Minxhozi: Qeveria duhet të bënte një “mea culpa”

Për analistin Skënder Minxhozi, qeveria shqiptare duhet të kishte bërë të paktën një “mea culpa” pas kthimi të saj nga Brukseli me mos hapjen e negociatave. Gjatë debatit në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24, Minxhozi tha se ka një listë shkaqesh që lidhen me mos hapjen e negociatave që lidhen me çështje të brendshme të të vendeve por edhe për shkaqe që janë përtej tyre dhe lidhen me çështjet e brendshme të BE. Për Minxhozin imazhi që dha vendi gjatë verës me dhunën në protesta ka lënë gjurmë në BE.

Nuk e kemi kulturën e pranimit të gabimit. Do thoja se ka një listë shkaqesh që janë të Europës në rrëzimin e dy vendeve por ka dhe një listë shqiptaro-maqedonase, që komunikojnë me listën e parë. Pala shqiptare duhet të kishte bërë një ‘mea cupla’ formale siç bëri Zaev, për shkak të mos hapjes të negociatave. Një shtet dhe një qeveri që se merr hapjen e negociatave duhet të thotë para popullit; ‘Më falni. Imazhi që vendi bëri gjatë verës ka lënë gjurmë në mendjen tonë por edhe BE.” tha Minxhozi

Për Minxhozin vendi ndodhet në një krizë të thellë politike, që lidhet me mungesën totale të dialogut dhe garës politike të momentit.

Dialogu dhe gara janë baza e demokracie, në të kundërt jemi në epokën e hiçit. Kemi dy shembuj një Kosovë që ka bere 3 pale zgjedhje ne kaq pa vite shtet i pavarur dhe nuk i ka problem e tabu zgjedhjet e parakohshme dhe Maqedoninë e Veriut ku liderët e partive politike ulen me presidentin dhe diskutojnë si njerëz. Asnjëra nga te dyja nuk ndodh ne Shqipëri. Të dy palët kanë faje.” tha Minxhozi.

Minxhozi në “Real Story”: As gëzim e as dështim, hapja ose jo e negociatave

Analisti Skënder Minxhozi, u shpreh në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se nëse nuk hapen negociatat, nuk do të jetë as gëzim dhe as dështim. “Hapja e negociatave, si do që të shkojë puna, nuk është një gëzim nëse do hapen, dhe nuk do jetë dështim nëse nuk do hapen. Veç variantit më të keq të ndarjes nga Maqedonia”, u shpreh ai.

Sipas analistit, vendi nuk është gati për hapjen e negociatave. Megjithatë, nëse do të merret një vendim “pro”, ai do të jetë dhe duhet të jetë thellësisht politik. “E para Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Vendimi në rastin tonë, për mendimin tim, do të jetë thellësisht politik dhe pozitivisht politik, për hapjen e negociatave”, u shpreh Minxhozi.

Në fund, Skënder Minxhozi shtoi se me liberalizimin e vizave, nocioni i integrimit në BE për shumicën e shqiptarëve, ka humbur kuptimin klasik. “Tani, Monika thotë me të drejtë: më mirë brenda se të kontrollojnë, se të jesh jashtë. Arsyeja e dytë, është se për mendimin tim, që nga viti 2010, kur ne kemi marë regjimin e vizave, çështja e integrimin për shqiptarin e zakonshëm, e ka humbur nocionin klasik për kapitujt. Hajde shpjegoi ti shqiptarit këtë”, tha Minxhozi. /Realstory.al/

Minxhozi: Ilir Meta mbajti postin, humbi fabulën

Nga Skënder Minxhozi

“Më kapën në baçen e komshiut, por nuk kisha hyrë pa leje. Vetëm sa kisha tejkaluar gardhin e baçes time”. Kjo është linja që po përdorin këto orë në Presidencë dhe rreth saj (kupto në opozitë dhe mediat aleate), pas daljes së raportit të Komisionit të Venecias, për ta kthyer karikaturën e anulimit dhe shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, në një histori suksesi. Dhe në një bazë ligjore të mjaftueshme për Ilir Metën, per të mos dhënë dorëheqjen.

Presidenti i Shqipërisë, sipas raportit të Venecias, ka gabuar kur ka anuluar zgjedhjet që kishte shpallur fillimisht, ka vepruar në mungesë të situatave të jashtëzakonshme, kur zgjedhjet mund të shtyhen, ka shpërfillur konsensusin politik dhe vijuar me kokë të vet, drejt një procedurë që përbën “tejkalim të kompetencave të veta kushtetuese”. Pra, kapërcim të sinoreve brenda të cilave duhet të ushtrojë detyrën si kryetar shteti.

