Islanda kalon në avantazh, Shqipëria gabon në mbrojtje

Islanda ka kaluar në avantazh kundër kombëtares tonë, në ndeshjen që është duke u luajtur në Rejkjavik, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020.

Ishte minuta e 22` e takimit, kur ekipi vendas shënoi pas një gabimi të mbrojtjes tonë. Gudmundsson ka bërë një kalim të bukur mes murit mbrojtës të Shqipërisë, teksa përballë Etrit Berishës nuk e ka pasur të vështirë të shënoi.

Kështu Islanda është në avantazh aktualisht, ndërsa skuadra jonë ka pasur një mundësi të shkëlqyer në fillim të pjesës së parë me Cikalleshin.

Gjithashtu, ky i fundit pati një shans edhe në minutën e 28`, por gjuajtja nga brenda zonës e nuk përfundoi brenda portës, por sipër trannversës.

Barazim në frymën e fundit, Shpresat dalin me pikë nga “beteja” me turqit

Kombëtarja U-21 ka luajtur ndeshjen e tretë zyrtare në kuadër të eliminatoreve të kampionatit Europian. 21-vjeçarët janë përballur me Turqinë në fushën e këtyre të fundit, nga ku kanë dalë me një pikë, pasi kanë barazuar me rezultatin 2-2. Në pjesën e parë, kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi kanë zhvilluar një ndeshje të mirë, duke mbajtur portën të paprekur, pavarësisht presionit të ekipit vendas.

Megjithatë, Turqia, e cila e mundi përfaqësuesen tonë Shpresa në mars në ndeshjen e parë në Tiranë, ka luajtur më mirë në lojën ofensive, duke shkuar disa herë në portën tonë. Gjtihësesi, pjesa e parë u mbyll me rrejta të paprekura, ndërsa gjithçka ndryshon në të dytën.

Kuqezinjtë e vegjël kanë gjetur rrjetën menjëherë me nisjen e lojës pas pushimit të pjesës së parë. Leonardo Maloku, mbrojtësi i ardhur nga radhët e Fermana, ka gjetur rrjetën në minutën e 49`, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.

Ka zgjatur vetëm pesë minuta gëzimi i skuadrës tonë, e cila është ndëshkuar në minutën e 54` ka qenë Muldur që ka realizuar golin e barazimit për vendasit. Pas këtij goli turqia bëhet më agresive dhe rrit presionin ndaj skuadrës tonë, duke kontrolluar gjatë gjithë kohës lojën.

Mundi i turqve do të shpërblehej përsëri në minutën e 85` të ndeshjes, kur Dervisoglu ka shënuar golin e avantazhit për skuadrën etij. Kur ndeshja u duk se do të shkonte drejt fundit me fitoren e ekipit turk, të besuarit e Alban Bushit kanë realizuar në frymën e fundit golin e barazimit.

Shaqir Tafa ka gjetur rrejtën në minutën e 90+5`, duke i dhënë një pikë të artë skuadrës tonë, që vijonë të mbajë gjallë shpresën për tu kualifikuar në Europian.

Megjithatë, kuqezinjtë që aktualisht ndodhen në vendin e tretë me dy pikë, kanë luajtur tre ndeshje në total, në këto eliminatore, ndërsa ekipet e tjera të grupit tonë, kanë luajtur dy ose më pak takime.

Moshat e Shqipërisë, U17 pëson humbjen e dytë, tjetër barazim për U16

Dy ndeshje dy humbje për kombëtaren U-17 të Shqipërisë, e drejtuar nga Elvin Beqiri. 17-vjeçarët kuqezinj janë mundur dhe në takimin e dytë miqësor, që kanë luajtur kundër Maqedonisë së Veriut në stadiumin “Skënderbeu” në qytetin e Korçës. U-17 është mundur me rezultatin 0-2 në takimin e dytë, pas humbjes 1-0 që pësoi në ndeshjen e luajtur pak ditë më parë në Ohër.

