Pranga gjobëvënësit në Tiranë

Policia e Shtetit arrestoi pjesëtarin e një bande kriminale në fushën e gjobëvënies. Tiranë. Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi me inicialet V.U., 35 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Ky shtetas është pjesëtari i tretë i arrestuar i një grupi kriminal. 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrënimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të një grupi të strukturuar kriminal, dy prej të cilëve u arrestuan gjatë operacionit “Përsëritësit”, dyshohet se është autor i disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, ndodhur në periudha të ndryshme kohore në qytetin e Tiranës.

Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këto persona.

Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim.

Digjet këndi i lojërave në Allias, e qëllimshme

Një këndi lojërave për fëmijët në zonën e Alliasit është përfshirë nga flakët. Zjarri mendohet të ketë qenë i qëllimshëm, ndërsa kanë nisur hetimet për identifikimin e personave që kryen këtë akt të vandalizmit.

Persona të paidentifikuar i kanë vënë flakën këndit të lojërave në lagjen e Allias duke dëmtuar rëndë disa prej moduleve të instaluara për fëmijët e kësaj zone. Sipas policisë dyshohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.

Dhunuan rëndë 28-vjeçarin, arrestohen tre persona në Tiranë

Policia e Tiranës arrestoi në flagrancë tre shtetas, një prej të cilëve plagosi rëndë një person, ndërsa dy të tjerët kundërshtuan forcat e policisë gjatë kohës që po arrestonin autorin e plagosjes. Konkretisht, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në pranga është vënë shtetasi me inicialet F.K., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, në vendin e quajtur “Fushë-Mëzez”, për motive të dobëta, dhunoi me grushte dhe mjete të forta një shtetas, 28-vjeçarin me inicialet A.D. Ky person mbeti i plagosur rëndë, dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, policia arrestoi në flagracë shtetasin F.K., i cili akuzohet për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Por, policia arrestoi edhe dy shtetas të tjerë, të cilët akuzohen për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Goditja për shkak të detyrës”. Konkretisht, në pranga janë vënë shtetasit me inicialet F.D., 39 vjeç dhe shtetasi me inicialet H.H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Sipas Policisë së Shtetit, këta dy shtetas në momentin e arrestimit të shtetasit F. K., kanë ndërhyrë duke kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, punonjësit e “Forcës së Posaçme Shigjeta” të cilët do bënin shoqërimin e shtetasit F. K., për në Komisariat. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Makina përmbyset në rrugë, plagoset drejtuesja

Një makinë është përmbysur në mes të rrugës, ku mbeti e plagosur drejtuesja e saj. Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Sauk – Tiranë, në vendin e quajtur Sofra e Ariut.

Drejtuesja e makinës u dërgua në Spitalin e Traumës, ndërsa nuk dihen ende detaje të tjera për aksidentin.

Dhunojnë 24-vjeçarin, arrestohet babai, procedohet i biri minoren

Një 24-vjeçar përfundoi në spital me plagë të rënda, pasi u dhunua fizikisht nga një 40-vjeçar dhe i biri i tij minoren. Ngjarja ndodhi në Tiranë, ku pas një debati për motive të dobëta, 40-vjeçari me iniciale G.H së bashku me të birin 17-vjeçar K.H., rrahën dhe dhunuan fizikisht shtetasin G.P. 24 vjeç.

I riu ndodhet në spitalin e Traumës me plagë të rënda, por jo kritike për jetën. Në pranga ra 40-vjeçari, i cili akuzohet për plagosje me dashje, ndërsa djali i tij minoren po procedohet në gjendje të lirë nga policia.

Kryeministri i Italisë të martën në Tiranë

Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte, do të vizitojë Shqipërinë të martën më 15 tetor. Lajmi është konfirmuar nga mediat italiane, të cilat publikuan axhendën e kreut të qeverisë italiane për javën e ardhshme.

Sipas axhendës, Conte parashikon të takohet vetëm me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Ilir Meta, ndërsa vizita pritet të mbyllet brenda të martës. Në axhendën e publikuar nuk jepen detaje nga tema e bisedimeve mes Kryeministrit të Italisë me homologun e tij shqiptar dhe kreun e shtetit, Ilir Meta.

Megjithatë, vizita e Kryeministrit të Italisë në Tiranë, mbahet vetëm dy ditë para se vendet e Bashkimit Europian të marin vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Italia është shprehur prej kohësh “pro” Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Arrestohet se dhunoi bashkëshorten, e pëson dhe gruaja

Një person përfundon në pranga pasi arrestohet në kushtet e flagrancës duke dhunuar bashkëshorten e tij. Por ngjarja nuk mbyllet me kaq. Në pranga përfundon dhe e lënduara.