Formulimi i Komisionit se këto shkelje, sipas tij, nuk janë të tilla që të çojnë në shkarkimin e Ilir Metës, mund ta ketë shpëtuar formalisht mandatin e presidentit. Pasi e kushtëzoi të ardhmen e hetimit parlamentar të Metës me opinionin e Venecias, kryeministri do ta ketë më të vështirë të avancojë me projektin e shkarkimit, pasi opinioni doli në konkluzionet e mësipërme.

Por fati personal i presidentit ishte në të vërtetë një aksesor në krizën politike të verës që po mbyllet. Pakkush priste që amullia në parlamentin shqiptar, presioni i opozitës në rrugë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe hyrja në lojë e Venecias, të krijonte kushtet për furtunën perfekte, që do të merrte me vete Ilir Metën. Megjithëse ky president do të duhej shkarkuar qoftë edhe vetëm për shkeljen flagrante të dhjetorit të shkuar, kur mori përsipër të fusë duart në listën e ministrave për t’u shkarkuar dhe t’u emëruar.

Nga ana tjetër, gondola veneciane nuk ka arritur shpëtojë pjesën më të rëndësishme të asaj që Ilir Meta ka të shtrenjtë në krizën aktuale: fabulën politike me të cilën luftoi për muaj me radhë. Provohet sot nga arbitra të paanshëm, se 30 qershori nuk duhej shtyrë, se zgjedhjet e “mynxyrshme” me një parti nuk janë shkas i mjaftueshëm për të anuluar procesin, se Kreu i shtetit shkeli kompetencat duke anuluar zgjedhjet dhe se nuk pyeti askënd për datën e re të zgjedhjeve.

Ka rënë e gjithë teorema logjike që Ilir Meta (e bashkë me të edhe opozita), u munduan të ndërtojë, duke vënë emrin dhe fytyrën e vet në rreshtin e parë të luftës kundër zgjedhjeve lokale. Teksa bëhet gati të rehatohet në poltronin presidencial, ka një detyrim publik të thotë diçka për këto shkelje që ia gjeti Komisioni i Venecias. Ashtu siç ka detyrimin të na thotë se çfarë duhet të bëjmë ne zgjedhësit, në datën 13 tetor të këtij viti!

Si çdo krizë shqiptare, që është e ngatërruar, e keqlexuar, keqinterpretuar dhe e manipuluar deri në fyt nga lojërat e pista që prodhon bulevardi qendror i Tiranës, edhe kjo e shkarkimit të presidentit me shumë gjasë do të endet pa busull në detin e sherreve dhe debateve shterpë. Jemi të zotët vetëm të krijojmë dhe mbajmë gjallë kriza, jo të gjejmë zgjidhje.

Në këtë zallamahi tipike shqiptare, raporti i fundit i Komisionit të Venecias na thotë se Ilir Meta ka mbajtur postin, por ka humbur fabulën politike. Zgjidhni e merrni cila nga të dyja është më e rëndë…

Tahiri, kur gjykata hyn dhunshëm në sherrin politik

Nga Skënder Minxhozi

Trupi gjykues që ndante fatin personal të Saimir Tahirit ka harxhuar shumë kohë në dhomën e këshillimit të enjten pasdite. Raportimet e gazetarëve të terrenit thonin se tre gjyqtarët kishin nisur madje të debatonin ashpër në lidhje me tre akuzat e rënda me të cilat prokuroria kërkonte të mbyllte pas hekurave ish-ministrin për 12 vjet.

Në fund të rreth tetë orë debatesh, vendimi i trupit gjykues duket se la gojëhapur të akuzuar dhe akuzues bashkë: shpërdorim detyre e jo grup i strukturuar kriminal apo trafik droge. Zyrtar që ka zbatuar keq detyrën, e jo kriminel që ndante paratë me trafikantët. Ky është thelbi i një akuze, e cila paradoksalisht, për sa kohë që s’kemi parë provat konkrete, e futi panelin e gjyqtarëve në zonën e rrezikshme të akuzave politike ndaj të gjithë maxhorancës, e jo vetëm ndaj personit të Saimiri Tahirit. Dhe ja pse.