Ndeshja ka filluar e qetë, me të dy skuadrat që në minutat e para kanë studiuar kundërshtarin. Maqedonasit gradualisht kanë marrë kontrollin e lojës dhe në minutën e 16-të, Borshe Gogov kaloi në avantazh fqinjët. Skuadra e Beqirit reagoi duke krijuar dy mundësi shënimi por nuk u finalizuan me sukses.

Në minutën e 40-të, Maqedonia e Veriut shënon dhe golin e dytë me anë të Filip Talakov, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë janë hedhur në sulm për të ndryshuar rezultatin por mbrojtja kundërshtare ka qënë hermetike dhe nuk arritën të shënojnë.

Ndërkohë, kombëtarja U-16 e drejtuar nga Elvis Sina ka barazuar 1-1 me Dinamo Brest në turneun “Etlinger 2019”. Për kuqezinjtë e vegjël ky është barazimi i dytë pas rezultatit 2-2 ndaj skuadrës së SPAL. Kombëtarja jonë ka kaluar e para në avantazh në minutën e 4-t të pjesës së parë, falë golit të Adrian Nezirit, dhe me këtë rezultat është mbyllur fraksioni i parë i lojës.

Në pjesën e dytë përfaqësuesja jonë ka krijuar shumë raste por pa fat në portën e kundërshtarit. Dinamo Brest në minutën e 57-të e ka kapur në befasi U-16 dhe ka ekuilibruar rezultatin. 1-1 mbyllet ndeshja e dytë e turneut.

Hysaj: Jemi gati për Islandën, të ardhmen e vendos pas kombëtares

Ndaj Islandës, Elseid Hysaj do të jetë kapiten i ekipit tonë kombëtar. Mbrojtësi ka shoqëruar trajnerin Edy Reja në konferencë për shtyp këtë të premte, një ditë para ndeshjes zyrtare. Hysaj është shprehur se skuadra është gati, dhe synim është fitorja. “Besoj se jemi gati pasi kishim kohë dhe kemi bërë mirë në stërvitje. Jemi gati si skuadër për të fituar këtë ndeshje”, u shpreh mbrojtësi.

25-vjeçari foli dhe për skemën që do të përdoret ndaj Islandës, duke u shprehur se ndihet mirë me 3 mbrojtës në qendër, pasi i jep më shumë mundësi në lojën në krah. “Besoj se me këtë skemë jam mirë në krah pasi krahun e njoh më mirë se qendrën megjithatë unë do të luaj aty ku trajneri më vendos”, tha Hysaj.

Hysaj ka qenë i rezervuar i kur është pyetur për të ardhmen, duke u shprehur se për të do të mendojë pas ndeshjeve me Kombëtaren. “Kam edhe 2 vite me Napolin dhe tani për tani po mendoj për Kombëtaren dhe pas kësaj ndeshjeje të Kombëtares do të mendoj për pushimet”.

Në fund, ai ka folur dhe për kundërshtarin e të shtunës, duke u shprehur se nuk duhet nënvlerësuar.

“Islandën e njohim dhe ka bërë shumë mirë e ka lojtarë të fortë që luajnë në skuadra të mira. Nuk duhet nënvlerësuar pasi jemi mundur dhe duhet kujdes në disa lëvizje. Mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka të mirë në fushë. Nuk është sikur në Europian që tregoi se ka potencial por ka edhe fazën e keqe. Me ardhjen e Rejas na ka ndryshuar fryma dhe të besojmë se jemi lojtarë më të fortë se ata që ishim”, tha Hysaj.

Kualifikueset e europianit, Shqipëria U-21 përballet me Turqinë të premten

Kombëtarja U-21 e futbollit ka mbrritur në Turqi, aty ku të premten pasdite (07.2019) do të luajë ndeshjen zyrtare ndaj kombëtares turke të futbollit, në kuadër të kualifikueseve të kampionatit evropian. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi, kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes me Turqinë U-21.