Policia arrestoi shtetasin R.H.,  pasi dhunoi bashkëshorten e tij dhe përballet me akuzat e “dhunës në familje”. Gjatë kontrollit të banesës, policia gjeti edhe një armë pa leje e fshehur në sahatin e ujit, që i përkiste bashkëshortes së dhunuar. Prangat iu vunë dhe të lënduarës, shtetases me iniciale A.K., 37 vjeçe për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”

Policia ka shoqëruar në komisariat çiftin, ndërsa sekuestroi armën si provë materiale.

Punime në rrjet, kufizim energjie në disa zona në Tiranë

Disa zona të kryeqytetit do të kenë kufizime të energjisë elektrike në datën 8 dhe 9 tetor. Sipas një njoftimi të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, mësohet se në datën 8 tetor, duke filluar nga ora 09:00 deri në orën 15:00 të pasdites, do të ketë kufizime të energjisë elektrike në rrugët “Hoxha Tashin”, “Arkitekt Sinani”, “Ali Demi”, “Ferit Xhajko”, rruga e Dibrës pranë Medreses, “Thanas Ziko”, “Ibrahim Buzhiqi”.

Gjithashtu, po në datën 8, duke nisur nga ora 12:00 deri në orën 14:00, do të ketë furnizim të energjisë elektrike në rrugët: “Asim Zeneli”, “Rruga e Elbasanit” dhe rruga “Dervish Hima”, ndërsa në rrugët “Ludovik Shllaku” pranë sheshit “Avni Rustemi”, në Ibë, Mullet dhe Dobresh, energjia elektrike do të ndërpritet nga ora 10:00 deri në orën 12:00 të datës 8 tetor.

Një ditë më pas, në datën 9, energjia elektrike do të jetë e kufizuar në rrugët: “Petro Nini Luarasi”, rruga e Dibrës, “Thanas Ziko”, “Ibrahim Buzhiqi”, “Hoxha Tahsim”, “Arkitekt Sinani”, “Ali Demi”, duke filluar nga oran 09:00 deri në orën 15:00. Ndërkohë, në rrugët “Todi Shkurti” dhe “Petro Nini Luarasi” energjia do të kufizohet nga ora 12:00 deri në orën 14:00. Këto kufizime, vijnë si pasojë e remonteve që kreyn OSHE në kryeqytet të rrjetit të shpërndarjes së energjisë.

Rrëmbimi, nëna në lot: Si ma morën vajzën e sëmurë te dera e shtëpisë

13-vjeçarja e rrëmbyer është e sëmurë me diabet e tipit 1 dhe mjekohet 4 herë në ditë. Ajo do merrte mjekimin në momentin që u rrëmbye para derës së shtëpisë.

Rrëmbimi i saj ka shkaktuar gjendje shoku tek familjarët, veçanërisht tek nëna e cila mes lotëve shprehet se vajza do të merrte mjekimin sapo të vinte në shtëpi. Nëna ka treguar se vajza u rrëmbye në hyrjen e pallatit, sapo zbriti nga autobusi i shkollës së bashku me të motrën më të mitur.

“Vajza mu rrëmbye në sy të motrës, Ajo është e sëmurë me diabeti të tipi 1 dhe merr mjekim 4 herë në ditë. Është me diabet dhe mjekohet me insulinë dhe tani që flasim duhet të bënte insulinën.” shprehet e ëma e 13-vjeçares për Report TV.

Sipas familjarët të vajzës së rrëmbyer me iniciale S.B., ato nuk kanë konflikt me asnjë. Motra e vogël, e cila ishte e pranishme gjatë rrëmbimit, ka deklaruar se dikush i është afruar 13-vjeçares dhe i ka vënë diçka te goja dhe e ka marrë dhe e ka futur në makinë.

13-vjeçarja është rrëmbyer nga një person që lëvizte me një makine “Fiat Punto” të kuqe në rrugën “Ndre Mjeda” në afërsi të ish-Parkut të autobusëve. Policia ka ngritur disa postblloqe në qytet dhe është në ndjekje të automjetit.

Dhunoi gruan dhe fëmijët, kapet me pistoletë “burri” i shtëpisë

Një krim në familje është parandaluar në kohë nga policia e Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vilëz në Zall Bastar, ku 42-vjeçari ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij. Pas njoftimit, policia bëri të mundur arrestimin në flagrancë të 42-vjeçarit me iniciale A.V, ndërsa gjatë kontrollit të banesës sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarakë të cilat ky shtetas i mbante në banesë pa leje.

Sipas policisë ky shtetas, në mënyrë të vazhdueshme ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, djalit dhe vajzës.

42-vjeçari pritet të marrë masën e sigurisë për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Skip to toolbar