A do takohet me Ramën? Basha: Ky mit ka rënë. Të hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor

Lulzim Basha doli në një konferencë me gazetarët mbrëmjen e të shtunës, nga ku la të kuptohet se nuk do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor. Sipas Bashës, problem nuk është sistemi zgjedhor në Shqipëri, por kriminelët në politikë. “Përsa kohë Edi Rama vazhdon ta mbështesë karrierën e tij politike dhe fatin e tij politik tek kriminëlet, përsa kohë zbulohen kriminelë në Kuvend, në bashki, në insitucione dhe ai vazhdon të kruajë mjekrën sikur nuk ka ndodhur asgjë, harrojeni se këtu do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme! Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër kujdestar të zgjedhjeve të lira e të ndershme, i cili nuk është i përlyer dhe as pjesë e tepsisë me krimin dhe e pushtetit të marrë me krimin. Asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, po nuk  e ndamë politikën nga krimi dhe ky mbetet prioriteti absolut i PD dhe i opozitës. Asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhjet, nëse ne nuk ndëshkojmë krimin elektoral”, tha ndër të tjera Basha.

Megjithatë, kryedemokrati u shpreh se ai është gati për të diskutuar edhe për ndryshimin e sistemit. Madje, Basha tha se sistemin le ta zgjedhë dhe Edi Rama, pasi sipas tij, PD ka fituar me të gjitha llojet e sistemeve. “Nuk kam ndryshuar qëndrim. Le ta zgjedhë dhe Edi Rama po të dojë sistemin. PD ka fituar me mazhoritar të pastër, me mazhoritar proporcional, prandaj e rëndësishme është që të konsultohet me shqiptarët. Nuk mund ta zgjedhë krimi i organizuar vendin ku do të bëhen zgjedhjet. Prandaj duhet më parë të dënohen krimet elektorale. Kjo e para, më pas sistemi le të zgjidhet me konsensus të popullit. Të jetë procedurë e një projekti transparent, dua të përsëris që futja e diskutimit nga sistemi është metoda më e mirë për të hequr vëmendjen nga krimi. Po ja u them mazhoritarin e pastër. Edhe ai do të dështojë nëse nuk ndajmë politikën nga krimi, nuk zmbrapsim paratë e pista të oligarkëve”, tha Basha.


Por a do të pranojë ai të ulet në tavolinë me Ramën? Basha u shpreh se ky “mit” ka rënë tashmë, duke pohuar se nuk do të ulet në tavolinë me kryeministrin, ndërsa bëri thirrje që të mos vonohet miratimi i reformës zgjedhore.  “Miti i uljes së kryetarit me kryeministrit në tryezë ka rënë. Nuk ka për të ndodhur diçka e tillë. Ne kemi propozuar një ide të qartë. Ai ka vjedhur kohën e mundshme. Tani nuk ka më asnjë alibi. S’do të pranohet asnjë alibi. Pak rëndësi ka për mua se si prezantohen, rëndësi ka të kryhen. Sot është data 11 janar. Bundestagu e kërkonte që reforma zgjedhore të kalonte në dhjetor. Ky kryeministër e ka bërë shkeljen e parë. Ka shkelur një nga afatet gjermane. Thirrja ime është; asnjë minutë vonesë më. Propozimin tonë e kanë pasur që në muajin shtator”, pohoi Basha.

I pyetur nëse opozita do t`i rikthehet protestave, Lulzim Basha tha se opozita do të përdor të gjitha format për të larguar qeverinë. Ndërsa shtoi se ai është gati të hyjë në zgjedhje që nesër.  “Të gjithë format. Do të përdorim çdo formë për të sjellë zgjedhjet e parakohshme. Shqipëria nuk është e Edi Ramës por është e shqiptarëve. Prandaj zgjedhin ata nëse duan të lirohen, ose të mbesin peng e kësaj qeverie të lidhur me krimin. Që nesër hajde bëjmë zgjedhje. Si e shoh unë të arsyeshme dhe si do bëhem është gjë tjetër. Por ne do luftojmë që të bëhen një orë e më parë”, tha Basha.

Çështja Kajmaku, Hajdari: Të ndryshohet sistemi zgjedhor

Rasti i Agim Kajmakut, për deputeten demokrate Rudina Hajdari tregon se sistemi është kalbur. Në një reagim, pas vendimit të KQZ për t`i ndërprerë mandatin Agim Kajmakut, Rudina Hajdari shkruan se për të tilla raste duhet të mbajnë përgjegjësi jo vetëm individët, por dhe partitë.

“Rasti i dytë brenda pak muajve nga Partia Socialiste që na tregon se sa i kalbur është sistemi ynë zgjedhor, ku njerëz me të kaluar kriminale vendosen nga kryetarët e partive si kandidatë për zgjedhje dhe cënojnë proceset integruese dhe demokracinë në vend. Patjetër që jo vetëm duhen marrë masa të rrepta si për individët, por dhe për partitë pasi duhet të mbajnë ata përgjegjësi, mbi të gjitha”, shkruan Rudina Hajdari.

Sipas saj, zgjidhja është ndryshimi i sistemit zgjedhor, duke u hequr mundësinë kryetarëve të partive të pengojnë demokracinë e brendshme të partive. “E vetmja zgjidhje është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe futja e një mentaliteti më të shëndoshë. Nuk mundet që kryetarët e partisë të zgjedhin kë të duan dhe të kenë në dorën fatet e çdo njërit duke mbytur fjalën e lirë e demokracinë brenda partive të tyre, por dhe të tallen sa vjen e më shumë me fatin e vendit”, thotë Rudina Hajdari.

