Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi
Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Bernd Bochardt, si njeri “të njëanshëm me
Edi Ramën”. “Ndërkombëtarët nuk kanë refuzuar. Bochardt është jashtëzakonisht i
njëanësuar me Ramën, por unë nuk besoj se mund të refuzojë angazhimin e ODIHR
në reformë. ODIHR nuk pranon të vijë në reformë nëse njëra palë kundërshton”,
tha Berisha.
Më tej, ish-kryeministri, akuzoi dhe kreun
aktual të qeverisë, Edi Rama, duke u shprehur se ai kundërshton ardhjen e
ODIHR, për të bllokuar negociatat. “Edi Rama e kundërshton ardhjen e ODIHR se
dëshiron me çdo kusht të bllokojë negociatat. Nuk pyet për asgjë tjetër përveç
karriges së pushtetit ekzekutiv dhe parave të tij. Nëse do të ishte serioz ky,
Gjykatat Kushtetuese do të ishte ngritur me kohë, Gjykata e Lartë, SPAK, BKH”, është
shprehur Berisha.
Berisha mendon se Reforma Zgjedhore, duhet të
jetë lëshimi i parë i Edi Ramës. “Është kusht nga më kryesorët reforma
elektorale. Nuk ka kryeministër që do hapjen e negociatave që nuk i thotë
opozitës shkruaje vetë dhe hajde ta votoj, mjafton të ruash standardet. Ky i
thotë opozitës karroca e trenit, lësho rrugën. Lëshimi i parë në këtë krizë që
duhet të bënte kryeministri ishte kjo që ai nuk e bën. Po çfarë humbet ti me
reformën elektorale?”, deklaroi Berisha, në një intervistë në Ora News.
Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi është
paraqitur të premten në seancën dëgjimore përpara Kolegjit të Posaçëm të
Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkoi rivlerësimin e tij. Ndaj Besnik Muçit,
Komisioneri Publik bëri ankesë, pasi ai kaloi procesin e Vettingut më 12 nëntor
të vitit të kaluar.
Sipas ankesës së bërë nga Komisioneri Publik,
“prokurori Besnik Muçi, gjendet në pamundësi financiare për të justifikuar me
burime të ligjshme pasurinë, si dhe ka bërë deklarim të pasaktë dhe të
pamajaftueshëm të pasurisë; rrjedhimisht Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e
vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe
shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit”. Sipas Komisionerit Publikë,
Besnik Muçi nuk justifikon vlerën e kursimeve prej 200 mijë lekësh dhe 4 hua në
vlera të ndryshme të marra nga familjarët e tij ndër vite.
Gjatë seancës të së premtes, Besnik Muçi ka kundërshtuar
shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i “konsideruar si të pabazuara
në ligj e në prova dhe i kërkoi trupit gjykues çeljen e hetimit gjyqësor dhe
marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të reja që i paraqiti gjatë seancës
së sotme gjyqësore”.
Ndërkohë, Trupi gjykues vendosi të marrë si
provë aktet e paraqitura në kuadër të shkaqeve të ankimit që lidhen me kriterin
e pasurisë, duke i konsideruar të pranueshme nga pikëpamja formale, ndërkohë që
vlera e tyre provuese do të analizohet në kuadër të marrjes së vendimit
përfundimtar. Megjithatë, KPA ka refuzuar të marrë si provë disa akte shkresore
të paraqitura nga Besnik Muçi, që lidheshin me kriterin e vlerësimit të
aftësive profesionale, pasi konstatoi se këto akte tejkalonin shkaqet e ankimit
të Komisionerit Publik që lidhen vetëm me kriterin e pasurisë.
Ndërkohë, përsa i përket një kërkese që bëri
Komisioneri Publik për marrjen si provë të një informacioni të përcjellë nga
DSIK pranë Komisionerit Publik më datë 16.11.2018, trupi gjykues vendosi që
duke qenë se nuk është pjesë e ankimit, do ta shqyrtojë vetëm pasi të njihet me
dokumentacionin dhe ta analizojë atë.
