Negociatat për integrimin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të hapen në tetor. “Për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion dhe rëndësinë e çështjes, Këshilli do të kthehet për këtë çështje me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe substancial sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori i 2019”, shkruhej në deklaratën e bërë nga Këshilli i Europës, publikuar pasditen e kësaj të martë.
Në deklaratë theksohej gjithashtu përmbushja e të gjitha detyrave nga vendi ynë, por për shkak të kohës së limituar, afati për miratimin e çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së do të bëhet në tetor.
“Duke ripohuar konkluzionet e 26 qershorit 2018, Këshilli vlerëson me nota pozitive Rekomandimet e Komisionit Europian për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë në bazë të vlerësimit pozitiv të progresit të bërë dhe i përmbushjes së kushteve të identifikuara nga Këshilli i Europës”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e Këshillit të Europës për hapjen e negociatave me Shqipërinë.