Edy largon “renë” e Panuccit nga Shqipëria

Kuqezinjtë kanë dhënë provën e dytë nën drejtimin e trajnerit Edy Reja, duke kaluar me sukses Moldavinë në “Elbasan Arena”, të cilën e mundën 2-0. Ashtu siç premtoi në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, trajneri kishte bërë ndryshime të mëdha në formacion për këtë ndeshje, duke nisur me rikthimin e Mërgim Mavrajt në formacion, i cili mbante dhe shiritin e kapitenit në këtë sfidë.

Gjithashtu në sulm Reja e nisi me Sadikun dhe Uzunin duke ulur në stol Balajn dhe Cikalleshin, ndërsa në mesin e fushës titullar e nisi Ramadani, me Xhakën që ishte në stol.

Pak pasi kishte nisur ndeshja ishin miqtë ata që shfaqën rrezik në portën tonë, por Etrit Berisha neutralizoi gjithçka, ndërsa në vijim portieri kuqezi do të ishte thjesht spektator, pasi miqtë nuk do të shfaqeshin më në zonën e tij.

Megjithatë, ishte skuadra jonë ajo që ushtroi presion gjatë gjithë kohës, por pa mundur të tund rrjetën. Në një moment Armando Sadiku u duk se gjeti rrjetën por portieti i miqve ndali gjithçka. Më pas ishte përsëri Sadiku që tentoi portën, por përsëri fati nuk ishte me të.

Në një moment skuadra jonë pretendon penallti, pasi një nga lojtarët miq duket sikur prek topin me dorë, por arbitri finalndez lejon lojën të vazhdojë. Kështu minutat gjatë pjesës së parë rrjedhin me ekipin tonë që tenton vazhdimisht nga krahët dhe goditjet standarde, por pa gjetur fundin e rrjetës.

Pas pushimit ritmi i ndeshjes duket më i ulët se në pjesën e parë. Megjithatë skuadra jonë mbetet në sulm dhe mundohet të shkojë në portën kundërshtare, por barriera moldave reziston, ndonëse Edy Rejp vazhdimisht udhëzimet për sulmin.

Më shumë se sa ndeshja, rreth minutës së 55-të vëmendjen e tërhoqi një flamur i shpalosur nga disa tifozë në tribunën përballë, ku sipër flamurit kuqezi shkruhej edhe parrulla tashmë zyrtare e opozitës “Rama Ik”. Forcat e sigurisë private ndërhynë për ta larguar flamurin dhe parrullën politike, por tifozët rezistuan, duke mos lejuar largimin e flamurit, ndonëse parrulla “Rama ik”, iku.

Edy Reja nuk humbet kohë, kërkon të rifreskojë sulmin dhe kryen dy ndërrime kokë më kokë pas 15 minutash lojë të pjesës së dytë. Cikalleshi i merr vendin Sadikut ndërsa Odise Roshi i merr vendin Ermir Lenjanit. Ndërrimet i japin freski gjithë lojës së skuadrës.

Dhe pas kësaj, Roshit dhe Cikalleshit i mjaftojnë vetëm pesë minuta të mposhtin kundërshtarin. Fieraku, që rikthehej në kombëtare pas një mungese të gjatë për shkak dëmtimesh, mori një aksion spektakolar në krah, duke shkuar pranë portës. Tentavia për të gjuajtur nuk shkon mirë por aty gjendet Cikalleshi që mjafton duke shtyrë dhe në “Elbasan Arena” shpërthen festa.

Më pas loja bëhet më e qetë dhe skuadra jonë mundohet të administrojë. Por kështu lëshon terren për Moldavinë, e cila në një moment na krijon iluzionin e barazimit, pasi një gjuajtje e miqve përfundon sipër portës tonë. Reja bën lëvizjen e fundit, në fushë hedhë një lojtar shtatlart si Kristi Qose, që ka detyrën të bëhet barrikadë për kundêrshtarin para mbrojtjes.

Ky i fundit jep më shumë se kaq, pasi shtyn skuadrën para, duke ndihmuar sulmin. Kështu Ylber Ramadani përfiton mposht për herë të dytë portierin kundërshtar në shtesë, duke na dhënë një fitore të merituar, ndonëse përballë një ekipi modest. Megjithatë, kuqezinjtë tregohen të kujdesshëm dhe mbrojnë mirë deri në gujd, duke dalë kokën lartë nga “Elbasan Arena”.

