Biznesmeni: Si u përlesha me grabitësit në Allias

Biznesmeni i mbetur i plagosur së bashku me bashkëshorten e tij gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre në Allias, ka treguar momentin e përleshjes së tij me dy grabitësit. Petrit Laze ka dëshmuar në polici se në tentativë për t’i nxjerrë jashtë shtëpisë grabitësit, njëri prej tyre e ka qëlluar me armë dhe më pas e mbylli në banjë. Laze thotë se edhe pse i plagosur ka arritur të dalë nga dritarja e tualetit dhe të futet sërish në shtëpi për të shpëtuar gruan dhe vajzën që ndodheshin në shtëpi, por grabitësit ishin larguar.

Duke tentuar që t’i nxirrja jashtë shtëpisë, ata më qëlluan me armë. E ndjeva se isha plagosur, por ata më shtynë drejt banjës dhe më mbyllën aty. Kam marrë një levë dhe jam hedhur nga dritarja për t’u rifutur në shtëpi, por ata ishin larguar pa marrë gjë”, është shprehur 61-vjeçari.


Ka qenë vajza e çiftit që ka ndjerë fillimisht zhurmën e grabitësve duke u thërritur prindërve dhe më pas telefonuar dajën e saj për ta lajmëruar se kishin hyrë në shtëpi për të vjedhur dhe po i vrisnin. Ka qenë daja që ka lajmëruar policinë, e cila erdhi menjëherë në vendin e ngjarjes.

Grabitësit, të cilët mendohen se janë dy 18-vjeçarë, plagosën çiftin Petrit dhe Afërdita Laze, në tentativë për të grabitur, por u larguan duarbosh kur hasën rezistencën e tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën e Alliasit në Tiranë.


Viti nis me bilanc negativ, 10 grabitje me maska për 2 javë

Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën në 22 janar se kishte arrestuar një 36-vjeçar në Shkodër, i cili ishte kapur në flagrancë për vjedhjen e një banese. Kjo është vetëm ngjarja e fundit e regjistruar, e grabitjes së banesës nga hajdutët. Por, Realstory.al bëri një vëzhgim të ngjarjeve të kësaj natyre që kanë ndodhur gjatë fillimit të këtij viti në vendin tonë. Nga vëzhgimi, bazuar në njoftimet e Policisë së Shtetit, rezulton se janë regjistruar mbi 10 grabitje të ndodhur në harkun kohor të dy javëve. Gjithashtu, rezulton se në të paktën dy raste, grabitjet e banesave kanë përfunduar me ngjarje të rënda.

Më e rënda prej tyre ishte ajo e shënuar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku në datën 5 janar, tre të rinj u futën për të vjedhur në banesën e shtetases Drita Saliaj. Por, autorët jo vetëm vodhën, por përdhunuan dhe masakruan për vdekje 50-vjeçaren Dritan Saliaj, trupin e së cilës e hodhën në një rezervuar. I përfshirë në këtë ngjarje të rëndë ishte dhe nipi i burrit të viktimës. Ngjarja u zbardh nga policia, ndërsa tre të rinjtë u arrestuan dhe tashmë po përballen me drejtësinë.


Një tjetër rast po me pasoja të rënda ishte ai i ndodhur pak ditë më parë në zonën e Alliasit në Tiranë. Dy persona u futën në banesën e bashkëshortëve Laze, duke tentuar të vjedhin këtë banesë. Mirëpo grabitësit hasën me të zotët e shtëpisë duke shkrehur armën ndaj çiftit Petrit dhe Afërdita Laze, të cilët mbetën të plagosur rëndë. Policia ka shpallur në kërkim dy autorët, ndërsa deri më tani është bërë vetëm identifikimi i njërit prej autorëve.

