TIA hap garën për kompanitë e sigurisë në aeroport

Pas ngjarjeve të ndodhura në Rinas dhe grabitja e mijëra eurove, ka bërë që Aeroporti i Rinasit të interesohet për një tjetër kompani të sigurisë së aeroporti, por këtë herë me eksperiencë ndërkombëtare.

TIA ka hapur garën duke ftuar kompani ndërkombëtare për shërbimin e sigurisë në aeroport. Në tender ftohen të marrin pjesë kompani me përvojë ndërkombëtare në fushën e sigurisë në aeroporte. TIA kërkon të lidhë kontratë 5 vjeçare me një tjetër kompani për shërbimin e sigurisë në aeroport por këtë radhë me eksperiencë ndërkombëtare. Kompania që do të përzgjidhet fituese duhet ndër të tjera të kryej edhe një sërë shërbimesh.

– Kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve të dorës
– Skanimi i bagazheve
– Ngarkimin e mallrave dhe postës
– Kontrollin e automjeteve në aeroport, stafin, ekipet dhe kontrollin e dokumenteve të udhëtimit
– Ruajtja dhe patrullimi i aeroportit
– Monitorimi i aeroportit përmes sistemeve të sigurisë

Gara për kompaninë e re do ta zgjas 4 javë dhe shërbimi është planifikuar të fillojë në korrik të 2019.
Pas një vlerësimi të kujdesshëm të brendshëm, TIA do të njoftojë dhe ftojë vetëm kandidatët e përzgjedhur, nëse në gjykimin e TIA-s ata e përmbushin treguesin e përvojës minimale, rreth procedurave të mëtejshme që duhet të ndiqen duke përfshirë detaje lidhur me natyrën e shërbimeve dhe kriteret në lidhje me kërkesat teknike, financiare dhe ligjore që duhet të përmbushen nga kontraktori i mundshëm.

Përplasjet me TIA, qeveria konsulencë të huaj për monitorimin e marrëveshjes

Grabitja e parave në pistën e avionëve në Rinas më 9 prill, ka çuar qeverinë shqiptare në përplasje me koncensionarin kinez të Rinasit.

Edhe pse qeveria akuzoi pikërisht koncensionarin si fajtor kryesor të mungesës së sigurisë në një vend që pritej të ishte ndër më të sigurtit. Pas ngjarjes policia çoi forcat ushtarake për të kontrolluar sigurinë në aeroportin e Rinasit.

Mirëpo me një vendim të sotëm, të botuar në fletoren zyrtare, Shqipëria do të kërkojë asistencë ligjore nga studio avokatie të huaja për të monitoruar zbatimin e marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe TIA-s.

Qeveria shqiptare kërkon konsulenca mbi kontratën dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të saj apo jo. Nëse konkluzionet janë të faror të qeverisë shqiptare, pritet vendimi për ta depozituar këtë konflikt në arbitrazhin ndërkombëtar.

TIA përplaset me Lleshaj: Keqinformim në shpatullat e koncesionarit

Tirana International Airport ka reaguar në lidhje me grabitjen që ndodhi në Rinas, duke ju referuar deklaratës që bëri më herët ministri i Brendshëm, Lleshja. Në deklaratën e saj të shpërndarë për mediat, TIA i cilësoi deklaratat e ministrit si keqinformuese duke fajësuar me të padrejtë koncesionarin. “Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve.” dhe si i tillë duhet të mbrohet nga Policia e Shtetit citon TIA.

Njoftimi i plotë nga Tirana International Airport:

Tirana International Airport (TIA) shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen e djeshme të 9 Prillit 2019, me pasojë vjedhjen e një sasie të vlerave monetare në pistën e aeroportit.

TIA kishte vendosur të respektonte hetimet nga autoritetet përkatëse dhe në respekt të këtyre hetimeve, nuk u prononcua deri më tani, duke patur parasysh ndjeshmërinë e ngjarjes dhe çështjen e sigurisë së jetës të pasagjerëve, stafit dhe të gjithë punonjësve të shtetit shqiptar që operojnë në aeroport.

Por, pasi ndoqëm me shqetësim deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme, duket se etika e TIA-s ka shërbyer për herë të dytë për një keqinformim të publikut dhe fajësimin – si skenar i përsëritur – për një akuzë të rëndë që nuk qëndron në shpatullat e një koncesionari të huaj, pa mënjanuar kërkesat e Kontratës së Koncesionit që TIA përmbush çdo ditë në lidhje me sigurinë aeroportuale.

Tirana International Airport duke vlerësuar transparencën e informacionit për publikun dëshiron të informojë se ka vënë në dispozicion të organeve kompetente, të gjitha materialet dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë që hedhin dritë mbi ngjarjen e 9 Prillit 2019.

TIA ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave të saj në lidhje me ngjarjen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer në kohë kundrejt sallës operative të policisë në Rinas.

TIA në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues.

TIA është pjesë e auditimeve periodike qoftë nga Autoriteti i Aviacionit Civil, qoftë nga palët e treta. Bëjmë thirrje dhe lutemi për vëmendje të kuptojmë të gjithë, se forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore, për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur.

Bashkohemi tërësisht me meritat që kanë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në operacionin e djeshëm, zanafilla e të cilit ishte njoftimi i TIA-s.

TIA bën thirrje për trajtimin e kujdesshëm të informacioneve që jepen për publikim kur lidhen me çështje të sigurisë, sepse do përbëhej një rrezik shtesë për çdo rrethanë.

TIA vlerëson me respekt hetimet, çdo qytetar, çdo punonjës policie dhe dëshiron të theksojë, se kur cënohet siguria dhe jeta e një qytetari, jemi të gjithë në të njëjtin krah.

Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve. Eshtë pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme e vlerësojmë si të pasaktë.

Rikthesojmë se në zbatim të përgjegjësive dhe detyrimeve të Kontratës së Koncesionit, dhe në bazë të Programit Kombëtar të Sigurisë të Aviacionit Civil, TIA ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë.

Tirana International Airport mbetet në dispozicion të pasagjerëve dhe opinionit publik për informacione të mëtejshme.

Skip to toolbar