zonën pyjore me
pisha në Krastë të Krujës. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore,
ndërsa mësohet se vatra e tij ka qenë pranë fabrikës së vjetër të çimentos në. Mësohe
se nga flakët e zjarrit rrezikohet linja e tensionit të lartë Shqipëri-Kroaci.
Reparti zjarrfikës në Krujë ka shkuar në
vendin e ngjarjes dhe po punon për shuarjen e flakëve, të cilat favorizohen nga
era dhe temperaturat e larta. Ndërkohë, po ky repart, mësohet se ka raportuar që
zjarri mund të jetë i qëllimshëm.
Po gjatë pasdites të së dielës, një tjetër zjarr
ka përfshirë një sipërfaqe toke në fshatin Velçan në Librazhd. Flakët kanë
djegur një sipërfaqe me bimë drusore. Zjarri ka qenë me përmasa të mëdha, por ndërhyrja
në kohë e zjarrfikësve ka bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Zjarret janë shndërruar në makth për shumë
zona në vend, ku gjatë ditëve të fundit ka pasur djegje të sipërfaqeve masive
pyjore, por dhe zona me kultura bujqësore. Deëri më tani, zjarri i rënë në
kodrat e Shëngjinit, ka qenë më i madhi, për shuarjen e të cilit u deshën dy
ditë dhe angazhimi i forcave të armatosura.
Mali i Zi do të ngrejë një mur në kufi me
Shqipërinë dhe Kosovën për të parandaluar bandat e drogës. Kështu ka deklaruar drejtuesi
i Lëvizjes Malazeze për Ndryshim, Nebojsha Medojeviç, që ka lënë të shokuar të
gjithë shqiptarët që ndodhen në Malin e Zi.
Medojeviç tha se “Fronti Demokratik, kur të vijë në pushtet, do të ishte gati të ngrejë
një mur midis Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë për shkak të bandave të
drogës”. Kjo deklaratë është bërë shkasë për reagimin ashpër dhe të zemëruar
të pakicës shqiptare që jeton në Malin e Zi, e cila u shpreh se kjo deklaratë ‘poshtëron shumicën e atyre partive shqiptare
dhe disa shqiptarë që dikur mbështetnin politikat e tij”.
Ndërsa politikanët shqiptarë në Malin e Zi
thanë se “ Medojeviç po përpiqet të nxisë
urrejtje kombëtare midis qytetarëve malazezë dhe në kohën e kufijve të hapur,
të thuash diçka të tillë në të nxehtin e një lufte politike është e
papranueshme.”
Pas reagimeve të shumta të shqiptarëve ka
ardhur edhe zbutja e tonit nga Medojeviç, i cili shpjegoi se deklarata e tij
nuk kishte lidhje me popullin shqiptar apo malazez, por ekskluzivisht kundër
mafies malazeze dhe shqiptare.
Ngritja e një muri në kufi na kujton rastin e presidentit
te SHBA , Trump, i cili kërkon ngritjen e tij për ndalimin e hyrjes së emigrantëve.
Duke nisur prej këtij 15 gushti, kanë hyrë në
fuqi rregullat e reja për pajisjen me leje drejtimi, e njohur ndryshe patenta. Një
ndër këto rregulla është ajo që i mundëson qytetarëve shqiptarë, rezidentë në
Itali, dhe atyre që udhëtojnë drejt Italisë me mjetet e tyre, që të mos kenë më
nevojë të nxjerrin patentë ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent
Cakaj, me anë të një reagimi në rrjetet sociale, shprehet se duke nisur nga 8
shtatori, hyn në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, për konvertimin e
lejeve të drejtimit.
“Një lajm shumë i mirë për shqiptarët në
Itali! Më në fund mbaroi edhe marrëveshja ndryshuese për konvertimin e lejeve
të drejtimit që do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019 Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese
i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e
modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke
lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin/pajisjen me leje drejtimi
italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”,
shkruan Cakaj.