Së pari, vendimi ndaj Tahirit nxorri si të pavlerë hetimin disavjeçar të organit të akuzës. Kush kujton insistimin e prokurorisë për ta arrestuar Saimir Tahirin, ka tani mundësinë ta vendosë në kontekst të drejtë atë kërkesë që asokohe acaroi gjakrat dhe gjuhën e të gjithë politikës shqiptare. Me devijimin e minutës së fundit nga akuzat e prokurorëve, gjyqtarët kanë ndërtuar një teoremë krejt të re të pozitës dhe përgjegjësive të vetë ish-ministrit të brendshëm, por kanë përfshirë potencialisht, në akuzën e rëndë që kanë formuluar, shumë më tepër persona me pushtet dhe institucione e instanca, sesa vetë Saimir Tahiri.

Së dyti, ky spostim i beftë i akuzave ndaj Tahirit, ka hedhur në opinionin publik shqiptar të parën akuzë zyrtare të formuluar nga sistemi i drejtësisë, për atë që njihet si “kanabizimi i vendit”. Një akuzë e cila nuk flet më për skafe të prishur e makina të dhëna e marra borxh mes Tahirit dhe trafikantëve, por për një fenomen kombëtar të disa viteve më parë. Eshtë dënimi i parë i një politikani për fenomenin, për të cilin s’i ka hyrë deri më sot gjemb në këmbë as atij që dilte në televizion e deklaronte me qetësi të plotë “Lazaratin e lejova unë, ishte vendimi im politik”! Ky pozicionim i ri e fut me të dyja këmbët drejtësinë shqiptare, në debatin e hershëm politik për fenomenin kanabis, që siç e dimë ka qenë në fokusin e posaçëm të politikës shqiptare në 30 vitet e fundit.

Së treti, vendimi për të ndërtuar një vendim gjyqësor mbi bazën e akuzës për shpërdorimin e detyrës në lidhje me përhapjen e kanabisit në të gjithë Shqipërinë, sjell në mënyrë të pashmangshme përfshirjen në listën e të akuzuarve, të një mase potencialisht të frikshme zyrtarësh, përfaqesuesish politikë e shtetërorë.

Sepse Saimiri Tahiri nuk mund ta ketë kanabizuar i vetëm një shtet, sado të vogël si Shqipëria. Akuza që i dha atij gjykata, përfshin drejtpërdrejt ose indirekt, një masë të madhe të institucioneve e agjensive të qeverisë qëndrore, asaj lokale, policisë, shërbimeve inteligjente etj. Në këtë aspekt, dënimi ndaj Tahirit, ndonëse pa etiketën e sikletshme të grupit të strukturuar kriminal apo të trafikut të drogës, është shumë i rëndë, pasi është më i shtrirë në hapësirë dhe në kohë. Nga lidhjet e vogla me ca kushërinj trafikantë, Tahiri akuzohet tani se ka prodhuar me anë të keqpërdorimit të detyrës, kanabizimin e gjithë shtetit.

E nga përmasa e akuzës rrjedh edhe bara e provës që ka sot gjykata. Sepse të prodhosh brenda disa orëve diskutimi në dhomën e këshillimit një akuzë kaq globale dhe të rëndë, ndërkohë që hetimi i prokurorisë nuk e përfshinte këtë aspekt në materialin disavjeçar të paraqitur në proce, do të thotë të marrësh mbi vete barrën e të provuarit të kësaj akuze. Gjykata ka luajtur një lojë të rëndë, atë të hedhjes poshtë të episodit dhe të ngritjes lart të fenomenit. Eshtë një ndryshim cilësor i gjykimit, për të cilin gjyqtarët duhet të kenë prova, madje të hekurta. Ndryshe bëjnë rolin e atij që ndodhet në hall e flet sa për të folur.

Çfarë provash ka trupi gjykues për nxitjen, bashkëpunimin, koordinimin dhe zbatimin e strategjisë së kanabizimit në shkallë kombëtare nga ana e ministrit? A ka objektivisht ai mundësi ta ketë bërë këtë i vetëm këtë gjë, ndërkohë që flitet për një fenomen që shtrihet nga malet e thella të Jugut e deri në pjesët më të harruara të Malësisë së Madhe?

Nëse këto pyetje dhe të tjera si këto nuk do të zbërthehen nga trupi gjykues në vendimin e plotë që do të bëjnë publik, atëhere vendimi për dënimin e Tahirit me akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me kanabizimin e Shqipërisë, është një flluskë sapuni që do të bjerë në apel. Dhe të provosh konkretisht dhe me fakte se një ish-ministër paska koordinuar një “plan kombëtar” kanabizimi, nuk është një punë e lehtë. Kur e ngre stekën lart, duhet të kesh provat, ose bën thjesht shou për t’i ikur sikletit të një dosjeje të dobët prokurorie që të kanë vënë përpara.

