Zaloshnja: Një sistem i ndërmjetëm zgjedhor

Nga Eduard Zaloshnja

Deri më sot ka pasur shumë zëra që kanë kërkuar që reforma zgjedhore, të përfshijë jo vetëm procedurat zgjedhore, por edhe vetë sistemin zgjedhor.

Kritika kryesore që i bëhet sistemit aktual zgjedhor është ajo që lidhet me të drejtën që kanë de facto kryetarët e partive për të renditur kandidatët e tyre në listat e qarqeve. Kjo e drejtë i ka kthyer ata, thonë kritikët, në pashallarë të partive, që në orën 12 të natës çojnë në KQZ listat e kandidatëve, si t’u teket atyre.

Një kritikë tjetër që i bëhet sistemit aktual zgjedhor është pabarazia që krijon mes partive të vogla që futen në koalicion me të mëdhatë dhe atyre që garojnë më vete. Të parave u duhen gjysma e votave për të nxjerrë një deputet, krahasuar me të dytat.

Që të adresohen këto dy probleme, mund të përdoret një sistem zgjerdhor rajonal me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore, i ngjashëm me atë të Greqisë.

Kështu, Shqipëria mund të ndahet në 20 zona zgjedhore me nga 5 deputetë (gjithsej 100 deputetë në Kuvend), ku numri i zgjedhësve të jetë pothuaj i barabartë për çdo zonë. Në çdo zonë, votimi kryhet me dy fleta; në të parën votuesi zgjedh partinë që preferon dhe në të dytën kandidatin e saj që pëlqen më shumë ta përfaqësojë partinë në Kuvend (nga 5 gjithsej). Në këtë mënyrë partinë në zonë do ta përfaqsojnë kandidatët që pëlqehen më shumë nga zona, dhe jo ata që pëlqen kryetari.

Lind pyetja, po 5 kandidatët e partisë për çdo zonë si mund të përzgjidhen? Me garë primare brenda partisë.

Pyetja tjetër, përse të mos ruhen zonat zgjedhore me bazë qarkun, siç janë sot? Në qarqe të mëdha si Tirana, Fieri, Elbasani e Durrësi, lista e kandidatëve do të ishte shumë e gjatë, gjë që mund të sillte konfuzion tek votuesit. Me 5 kandidatë për çdo zonë, votimi bëhet më i thjeshtë.

Pyetja tjetër, përse të mos ketë 100 zona me nga një kandidat për çdo parti (sistem mazhoritar)? Përvoja e zgjedhjeve të viteve 2001 dhe 2005 tregoi se përplasjet mes kandidatëve “të fortë” ishte tejet “e fortë” në disa zona. Gjë që e tensiononte aq shumë situatën zgjedhore, sa që kërciste edhe pushka në disa raste (duke vënë në rrezik gjithë zgjedhjet).

Dhe pyetja më e rëndësishme, a u intereson partive aktuale ky sistem zgjedhor? Ndoshta jo, por Shqipërisë i intereson…

Protesta sot kundër sistemit të gabuar

Të hënën Lulzim Basha me shumë mundësi në fjalimin që do të mbajë para protestuesve, mes entuziazmit për fitoren e 30 qershorit, do të kërkojë ndryshimin e sistemit, Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, etj., etj. Mos u habisni kur ta dëgjoni me shumë patos dhe forcë, me një timbër zëri që do tentojë të krijojë hipnozë ndaj protestuesve për të thënë se “fajin e ka sistemi”, dhe pa ikur Rama nuk ndryshon sistemi. Në krahun tjetër, ende e pakonfirmuar, por nga që ka marrë frenat e organizimit të protestës në dorë, edhe Monika Kryemadhi mund të dalë në podium para qytetarëve për të folur, ku ndër fjalë do të shqiptojë edhe “t`i japim fund tranzicionit, të ndryshojmë sistemin”. Këto nuk janë shpikje, janë fjalë që Basha dhe Kryemadhi i kanë artikuluar vazhdimisht gjatë protestave të tyre.

Ndaj, ky ligjërim publik për ‘ndryshim sistemi’ kërkon vëmendje. A është halli te sistemi? A është problem Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, apo çfarë? PD dhe LSI nuk e kanë këtë hall, e kanë provuar në mijëra mënyra prej 1990 këtë gjë, dhe sot nuk është nevoja të na risjellin si risi të artikulimit politik togfjalëshin “Ndryshim Sistemi”. Pse, cilin sistem do ndryshojmë? A është ky sistem i ndryshuar me dhjetra herë, Kushtetuta në 2008, Kodi Zgjedhor në disa raste.

A është ky sistemi i 17 majit 2017, kur Basha thirri po fitore, pasi ashpërsoi Kodin Penal për krimet elektorale?. A është ky sistem që u ndryshua pas kohës së  Klanit të Zemunit, Dushkut, Ruzhdies, Tiranës në 2011?! Po, ky sistem është ndryshuar disa herë, janë provuar të gjitha format, janë ndryshuar dhe njerëzit brenda sistemit, është ndryshuar gjithçka, vetëm dy gjëra nuk janë ndryshuar në 19 vjet. Politikanët dhe ai që do duhet të ishte sistemi bazë i funksionimit të shtetit që në gjenezën e tij, Drejtësia.