Skuadra është e plotë, i gjithë grupi me 25 lojtarët e grumbulluar ka zhvilluar paraditen e të enjtes një analizë taktike dhe në urdhërat e trajnerit Bushi kanë zbritur në fushën e stadiumit “Esenyurt Necmi Kadıoğlu”.

Ndeshja do të zhvillohet të premten, në orën 19:30, në Stamboll. Shqipëria ndodhet në grup së bashku me Anglinë, Austrinë, Kosovën dhe Andorrën. Pas ndeshjes me Turqinë, kuqezinjtë do të kthehen në Tiranë për të zhvilluar përgatitjet për dy ndeshjet miqësore me Uellsin në 9 dhe 11 Qershor.

Sakaq, Shqipëria luan ndeshjen e kthimit ndaj Turqisë, pasi në muajin mars të këtij viti, kuqezinjtë u mundën në Tiranë nga përfaqësuesja e 21-vjeçarëve të Turqisë, ndërsa ka barazuar dhe një takim me Andorrën.

Polonia, avokat i Tiranës: Negociatat të hapen në qershor

Diplomacia polake ndëmerr nismën duke kërkuar nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët që negociatat të çelen në muajin qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në letër të siguruar nga DW, të enjetn (06.08) theksohet që BE-ja “duhet të përmbushë premtimin e qartë që ia ka dhënë Ballkanit Perëndimor për integrimet evropiane”. Në letër ftohen vendet anëtare që në takimin e qershorit të marrin vendime të “guximshme” dhe “largpamëse” që do të ndihmojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Ne i apelojmë  palëve të interesit në BE-së që të mbajnë dhe të konsolidojnë çastin pozitiv duke çelur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne jemi të përkushtuar që të marrim përgjegjësitë tona dhe të reagojmë pozitivisht ndaj përparimit që është bërë në këto dy vende”.

Letra fton që vendet anëtare të respektojnë rekomandimet e bëra nga Raporti i Progresit duke përfshirë edhe çeljen e negociatave.

Çështja e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është peng i vendimeve nga tri vende anëtare që janë kundër. Aty përfshihen Franca, Holanda dhe Danimarka. Ndërsa, Gjermania nuk po jep shenja të qarta pasi, çështja një herë duhet të diskutohet në Budestag.

Nga vendet kundërshtare më negativja duket Holanda, e cila ka shkuar një hap më tutje duke kërkuar që vendet anëtare të iniciojnë një procedurë për rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë. Shteti i Beneluksit ka përmendur krimin e organizuar si shkak për rivendosjen e vizave për shtetasit e Shqipërisë. Holanda gjithashtu është hezituese edhe për proceset e tjera të zgjerimit brenda BE-së duke, kundërshtuar edhe përfshirjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen. Ndërsa Franca ka theksuar kryesisht numrin e madh të azilkërkuesve nga Shqipëria. Në Francë vetëm shtetasit afgan kanë kërkuar azil mԹ shumë se shqiptarët në vitin 2018.

Në një koment të vetin Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federika Mogherini kur është pyetur se cilët do të jenë lobuesit më të mëdhenj për zgjerimin e BE-së, ajo ka thënë se këtë rol do ta marrin fqinjët e këtyre vendeve. Më këtë iniciativë konfirmohet, se Evropa Qendrore dhe Lindore do të jenë lobuesit për Ballkanin.

Letra e përgatitur nga diplomacia polake argumenton çeljen e negociatave duke thënë, se ky proces “do t’u mundësojë këtyre dy vendeve të fokusohen më shumë në reformat e nevojshme përderisa BE-ja do të përfitojë nga një mjet shumë i vlefshëm për të vështruar progresin e tyre”. Gjithashtu, thuhet në letër, se çelja e negociatave “do të jetë një faktor motivimi për tërë rajonin”. “Kështu sigurohet një situatë përfituese për të gjithë”.

Deri tani nuk dihet, se cilat vende kanë pranuar ta nënshkruajnë këtë letër.