Analiza në “Real Story”: Kriza mbetet, vetëm Basha-Rama e zgjidhin

Shkarkimi i Presidentit Ilir Meta dhe skenarët e zgjidhjes së krizës politike, ishim tema e debatit mbrëmjen e së enjtes në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Analistët e ftuar në studio, Alferd Lela, Arian Vasiari, Skënder Minxhozi, Agron Gjekmarkaj dhe Eduard Zaloshnja, kanë treguar disa nga mënyrat se si mund të marrë fund kriza e gjatë politike, që ka mbërthyer vendin. Sipas analistitit Alfred Lela, Kriza vijon të mbetet, duke u shprehur se veprimet e bëra nga Ilir Meta deri tani, nuk i përkasin antyrës së tij.  “Kriza vazhdon të jetë, edhe pse kanë lëvizur shumë aktorët, ngjarjet janë po ato. Tashmë Ilir Meta është përtej  Presidencës dhe patjetër edhe përtej LSI. Të gjithë gjërat që ka bërë deri më tani, janë gjëra që nuk i përkasin natyrës së Ilir Metës”, tha ndër të tjera Alfred Lela.

Agron Gjekmarkaj u shpreh se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin të tilla, ndërsa sipas tij, Lulzim Basha bëri mirë që u tërhoq nga ideja e konfliktit civil. “Kemi praktikisht gjysmën e Shqipërisë që qeveriset nga e djathta, që nuk pranojnë të lëshojnë karrigen. 30 qershori nuk ishte zgjedhje, ishte një ditë votimesh. Lulzim Basha nuk ka fituar në këtë proces. Bëri shumë mirë që nuk i shkoi deri në fund “Rama Ik”. Unë kam bindjen se Basha nuk do e çonte popullin në konflikt civil”.

Arian Vasjari u shpreh se krizën mund ta zgjidhin vetëm Lulzim Basha dhe Edi Rama. “Kriza mund të zgjidhet vetëm nga Basha dhe Rama. Ilir Meta ështënjë aktor i tretë në këtë histori. Kriza ka mbetur e vetme  ndaj i ka mundur të gjithë. Kriza ka fituar. Nuk është fare një krizë Kushtetuese, siç thotë Presidenti. Jemi në krizë sepse palët nuk e kanë respektuar atë”, tha Vasiari.

Gjatë debatit, analisti Eduard Zaloshnja, tregoi një të dhënë shumë interesante. Sipas tij, në zgjedhjet e 2005, Partia Demokratike, që u shpall fituese, mori vetëm 560 mijë vota. Në fakt, Zaloshnja e argumentoi këtë me faktin se në atë vit, LSI doli për herë të parë e vetme në zgjedhje, duke marrë vota nga PD dhe PS, ndërsa duke komentuar rezultatin e 30 qershorit, Zaloshnja u shpreh se politikisht ishte barazim. “Për mua, 30 qershori ka përfunduar në barazim politikish, pasi të dyja palët pretendojnë që kanë fituar. Njëra me vota, tjetra me bojkotin.

Në diskutimin për pjesëmarrjen në 30 qershor, Skënder Minxhozi, u shpreh se pati disa arsye që njerëzit nuk dolën të votonin. Një prej tyre ishte frika që po mbillej për konflikt ditën e zgjedhjeve. “Deri në 30 qershor, njerëzit kishin frikë të votonin. Gjuha e kalkuluara ishte e tillë që të demobilizonte votuesit për të votuar. Në Shqipëri digjeshin KZAZ, gjuha ishte shumë e ashpër. Ishte ana tjetër e logjikës, ‘çe duam votën se Erion Veliaj fiton me 5 vota’. Në këto kushte krijuan një situatë, që realisht do të shtynte drejt një pjesëmarrje të ulët. Këto zgjedhje, nuk ishin zgjedhje, ishin votime të shëmtuara”, tha Minxhozi.  

Minxhozi: Një kryetar partie në Presidencë

Nga Skënder Minxhozi

Ka qenë dikur politikani më pak interesant për mediat. Fliste me një fjalor të kufizuar termash, thoshte vetëm ato që kishte kalkuluar në mendjen e tij dhe përpiqej t’i mbahej një linje formalisht të balancuar mes palëve. Ky ishte Ilir Meta i para dekretit të anulimit të zgjedhjeve. Sepse që nga ai moment, kemi para syve një President të tjetërsuar, një tjetër njeri, por jo domosdoshmërish një tjetër politikan. Nuk ka ndryshuar krah por vetëm se tani e thotë hapur dhe publikisht se në cilën anë qëndron.