Vjedhjet me dhunë nuk kanë ndodhur vetëm nëpër banesa, por edhe në rrugë apo lokale. Të martën më 21 janar, Policia e Korçës njoftoi se kishte prangosur katër shtetas, të cilët dhunuan dhe grabitën disa shetas të huaj. Gjithashtu, grupi i përbërë nga katër të rinj të moshës 19 vjeç, kishte kryer edhe vjedhje të tjera me dhunë, ku në fokus kishin pikërisht shtetasit e huaj, kryesisht emigrantë të ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme.

Po në datën 21 janar, Policia e Krujës njoftoi se zbardhi një tjetër grabitje me dhunë. Dy të rinj i grabitën xhiron ditore kamarierit të një lokali, duke e kërcënuar me armë. Një nga grabitësit u arrestua në fshatin Cudh të Krujës, ai ishte shtetasi me inicialet A.K., 24 vjeç. Gjithashtu, këtij shtetasi iu sekuestrua dhe dy armë zjarri pistoletë gjatë momentit të arrestimit. Për këtë ngjarje, është shpallur dhe një tjetër person në kërkim.

Mëngjesin e të hënës në 20 janar, tre persona, ende të paidentifikuar, grabitën një pikë karburanti në qytetin e Bilisht. Tre persona, kanë vjedhur xhiron ditore të një pike karburanti në dalje të qytetit të Bilishtit. Grabitësit kanë kërcënuar rojën dhe punonjësit e karburantit, duke kryer grabitjen. Ata kanë arritur të marrin rreth 160 mijë lekë dhe 160 euro. Policia është duke hetuar ngjarjen, ndërsa ka sekuestruar kamerat e sigurisë së karburantit.

Ndërkohë, të dielën në 19 janar, Policia e Elbasanit njoftoi arrestimin e një personi nga Durrësi, që u kap në flagrancë duke vjedhur makina luksoze në këtë qytet. 30-vjeçari me inicialet A.P., ishte autor i vjedhjes së disa makinave luksoze në Elbasan, ndërsa po hetohet edhe për vjedhjen e makinave të tjera në qytetin e Durrësit.

Në datën 18 janar, Policia e Shtetit njoftoi prangojsen e dy adoleshentëve, I.L., 14 vjeç dhe K.S., 16 vjeç, autor të disja vjedhjeve. Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe dy 14-vjeçar të tjerë.  Këta të rinj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë natës kanë kryer të paktën nëntë vjedhje në lokale dhe biznese të ndryshme në Tiranë, duke marrë shuma të konsiderueshme lekësh.

Në datën 16 janar, Policia e Tiranës arrestoi një 34-vjeçar, autor i vjedhjes së pajisjeve elektronike në dyqane të ndryshme të kryeqytetit. Në pranga u vu shtetasi me inicialet E.C., 34 vjeç nga Tirana, i cili kishte vjedhur disa laptop në disa dyqane të ndryshme në kryeqytet.

Po në këtë datë, në Tiranë u arrestua një 19-vjeçar që po udhëtonte me një mjet të vjedhur në Elbasan. Ai u kap në flagrancë në tentativë për të vjedhur aksesorët e një mjeti, njoftoi policia. Pas arrestimit, u zbardhën edhe 7 vjedhje të tjera të kryera nga i riu në bashkëpunim me persona të tjerë. Ky i ri, së bashku me të tjerë, kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme lekësh në biznese të ndryshme, sende me vlerë apo dhe celularë.  

Në datën 12 janar, Policia e Shtetit njoftoi se vuri në pranga dy persona në Kavajë, pasi u kapën në flagrancë duke kryer vjedhjen e një banese. Pas arrestimit të shtetasve Q.K., dhe A.H., të dy në moshën 26 vjeç, policia zbardhi se ata ishin autorë të vjedhjes së 11 banesave në Kavajë.