A duhet ndryshuar sistemi zgjedhor?

Basha: Jemi gati për zgjedhje, Ramën e kam mundur dhe më parë

Kreu i demokratëve Lulzim Basha tha se është gati të përballet me Ramën në zgjedhje, pasi e ka mundur njëherë tek e tek në zgjedhjet e 2011 dhe vazhdon ta mund atë çdo ditë. Gjatë një interviste për “News 24” Basha nuk dha përgjigje nëse ishte i gatshëm të shkonte në zgjedhje me Ramën kryeministër apo qeveri tranzitore, por tha se problemi kryesor është shmangia e zgjedhjeve të diktuara nga krimi.

Nuk kemi ne asnjë problem, as si opozitë, as si Parti Demokratike dhe as unë personalisht, sepse Edi Ramën e kam mundur edhe tek e tek dhe e kemi bërë atë betejë. E kam mundur dhe e mund çdo ditë. Nuk është problemi te njeriu, problemi është: do të ketë një palë zgjedhje të tjera si 2016-ta, 2017-ta, ku në vend që të votojnë qytetarët, në vend që të diktojë sovrani me votë, të diktojë krimi?! Oligarkët?! Avdylat?!” tha Basha

Në lidhje me  sistemin zgjedhor, Basha tha se është i hapur për ndryshim të tij dhe vetë qëndronte tek një sistem mazhoritar me lidhje të drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Në këtë mënyrë tha Basha fati i deputetëve nuk do të jetë i lidhur me kryeministrin, por me fatin e votuesit.

Absolutisht, jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht e kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar dhe lidhjen e drejtpërdrejt të deputetit me zgjedhësit dhe kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit, që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në Parlament, pavarësisht nëse partia e tij është në qeveri apo jo, dhe të mos shohin faktin qe kur partia është në qeveri deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën çfarë t’iu thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe shpeshherë me interesa korruptive, që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit.” tha Basha

Sistemi zgjedhor, Kryemadhi në “Real Story”: Të shkojmë në referendum

Monika Kryemadhi dhe analisti Skënder Minxhozi debatuan në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në lidhje me reformën Zgjedhore. Sipas analistit Minxhozi, të gjitha partitë politike, përjashto LSI, pëlqejnë që të  kenë një sistem zgjedhor ku kryetari kontrollon gjithçka, duke vendosur emrat e deputetëve në lista.  “Të gjithë këtu e pëlqejnë faktin që të kemi një sistem zgjedhor që kryetari të kontrollojë gjithçka. Dy partitë e mëdha janë shumë komode me faktin se listat mbyllen natën e fundit të afatit dhe kryetarët i bëjnë të gjitha vetë. Partitë nuk kanë jetë të brendshme demokratike për të sjell lista kandidatësh që të jenë aty ku duhet të jenë”, tha Minxhozi.

Monika Kryemadhi ndërhyri në debat, duke u shprehur se problem nuk është sistemi zgjedhor, por sistemi i drejtësisë. Kryemadhi u shpreh se sistemi me lista të mbyllura kufizon demokracinë brenda partive.  “Këtu nuk është problem sistemi zgjedhor. Këtu është problem sistemi i drejtësisë. Deputeti i Kukësit nuk është i barabartë me deputetin e Fierit apo Tiranës. Unë besoj te ëndrrat e të rinjve, se ata kanë bërë shpikjet më të mëdha. Unë jam për atë sistem, që vota ime, dhe e të gjithëve të jetë e barabartë. Për mua lista e mbyllur është mungesë demokracie. Do ta bësh me qark, bëje, do proporcional kombëtar, bëje”, tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi deklaroi në “Real Story”, se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, erdhën pasi Berisha pranoi kushtet e Edi Ramës, pasi kërkonte të zvogëlonte kompetencat e Bamir Topit, që ishte president. “Kjo rregullohet me vullnet politik. Ne kemi qenë të hapur për të bërë debat të hapur publik për sistemin. Sali Berisha për të zvogëluar kompetencat e Bamir Topit, pranoi kushtet e Edi Ramës në 2008, me të vetmin kusht që ai të futej në zgjedhje. Duhet të jetë një parlament me madat të kufizuar, siç e bëri Kroacia. Ose shkojmë drejt një referendumi, dhe hajde të përgatitemi e të vendosim si popull, për sistemin zgjedhor, për zgjedhjen e presidentit. Këtu mungon vetëm vullneti politik i një individi”, tha Kryemadhi.

Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi duke iu referuar hapjes ose jo të negociatave, ai u shpreh se një vendim qoftë kundër apo pro Shqipërisë, nuk do të kishte peshë elektorale. “Në fund, unë besoj se zgjedhjet as nuk fitohen as nuk humben me një hapje të negociatave. Për mua nuk është karburant elektoral. Nuk besoj se negociatat do influenconin zgjidhjen ose jo të krizës. Ligji elektoral. Ne jemi në këtë stad, dhe procesi i reformës zgjedhor ishte vetëm ajo tavolinë me një vajtje dhe një ikje, dhe asgjë tjetër”, shtoi Minxhozi./Realstory.al/

Skip to toolbar