Për shkak të provave të reja, të paraqitura të
premten në seancë nga Besnik Muçi, trupa gjykuese e KPA-së ka vendosur që
seanca e radhës të shtyhet për në datën 1 tetor, aty ku pritet të ketë dhe një
vendim për Prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. Kujtojmë se subjekti i rivlerësimit,
Prokurori Besnik Muçi, është kandidat për tu bërë anëtar e Gjykatës Kushtetuese
në vend, njëherazi kandidat edhe për tu bërë pjesë e Prokurorisë Speciale,
SPAK. /Realstory.al/
Gjermania por jo vetëm, i gjithë faktori ndërkombëtar, është në pritje të ngritjes së SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë, dhe veçanërisht në pritje të rezultateve konkrete që do të japin këto institucione në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta të shtetit. Gjatë ditës së martë, Christian Lange, Sekretar Shteti në Ministrinë
Federale të Drejtësisë ka zhvilluar një takim me kreun e Këshillit të Lartë të
Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i cili ka deklaruar se SPAK do të jetë gati në
muajin tetor.
I pranishëm në takim, ishte edhe ambasadori
gjerman Peter Zingraf. Takimi u fokusua tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe
ngritjen e institucioneve te reja, SPAK dhe BKH
“Për 9 muaj, KLP ka menaxhuar mjaft procese
sfiduese si ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Në javët në vijim, KLP duhet të marr një
vendim për sa i përket numrin e prokurorëve me të cilët mund të ngrihet SPAK.
Besoj se Tetori do të gjej vendin me SPAK dhe Prokuror të Përgjithshëm”, tha
Ibrahimi.
Ndërkohë Christian Lange, Sekretar Shteti në
Ministrinë Federale të Drejtësisë tha se “Lufta kundër korrupsionit është kushti
dhe prioriteti kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
Gjatë takime që zhvilloi gjatë të hënës me
kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, si dhe me ministren e
Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Lange vlerësoi ecurinë e deritanishme të Reformës në
Drejtësi në Shqipëri duke cilësuar atë një proces unik që do të forcojë më tej
shtetin e së drejtës.
“Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së
drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në
drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto
përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në
sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj”, është
shprehur Lange.
Deklarata e tij në mbështetje të ecurisë së deritanishme të reformës në drejtësi është edhe një përgjigje ndaj akuzave dhe sulmeve që i janë bërë kësaj reforme nga përfaqësues të opozitës dhe veçanërisht nga presidenti Meta. Ndërsa Meta e cilëson reformën të kapur, zyrtari i lartë gjerman e shikon atë si një proces unik që do të forcojë më tej shtetin ligjor në Shqipëri./realstory.al
Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) jo
vetëm do të hetojë dhe do të nxjerrë para ligjit zyrtarët dhe pushtetarët e
korruptuar por edhe do të sekuestrojë pasuritë e tyre të përfitura në mënyrë të
paligjshme.
Shqetësim është fshehja e të ardhurave të tyre
jashtë vendit, në parajsat fiskale. Por duket se me ngritjen e SPAK këto
probleme do të marrin fund. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e
institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” përcakton
sesi me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion do të krijohet edhe
një drejtori e posaçme vetëm për hetimin dhe sekuestrimin e pasurive të
pushtetarëve. Kjo drejtori do të quhet Sektori i Hetimit Financiar dhe
punonjësit e tij do të kryejnë hetime paralele edhe për pasurinë e një zyrtari
i cili është vënë nën hetim.
Thënë më shkoqur, nëse Struktura e Posaçme
Antikorrupsion nis hetimet për një pushtetar për një vepër penale të kryer nga
ai, atëherë Sektori i Hetimit Financiar nis në të njëjtën kohë hetime për
pasurinë e pushtetarit në fjalë. Punonjësit e drejtorisë së posaçme hetojnë dhe
analizojnë ligjshmërinë e pasurisë së një zyrtari, gjurmojnë llogaritë bankare
dhe paratë e fshehura jashtë vendit. Në momentin që konstatohen pasaktësi, nis
sekuestrimi i pasurive. “Sektori i Hetimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme
verifikon mjetet financiare dhe pasuritë e personave nën hetim dhe raporton
rezultatet te prokurori i posaçëm kompetent. Punonjësit e këtij sektori janë të
diplomuar në drejtësi, financë apo në fusha të tjera përkatëse. Punonjësit e
këtij sektori duhet të kenë një eksperiencë pune jo më pak se dy vjet si
oficerë të Policisë Gjyqësore”, thuhet në ligj. Pra, pushtetarët e përfshirë në
afera nuk do t’ia hedhin dot paq dhe nuk do ta gëzojnë dot pasurinë e tyre të
vënë në mënyrë të paligjshme.