Më tej, ai shpjegon se marrëveshja prek edhe
qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë deri në 3 muaj drejt Italisë me mjetet e
tyre. Sipas ministrit Cakaj, pas 8 shtatorit nuk do të nevojitet me leje
drejtimi ndërkombëtare për të udhëtuar drejt Italisë. “Gjithashtu, shtetasit
shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për
deri 3 muaj, nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të
automjetit. Shqipëria ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje e hapa edhe me shtete
të tjera evropiane. Përgjegjësitë e palës shqiptare janë kryer të gjitha me
përpikëmëri! Për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë
përfunduar ende. Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e
marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë
bashkëkombasve tanë nëpër botë”, përfundon Gent Cakaj.
Revista italiane “Voglio vivere Cosi” i ka kushtuar një artikull të gjatë vendit tonë, ku tregon mundësitë e mëdha që të jep Shqipëria për të jetuar, punuar apo investuar. “Investoni, hapni një kompani, apo blini një shtëpi”, shkruan në titull revista italiane. Më pas, ajo vijon në artikull duke treguar se “20 vjet më parë konsiderohej një nga vendet më të vështirë, sot, Shqipëria ka arritur të rilindë, duke ndryshuar “lëkurën” e saj dhe duke ofruar shumë përparësi në kënvështrimin ekonomik”.
“Rreth 20 mijë italianë jetojnë dhe punojnë në Tiranë, kryeqytetin e
vendit. Bëhet fjalë për një nga vendet më të shtrenjta në botë”, shkruan më tej
Voglio vivere Cosi”. Duke u futur më tej në analizën e shkrimit ekonomik, që
revista italiane i bën vendit tonë, ajo vlerëson lehtësin e të bërit biznes këtu,
duke theksuar faktin që të hapësh një kompani mjafton vetëm një ditë kohë,
ndryshe nga Italia, ku ka procedura burokratike të mëdha.
“Në Shqipëri është e mundur të hapet një aktivitet brenda një dite. Një
mrekulli në krahasim me kohën dhe kostot italiane. Është një vend që po hapet,
ku kërkesa për personel të kualifikuar është ende e lartë, kështu që është e
përsosur për ata që duan të investojnë jashtë vendit dhe të bëhen sipërmarrës”.
Një tjetër aspekt, është ai i kostos së jetës. Revista shkruan se në
Shqipëri mund të përballosh jetesën me 630 dollarë në muaj. “Pavarësisht se ka
një fuqi blerëse të ulët, Shqipëria ofron çmime të ulëta për ushqimin, qiratë
dhe produktet. Në Tiranë për këto shërbime ju duhet të shpenzoni vetëm 630
dollarë në muaj”, shkruan Voglio vivere Cosi, duke u sugjeruar italianëve që “të
gjitha këto arsye shpjegojnë pse sot është koha e duhur për të investuar në
Shqipëri. Disa italianë kanë filluar biznese në qytetet kryesore si Tiranë,
Durrës, Sarandë dhe Vlorë, që përfaqësojnë edhe qytetet kryesore në vend”.
Artikulli i plotë i “Voglio vivere Cosi”.
Investoni, hapni një kompani ose
blini një shtëpi në Shqipëri
Enza Petruzziello
Një vend që konsiderohej si një nga më të vështirët deri 20 vite më
parë, Shqipëria ka arritur të rilindë, duke ndryshuar ”lëkurën” e saj dhe duke
ofruar shumë përparësi në këndvështrimin ekonomik. Aktualisht, ka rreth 20 000
italianë që jetojnë dhe punojnë në Tiranë, në kryeqytetin e vendit. Bëhet fjalë
për një nga vendet më pak të shtrenjta në botë dhe një destinacion që pëlqehet
nga shumë njerëz.
Të rinjtë, sipërmarrësit dhe pensionistët italianë zgjedhin këtë vend
si një vendbanim të ri, në kërkim të mundësive të reja, për të shijuar vitet e
pensionit ose edhe për të investuar. A ia vlen vërtet të investosh në Shqipëri?
Cilat janë arsyet e këtij interesi në rritje për investime në vend? Së pari,
afërsia me Italinë, pastaj ekonominë e saj: standardi i jetesës këtu është
rritur, pagat janë trefishuar dhe gjetja e punës nuk është më një mision i
pamundur. Dhe përsëri: kosto të ulëta të punës, taksim të favorshëm, afërsi me
Italinë, gjuhën që e flasin në masë shumë shqiptarë si edhe shpenzimet e
transportit me vendin tonë, Italinë.
