Nga mbrojtja te sulmet, Bushati me dy qëndrime për Pjetrin dhe Doshin

Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës, Ditmir Bushati foli me tone të ashpra ndaj partisë së tij për rastin e emërimit të Valdrin Pjetrit si kandidat për kryetar bashkie në Shkodër. Ish-drejtuesi politik, aktualisht deputet i Shkodrës, kritikoi PS, duke u shprehur se “duhej të kërkohej falje”, për Valdrin Pjetrin. Megjithatë, ky duket një standard i dyfishtë i deputetit socialist, pasi ai vetë e ka promovuar Valdrin Pjetrin si ‘djalë të Shkodrës’ e duke kërkuar mbështetje për të. Në fjalimin e datës 20 qershor në mitingun elektoral në këtë qytet, gjatë fjalës së tij Ditmir Bushati do të shprehej kështu për Valdrin Pjetrin: “Është kjo arsyeja përse ne prezantojmë një djalë të Shkodrës, një djalë të shkolluar të Shkodrës, një djalë i cili edhe kur ka qenë me studime në Itali, edhe kur ka ushtruar detyra të rëndësishme në administrimin publik nuk e ka humbur asnjëherë lidhjen me Shkodrën. Ai është Valdrin Pjetri. Ne jemi të bindur që me Valdrin Pjetrin, shërbëtorin numër 1 të këtij qyteti, ne do të kemi mundësinë të hapim një kapitull të ri për Shkodrën që duam, për Shkodrën e Shekullit 21… Ndaj sot dua t’u kërkoj që me brohoritje të mbështesim Valdrinin”, shprehej ndrë të tjera Bushati.

Megjithatë, në pak muaj, dhe mbi të gjitha pas publikimit të skandalit se Pjetri kishte fshehur të dënimin në Itali, Bushati ka ndryshuar mendim. Nëse Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama u distancua duke u shprehur se  “përgjegjësia është personale dhe nuk do të lejojë që PS të marrë kosto”, Bushati kërkon që fajin ta mbajë Partia. Këtë deklaratë ai e bëri nga selia Rozë, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS mbrëmjen e 28 gushtit.  “Natyrisht kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet thjesht dhe vetëm në mënyrë ligjore e procedurale. As me zhvendosje vëmendje, me shkarkime në masë të njerëzve që s’kanë asnjë lidhje dhe asnjë fajësi për situatën e krijuar. Në rast se përgjegjësia për të kaluarën e secilit është një përgjegjësi individuale dhe ligjore, ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politikë, të themi edhe na falni për rastin në fjalë dhe për komunitete të caktuara dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një jetë tjetër politike”, tha Bushati.

Megjithatë, ishte Taulant Balla që u shpreh se “qytetarëve të Shkodrës i kemi kërkuar falje për Pjetrin”, duke shtuar gjithashtu se Partia Socialiste do të ashpërsojë ligjin e dekriminalizimit për të parandaluar fenomene të tilla si rasti pjetri. Po mbrëmjen e së mërkurës më 28 gusht, Bushati deklaroi gjithashtu se në të shkuarën Partia Socialiste i ‘largoi’ njerëz si Pjetri, ndërsa brenda kryesisë ka sulmuar PS edhe për aleatët që kanë mbështetur  njerëz si Pjetri. Ndonëse nuk është përmendur me emër, referenca është për deputetin tom Doshi, kryetar i Partisë Social Demokrate. Edhe në këtë rast, standardi është i dyfishtë. Mbrëmjen e 20 qershorit, përpara se të shkonte në Shkodër, Bushati dhe kryeministri Edi Rama u ndalën në Vaun e Dejës, ku kërkuan votën për Mark  Babanin, partinë e Tom Doshit dhe kandidatin Babani e quante “vizionare”.  

