Mesfushori i kombëtares Kristi Qose ka shënuar përsëri në Sllovaki për skuadrën e Ruzomberok në ndeshjen e fundit të kampionatit.
Ruzomberok luajti në transfertë ndaj Zilina takimin e fundit të kampionatit sllovak, teksa Qose shënoi në minutën e 42`-të të takimit, duke i dhënë barazimin e përkohshëm ekipit.
Në fakt, mesfushori i talentuar shqiptar fitoi një penallti tre minuta para se ndeshja të shkonte në pushimin e pjesës së parë, ndërsa Zilina kryesonte me rezultatin 1-0.
Qose e mori përsipër vetë gjuajtjen nga njëmbëdhjetë metërshi, duke shënuar me “panenka”.
Kështu u vendos barazpesha në fushën e lojës, por pas pushimit skuadra vendase shënoi dhe tre herë në portën e ekipit të Ruzomberok, ndërsa këto të fundit ngushtuan shifrat në 4-2, por pa shmangur humbjen.
Megjithatë, skuadra e Ruzomberok ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm, pasi ruajtën evendin e tretë në renditjen përfundimtare të kampionatit.