Pa harruar burokracinë joefikase të vendit tonë, Italisë. Në Shqipëri
është e mundur të hapet një aktivitet brenda një dite. Një mrekulli në krahasim
me kohën dhe kostot italiane. Është një vend që po hapet, ku kërkesa për
personel të kualifikuar është ende e lartë, kështu që është e përsosur për ata
që duan të investojnë jashtë vendit dhe të bëhen sipërmarrës.
Dhe pastaj ka leverdi edhe për koston e jetesës, vërtet shumë të
përshtatshme sidomos për pensionistët italianë që jetojnë në Shqipëri, ku me
ndihmën e pensionit, mund të bëjnë një jetë të rehatshme. Pavarësisht se ka një
fuqi blerëse të ulët, Shqipëria ofron çmime të ulëta për ushqimin, qiratë dhe
produktet. Në Tiranë për këto shërbime ju duhet të shpenzoni vetëm 630 dollarë
në muaj.
Të gjitha këto arsye shpjegojnë pse sot është koha e duhur për të investuar në Shqipëri. Disa italianë kanë filluar biznese në qytetet kryesore si Tiranë, Durrës, Sarandë dhe Vlorë, që përfaqësojnë edhe qytetet kryesore në vend. Nga ana tjetër, si në të gjitha vendet në zhvillim, sigurisht që ekzistojnë edhe rreziqet. Problemet më të mëdha paraqiten nga një korrupsion i lartë, jo gjithmonë hartat e azhurnuara të regjistrit të tokës dhe modeleve të ndryshme të zhvillimit midis zonave të ndryshme territoriale. Sidoqoftë, këto janë rreziqe që mund të përballen dhe tejkalohen, siç dëshmojnë shumë kompani italiane të pranishme në vend.
Sa kompani italiane ka në vend?
Sipas të dhënave të Infomercati, në 2018 Italia zinte 34,1% të tregtisë
totale tregtare të Shqipërisë, e cila në vitin 2017 arriti në rreth 2,6
miliardë euro. Italia është qartësisht klientja kryesore, me 48,2% të vëllimit
të eksporteve, gjithashtu furnizuesja e parë në Shqipëri me 27,3% të importeve.
Sipas të dhënave të vitit 2018, pas Italisë, partneri i parë tregtar,
vijnë më pas Greqia (6,9%), Gjermania (6,6%) dhe Kina (6,3%). Prania jonë
sigurohet nga rreth 1 000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, nga grupi i madh
bankar ”Intesa San Paolo” dhe nga disa grupe industriale të mesme të mëdha të
krijuara kryesisht në sektorët e çimentos, agroushqimit dhe energjisë.
Në numrin e përgjithshëm të kompanive me kapital të huaj dhe të përzier
sipas vendit të origjinës, Italia thithi pjesën më të madhe të punësimit
(49,6%) ndërkohë që qarkullimi i vlerave është (25,2%) për sipërmarrjet
italiane. Por, investimet nuk janë vetëm italiane. Shumë investime të huaja dhe
europiane vitet e fundit kanë sjellë të ardhura në arkat e vendit duke lejuar
rilindjen e ngadaltë të tij.
Le të mendojmë, për shembull, për investimet kineze. Në fakt, janë 90
kompani të reja kineze që mbërritën në Shqipëri në dy vitet e fundit,
veçanërisht të joshur nga mundësitë për bashkëpunim në industrinë e energjisë,
infrastrukturës dhe minierave. Aktualisht ka 150 ndërmarrje kineze aktive në
vend.
Ku të investoni në Shqipëri:
sektorët ekonomikë më fitimprurës
Industritë më të mëdha në Shqipëri janë përqendruar në këto fusha:
Sektori i
ushqimit
Produktet
e duhanit
Tekstile
dhe veshje
Burimet e
energjisë
Bujqësi
Turizëm
Import/Eksport
Investime
në pasuri të paluajtshme
Menaxhimi
i mbeturinave
Siç thekson Infomercati, faqja e internetit e Ministrisë së Jashtme
italiane, ekonomia shqiptare ofron perspektiva të mira investimesh, veçanërisht
në sektorin e energjisë. Deri në vitin 2020, Shqipëria synon të përmbushë 38%
të konsumit të brendshëm me burime të rinovueshme. Ligji për “Promovimin e
përdorimit të energjisë së rinovueshme” Nr. 7/2017 parashikon zbatimin e një
plani stimulues për të investuar në krijimin e burimeve të reja të erës dhe
energjisë diellore.