Këto janë disa nga vjedhjet e raportuara nga Policia e Shtetit, shumë prej të cilave janë zbardhur. Ajo që vihet re, është fakti se në shumë raste vjedhjet janë kryer nga të rinj të moshës nën 30 vjeç. Gjithashtu, në objektivin e grabitësve janë banesat, ku në dy raste ngjarjet kanë përfunduar me pasoja, si humbje jete apo plagosje e rëndë. Një tjetër fakt është se grabitetjet më të shumta janë raportuar në qarkun e Tiranës, e kryesisht në kryeqytet. /Realstory.al/


Kastriot Fejzo; kush ështe personi që vrau 2 komisionerë në 1997?

Policia e Tiranës arrestoi të dielën shtetasin Kastriot Fejzo, i dënuar me 17 vjet e 6 muaj burg për dy vrasje të kryera vite më parë. 49-vjeçari u arrestua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, teksa deklaroi para policisë gjeneralitete të rreme. Megjithatë, pasi u shoqërua në komisariat u zbardh gjeneraliteti i tij i vërtetë duke i vënë dhe prangat.

Po për çfarë akuzohet Kastriot Fejzo? Ky shtetas ishte shpallur në kërkim dhe nga Interpol, pasi në vitin 1997 vrau dy komisionerë zgjedhorë në Ersekë. Konkretisht, viktima të këtij shetasi ishin Nako Skupra dhe Ilirjan Arapi.


Ngjarja e rëndë ndodhi në 29 qershor të vitit 1997, kur Kastriot Fejzo sulmoi dhe vrau dy komisionerët e Partisë Socialiste kur ata ishin duke transportuar kutitë e votimit. Ndërkohë, nga kjo ngjarje mbetën të plagosur dhe disa shtetas të tjerë.

Për atë ngjarje akuzohen të paktën 7 persona, teksa 4 prej tyre janë arrestuar tashmë. Ndërkohë, 3 të tjerë dyshohet se fshihen në Angli. Sipas Report Tv, ata janë Hysni Dervishi, Roland Hasani dhe Spartak Sageri.


Era shkakton probleme në Tiranë, Metoalb: Nesër ulen temperaturat deri në -11 gradë C

Vendi është përfshirë të dielën nga një mot i ftohtë dhe me erë. Në Tiranë, gjatë pasdites janë shënuar disa incidente për shkak të erës së madhe. Por fatmirësisht nuk janë raportuar të lënduar. Kështu, sipas Balkanweb, në zonën e “Komunës së Parisit” nga era kanë rënë depozita të ujit nga taracat e pallateve.

Fatmirësisht nuk janë shënuar të lënduar nga kjo ngjarje. Gjithashtu, për shkak të erës në qendër të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, pema e festave të fundvitit është rrëzuar në shesh. Edhe në disa rrugë ka pasur rënie të pemëve për shkak të erës së fuqishme.


Ndërkohë, me anë të një njoftimi Meteoalb Albania shprehet se “stuhitë e erës vijojnë deri në mesnatë. Më problematike situata paraqitet në bregdet kryesisht në jug duke sjellë probleme në trafikun detar, në momente të veçanta era do të jetë mbi 90 km/h në jug të vendit”.

“Dallgëzimi do të jetë i lartë deri në 7-8 ballë në det. Reshje dëbore në të gjithë zonën malore. Që nga nesër i ftohti i acartë mbërrin në vend me temperatura -11 gradë C në rang vendi. Ky i ftohtë mbetet deri të mërkurën kur nis rritja graduale e temperaturave”, thotë Metoalb në dy njoftime të ndryshme gjatë pasdites të së dielës.

Stuhite e eres vijojne deri ne mesnate Ku me problematike situata paraqitet ne bregdet kryesish ne jug duke sjelle…

Gepostet von Meteoalb Albania am Sonntag, 5. Januar 2020

I dënuar me 17 vjet për vrasje, kapet në Tiranë 49-vjeçari korçar (emri)

Forcat e posaçme “Shqiponja” të Policisë së Tiranës, arrestuan një të shumë kërkuar i cili ishte i dënuar për vrasje. Nga operacioni “Gjeneraliteti i rremë”, policia vuri në pranga shtetasin Kastriot Fejzo, 49 vjeç, i dënuar me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim për veprën penale “Vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim”.