Punonjësit e kësaj njësie të posaçme do të
bashkëpunojnë me autoritetet e huaja për të finalizuar hetime të përbashkëta.
Po ashtu, përmes këtij sektori pritet që hetuesit shqiptarë të SPAK të marrin
ndihmë edhe nga autoritetet e huaja për të rënë në gjurmët e parave të pista të
zyrtarëve të lartë. Edhe vetë të ngarkuarit me punë të SHBA-BE në vendin tonë
kanë kërkuar sekuestrime pasurish, çka do të thotë se ndërkombëtarët do të
asistojnë punën e SPAK në këtë drejtim./SOT
Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët
do të dërgojnë para Gjykatës Speciale zyrtarët e lartë të korruptuar, duke u
konfiskuar njëkohësisht edhe pasurinë e pajustifikuar me burime të ligjshme, do
të shpërblehen me karrierë të shpejtë dhe vlera monetare. Kështu parashikon
ligji për statusin e magjistratëve si dhe një rregullore e miratuar nga
Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ngritjen në detyrë të prokurorëve te
SPAK-ut. Në një kohë kur përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës ka paralajmëruar përmes 7 mesazheve se pushtetarët e korruptuar dhe
bosët e krimit do të japin llogari para SPAK-ut, goditja e krimit dhe
korrupsionit në nivele të larta është kusht kryesor për ngritjen në detyrë,
vlerësimin dhe shpërblimin e prokurorëve të posaçëm. Neni 16 i ligjit për
statusin e magjistratëve parashikon që magjistrati që ka vlerësimin më të lartë
etik dhe profesional merr një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë
ose rreth 3 mijë USD, brenda një viti. Ndërkaq rregullorja e miratuar nga KLP,
e cila shërben si standard, parashikon hetimi i çështjeve të ndërlikuara
ligjërisht dhe në fakte është kriteri kryesor për vlerësimin më të lartë
profesion. Sipas rregullores së KLP, ‘çështje e ndërlikuar ligjërisht dhe në
fakte’ konsiderohen ato çështje ku subjekt i hetimit është një funksionar i
lartë publik, të cilat kanë një numër të madh të pandehurish ose një numër të
madh veprash penale, që passjellin pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë e
personave ose shkaktojnë dëm të madh ekonomik, të cilat rezultojnë në
konfiskimin e aseteve me vlera të mëdha etj.
Mbrojtja e veçantë dhe eskortë
Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme,
pavarësisht arritjeve në detyrë, gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti jo
vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, bashkë me familjet, por edh pasi të dalin në
pension. Ligji për statusin parashikon që magjistrati që nuk e ushtron
funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon,
si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të
magjistratit. Ndërkaq, një vendim i qeverisë, i miratuar disa ditë më parë,
parashikon që në raste të veçanta dhe me kërkesë të drejtuesit të Prokurorisë
së Posaçme, prokurorit të SPAK i sigurohet mbrojtje për banesën dhe eskortë.
Komisione të posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë,
kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe
shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, si dhe të banesave të
tyre.
Shtëpi nga shteti
Prokurori i SPAK-ut ka të që një herë gjatë
ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet të
detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e
vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku
ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes së tij, i cili jeton në të njëjtën
banesë me prokurorin e posaçëm, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet
me 10 m2 për person. Në rast se në një familje janë dy persona kanë të drejtë
të përfitojnë kredi për shtëpi të subvencionuar nga shteti, do të përfitohet
vetëm nga një prej tyre.
Paga
Prokurorët e SPAK-ut do të marrin një pagë
trefish më të lartë se paga aktuale e prokurorëve që nuk kanë kaluar Vetingun.
Nëse aktualisht, paga mesatare për prokurorët është nga 100 deri në 130 mijë
lekë në muaj, paga e prokurorit të posaçëm do të bëhet nga 280 deri në 380 mijë
lekë në muaj, duke u bërë njerëzit më të paguar në Shqipëri, madje mbi
Presidentin dhe kryeministrin. Kjo vlen edhe për të gjitha gjyqtarët dhe
prokurorët që kanë kaluar Vetingun. Paga llogaritet në bazë të nenit 12 të
ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas nenit 12, paga bazë e
prokurorit të SPAK-ut apo e çdo prokurori që kalon Vetingun shkon sa 90 % deri
në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri.
Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit
llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në
funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Gjithashtu, prokurorët dhe
gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do
të përfitojnë edhe 60 % të pagës. Por, nuk mbaron me kaq. Prokurorët do të
paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse
punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të
përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë.
Kontrolli i bisedave
Fillimisht, para se të emërohen, prokurorët e
posaçëm duhet të firmosin një deklaratë me shkrim për heqjen dorë nga e drejta
e tyre për privatësi në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare.
Edhe familjarët e tyre duhet të firmosin të njëjtën deklaratë me shkrim. Ata
kanë vetëm nga një telefon celular, vetëm nga një numër telefoni dhe vetëm një
adresë poste elektronike. Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër
komunikimi elektronik, në të kundërt provokojnë shkarkimin nga detyra. Ndërkaq,
një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të kryejë vëzhgimin periodik të të
gjitha telekomunikimeve të prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së
Posaçme, por edhe të të gjithë stafit të Byrosë së Hetimit. Hetuesi që vëzhgon
bisedat e prokurorëve specialë do të zgjidhjet me short. Oficeri përgjegjës,
nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë
elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit
me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të
jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të
Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje. Por, edhe vetë
oficeri përgjegjës i Byrosë së Hetimit që monitoron komunikimet, është nën
monitorim. Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të
shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm, i cili drejton, kontrollon dhe
monitoron oficerin përgjegjës në detyrë.
Kontrolli i pasurisë
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të
Pastrimit të Parave cakton një punonjës të saj, në konsultim me Drejtuesin e
Prokurorisë së Posaçme, për të mbikëqyrur llogaritë financiare të prokurorëve
të posaçëm dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Personi që kontrollon
lëvizjet në llogaritë bankare ndryshohet një herë në dy vjet. Ai duhet të
sinjalizojë për çdo lëvizje të dyshimtë. Ndërkaq, të gjitha lëvizjet e
Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave mbikëqyren nga një oficer
përgjegjës, konkretisht hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficeri
përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme për
Parandalimin e Pastrimit të Parave bashkërendojnë veprimtaritë e tyre dhe
takohen, sipas nevojës, por jo më rrallë se një herë në muaj, për të diskutuar
mbi veprimtari të dyshimta. Oficeri përgjegjës i raporton prokurorit të posaçëm
të gatshëm çdo informacion që mbështet një dyshim të arsyeshëm lidhur me çdo
lëvizje të dyshimtë të parave. Nëse prokurori i posaçëm duket i përfshirë në
veprimtarinë kriminale, atëherë oficeri përgjegjës i raporton cilitdo prej
prokurorëve të posaçëm në Prokurorinë e Posaçme, i cili duket se nuk është i
përfshirë në transaksione të mëdha financiare, modele të pazakonta
transaksionesh financiare, transaksione financiare nga burime të pazakonta apo
kriminale apo në ekzistencë llogarish financiare, të cilat nuk janë deklaruar./shqiptarja.com/
Struktura që do të hetojë dhe luftojë
korrupsionin në nivelet e larta të politikës, SPAK është në prag të ngritjes
dhe për këtë arsye qeveria ka miratuar një fond prej 100 milionë lekësh të rinj
që do të shërbejnë për akomodimin në zyra të anëtarëve të SPAK.
Mësohet se fondi shtesë është miratuar me
propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Bëhet fjalë për një fond prej 100 milion lekësh të rinj. Ky vendim ka hyrë në fuqi
menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
“Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e
miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe
administrim”, në zërin “shpenzime kapitale”, i shtohet fondi prej 100 000 000
(njëqind milionë) lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë
e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë
Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme
për funksionimin e tyre”, shkruhet në vendimin e qeverisë.
Siç duket së shpejti SPAK do të nisë punën dhe
para drejtësisë do të vihen zyrtarët dhe politikanët e korruptuar.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka folur në një intervistë për Neës 24, ku ka treguar se çfarë po ndodh aktualisht me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion dhe Anti Krimit të Organizuar. Ibrahimi u shpreh se 10 kandidatët për SPAK janë drejt finalizimit. 5 prej kandidatëve e kanë mbyllur procesin dhe janë gati të emërohen, por pritet që të kalojnë dhe të paktën 5 të tjerë Vettingun, duke i hapur rrugë ngritjes së SPAK. “Ne e ndiejmë peshën e përgjegjësisë për dhe për të ecur përpara. ka një vonesë që lidhet me reformën, por besoj që jemi afër finishit. 10 kandidat janë drejt finalizimit, 5 e kanë mbyllur garën, 5 të tjerë janë drejt finalizimit. Presim që këto kandidatë ta kalojnë Vettingun”, u shpreh Ibrahimi.
