SPAK, ja si do i marrë pasuritë e korrupsionit!

AKTUALITET


Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) jo vetëm do të hetojë dhe do të nxjerrë para ligjit zyrtarët dhe pushtetarët e korruptuar por edhe do të sekuestrojë pasuritë e tyre të përfitura në mënyrë të paligjshme.

Shqetësim është fshehja e të ardhurave të tyre jashtë vendit, në parajsat fiskale. Por duket se me ngritjen e SPAK këto probleme do të marrin fund. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” përcakton sesi me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion do të krijohet edhe një drejtori e posaçme vetëm për hetimin dhe sekuestrimin e pasurive të pushtetarëve. Kjo drejtori do të quhet Sektori i Hetimit Financiar dhe punonjësit e tij do të kryejnë hetime paralele edhe për pasurinë e një zyrtari i cili është vënë nën hetim.


Thënë më shkoqur, nëse Struktura e Posaçme Antikorrupsion nis hetimet për një pushtetar për një vepër penale të kryer nga ai, atëherë Sektori i Hetimit Financiar nis në të njëjtën kohë hetime për pasurinë e pushtetarit në fjalë. Punonjësit e drejtorisë së posaçme hetojnë dhe analizojnë ligjshmërinë e pasurisë së një zyrtari, gjurmojnë llogaritë bankare dhe paratë e fshehura jashtë vendit. Në momentin që konstatohen pasaktësi, nis sekuestrimi i pasurive. “Sektori i Hetimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme verifikon mjetet financiare dhe pasuritë e personave nën hetim dhe raporton rezultatet te prokurori i posaçëm kompetent. Punonjësit e këtij sektori janë të diplomuar në drejtësi, financë apo në fusha të tjera përkatëse. Punonjësit e këtij sektori duhet të kenë një eksperiencë pune jo më pak se dy vjet si oficerë të Policisë Gjyqësore”, thuhet në ligj. Pra, pushtetarët e përfshirë në afera nuk do t’ia hedhin dot paq dhe nuk do ta gëzojnë dot pasurinë e tyre të vënë në mënyrë të paligjshme.

Punonjësit e kësaj njësie të posaçme do të bashkëpunojnë me autoritetet e huaja për të finalizuar hetime të përbashkëta. Po ashtu, përmes këtij sektori pritet që hetuesit shqiptarë të SPAK të marrin ndihmë edhe nga autoritetet e huaja për të rënë në gjurmët e parave të pista të zyrtarëve të lartë. Edhe vetë të ngarkuarit me punë të SHBA-BE në vendin tonë kanë kërkuar sekuestrime pasurish, çka do të thotë se ndërkombëtarët do të asistojnë punën e SPAK në këtë drejtim./SOT




Skip to toolbar