Investimi në bujqësi gjithashtu mund të jetë i dobishëm. Në fakt,
ekzistojnë mundësi të mira integrimi për furnizuesit italianë të makinerive dhe
bimëve që lidhen me sektorin e agroushqimit dhe në veçanti bimët e teknologjisë
së lartë për përpunim.
Për kompanitë që duan të investojnë në Shqipëri, ka edhe mundësi të
mira në sektorin e turizmit: ka një potencial të madh të këtij sektori sidomos
përgjatë brigjeve, të cilat janë shumë të njohura me turistë nga e gjithë bota.
Mbi të gjitha, hapja e një restoranti jashtë vendit, apo një bar, është ëndrra
e shumë italianëve.
Mundësi të shkëlqyera gjenden në sektorin e prodhimit (këpucëve dhe
tekstile), në kushte konkurruese të tregut shqiptar të punës, taksimit të
favorshëm dhe elementeve tradicionale të avantazhit për operatorët tanë
ekonomikë.
Për ata që kërkojnë investime të sigurta në Shqipëri, sektori i
pasurive të patundshme është një tjetër sektor i rëndësishëm. Pritet që në një
të ardhme të afërt vlera e tokës të rritet: nëse blini tokë sot, në pak vite
mund ta shisni me një çmim shumë më të lartë.
Sa i përket kostove, shumë gjëra varet nga lloji i investimit që dëshironi të bëni. Shumë preferojnë të kërkojnë një partner për një aktivitet jashtë vendit, në mënyrë që të jenë në gjendje të investojnë një shumë më të konsiderueshme dhe të ndajnë shpenzimet dhe fitimet. Sidoqoftë, nëse doni të investoni në Shqipëri, një sasi e vogël kapitali është zakonisht e mjaftueshme, nga 30 mijë euro e sipër.
Hapni një kompani në Shqipëri
Siç thamë në fillim të këtij artikulli, ka shumë kompani italiane në
Shqipëri. Hapja e një aktiviteti këtu, qoftë një bar, një dyqan apo një
kompani, është e shpejtë dhe e lehtë.
Sipërmarrësit që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri mund të zgjedhin
midis tyre një kompani me përgjegjësi të kufizuar (SHPK); një kompani publike
(SA), e cila megjithatë kërkon një kapital minimal prej të paktën 27 000 euro;
kompani me kapital të përbashkët shoqëror (SHA).
Kompanitë me përgjegjësi të kufizuar (SHPK), të cilat mund të
themelohen si kompani edhe nga një anëtar i vetëm, pra i njëjti person fizik
ose juridik si aksioner dhe drejtori i tij, janë më tërheqëse dhe miqësore për
investitorët e huaj. Procedura e themelimit kërkon hartimin dhe nënshkrimin e
disa dokumenteve dhe mund të përfundojë brenda 10/15 ditëve, përfshirë hapjen e
llogarisë bankare.
Dokumente të nevojshme për të
hapur një aktivitet
Të gjitha kompanitë ose kushdo që ka një aktivitet në Shqipëri, duhet
të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Qendra Kombëtare e
Regjistrimit është organi publik përgjegjës për regjistrimin dhe mbajtjen e
informacionit të regjistrimit për të gjitha bizneset dhe aktivitetet në vend.
Një kompani konsiderohet e regjistruar zyrtarisht që nga momenti i
regjistrimit të suksesshëm.
Kërkesat për regjistrim janë:
Keni një minimum prej një anëtar dhe një administratori. Një kompani
mund të ketë një partner i cili mund të jetë person fizik ose person juridik.
Vendosmëria në Shqipëri. Çdo kompani duhet të ketë një zyrë të
regjistruar në vend, të cilit mund t’i dërgohet korrespondenca.
Por, sa kushton për të hapur një kompani në Shqipëri? Një aspekt i
rëndësishëm, për sa i përket marrëdhënies me burokracinë dhe aspektin ekonomik,
është ai i tatimit, i cili është mjaft përshtatshëm. Për një kompani, tatimi
mbi fitimet është 15%, jashtëzakonisht i ulët në krahasim me atë italian, dhe
madje arrin 7,5% nëse aktiviteti është më pak se 50 000 euro.