@DW

Ambasadori italian: Gati 20 milionë euro për projektet me Shqipërinë

Ambasadori italian Alberto Cutillo ka deklaruara se Italia është e gatshme të zhvillojë projekte dhe të mbështesë financiarisht qeverinë shqiptare në programe të ndryshme. Këto deklarata Cutillo i bëri pas inspektimit të qendrës së re shëndetësore në Vaun e Dejës, një investim prej 68 milion lekësh, ku një kontribut kryesor kishte edhe Italia.

Kemi fondet për të nisur një program të ri mbështetje prej 20 milionë euro.” tha Cutolli, ndërsa shtoi se “qeveria italiane është duke pritur qeverinë shqiptare të jetë gati, në mënyrë që të hapim garën për projektet që do të mbështeten në të ardhmen.”

“Bota” sfidon “pasqyrën” për Shqipërinë. Die Welt kundër Bild: Ja pse Shqipëria meriton Europën

E përditshmja e madhe gjermane, “Die Welt”, ka publikuar ditën e sotme një botim special të përbërë nga më shumë se 20 artikuj dhe pothuajse 30 intervista rreth vendit tonë.

Të gjithë këto artikuj arrijnë në një konkluzion të vetëm: Shqipëria, e quajtur nga “Die Welt” si dikur kandidati më pak probabël, sot e meriton më shumë se kushdo tjetër të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

“Nuk them asgjë të re, teksa pranoj që Shqipëria ka hedhur hapa të mëdhenj përpara”. Me këtë frazë të Kancelares Anxhela Merkel, “Die Welt” nis specialen e saj.

Çfarë mundet t’i ofrojë BE-së një vend i vogël si Shqipëria, me ekonominë e saj mikroskopike krahasuar me bllokun e Unionit? “Die Welt” përgjigjet se: “Shqipëria ofron një recetë të jashtëzakonshme bukurie, historie dhe klime, me një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Ofron dalje në det, stabilitet politik, një stil europian jete, por mbi të gjitha, ka dëshmuar gatishmërinë për t’u përshtatur, veçanërisht sa i përket 5 përparësive kryesore të BE-së: administrata publike, shteti ligjor, korrupsioni, krimi i organizuar dhe të drejtat e njeriut”.

Në vijim, gazeta gjermane ndalet tek ekonomia. “Sistemi bankar, më i shëndetshëm se kurrë më parë, në vitin 2018 njohu 147 milionë euro përfitime. Kreditë e këqija, nga ana e tyre ranë nga 25% e totalit në vitin 2015, në 11% në 2019-n. Papunësia, nga 18,7% në 12,3%, me projeksionin për t’u ulur në vijim në 8%, më mirë se shumë prej vendeve anëtare”.

E gjitha kjo, në një vend që që prej vitit 1992, ka 18-fishuar Prodhimin e tij të Brendshëm Bruto. Ndaj, “Standard & Poor” jep një parashikim pozitiv për të ardhmen e vendit, duke paralajmëruar një rritje të vlerësimit, e duke nënvizuar se rritja do të mbetet më e lartë se 4% në vit deri të paktën në 2022.

Në ciklin dedikuar turizmit, “Die Welt” shkruan për “një vend përrallor mesdhetar, me plazhe idilike, por jo të mbipopulluara (të paktën deri tani)”, e që ka shumë se çfarë do të ofrojë veç peisazheve të veta. “Tirana, kryeqyteti, i është nënshtruar një rilindje të plotë urbane, që ka transformuar grinë e zymtë të komunizmit në një të tashme të mbushur me ngjyra, festa dhe jetë kulturore”.

Sipas të përditshmes, për të arritur objektivin e 10 milionë turistëve në vit, Shqipërisë i duhen ende investime në infrastrukturë. Por, vendi është në rrugën e duhur. Rruga e Arbrit, një investim prej 250 milionë eurosh, po realizohet pas 20 vitesh premtime. Janë në plan për t’u ngritur dy aeroporte të rinj, në Kukës dhe në Vlorë, ndërsa hekurudhat e degraduara të komunizmit më në fund po rehabilitohen, me investimin për linjën elektrike Tiranë-Rinas-Durrës e planin për dy lidhje të reja me Malin e Zi e Greqinë. Megjithatë, për Shqipërinë, një potencial i shkëlqyer vjen nga projektet europiane, mbi të gjitha Korridori i Kaltër që e lidh me Kroacinë e më tej.