Më tej ai shtoi se mund të emërohen dhe 5
prokurorët që kanë kaluar Vettingun, por një vendim i tillë nuk është marrë për
arsyen e vetme që prokuorët që do të emërohen të mos kenë ngarkesë me hetimin e
dosjeve. “Vendimi do ti mbetet këshillit. Mund të emërojmë secilin prej atyre
pesë prokurorëve që kanë kaluar Vettingun që sot. Por duhet bërë një llogari e
tillë që prokurorët e rinj të kenë një ngarkesë të arsyeshme të dosjeve”, tha
Ibrahimi.
Më tej, numri një i KLP-së, e ka cilësuar si
diçka pozitive faktin që nuk ka pasur dorëheqje të mëdha nga radhët e prokurorëve,
duke pranuar të kalojnë në sitën e Vettingut. Sipas Ibrahimit, ky proces është
një mundësi e mirë për të treguar integritetin e prokurorëve. “Ne nuk e kemi bërë
këtë llogari se sa dorëheqje do të kishte,
unë mendoj se Vettingu është një moment i mirë për të treguar integritetin e
tyre”, tha Ibrahimi. SPAK parashikohet të jetë funksional në fund të muajit
shtator ose fillim të tetorit. Kjo strukturë, e cila do të hetojë korrupsionin
në nivele të larta të politikës.
Decentralizimi i përgjimeve, ngritja e një
njësie qëndrore përgjimesh, dhe rritja e kapaciteteve e teknikave hetimore do
të jetë një prej prioriteteve kryesore për funksionimin e Prokurorisë së
Posaçme Antikorrupsion, e njohur si SPAK. Televizioni Scan ka zbardhur raportin
e monitorimit të sistemit të drejtësisë për muajt e parë të këtij viti, ku
bëhen parashtrimet e veprimtarisë deri në vitin 2021.
Ngritja e efektivitetit të hetimeve në përputhje me standardet
ndërkombëtare, rritja e efektivitetit
dhe decentralizimi i përgjimeve, është një prej zërave kryesorë ku do fokusohen
përpjekjet kryesore. Për këtë qëllim, sipas dokumentit, nga ana e Prokurorisë
së Përgjithshme është blerë një pajisje përgjimi me vlerë 100 mijë euro, por
nga ana tjetër, organi i hetimit kërkon blerjen e pajisjeve të nevojshme për
një njësi qendror për SPAK, ashtu si dhe mirëmbajtjen e saj. Ndërkohë, në kuadër të rishikimit të paketës
kombëtare të projekteve strategjike PP ka identifikuar nevojën për mbështetje
për decentralizimin e përgjimeve.
Në analizë theksohen vonesat e forta në
planin e veprimit të sistemit të drejtësisë. Ato nisin që nga zvarritja e
ngritjes së KLP e KLGJ, deri te problematikat që kanë shoqëruar konstituimin e
SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit./SCAN/
Kryetari i Partisë Demokratike ka publikuar
pasditen e të mërkurës një video, ku tregon sipas Lulzim Bashës, pesë arsyet “pse
Edi Rama ka frikë vetingun e politikanëve”. Paraprakisht, vetingu në politikë është
një propozim i hershëm i Partisë Demokratike, i ngjashëm me modelin e vetingut
në sistemin gjyqësor, ndërsa një vit më parë rreth propozimeve të PD ka dhënë
opinion dhe Komisioni i Venecias. Megjithatë, Realstory.al bën një ‘fact
checking’ për videon me pesë arsyet, që sipas Bashës, vettingu i politikanëve
tremb Ramën.
“Vetingu i politikanëve kërkon një shumicë
prej 93 votash në Parlament. Edi Rama ka mbushur parlamentin me kriminelë që
nuk votojnë fundin e tyre”, shkruan Basha në video mesazhin e shpërndarë në
rrjetet sociale.