Në tregti, TVSH-ja është 20%, pak më e ulët se ajo italiane.
Aktivitetet që faturojnë më pak se vlerën e 36 000 euro përjashtohen nga
TVSH-ja.
Detektoni një aktivitet biznesi
Një mënyrë tjetër për të investuar në Shqipëri është të blini ose të
merrni përsipër aktivitetet tregtare të filluara tashmë, mbase në njërën nga
plazhet e bukura në bregdetin shqiptar.
Në internet ka shumë njoftime për aktivitete për shitje ose për shitje.
Këtu janë disa nga ato më interesante. Nëse, nga ana tjetër, jeni të interesuar
për të ashtuquajturin bar plazhi, kjo faqe publikon disa oferta aktivitetesh
për shitje në Sarandë, një nga vendpushimet më të preferuara në bregdetin
jugor.
A është e mundur të hapni një kompani në Shqipëri dhe të punoni në Itali? Po, por nuk rekomandohet. Me një numër të huaj të TVSH-së është e mundur të operoni në Itali, por nga ju kërkohet të paguani taksat në Itali dhe jashtë saj.
Blerja e një shtëpie në Shqipëri
Ndër sektorët më të sigurt për të investuar është pasuria e
paluajtshme. Për shumë njerëz, blerja e një shtëpie jashtë vendit mbetet ende
një nga format më fitimprurëse të investimeve.
Për të blerë një shtëpi – veçanërisht në det – janë pensionistë dhe
sipërmarrës. Agjencitë kryesore të pasurive të patundshme kanë regjistruar një
rritje të fortë në investimet e pasurive të patundshme në Shqipëri të bëra nga
shtetas të huaj në pension.
Një kategori tjetër e blerësve është ajo që sheh si një investim të
mundshëm blerjen e pronave në bregdet, për të përfituar nga rritja e çmimeve
gjatë sezonit të verës. Për këtë arsye, turizmi i investimeve të pasurive të
patundshme nuk përfshin vetëm destinacionet më të kërkuara siç janë Saranda ose
Himara, por edhe qytete të tilla si Durrësi apo Dhërmiu.
Edhe Tirana, natyrisht. Qyteti, në rritje të
vazhdueshme, me shumë turistë dhe një numër në rritje studentësh dhe
punëtorësh, është vendi i përsosur në tokën e shqiptarëve për të blerë banesa,
veçanërisht në qendër ose në lagjet kryesore.
Sa
kushton për të blerë një shtëpi?
Çmimet për të blerë një shtëpi në Shqipëri
janë shumë konkurruese, me rreth 30-40 mijë euro. Për të na dhënë një pamje më
të detajuar mbi çmimet e shtëpive dhe apartamenteve në shitje është Forex
Trading Italia, e cila analizon kostot e jetesës në Shqipëri, përfshirë ato për
blerjen ose marrjen me qira të një shtëpie.
Kostoja mesatare e marrjes me qira të një
shtëpie në Shqipëri është 277,04 euro (33 866 lekë), 434 euro më e ulët se ajo
italiane. Përkundrazi, kostoja mesatare për të blerë një shtëpi është 879,95
euro (107 442 lekë) për metër katror, 1,712 euro për metër katror më e ulët
se ajo italiane.
Në detaje: një metër katror në Tiranë varion
nga 400 euro në periferi në 2 500-3 000 euro në qendër. Në Sarandë, Durrës dhe
përgjatë bregdetit, çmimet variojnë nga 450 euro për metër katror në 650-750
euro në komplekset e banuara.
Sa për shtëpitë luksoze, vilat për shitje në
pozicione të privilegjuara kanë një sërë çmimesh që variojnë nga 130 000 deri
në 400 000 euro. Një pronë 1 200 metra katrore në Vlorë, për shembull, është
rreth 250 000 euro.
Pastaj është kapitulli i taksave. Taksa për
transferimin e pronësisë është në të vërtetë e barabartë me 3% të çmimit të
blerjes së pasurisë. Një shpenzim tjetër i nevojshëm është pagesa që duhet t’i
paguhet noterit në kohën e veprës. Për investimet e pasurive të paluajtshme në
det ose në Tiranë, tarifat juridike arrijnë mesatarisht në jo më shumë se 2 000
euro.