Ka shumë hamendësime për arsyet e trazimit të dukshëm të Ilir Metës në javët e fundit. Dikush thotë se ka hall me afrimin e SPAK dhe të hetimeve që reforma do të sjellë për politikanët, dikush tjetër se kërkon të dalë nga hija e rëndë e maxhorancës që e ka futur në një cep, të tjerë përkrahin idenë se po përpiqet t’i japë një motiv egzistence dhe optimizmi opozitës (më së pari partisë së tij LSI), pas 30 qershorit dhe pas shuplakave të forta të ndërkombëtarëve.

Të gjitha këto janë motive të mjaftueshme për të bërë një luftë. Me kusht që të mos jesh kryetari i shtetit shqiptar. Sepse nëse je i tillë dhe hedh fraza të tipit “I kam bërë të qartë Bashës, Kryemadhit dhe mikut tim Doktorit, që të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar P P P d, që të mos dalim nga mënyra e qeverisjes”, do të thotë se gjithçka mund të jesh, përveçse simboli i unitetit të kombit! Do të mjaftonte kjo fjali për ta konsideruar kryetarin tonë të shtetit, një tifoz të sëmurë të krahut të vet politik, e jo një institucion të ekuilibruar dhe të baraslarguar nga palët dhe nga sherret që ato gjenerojnë.

Prej kohësh opozita përpunon idenë se Presidenca është i vetmi institucion që po ruan neutralitetin e shtetit dhe balancat e prishura nga “parlamenti i krimit” dhe “qeveria e drogës”. Duket se opozita ka një merak që vetë Presidenti nuk e ka, me sjelljen e njeriut totalisht të arratisur nga formati dhe kostumi që i takon të mbajë, me sulmet e fyerjet që hodhi pa hesap kundër të huajve, me tezat naive e pa asnjë nivel të “oktapodit Soros”, me përmendjen orë e çast të burgut e prangave, Gruevskit dhe Mic Sokolit, apo me batutat absurde ndaj gazetarëve.

Shqisa politike e Ilir Metës e ka ndjerë për së largu momentin delikat që po gatuhet në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Në njërën anë ai po sheh se konjuktura pozitive mes Ramës e ndërkombëtarëve mund të prodhojë situata shumë të disfavorshme ndaj tij dhe panelit të cilit ai i përket. Pasoja politike, por edhe juridike. Zbritja në fushë me shkop në dorë kundër ambasadorëve shënon fundin e durimit të Presidentit, për mënyrën sesi të huajt e kanë lexuar situatën në Shqipëri dhe sesi janë pozicionuar gjatë muajve të fundit ndaj ngjarjeve më të nxehta. Në anën tjetër, ashtu si në të shkuarën, Ilir Meta, por bashkë me të edhe një pjesë e mirë lidershipit të opozitës, nuk i shpëtuan dot kurrë frikës dhe ndrojes që ju vjen nga reforma në drejtësi. Ky objekt misterioz e me konturet e padallueshme, që mund të përfshijë në kthetrat e tij një listë personash që askush nuk është në gjendje t’ia lexojë përmbajtjen. Dhe fenomenet e padeshifrueshme rëndom nxisin frikë, logjike ose edhe të fantazuar.

Presidenca Meta ka hyrë kështu në një kurs përplasjeje që nuk ka më si kundërshtar vetëm Edi Ramën, por gjithçka dhe gjithkënd që del jashtë gardhit të opozitës së sotme. Ndoshta në këtë pikë ka ardhur momenti që gjërat të rikthehen në normalitetin e tyre të mëparshëm. Eksperimenti i Ramës i verës së vitit 2017, për ta nxjerrë Metën nga terreni partiak, e për ta “ngulur” atë në terrenin institucional, na solli një situatë edhe më të komplikuar. Ajo që dikur ishte kriza e një aleance të palumtur PS-LSI, sot është transformuar një terren lufte mes kryetarit të shtetit dhe pjesës së mbetur të institucioneve të shtetit. Ndoshta është momenti që të rikthehemi në gjendjen e mëparshme. Të rifitojmë një kryetar të fortë partie, e të lemë pas shpine një president që hyri i mërzitur në zyrën kreut të shtetit, e me gjasë do të dalë prej andej i zemëruar me gjithë botën…