U-21, Shqipëria fiton ndaj Uellsit me rezultatin 3-1

Shqipëria U-21 e drejtuar nga trajneri Alban Bushi ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Uellsit në miqësoren e dytë të zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 2-0, ku golat për kuqezinjtë u shënuan nga Bullari në minutën e 8-të dhe Mala në minutën e 15-të.

Golat nga kuqezinjtë  nuk munguan as në pjesën e dytë, ku ulmuesi i ri Armando Broja ka shënuar në minutën e 69-të. Golin e vetëm Uellsi e ka shënuar në minutën e 91-të kohës shtesë. Kjo ishte fitorja e dytë në harkun e tre ditëve, ku në miqësoren e parë U-21 fitoi me rezultatin 2-1 në “Selman Stermasi”.

Shqipëri-Moldavi, statistikat paralajmëruan fitoren

Mbrëmjen e kësaj të marte, Shqipëria mundi Moldavinë në “Elbasan Arena” në ndeshjen e katërt eliminatore për Euro 2020. Të dyja skuadra synonin tre pikët, megjithëse kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja kishin kuota më të mira për fitore. Moldavia është një ekip modeste në krahasim me ekipin tonë përfaqësues, në vlerë financiare por edhe në statistikat e përballjeve direkte.

Vlera financiare e gjithë ekipit Moldav shkon në 13 milionë euro, ndërsa Shqipëria ka një vlerë 47 milionë euro. Kjo do të jetë përballja e katërt në historinë e dy klubeve, e treta për kualifikueset e një evropiani. Shqipëria ka luajtur kundër Moldavisë për herë të parë më 29 mars 1995, kohë kur skuadra kuqezi fitonte me rezultatin 3-0 në Tiranë, ndërsa më 7 qershor të po atij viti, kuqezinjtë fitonin ndaj Moldavisë në transfertë me rezultatin 2-3.

Pas shumë vitesh mungesë, takimi i radhës për kuqezinjtë me Moldavinë ishte në 15 gusht 2012, ndeshje e luajtur në Tiranë dhe mbyllur me rezultatin 0-0. Aktualisht, Shqipëria dhe Moldavia kanë nga tre pikë në Grupin H, pasi të dyja kanë fituar vetëm një përballje në tre ndeshje, atë kundër Andorrës.

Megjithatë, kuqezinjtë kanë golavarazh më të mirë se moldavët, pasi skuadra e  drejtuar nga Edy Reja ka shënuar tre gola me po kaq të pësuar, ndërsa Moldavia ka shënuar 2 dhe ka pësuar 8 në tre ndeshjet e para aleminatore. Arbitri kryesor i takimit do të jetë Ville Nevalainen nga Finlanda, i cili do të asistohet nga katër kolegë të tij po nga Finlanda.

Edy Reja u shpreh të hënën pasdite se skuadra ka të gjithë potencialin për ecur para, teksa ende ka dilema për formacionin. Megjithatë, ai ka lënë të kuptohet se në repartin e sulmit do të ketë ndryshime, në emra dhe skemë, pasi në ndeshjen e humbur ndaj Islandës, kombëtarja kuqezi vuajti shumë në nxjerrjen e topave drejt portës.

Përballja me Moldavinë, Reja: Skema 3-5-2, por nuk kam vendosur për formacionin

Kombëtarja shqiptare pritet të përballet ditën e martë me Moldavinë në “Elbasan Arena”, pjesë e kualifikueseve në “Euro 2020”. Trajneri i Kombëtares, Edy Reja ka folur në një konferencë për shtyp në lidhje me humbjen që pati me Islandën dhe skemën që do të ndjek gjatë ndeshjes me Moldavinë. Reja tha se do të ndiqet skema 3-5-2, por do të bëhen disa ndryshime në mbrojtje.

Skema 3-5-2- “Unë nuk pashë probleme në këtë repart, por në sulm jam dakord. Duhet të gjejmë zgjidhje për të sulmuar, të çojmë më shumë topa në zonë. Na mungoi finalizimi, ata nuk arritën të bënin më shumë se sa një rast në portë.