Tek energjia, “Die Welt” veçon faktin që Shqipëria është ndër vendet e pakta në të gjithë botën që prodhon energji pothuajse 100% të rinovueshme, e se kapacitetet janë duke u rritur vit pas viti. Me zbulimin e ri të bërë nga “SHELL” së fundmi, Shqipëria mund të shndërrohet në një eksportues kryesor europian të naftës dhe gazit natyror, vijon gjermania.

Pavarësisht të gjitha këtyre arritjeve, një sfidë e veçantë në luftën kundër pabarazisë mbetet gjithpërfshirja dhe ilaçi për këtë është programi i “100 fshatrave”. “Një program unik, që promovon turizmin rural, por mbi të gjitha ofron incentiva të qarta për zgjerimin e industrisë së agroturizmit dhe artizanatit”.

Shumë e veçantë pikëpamja e “Die Welt” sa i përket krimit të organizuar. “Kur Shqipëria hapi kufijtë e saj në vitin 1991, turistët nisën të vijnë dhe qytetarët e saj të largohen drejt vendeve të Europës, deri atëherë të ndaluara për ta. Midis të larguarve ishin edhe kriminelët, që panë një mundësi për të zgjeruar aktivitetet e tyre të jashtëligjshme.

Kriminelët e rikthyer shpesh janë bërë më të sofistikuar pasi kanë mësuar prej bosëve të krimit jashtë vendit, ndaj edhe puna për të luftuar krimin e organizuar është bërë shumë më e vështirë. Edhe pse Shqipëria ka shpesh një etiketë të keqe, bashkëpunimi ka sjellë fryte. Përshembull, sasia e kanabisit me prejardhje shqiptare të kapur në Itali ra me 81% nga 2017-ta në 2018-n”, thekson “Die Welt”.

Për të përditshmen gjermane, edhe reforma në drejtësi është një përvojë unikale midis vendeve kandidate për anëtarësimin. “Gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve janë eliminuar nga sistemi, ndërsa po krijohet një agjensi e re, si FBI që do të ketë detyrën e posaçme për të hetuar politikanët, zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar”.

Ciklin e saj të intervistave, “Die Welt” e nis me Kryeministrin Edi Rama, i cili pyetet për mundësinë e hapjes së negociatave. “Duhet të saktësoj se ne nuk pretendojmë të anëtarësohemi në BE që tani, ne thjesht duam hapjen e negociatave. Koha për t’u anëtarësuar do të vijë më vonë. Është si të planifikosh një martesë, por jo të martohesh menjëherë. Kjo e bën të gjithë këtë situatë edhe më fruestuese dhe edhe më absurde sepse ndërsa kemi bërë gjithçka që na është kërkuar për hapjen e negociatave, trajtohemi sikur duhet të vendoset që tani nëse do të jemi apo jo pjesë e Unionit. E kjo është thjesht e pavërtetë”.

Rama thekson rëndësinë që ka për të gjithë vendet e rajonit dhënia e një sinjali pozitiv, që të dëshmojë se Europa është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor. Për “Die Welt”, e veçantë është pikëpamja e Ramës për Kancelaren Merkel. I pyetur për të, Rama thekson se: “Kancelarja Anxhela Merkel është e papërsëritshme dhe ajo ka një vizion tejet të qartë rreth Ballkanit, rreth të shkuarës dhe të ardhmes së këtij rajoni. Kjo është arsyeja përse ajo ka qenë dhe mbetet kampionia jonë”.