Përgjimet, shkarkimi i Metës dhe Basha, Taulant Balla flet për gjithçka në ‘RealStory’

Përgjimet e Bild, Balla sqaron kush është Arben Keshi

Nga studio e “Real Story”, kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka sqaruar se kush është Arben Keshi, emri i të cilit del në disa audio-përgjime  të publikuar nga Bild. Balla sqaron se Keshi është një anëtar i vjetër i Partisë Socialiste në Dibër dhe kandidonte për kryetar në Maqellarë. Ndërsa për sa i përket bisedës më Ramën, Balla tha është e vërtetë pasi në një pjesë të saj ka qenë vetë i pranishëm. Madje Balla bëri një deklaratë të fortë ku tha se Arben Keshi është rrahur dhe kërcënuar me armë nga Flamur Noka dhe disa persona të lidhur me PD. “Arben Keshi është anëtar i PS në Dibër . Ka kandiduar  për kryetar komune në Maqellarë dhe është rrahuar nga persona të PD në atë kohë.  Ka qenë një prej koordinatorëve elektorale në Maqellarë.  Keshi dhe personat bashkë me të janë rrahur në mënyrë shtazarake nga Falmur Noka, madje i kane nxjerrë dhe pistoletën Keshit. Në arkiva mund të gjeni edhe deklaratën time ku akuzoj PD për dhunim të anëtarëve të PS.”

Balla: Përgjimet e Bild, grafika e njëjtë me rastin “Babale”

Kryetari i Grupit Parlamentar për Partinë Socialiste, Taulant Balla nga studio e Real Story, i gazetarit Sokol Balla në Vizon Plus, tha se ka dyshime të forta se përgjimet e publikuara nga “Bild” kanë të njëjtat grafika si në rastin “Babale”.  ‘Kam dyshimet e mia që grafika është e njëjta me atë që është përdorur dhe në rastin Babale. Është e njëjta firmë. Madje edhe praktika e përdorur është si në rastin Zagani dhe gazetarit Basir Çollaku, që lajmërojnë 2-3 ditë para se çfarë do të ndodh.” – tha Balla.

Taulant Balla ka komentuar në emisionin Real Story në Vizion Plus, përgjimete  Dibrës. Balla u shpreh se kjo çështje i takon drejtësisë, dhe ajo duhet të hetojë. “Kjo është çështje që i takon drejtësisë. Kjo për mua nuk është gjë e re, ka dy vjet që ma tund Lulzim Basha. Shqetësimi im është që ky prokuror që vodhi CD, i çoj te PD, i montuan, i nisën në Gjermani. Pse nuk e ka bërë detyrën? Edhe sot reagimi i PS ishte ta zgjidhi prokuroria. Nxorën një sinkron të ministrit Gjiknuri me një funksionar të PS, sepse kishte nodhur një parregullsi, pasi PD kishte vendosur vëzhgues që nuk lejoheshin me ligj. Vëzhguesit tanë ishin intimiduar me njerëz që kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria. Unë e kam parë me sytë e mij, nesër do dali përgjimi tjetër, në orën 2 të natës Arben Keshi më ka marrë në telefon dhe më ka thënë “hajde se po më vret Flamur Noka”, u shpreh Balla.

Përgjimet, Balla: Prokuroria të hetojë dhe të sqarojë publikun

Më tej, Taulant Balla u shpreh se lidhur me problematikat e Dibrës në zgjedhjet e 2016, një vit më pas u bën ndryshime në Kodin Zgjedhor. Balla tha më tej, se për këtë çështje duhet të mos ngrihen akuza politike, por të vijohet me hetimet nga Prokuroria. “Lidhur me problematikat e Dibrës, më pas janë ndryshuar  shumë ligje për të rritur efikasitetin. Thelbi është, të tërhiqemi nga akuza politike. unë bie dakord me një gjë, që kjo lloj prokurorie është përdorur si shantazh, sot fillon hetimi, dhe nesër në studiot televizive lexon të gjithë materialet hetimore”. “Sa më shumë të afrohen zgjedhjet lokale, do dali një paketë e tyre për të justifikuar dështimin politik të Lulzim Bashës. Për mua nuk ka qenë surprizë kjo gjë. Po të më pyesnit në janar, do ju thoja se në qershor do dali kjo gjë. Nuk ka vepër penale të asnjë nga personat… Për zgjedhjet e Dibrës unë kam qenë në emision më Sokol Ballën, kur u publikuan disa informacione në emisionet televizive, nëse doni vlerësimin tim, ato ishim më të rënda se sa këto. Është për të ardhur keq se si një emision investigativ bëri punë më të mirë se sa prokurorët. Ta lëmë Prokurorinë ti shkojë deri në fund kësaj çështje. Prokuroria ka detyrimin ti bëjë një sqarim publikut, unë jam i bindur se as Damian Gjiknuri, as deputetët e tjerë, unë nuk e fsheh më është dashur të komunikojë dhe me deputet të PD për të krijuar një klimë qetësie”.