Ndryshimet- “Mbrojtja mund të jetë me 3 ose 4. Në mesfushë do të ketë ndryshime dhe në sulm padyshim, pasi ka lodhje. Në fillim duhet të flas me lojtarët dhe pastaj do shihni formacionin. Kemi dhe 24 orë ende për të parë.

Potenciali i skuadrës- I kemi të gjitha mundësitë, na duhen disa mesfushorë të mirë për të kaluar më para. Me Islandën pamë anën e djathtë që ishte shumë mirë, do të shohim dhe repartet e tjera ku çaluam.

Formacioni- Nuk kam vendosur ende. Kam Uzunin dhe Sadikun që janë gati. Mund të jenë tre katër ndryshime dhe do të vlerësohen me tej. Mbrojtja ka bërë mirë, por mund të ketë ndryshim.

Talenti i Chelsea i jep fitoren kombëtares U-21 ndaj Uellsit

Kombëtarja U-21, pas barazimit në ndeshjen zyrtare me Turqinë në transfertë, ka fituar ndaj Uellsit në takimin e parë miqësor, nga dy që ka të planifikuar me këtë përfaqësuese. Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi fitoi 2-1 falë dopietës së talentit 17-vjeçar Armando Broja, talentit shqiptar që aktivizohet me radhët e të rinjve te skuadra e Chelsea në Londër.

Me gjithëse, ka shënuar dy gola ndaj Uellsit, duke i dhënë fitoren ekipit tonë në ndeshje miqësore, Broja është ngatërruar me një tjetër futbollist shqiptar me të njëjtin emër, Rron Broja, që aktivizohet me Shkupin në Maqedoni, por që s`ka lidhje me kombëtaren.

Në fakt, Armando Broja është  vetëm 17-vjeç dhe është grumbulluar nga kombëtarja U-19. Ai spikati vetëm pak ditë më parë me ekipin e Nevil Dedes, pasi shënoi tre gola në ndeshje miqësore ndaj Kosovës. Për këtë arsye Alban Bushi e ka grumbulluar talentin shqiptar të Chelsea për dy ndeshjet miqësore ndaj Uellsit.

Dhe në fakt, duket se Broja e ka shpërblyer më së miri besimin e trajnerit, duke shfrytëzuar edhe njohjen mësëmiri të futbollit britanik, ai i ka shënuar dy gola Shpresave të Uellsit, duke i dhënë  fitoren kuqezinjëve të vegjël. Broja shënoi dy herë në minutat 48` dhe 60`, ndërsa miqtë realizuan në minutën e 80` golin e vetëm.

Shqipëria U-16 sukses historik, mund Kroacinë dhe merr medalje në turneun “Etlinger 2019”

Kombëtarja U-16 e drejtuar nga trajneri Elvis Sina ka korrur një sukses të rëndësishëm, në turneun “Etlinger 2019”, që u zhvillua në Kroaci. Ekipi ynë i 16-vjeçarëve ka zënë vendin e tretë në këtë turne, duke mundur disa ekipe, dhe më e rëndësishmja fitoi ndaj Kroacisë në garën për vendin e tretë dhe të katërt.

Këtë të diel ekipi kuqezi arriti të mund ekipin kroat me rezultatin 5-4 pas gjuajtjeve të penalltive. Ndeshja që u zhvillua të dielën paradite përfundoi në kohën e rregullt të saj me rezultatin 1-1, ku për ekipin tonë shënoi Toma në minutën e 48-të.

Më pas ekipet i janë drejtuar pikës së bardhë, aty ku të besuarit e Elvis Sinës janë treguar më të sakt, duke dërguar në rrjetë të pestë topat e gjuajtur. Të shtunën kuqezinjtë e Elvis Sinës arritën një tjetër sukses, pasi mundën bashkëmoshatarët e tyre 16-vjeçarë të një prej akademive më të mira të futbollit në Europë, Dinamo Zagrebit.

Skuadra kombëtare U-16 arriti një sukses të rëndësishëm, duke zënë vendin e tretë në turneun “Etlinger 2019”, por mbi të gjitha, ky sukses ndaj akademieve dhe ekipe përfaqësuese më të mira në Ballkan, është sinjal pozitiv se Shqipëria do të ketë të ardhme premtuese.

