Lerda euforik: Fitojmë Superkupën, Shpëtim Duron nuk e njoh

Partizani ndodhet prej disa ditësh në Elbasan, ku po përgatitet për ndeshjen e së dielës në finalen e Superkupës kundër Kukësit. Për trajnerin Franko Lerda, ekipi është gati në të gjitha aspektet, duke u shprehur se skuadra është e motivuar për ta nisur sezonin duke fituar trofeun e Superkupës.

“Ne jemi gati për ta nisur mirë këtë sezon, kemi dëshirën të bëjmë tonin këtë trofe për ta nisur mirë sezonin. Skuadra po punon shumë mirë, ende nuk kemi të gjithë efektivët në kushtet optimale se kemi pasur përgatitje me emra që janë afruar më vonë. Por po punojmë që të gjithë të jenë sa më gati edhe në aspektin fizik, edhe atë teknik”, është shprehur Lerda.

Ndeshja mund të shkojë dhe barazim, dhe gjithçka të vendoset nga pika e bardhë e penalltisë. Trajneri italian i Partizanit shprehet se është përgatitur për këtë situatë, ndërsa nuk ka preferuar të komentojë deklaratat e bëra nga Shpëtim Duro, se “Parizani luan futboll mbrojtës”.

“Ne jemi përgatitur se e parashikon rregulloja, ndaj kemi përgatitur në stërvitje edhe pjesën e penalltive. Nuk mund të përgjigjem ndaj trajnerit të Kukësit pasi nuk e njoh. Ne e kemi përgatitur me idenë tonë preçize të futbollit. Pastaj do të jetë fusha ajo që do ta japë gjykimin përfundimtar”, ka thën Lerda, ndërsa ka refuzuar të përgjigjet për largimin e Emmanuel Mensah.

“Për këtë çështje duhet të pyetni klubin, për këto gjëra është klubi që merret, unë përgjigjem për fushën e lojës”, është shprehur trajneri Lerda. Ndërkohë, lidhur me merkaton, italiani ka thënë se beson te zgjedhjet e klubit. “Kam ardhur në një vend të huaj, në një kampionat që nuk njoh, me një skuadër që ka fituar titullin, me drejtues që kanë ndërtuar një ekip që funksionon se ndryshe nuk do të fitonte. Nga trajnerët jam si natyre prej atyre që i besojnë klubit, ka edhe trajnerë-menaxherë, por unë i besoj kësaj skeme”.

Barazim pa vlerë mes Laçit dhe Kastriotit (video)

Laçi dhe Kastrioti janë ndalur në barazim 1-1, por pika e së shtunës nuk ka vlerë për asnjë prej ekipeve, pasi kurbinasit janë larg zonës së Europës, ndërsa krutanët zhyten në renditje në luftën për mbijetesë.

Një gol i Taulant Markut pak minuta para përfundimit të ndeshjes, ka krijuar iluzionin se ekipi i Bledar Devollit do të dilte me tre pikë nga fusha e Laçit, por këto të fundit kanë realizuar me Regi Lushken në kohën shtesë të takimit.

Loja ka qenë e barabartë, me të dyja ekipet që kane qarkulluar topin në mesin e fushës, ndërsa rastet më të mira i kishte skuadra mike në pjesën e parë.

Megjithatë dy golat e shënuar në fund të takimit u dhanë ekipeve nga 1 pikë, me Laçin që mbetet me 46 pikë, 2 më pak se Flamurtari i vendit të tretë, ndërsa Kastrioti ka 35 pikë, 5 më pak se Tirana dhe Luftëtari.

Basket femra, Flamurtari fiton Superkupën e Shqipërisë!

Ekipi i basketbollit të Flamurtarit për Femra ka fituar Superkupën e Shqipërisë, duke mundur rivalet e Sh.B. Tiranës, në ndeshjen e luajtur në qytetin e Vlorës. Ndeshja ka përfunduar 62-58, ndërsa Superkupa bëhet i pari trofe sezonal për ekipin e Flamurtarit në basketboll për femra.

Në këtë finale morën pjesë ekipi kampion në fuqi (Flamurtari) dhe ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë (Sh.B.Tirana). Për vlonjatet e trajnerit Toska ky trofe është një hakmarrje ndaj Sh.B.Tiranës, pas dështimit në Kupën e Shqipërisë, në shkurt të këtij viti.

Ndeshja ka qenë gjatë gjithë kohës e ekuilibruar, ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra. Deri në fund sfida ka qenë e hapur, me emocione dhe rivalitet, ndërkohë që niveli nuk ka qenë ai që pritej dhe gabimet e lojtareve të shumta.

Duket se të dyja ekipet e ndjenë presionin e kësaj sfide të rëndësishme, që ishte një test para gjysmëfinaleve të play off-it, që nisin këtë fundjavë, ku këto dy ekipe do të përballen sërish mes tyre. Nesër, në qytetin e Durrësit, do të luhet Superkupa e Shqipërisë për meshkuj midis Tiranës dhe Teutës.

Skip to toolbar