Gabohet! Parlamenti ka mbi 120 deputetë aktualisht, kuorum i nevojshëm për të miratuar draft-ligjin, që sipas Bashës, mazhorancës i mungojnë votat. Madje, në kushtet aktuale, nëse ky draft do të shkonte në Kuvend për votim, ekziston mundësia që drafti të votohet me më shumë se 93 vota, pasi deputetët e opozitës në Parlament, kanë shprehur vullnet të mbështesin çdo ligj që i shërben pastrimit të sistemit politik. Fakti është, se vetëm një muaj më parë, ishin votat e deputetëve të opozitës së re në Kuvend, që miratuan dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi, që mbaheshin peng prej (lexo këtu) gati tre vjetësh nga PD dhe LSI. Pra votat në Kuvend janë. Sa i përket fjalisë se “Edi Rama ka mbushur Parlamentin me kriminelë që nuk votojnë fundin e tyre”, përsëri Basha gabohet, pasi për këtë mjafton të kujtojë vetëm miratimin e ligjit të dekriminalizmit, që u votua nga shumë deputetë, që më pas ishin subjekt i tij dhe humbën mandatin.
“Vetingu i politikanëve heton të gjithë
zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat dhe kandidatët e pushtetit vendor. Edi
rama vodhi zgjedhjet për të mbushur bashkitë me të dënuar për trafik droge dhe qeniesh
njerëzore”.
Gabohet! Në fakt, lidhur me këtë pikë, merr vlerë opinioni i Komisionit të Venecias i 30 nëntorit të vitit 2018, ku shprehej ndër të tjera: “Siç është aktualisht, propozimi i verifikimit nuk ka qartësi ligjore dhe siguri juridike, si për sa i përket qëllimit të synuar, arsyet për moszgjidhje dhe humbje të mandatit dhe mekanizmin e zbatimit të tij. Në shumë aspekte, ajo gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit. Nuk është e qartë se kush do të kryejë verifikimin e zyrtarëve publikë dhe kandidatëve zgjedhorë dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose një organ tjetër i pavarur. Përveç kësaj, nuk janë propozuar masa mbrojtëse për të shmangur rrezikun që mund të përdoret në një mënyrë të politizuar ose në mënyrë arbitrare”, thuhej ndër të tjera në opinionin e Komisionit të Venecias.
Megjithatë, lidhur me këtë pikë që Basha e cilëson
si “arsye frike për Ramën nga Vettingu i politikanëve”, kryedemokrati duhet të ketë
parsysh se gjithë çfarë thotë, do të jetë objekt i punës së Prokurorisë
Speciale, që do të hetojë korrupsionin në nivele të larata. Pra Vettingu s`mund
të kryejë detyrën që do të ketë SPAK, që nis në shtator.
“Vetingu i politikanëve largon përgjithmonë
nga jeta publike kriminelët në politikë dhe zbulon rrjetet e tyre mafioze. Edi
Rama e mban pushtetin me kriminelë dhe politikanë të lidhur me krimin”, shkruan
Basha.
Gabim! Në fakt, për këtë pikë, Lulzim Bashës
nuk i nevojitet një Vetting politikanësh, pasi vetë PD e tij propozoi dhe gjeti
mbështetjen e mazhorancës për ligjin e dekriminalizmit. Mjafton të kujtosh
rezultatin e fundit me Valdrin Pjetrit, një denoncim bërë nga PD, për të
kuptuar se në këtë rast nuk nevojitet një Vetting për politikanët, për t`i
mbajtur ata larg funksioneve publike, por mjafton një funksionim normal i
strukturave që ngarkon ligji i dekriminalizmit, për të verifikuar pastërtinë e figurës
për personat që synojnë të bëhen pjesë e politikës apo funksioneve publike në
vend.
“Vetingu i politikanëve heton dhe largon të
gjithë politikanët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre. Edi Rama grabit
shqiptarët dhe pasurohet bashkë me bandën e tij në politikë”.
Gabohet! Edhe në këtë pikë ka institucione përgjegjëse
të cilat kanë detyrë për të hetuar pasuritë e politikanëve dhe zyrtarëve publikë.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, është institucioni përgjegjës që
heton pasuritë e politikanëve, dhe në rast dyshimesh apo përfitimesh të
paligjshme, ky institucion ia adreson çështjen organeve hetimore në vend. Me
ngritjen e SPAK, gjërat do të jenë dhe më funksionale.