Në momentin e ndalimit, këtij shtetasi i janë gjetur 20 mijë dollarë amerikan dhe 2 milionë lekë, të dyshuara të përfituara në mënyrë jo të ligjshme. Policia e Tiranës ishte informuar se ky shtetas qarkullonte me makinë në Tiranë. Ndaj, është organizuar dhe operacioni për kapjen e tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.


Në momentin e ndalimit ky shtetas me qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë penale është prezantuar para shërbimeve të Policisë me gjeneralitetet e kushëririt të tij, por pasi është shoqëruar në drejtori është kryer verifikimi i mëtejshëm i këtij shtetasi.

Aty ka rezultuar se është shtetasi Kastriot Fejzo, 49 vjeç, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kolonjë e ka dënuar këtë shtetas me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim për veprën penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim”. Ky shtetas iu dorëzua Policisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.


Humbi bashkëshortin në Thumanë, Klotilda Greku futet në shtëpi të re në Tiranë

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj vizituan të shtunën familjen Greku, që humbi tre anëtarë të saj nga tërmeti. Klotilda Greku, kryefamiljarja e mbijetuar e kësaj familje, humbi bashkëshortin e saj Sajmir Grekun bashkë me vjerrin dhe vjehrrën nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi vendin. Fatmirësisht, ajo dhe vajza e saj shpëtuan nga fatkeqësia e rëndë, pasi nuk ndodhej në Thumanë natën që ra tërmeti. Tashmë, Klotilda dhe vajza e saj janë sistemuar në një banesë të re në Tiranë.

Ajo u vizitua në banesën e saj të re 2+1, nga Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët i garantuan mbështetje të plotë me gjithçka që ka nevojë. Krahas apartamentit të ri i cili është mobiluar me  çdo gjë të nevojshme dhe mbështetjes së menjëhershme financiare, po punohet për t’i lidhur vajzës një pension të posaçëm për shkollim.


“Bashkia e Tiranës është angazhuar që bashkë me qeverinë të sistemojë me banesa dhe të mbështesë financiarisht të gjithë familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur nga Tërmeti. Nga ana tjetër , do të rindertohen të gjitha banesat e dëmtuara, ndërkohë që ato me dëmtime të pjesshme do të meremetohen. Gjer në zgjidhjen përfundimtare, Bashkia e Tiranës ka ofruar bonus qiraje 100 % për familjet e prekura nga tërmeti”, thuhet në një njoftim të Bashkisë së Tiranës.


Taksë për jo-rezidentët? Bashkia Tiranë: Fake News, s’ka asgjë të tillë

Bashkia Tiranë ka hedhur poshtë lajmet e pavërteta se qytetarët që vijnë në Tiranë do të paguajnë taksë. Në disa media, të mërkurën, u përhap lajmi se Veliaj kërkoi vendosjen e një ligji të veçantë ku qytetarët jo-rezidentë në Tiranë, të paguanin një taksë kur të hynin në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës sqaroi se në fakt kjo ka të bëjë me një ligj të veçantë për Tiranën, që ndihmat e qeverisë përmes granteve për kryeqytetin të llogaritet në bazë të banorëve që hyjnë e dalin çdo ditë nga qyteti dhe jo vetëm banorët e Tiranës.