Mes të tjerave, “Die Welt” interviston edhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. “Shqipëria ka bërë një progres të qënësishëm gjatë dy viteve të fundit, sidomos në reformën në drejtësi, që është thelbësore për të ardhmen e vendit. Ndaj i bëj thirrje investitorëve të huaj se nuk duhet të fokusohen tek problemet, por tek mundësitë që ofron Shqipëria. Edhe në këtë situatë politike të vështirë, rritja ekonomike është tejet e lartë, shumë më e lartë se disa nga vendet europiane. Kështu vazhdon prej disa vitesh dhe parashikimet janë pozitive. Ka shumë potencial për një rritje të mëtejshme”, thekson Soreca.

Lexo.al

Miqësoret, Shqipëria U-19 mund vëllezërit në Kosovë, disfatë për 17-vjeçarët

Ekipi U-19 përfaqësues i drejtuar nga Nevil Dede ka mundur Kosovën, në ndeshjen e dytë miqësore, që është luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 19-vjeçarët kuqezinj kanë triumfuar me rezultatin 4-1 ndaj vëllezërve kosovarë.

Sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 23-të falë një penalltie. Loja sulmuese ka dhënë rezultat, dhe në minutën e 40-të, sulmuesi i Chelsea, Armando Broja, ka dyfishuar rezultatin dhe ka dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0. Pjesa e dytë ka konfirmuar dominimin e Shqipërisë, që ashtu si edhe në pjesën e parë ishin superior ndaj bashkombasve të Kosovës duke shënuar edhe 2 gola të tjerë.

 Në minutën e 48-të, Kosova ngushton diferencat me Bytyqin, por kuqezinjtë përgjigjen menjëherë me Muçin në minutën e 56-të dhe Brojan në minutën e 65-të, gol që vulos dhe rezultatin i cili nuk do të ndryshoj deri në fund. Më datë 3 Qershor, vetëm dy ditë më parë, në Drenas u luajtur miqësorja e parë që u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 3-1, falë një dopiete të Muçit dhe golit të Brojas.

U-17 mundet nga Maqedonia e Veriut

Kombëtarja U-17 është mundur nga bashkëmoshatarët e saj të Maqedonisë së Veriut me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e parë miqësore, që kuqezinjtë e drejtuar nga Elvin Beqiri kanë zhvilluar ndaj fqinjëve tanë.

Ndeshja e luajtur në Ohër përfundoi me vetëm një gol, shënuar nga një 17-vjeçar shqiptar, që aktivizohet në ekipet zinxhir të shtetit fqinj. Maqedonia e Veriut kaluan në avantazh në minutën e 2-të falë një penalltie të shënuar nga Behar Feta. Kombëtarja jonë ka krijuar disa raste por pa mundur të ndryshojë rrjedhën e miqësores.

Reja provon skemën taktike në Gjermani, të enjten niset drejt Islandës

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbyllur pasditen e të mërkurës përgatitjet për ndeshjen e eleminatore ndaj Islandës, që do të luhet më 8 qershor.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edy Reja u kanë dhënë fund përgatitjeve në Frankfurt të Gjermanisë, aty ku prej fillimit të këtij muaji kombëtarja vijonte stërvitjen dhe njëherazi përshtatej me klimën.

Gjatë programit stërvitor të së mërkurës, kombëtarja është stërvitur mbi 90 minuta në fushën e FC Oberstedten, ndërsa janë aplikuar variante taktike të vendosjes së lojtarëve në fushë, në prag të ndeshjes me Islandën.

Pas mbylljes së stërvitjes, falënderimit të punëtorëve të fushës dhe një foto të përbashkët me ekipet e moshave të FC Oberstedten, skuadra është bërë gati për nisjen drejt Rekjavikut në Islandë. Ndërkohë,  gjatë mesditës të së mërkurës Edy Reja ka zhvilluar dhe një analizë taktike me skuadrën.

Të enjten në orën 08:15, kombëtarja lë rezidencen e saj të përkoheshme, hotel “The Rilano”, për të shkuar në aeroportin e Frankfurtit. Rreth orës 11:40, kuqezinjtë nisen për në Rejkjavik.

Skip to toolbar