Përgjimet, Balla: PD i ka prej 2 vitesh, familjarët e Bashës ja dorëzuan Bild

Kreu i grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla bëri një deklaratë të fortë nga emisioni “Real Story”, ku tha se Lulzim Basha i dispononte këto audio-përgjime një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në Dibër në 2016. Madje ai tha se kanë qenë vetë familjarët e Lulzim Bashës që kanë bërë transportimin e tyre tek gazetari i Bild. “Partia Demokratike i dispononte këto audio-përgjime një ditë pas zgjedhjeve në Dibër. Pra i ka prej 2 vitesh e 7 muaj në dorë. Pse nuk e ankimoi në gjykatë që atëherë? Madje e them me bindje se gazetari i  Bild i ka marrë nga vetë PD-ja. Kanë qenë familjarë të Lulzim Bashës që kanë bërë transportimin e tyre.”-  tha ai. Balla shtoi se nëse ato video do të përbënin një provë Basha do t’i kishte animuar në gjykatë që atë ditë kur i mori. “Nuk ka prova në ato audi-përgjime, por ka copëza të marra dhe të ndërtuara një telenovelë me to. Po të kishte prova në përgjime do e kishin rrëzuar procesin zgjedhor në Dibër që një ditë pas zgjedhjeve.”

Balla: Presidenti mund të ketë dhe probleme mendore, do shkarkohet!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, deklaroi në ‘Real Story’ se mazhoranca do ti shkojë deri në fund shkarkimit të Presidentit të Repbulikës Ilir Meta. “Unë jam një prej firmëtarëve që kam kërkuar shkarkimin e Metës. Ai ka humbur besimin e Kuvendit, të të gjithë grupit Parlamentar të PS. Unë besoj se Kuvendi do ti bindet me 94 anëtar për ta çuar deri në fund këtë gjë. Unë kam dëgjuar një deklaratë lajthitëse të Presidentit të Republikës ndaj Kuvendit. Presidenti i Republikës po çon ndërmend edhe shpërndarjen e Parlamentit. Presidenti i Republikës mund të ketë probleme edhe të shëndetit mendor”, tha Balla.

Balla konfirmoi dhe njëherë qëndrimin dhe këndvështrimin e Partisë Socialiste se Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën. Kompetenca për çdekretim, kreut të shtetit i është hequr me ndryshimet kushtetuese, ndërsa e ka cilësuar datën e dekretimit të zgjedhjeve, si një kompetencë ceremoniale. “Me ndryshimet kushtetuese Presidenti i Republikës ka thjesht e vetëm një kompetence ceremoniale për dekretuar datën e zgjedhjeve. Unë kam qenë përfaqësues i PS në presidencës për konsultën, teksa presidenti thirri palët, dhe jo pa qëllim kam bërë një diskutim ndoshta më të gjatë se kolegët e tjerë të opozitës. I kam thënë presidentit: ‘si mendoni ju, se ju e keni këtë kompetencë? Janë vetëm dy data më tha, nëse ne biem dakord, të lutem, më tha, opozita kërkon datën 30 dhe më dueht të vendos datën 30”. “A e ka shkelur presidenti kushtetutën? Mendoj se në disa pika. Së pari, presidenti i republikës në saj të asaj “zhveshje” kompetencash, nuk ja njeh Kushtetuta të drejtën e dekretimit. Presidenti i Republikës ka sjell si kazus, në argumentin që i ka sjellë Kuvendit, ka sjellë si referencë rastine  vitit 2007, kur president ishte Z.Moisiu. ky i fundit tha se unë nuk e bëj dot dekretimin pa më dhënë mundësinë një dispozitë tranzitore”, u shpreh Taulant Balla. 