“Vetingu i politikanëve e përfshin kryeministrin
e Shqipërisë. Edi Rama ka frikë vetingun. Ai është në krye të kupolësë së
krimit, që po mban peng Shqipërinë”.
Gabohet! Në fakt, detyrën për të hetuar zyrarët
më të lartë të kupolës politike në vend dhe jo vetëm, do ta ketë SPAK.
Prokuroria Speciale e Anti Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të fillojë
punë në shtator. Ashtu si pak ditë më parë lajmëronte ambasada e SHBA me një
video në rrjetet sociale, SPAK do të hetojë, jo vetëm kryeministra e ministra,
por edhe presidentin. Pra është SPAK institucioni që do të hetojë gjithë shkelësit
e ligjit dhe politikanët e korruptuar pa pasur nevojë për organe të tjera shtesë,
që veç të tjerash do të ishin barrë për buxhetin e shtetit, dhe njëkohësisht do
të ishte një institucion paralel me institucionet e drejtësisë./Realstory.al/
Fundi i vitit 2019 dhe fillimi i vitit 2020
pritet të tregojnë efektin e vërtetë të reformës në drejtësi. Deri më tani i
vetmi proces që po ecën me ritme të kënaqshme është ai i vetingut, ndërsa
ligjet e tjera të reformës po hasin probleme. Por ajo që do i vendosë kapak
gjithçkaje do jetë Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Në tetor Prokuroria
Speciale do jetë gati dhe pas saj nis ngritja e Gjykatës Speciale dhe Byroja e
Hetimit.
Më pas do përzgjidhet stafi ndihmës dhe në
fund të vitit plani është që të nisë puna për të luftuar krimin e organizuar
dhe korrupsionin. Por me ngritjen e SPAK nuk do jetë aq e lehtë për të
korruptuarit. Deri më tani kemi parë me dhjetëra raste kur janë hetuar
pushtetarët dhe prokuroria në asnjë moment nuk ka bërë verifikim pasuror.
Me ngritjen e SPAK nuk do jetë më kështu. Në
kuadër të reformës në drejtësi ka ndryshuar dhe ligji Antimafia. Sipas tij, në
momentin që një person është në hetim për afera korrupsioni apo dënohet më pas,
ndaj tij duhet të bëhet verifikimi pasuror. Nëse shihet se pasuria është vënë
nga korrupsioni, ajo do duhet të sekuestrohet, shkruan “Sot”.
Sipas ligjit, hetimi financiar do shtrihet
përveç te personi i akuzuar, deri te bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të
paslindurit, vëllezërit, motrat dhe bashkëjetuesi. Nëse shihen deklarimet në
ILDKP të gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, kanë pasuri që shkon në
qindra apo miliona euro. Nëse ndaj tyre nis një proces hetimor, me gjasë
pasuritë do sekuestrohen.
Në ligj janë treguar dhe rrugët që do ndiqen
në rast se ka dyshime se një pasuri është vënë përmes drogës, trafiqeve apo
korrupsionit. Prokurori fillimisht nis hetimet për mjetet financiare, pasuritë,
veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, nivelin ekonomik dhe burimet
e të ardhurave të tyre, përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve.
Verifikimet bëhen, në veçanti, nëse këta
persona janë zotërues të lejeve, licencave, autorizimeve, koncesioneve dhe të
drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike, tregtare dhe
profesionale, si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute,
financime ose kreditime të çdo lloji, të dhëna apo të përfituara nga shteti,
ente a persona juridikë publikë, organizma ose institucione ndërkombëtare, si
dhe për të verifikuar nëse pasuritë, veprimtaritë apo të drejtat pasurore janë
të përligjura.
Kur prokurori zbulon se ka elementë që tregojnë
se pasuria është vënë përmes krimit i drejtohet gjykatës për të dhënë urdhër që
ajo të sekuestrohet. Kur lind nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare,
zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë,
si dhe dispozitat përkatëse procedurale.
Prokurori, drejtpërdrejt ose nëpërmjet
Policisë Gjyqësore, mund të kërkojë pranë çdo zyre të administratës shtetërore,
enti a personi juridik publik, personave të tjerë fizikë dhe juridikë, të dhëna
dhe kopje të dokumenteve, që vlerësohen si të domosdoshme për qëllime
verifikimi ndaj pasurive./SOT