Wadephul: Rama të pranojë Metën, Basha në zgjedhje

Këtë të diel, pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për shfuqizminin e dekretit të datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, ka ardhur reagimi i parë ndërkombëtar. Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemorkrat dhe Kristiansocial në Bundestag, Johann Daid Wadephul, ka reaguar për Deutsche Welle. Wadephul është shprehur se pas këtij vendimi, palët duhet të pajtohen dhe të nisin dialogun, ndërsa shton se duhet që ta pranojnë vendimin e kreut të shtetit.

Pas këtij vendimi të presidentit, ekziston një situatë e re politike. Të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Këtu përfshihen zgjedhje lokale demokratike me disa kandidatë të mundshëm. Kjo presupozon që të gjithë ta pranojnë vendimin e presidentit dhe pastaj të marrin pjesë në garën politike. Çdo gjë tjetër do të ishte jo evropiane dhe do t’i forconte në mënyrë të panevojshme dyshimet mbi dobinë e një procesit të aderimit”.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Kështu do të krijohej një bazë e re për një bashkëjetesë paqësore mes konkurrentëve politikë. Në Evropë, çdo qeveri duhet të pranojë një opozitë kritike, dhe çdo opozitë duhet të pranojë një qeveri efektive. Kjo është një bazë qenësore për një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik. Nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë drejt Evropës, sigurisht që do të marrë çdo mbështetje nga Gjermania“.

Një informacion që qarkullon prej një jave është se veprimi i Metes është sugjeruar nga Gjermania. Po në këtë rast me kë janë gjermanët? Ose kush është me gjermanin? Wahdepul është i CDU, por dhe një nga njerëzit e afërt me PD. Në lexim të parë duket sikur deklarata i kërkon vetëm Ramës të pranojë vendimin e Metës jo per hir të ligjit por të zgjidhjes. Por në vazhdim të deklarates ai është i qartë sa i përket edhe reagimit të opozitës: ajo duhet ta marrë vendimin e Metës si sinjalin e qartë që duhet të futet në zgjedhjet në afatin e ri.

Deklarata nuk permend asfare kushtin e famshëm “Rama Ik”. Kështu nëse neser Rama në Berlin “lëshon” pe dhe del me Merkel dhe pranon vendimin e Metës, Basha duhet të  dalë dhe t’i thotë PD dhe opinionit se do pranojë dekretin e Metës, uljen në Tavolinë me Kryeministrin Rama (sesi do ta thotë këtë kur pesë muaj rresht e kushtëzoi me të kundërtën akoma se dimë) dhe eventualisht do të futet në zgjedhje.

Po Rama si del nga kjo situatë? Diçka paralajmëron deklarata e Wandehpul kur thote se çdo veprim kundër kësaj klime të re, do ishte kundër imazhit të një vendi që don të hyjë në Europë. Nëse leshon pe, a shtohen gjasat që Rama të marrë në Berlin mbështetjen gjermane për negociatat? Kjo do ta bënte jo Kryeministrin që i mbylli ato, siç thotë opozita pesë muaj rresht.

Gjithsesi në fund do fitonte Shqipëria. Kulla e barit nuk do të digjej, po të huazojmë një batutë filmash. Lajmi i keq per armiqtë e Ramës eshtë se nuk do të “digjej” as kulla e Surrelit.

Edi përgëzon Edy-n për humbjen: Ishte barazim, (por tersi vazhdon)

Kryeministri Rama ka komentuar humbjen e kombëtares ne ndeshjen ndaj Islandës e vlefshme për Europianin “Euro 2020”. Ndeshja ishte për barazim, por ekipi ishte i pafat shkruan kryeministri në llogarinë e tij te twitterit.

“Gjynah ai gol se ndeshja ishte barazim i pastër, po sidoqoftë përgëzime kuqezinjve për shpirtin luftarak të kohëve të mira, që u rishfaq sot pas një stine të mërzitshme pa lidhje! Sot pamë një skuadër që nisi një rrugë të re ku patjetër do vijnë dhe rezultatet”, deklaroi Rama.

Balaj “kundër” trajnerit, fajëson sulmin dhe s’i del e keqja për veten

Bekim Balaj ka shprehur pakënaqësi me veten e tij dhe gjithë repartin e sulmit. Pas ndeshjes së humbur ndaj Islandës, sulmuesi kuqezi foli për RTSH, teksa u shpreh se reparti i sulmit duhet të bënte diçka më shumë.