Balla: Kuvendi është funksional, nuk i shkojmë Metës për dialog

Në lidhje me një mundësi që presidenti Meta mund të shpërndajë parlamentin, Taulant Balla tha se presidenti tashmë njihet se nxjerr dekrete të çmendura. Kuvendi është funksional dhe mund të miratojë ligje që kërkojnë 2/3 e votave tha Balla në Real Story, duke lënë të kuptohet se nuk do të njohin asnjë dekret që nxjerr presidenti Meta për shpërndarjen e parlamentit. “Nuk e kuptoj pse dërgoi letër për numrin e deputetëve ku ai i ka të gjitha informacionet në webside. Presidenti nxjerr dekrete të çuditshme që nuk ka asnjë paragraf kushtetues që t’i jap të drejtë. Kuvendi i Shqipërisë është funksional dhe ka fuqinë për të miratuar edhe ligje me shumicë të cilësuar 2/3 si ndryshimet kushtetuese dhe shkarkimin e presidentit. Kuvendi sot është funksional ta bëjë këtë gjë. Kuvendi ka miratuar një rezolutë ku i bën thirrje presidentit të reflektojë.” Ndërsa i pyetur nga gazetari Sokol Balla se ato të marrë pjesë në ftesën e Metës për të diskutuar për një datë zgjedhje, Taulant Balla tha se “nuk ka asnjë arsye për të dialoguar dhe për të diskutuar. Është një çështje që është mbyllur që në vitin 2018.”

Zgjedhjet europiane dhe ankthi shqiptar!

“A do të ndikojnë zgjedhjet europiane në procesin e integrimit të Shqipërisë?’, ishte tema në emisionit e sotëm në “Real Story” i gazetarit Sokol Balla në Vizion Plus. Paneli i të ftuarëve të sotëm përbëhej nga Teuta Vodo, Gerti Bogdani, Arben Malaj, Henri Çili dhe Skënder Minxhozi, ndërsa në lidhje direkte nga Greqia ka folur kandidatja shqiptare e PASOK-ut për Parlamentin Europian, Ed Gemi.  

Analisti Skënder Minxhozi gjatë fjalës së tij theksoi se zgjedhjet, që do të mbahen të dielën, nuk janë të ngjashme me ato të kaluarat në Bashkimin Europian. “Këto janë zgjedhje që nuk i ngjajnë zgjedhjeve të mëparshme të Bashkimit Europian”, tha Minxhozi, teksa shtoi se Shqipëria ende nuk është gati për anëtarsim në union. “Shqipëria nuk është gati për të qenë vend i BE-së. Përgjegjëse është e gjithë klasa politike ndër vite”.

Në këtë linjë qëndron dhe analisti tjetër Henri Çili, i cili u shpreh se vendi ynë ka vite që nuk bën progres për anëtarsim drejt BE-së. “Shqipëria këto 6 vite nuk ka bërë asnjë avancim drejt Bashkimit Europian. Shqipëria dhe shqiptarët i kanë provat që jane pro europian. Duhet të rishikohen marrëveshjet tregëtare. Ne e hapëm ekonomine prej rrugë drejt BE. , tha Çili.

Duke folur rreth zgjedhjeve në BE, Gerti Bogdani u shpreh se ekstremistët janë duke e shfrytëzuar fushatën për zgjedhjet paralmentare të BE-së. “Ekstremistët po shfrytëzojnë fushatën për tu fuqizuar përmes deklaratave radikale. Ata mund të marrin 80 vota në Parlamentin Europian”, tha Bogdani, ndërsa shtoi se shumë vende në BE po shprehen kundër Shqipërisë: “Reklama Sllovene? Nuk qëndron. Por realiteti shqiptar është problem. Vende të BE-së po shprehen kundër Shqipërisë”, tha ndër të tjera Bogdani.

Ndërkohë, Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Teuta Vodo u shpreh se Liberalët pritet të triumfojnë në zgjedhjet Parlamentare Europiane. “Sot janë dy grupime që rrezikojnë shumë. Liberalët pritet të triumfojnë në zgjedhjet e PE-së”, tha Vodo, ndërsa duke komentuar situatën politike në vend, ajo tha: “PD duhet të dilte me propozime konkrete në formë alternative dhe jo të aplikonte politika bllokuese” .

Arben Malaj u shpreh e Bashkimi Europian është në “borxh” me rajonin e Ballkanit: “BE-ja është në borxh me rajonin e Ballkanit. Ne do bëhemi gradualisht pjesë e saj. Ka tre fusha ku BE-ja e godet Ballkanin; Arsimi, Tregtia dhe Kohezioni Social”, tha Malaj.

Skip to toolbar