“Në dëgjesën e djeshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për projekt-buxhetin e vitit 2020, i ftuar edhe në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për Autonomi Vendore, kryebashkiaku Erion Veliaj hodhi idenë për një ligj të veçantë për Tiranën, siç e kanë edhe kryeqytete të tjera në Europë (Roma apo Prishtina p.sh), që Tirana të trajtohet ndryshe nga grantet që qeveria jep për bashkitë. Pra, ndihma e qeverisë për Tiranën të mos llogaritet në bazë të banorëve, por të përdoruesve ditorë të qytetit, duke qenë se në Tiranë merr shërbime e gjithë Shqipëria, e jo vetëm banorët e Tiranës. Por, kjo deklarate u keqkuptua qëllimshëm nga disa media. Ndaj, Bashkia e Tiranës gjen rastin të sqarojë qytetarët e saj dhe opinionin publik, se të gjitha lajmet për vendosjen e një takse për qytetarët që vijnë në Tiranë janë të PAVËRTETA dhe një FAKE NEËS i sajuar nga pronare mediash gjobëvënëse dhe keqinformuese!”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

Një reagim ndaj këtij Fake News, pati edhe vetë kryebashkiaku Veliaj i cili shkruajti në twitter se asnjë taksë nuk do paguhet në Tiranë nga jo-rezidentët.

“Dy gjëra janë të sigurta: Nuk do të paguhet ASNJË taksë në Tiranë nga jo-rezidentët dhe nuk do paguhet ASNJË “gjobëvënie” nga Kryetari i Bashkisë për median që gjeneroi histerinë e radhës! PS.

Sot presim rezultatin e Kryeqytetit Euro. të Rinisë 2022 ndër 5 finalistë – ky o lajm”, shkruan Veliaj.


Përgjaken rrugët në Tiranë e Elbasan, tre të plagosur nga aksidentet

Një aksident ndodhi të dielën në mbrëmje në aksin rrugor Tiranë-Durrës. Një mjet, i drejtuar nga shetasja me inicialet D.G., është përplasur me bordurën e rrugës pasi shoferja ka humbur kontrollin.

Pas përplasjes me trafikndarësen e rrugës, mjeti është përplasur dhe me një shtyllë ndriçimi në autostradë, e cila është këputur.


Për pasojë janë dëmtuar dy pasagjeret në këtë mjet, shtetaset I.H. dhe M.H.  Ato janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa policia thotë se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia rrugore ndodhet në vendngjarje ku po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe shkakut të humbjes kontrollit të automjetit.

Pak minuta pas këtij aksidenti në Tiranë, një tjetër aksident u raportua në qytetin e Elbasanit, në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”. Nga aksidenti mbeti i plagosur një person, rreth 50-vjeç i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit.


“Mos kalo në rrugën time”, prona fut në sherr kushërinjtë, një i plagosur

Prona është bërë sërish objekt konflikti mes familjarëve. Një sherr fizik mes dy kushërinjve në Tiranë, ka përfunduar në plagosjen e njërit prej tyre. Pas një konflikti, njëri nga kushërinjtë ka marrë një thikë dhe ka goditur në trup kushëririn e tij, duke e plagosur. Autori i plagosjes Rezart Hoxha pretendonte se rruga ishte ndërtuar në tokën e tij dhe kushëriri nuk duhet të kalonte aty me makinë.

I plagosuri shtetasi K. Hoxha 36-vjeç ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.


Në pranga ka përfunduar shtetasi Rezart Hoxha, 44 vjeç, i cili akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj kushëririt të tij. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur kodër Kashar në Tiranë.


Drogë dhe lojëra fati në lokal, arrestohet pronari

Një 27-vjeçar është arrestuar pasi në lokalin që kishte në pronësi, organizoheshin lojëra fati dhe shpërndahej lëndë narkotike. Policia zhvilloi aksion në një lokal në rrugën “Konferenca e Pezës” pas informacioneve se në të zhvilloheshin lojëra fati, por u zbulua se përveç aktivitetit të paligjshme të lojërave të fatit, bëhej dhe shpërndarja e lëndëve narkotike.

Në pranga u vu pronari i lokalit shtetasi me iniciale D.SH., 27 vjeç. Gjatë kontrollit policia sekuestroi  një sasi lënde narkotike cannabis sativa, një valixhe me 340 çipsa, disa palë letra bixhozi, një mjet prerës thikë dhe dy targa automjetesh.


Pronari i lokalit do përballet me veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Skip to toolbar