“Mund të kishim bërë diçka më shumë në sulm. Nuk është se nuk krijuam, por me më shumë kujdes mund të kishim bërë diçka më shumë”, tha Balaj.

Ai u shpreh se ndihet mirë kur luan me Cikalleshin, ndërsa u shpreh se shpreson që në ndeshjete  ardhshme të shënojë.

“Jemi në një moshe dhe tani kemi mundësinë të kombinojmë me njëri-tjetrin. Sot nuk shënuam, por shpresojmë te ndeshjet e ardhshme.

“Mesfusha bëri një punë të mirë sot dhe ka sulmuar shumë, por rastet e krijuara duhet t’i kishim shfrytëzuar më mirë. Sot kemi dhënë të gjithë maksimumin, nuk mund t’i vë gishtin një reparti”, tha Balaj.

Humbje mes akullnajave, Islanda na mund dhe merr vendin e tretë

Lojën e bëjmë ne, pikët i merr Islanda! Kështu ndodhi dhe këtë 8 qershor në Rejkjavik, ku sapo ka nisur pranvera, por sigurisht për vendasit, pasi Shqipëria vijon të dimërojë edhe pas “rifreskimit” me një trajner ekspert, në përvojë dhe moshë… “Shqiponjat”, ndonëse dhanë shenja jete, duket se ende janë larg asaj që kanë premtuar me fjalë gjatë këtyre ditëve, pasi një gol i Gudmundsson, i kthehu me këmbë në tokë lojtarët tanë, të cilët përsëri pësuan disfatë, humbën tre pikë, ndoshta përfundimisht vulosën mbylljen e ëndrrës për kualifikim në Euro 2020.

Në minutën e 22`, Gudmundsson thyen mbrojtjen shqiptare, jo pak por pesë lojtarë i kalon, dhe sheh Etrit Berishën të pafuqishëm për të bërë diçka. Kështu Islandezi shënon dhe kaq mjafton për të marrë tre pikë të arta, që e mbajnë Islandën në kuota të larata për kualifikimin në Europianin e 12  shteteve, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Ndeshja!

Edy Reja ndryshon mendje në minutë të fundit, nuk bën atë që kishte thënë, ndryshon skemën dhe vendos të luajë 4-3-3, nga 3-5-2, me këtë të fundit që i “hëngri kokën” Eros Grezdës, pasi lojtarit iu tha se s`mund të gjente hapësira. Megjithatë, kjo skemë ishte në një farë mënyrë identitare dhe e njohur për kombëtaren tonë, pasi në rikthen pas në kohën e De Biasit.

Skuadra përgjigjet mirë në dhjetë minutat e para, me një kthim spektakolar të Sokol Cikalleshit në minutën e katërt të takimit, por portieri vendas është i vëmendshëm dhe ndalon rrezikun. Vendasit fillojnë të reagojnë në dhjetë minutshin e dytë, dhe shpërblehen në të tretin, pasi në të 22` Gudmundsson i bën pesë lojtarë kuqezi të shijojnë “spektaklin” e tij.

Pas këtij momenti, skuadra jonë reagon përsëri, por pa mundur të shkojë më shumë se sa gjuajtjet jashtë porte dhe sipër saj. Pjesa e parë mbyllet pa ndryshim në rezultat, por me shpresën se gjërat do të ndryshojnë në të dytën. Por as pas pushimit, gjërat nuk ndryshojnë. Kuqezinjtë vrapojnë pafund në fushë, ndërsa vendasit tregohen më të saktë në lojën në ajër. Madje në disa raste bëhen të rrezikshëm, çka detyron Edy Rejën të kryejë ndërrimet.

Kaçe, Ndoj e Sadiku i marrin vendit Bashës, Xhakës dhe Balajt. Kuotat rriten, skuadra nuk dorëzohet, por afrimi i fundit shton nervozizmin dhe asgjë tjetër. Kështu, ekipi kuqezi nuk merr atë që do, ndonëse jep gjithçka deri në përfundim të katër minutave shtesë. Kështu ndeshja mbyllet me fitoren e Islandës, që merr vendin e tretë në renditje me gjashtë pikë, ndërsa kuqezinjtë mbeten në vendin e katërt me tre pikë, teksa të martën e javës së ardhshme Shqipëria do të përballet me Moldavinë.

Skip to toolbar