Humbje mes akullnajave, Islanda na mund dhe merr vendin e tretë

KOMBËTARE


Lojën e bëjmë ne, pikët i merr Islanda! Kështu ndodhi dhe këtë 8 qershor në Rejkjavik, ku sapo ka nisur pranvera, por sigurisht për vendasit, pasi Shqipëria vijon të dimërojë edhe pas “rifreskimit” me një trajner ekspert, në përvojë dhe moshë… “Shqiponjat”, ndonëse dhanë shenja jete, duket se ende janë larg asaj që kanë premtuar me fjalë gjatë këtyre ditëve, pasi një gol i Gudmundsson, i kthehu me këmbë në tokë lojtarët tanë, të cilët përsëri pësuan disfatë, humbën tre pikë, ndoshta përfundimisht vulosën mbylljen e ëndrrës për kualifikim në Euro 2020.

Në minutën e 22`, Gudmundsson thyen mbrojtjen shqiptare, jo pak por pesë lojtarë i kalon, dhe sheh Etrit Berishën të pafuqishëm për të bërë diçka. Kështu Islandezi shënon dhe kaq mjafton për të marrë tre pikë të arta, që e mbajnë Islandën në kuota të larata për kualifikimin në Europianin e 12  shteteve, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.


Ndeshja!

Edy Reja ndryshon mendje në minutë të fundit, nuk bën atë që kishte thënë, ndryshon skemën dhe vendos të luajë 4-3-3, nga 3-5-2, me këtë të fundit që i “hëngri kokën” Eros Grezdës, pasi lojtarit iu tha se s`mund të gjente hapësira. Megjithatë, kjo skemë ishte në një farë mënyrë identitare dhe e njohur për kombëtaren tonë, pasi në rikthen pas në kohën e De Biasit.

Skuadra përgjigjet mirë në dhjetë minutat e para, me një kthim spektakolar të Sokol Cikalleshit në minutën e katërt të takimit, por portieri vendas është i vëmendshëm dhe ndalon rrezikun. Vendasit fillojnë të reagojnë në dhjetë minutshin e dytë, dhe shpërblehen në të tretin, pasi në të 22` Gudmundsson i bën pesë lojtarë kuqezi të shijojnë “spektaklin” e tij.

Pas këtij momenti, skuadra jonë reagon përsëri, por pa mundur të shkojë më shumë se sa gjuajtjet jashtë porte dhe sipër saj. Pjesa e parë mbyllet pa ndryshim në rezultat, por me shpresën se gjërat do të ndryshojnë në të dytën. Por as pas pushimit, gjërat nuk ndryshojnë. Kuqezinjtë vrapojnë pafund në fushë, ndërsa vendasit tregohen më të saktë në lojën në ajër. Madje në disa raste bëhen të rrezikshëm, çka detyron Edy Rejën të kryejë ndërrimet.

Kaçe, Ndoj e Sadiku i marrin vendit Bashës, Xhakës dhe Balajt. Kuotat rriten, skuadra nuk dorëzohet, por afrimi i fundit shton nervozizmin dhe asgjë tjetër. Kështu, ekipi kuqezi nuk merr atë që do, ndonëse jep gjithçka deri në përfundim të katër minutave shtesë. Kështu ndeshja mbyllet me fitoren e Islandës, që merr vendin e tretë në renditje me gjashtë pikë, ndërsa kuqezinjtë mbeten në vendin e katërt me tre pikë, teksa të martën e javës së ardhshme Shqipëria do të përballet me Moldavinë.




Skip to toolbar