Por le ta nisim nga fundi. Tani që në fakt Sistemi i Drejtësisë po ndryshon, dhe politikanëve të korruptuar u mblidhet laku pas qafe, kërkohet ndryshim i sistemit, kërkohet kompromis, kërkohet ndryshim përsëri i Kushtetuës, ndryshim i Kodit Zgjedhor (pavarësisht të metave që ka, është i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar), kërkohet pra një ndryshim sistemi, jo për të mirën e shqiptarëve, për hallin e politikanëve.

Dhe kërkohet një kompromis në kurriz të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur në gati tre dekada pluralizëm, kriza fiktive dhe më pas zgjidhje për interesa partiake, e kanë dëshmuar Meta, Berisha, Basha, Monika, Rama dhe të gjithë bashkë kanë qenë pjesë e sistemit dhe ndryshimit të tij sa herë u është nevojitur. Por, tani ka një ngërç të madh, Rama për fatin e tij është në qeveri, dhe nxiti reformimin e gjyqësorit, që u mbështet nga faktori ndërkombëtar.

Dhe ndërkombëtarët e kuptuan rëndësinë e kësaj reforme, aq sa tashmë e kanë shndërruar në krye të listës së prioriteteve të tyre, zbatimin e saj. Dhe në fakt, dashur pa dashur, ndryshimi i Sistemit të Drejtëisë, i vë fre abuzimit me pushtetin, i vë fre asaj që ish-demokrati i Kukësit, Ibsen Elezi e quan “infektim të sistemit nga korrupsioni që mbolli administrata e LSI”. Dhe në këtë mënyrë, frika është tjetër kund, t`i shpëtojmë drejtësisë në kurris të shqiptarëve.

Mirëpo, tani, pas ndryshimit të Sistemit të Drejtësisë, ka ardhur koha, më sakt fundi i një sistemi politikanësh, që abuzimin, vjedhjen, korrupsionin dhe shkatërrimin e demokracisë, e shndërruan në mjet të mbijetesës në llumin që krijuan vetë. Ujërat tashmë po qartësohen, Shqipëria e ka rrugë pa kthim integrimin në Europë, dhe ashtu si çdo vend tjetër i Ballkanit (që ka fituar anëtarësimin), pavarësisht vonesës, edhe vendi ynë nuk mund të ketë rrugë tjetër, që nis me fundin e një sistemi politikanësh, që pushtetin e kanë parë si pronë të patjetërsueshme.

Pra, si përfundim, tani do të ketë një sistem që do të kontrollojë një sitem të pakontrollueshëm deri tani. Drejtësia do të jetë ajo që do t`i vërë fre 14% të Kukësit, Dibrës, Durrësit e kudo tjetër, pasi fakti është se votat nuk i vjedh as Kodi Zgjedhor dhe as Kodi Penal, madje as politikanët, por deri më sot, votat i ka vjedhur mungesa e drejtësisë. Ndaj, halli i vetëm është një, “Drejtësia”, sistemi që do të fundos sistemin e preferuar të politikës, pandëshkueshmërinë!/Realstory.al/

Ftesa e Astrit Patozit: Të votojmë më 30 qershor për të marrë hak ndaj sistemit

Astrit Patozi u është drejtuar shqiptarëve me një letër publike, ku u kërkon që të dalin për të votuar më 30 qershor. Sipas Patozit, e vetmja mënyrë për ndëshkuar qeverinë, që sipas tij ka treguar që është e korruptuar, është vota. Ndaj, kreu i Bindjes Demokratike kërkon hakmarrje, jo vetëm ndaj qeverisë, por gjithë sistemit, që sipas tij, të gjithë e kemi pranuar prej vitit 1990.

“Por është po kaq e vërtetë se e vetmja mënyrë për të “marrë hak” në këtë sistem, që vetë e kemi pranuar prej vitit 1990, është vota juaj. Natyrisht edhe drejtësia, por atë nuk e kemi ne në dorë, dhe jemi ende larg ditës kur ajo mund të veprojë edhe mbi mëkatarët e gjithëpushtetshëm, të cilët deri më sot nuk janë ndëshkuar asnjëherë”, shprehet Patozi.

Duke u kërkuar qytetarëve që të zgjedhin Bindjen Demokratike, si alternativë kundër “Rilindjes”, Astrit Patozi shprehet se më 30 qershor  shqiptarët duhet të dalin për të votuar, pavarësisht se në fushë mund të mos jetë “fanella” e ekipit të zemrës.

“Askush prej jush nuk duhet të mbetet peng i një keqkuptimi apo sedre, për shkak se mund të mos e gjejë në fushë fanellën e ekipit të vet të zemrës. Sepse gabime në vendimmarrje të rëndësishme janë bërë edhe në të shkuarën, por jeta politike ka vijuar normalisht dhe ata që i kanë kryer janë përpjekur që t’i korrigjojnë rrugës dhe të marrin sa më pak kosto prej tyre”, thekson ai.

Sipas Astrit Patozit, vetëm duke votuar më 30 qershor, është shansi për të ndëshkuar qeverinë  me votë, duke matur njëkohësisht pakënaqësinë ndaj saj. “Do të ishte e vetmja mënyrë për ta matur pakënaqësinë e madhe të shqiptarëve ndaj kësaj qeverie në këto zgjedhje, të cilat me gjithë defektet e tyre serioze, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen. Ndaj i drejtohemi me përulësi çdo zgjedhësi shqiptar, që është kundër kësaj qeverie, pavarësisht partisë që përfaqëson apo simpatizon, se nuk duhet ta humbë këtë shans. Kjo qeveri duhet ndëshkuar me votë dhe rrëzimi i saj duhet të fillojë më 30 qershor”, është shprehur Patozi.

Skip to toolbar