“Unë jam i bindur që për Markun do të jetë disa herë më e lehtë. Do të jetë disa herë më e lehtë, sepse Marku do të ketë mbështetjen e pakushtëzuar të Kryeministrit Rama për të bërë realitet projektet dhe vizionet që ka Marku, Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, koalicioni ynë i gjerë, në mënyrë që edhe këtu në Vaun e Dejës të hapet një kapitull i ri”, shprehej Bushati. Por. Mbrëmjen e 28 gushtit, pas mbledhjes së kryesisë, ish-numri një i Shkodrës, foli për njerëzit me të shkuarë të dyshimtë ‘që u përjashtuan nga radhët e PS’, gjë për të cilën, sipas Bushatit, u përshëndet dhe nga SHBA.

Demokratët në Shkodër qëllojnë Tom Doshin me shishe uji

Militantët e PD-së, në Shkodër i kanë gjuajtur me shishe uji deputetit Tom Doshi kur ka dalë nga mbledhja e Këshillit të ri Bashkiak.

Menjëherë pasi ka përfunduar mbledhja Doshi dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Bashkiak kanë dalë

nga ambientet e Bibliotekës së Shkodrës dhe janë përballur me sulmin e militantëve të PD-së.

Në një moment një nga protestuesi hedh edhe një shishe me ujë ndaj deputetit Tom Doshi. Ndërkohë kanë qenë truprojat e deputetit që kanë bërë të mundur që të ndalojnë protestuesit t’i afrohen deputetit.

Në një deklaratë shumë të shkurtër Doshi ka thënë se aty vjen si aleat i PS dhe se vendimet i merr kryeministri Rama. Më pas Doshi dhe këshilltarët e tjerë të konstituuar kanë vazhduar rrugën për të shkuar më pas në ambientet e një lokali. Ndërsa militantët e PD i kanë ndjekur nga pas me thirrje fyese dhe kundër tyre.

Tom Doshi është në listën e politikanëve të inkriminuar të PS-së, që publikon pothuajse çdo ditë, kreu i PD-së, Basha.

Lista e zezë e DASH, veç Dakos dhe Llalla e Doshi

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar të martën pasdite vendimin e për t`i hequr të drejtën e përhershme Vangjush Dakos dhe anëtarëve të familjes së tij (bashkëshortes dhe dy fëmijëve), për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vendimin e DASH, thuhej se “Sekretari i Shtetit kur ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj kanë qenë të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm ose shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, atij individi dhe familjarëve të afërt të tij, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por rasti i Dakos nuk është i vetmi.

Në harkun kohor të një viti, DASH u ka ndaluar hyrjen në SHBA tre zyrtarëve apo ish zyrtarëve të rëndësishëm të shtetit shqiptar, me të njëjtin motiv, përfshirjen në akte korrupsioni të rëndësishëm. Të parit që iu ndalua hyrja në SHBA ishte ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Në 14 shkurt 2018, ditën e të dashuruarëve, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, publikoi vendimin për ndalimin e hyrjes të Adriatik Llallës dhe familjes së tij në SHBA. Shkaku ishte “informacioni i besueshëm për përfshirjen në korrupsion” të ish-kryeprokurorit Llalla, ndaj të cilit tashmë rëndojnë akuza në Shqipëri për “Pastrim parash”, çështje e cila është në dorë të prokurorëve të Krimeve të Rënda.

Dy muaj pasi DASH i komunikoi publikisht Adriatik Llallës ndalimin e hyrjes në SHBA, Departamenti i Shtetit bëri të njëjtën gjë për deputetin Tom Doshi. Edhe për deputetin Doshi, në vendimin e datës 16 prill 2018 të DASH, motivi ishte i njëjtë, “përfshirja në korrupsion”. për këtë arsye, atij dhe familjes së tij, i është ndaluar hyrja në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky është akti më ekstrem, që DASH merr ndaj personave që ka informacion se janë të përfshirë në akte korrupsioni të rëndësishëm. Gjithsesi, DASH ka marrë dhe masa të tjera ndaj zyrtarëve shqiptarë, për të cilët ka pasur informacione se kanë probleme në vendin tonë. Një ndër to, është refuzimi i vizave për të udhëtuar drejt SHBA-së, mes të cilëve është aktualisht nënkryetari i LSI Petrit Vasili. /Realstory.al/

Skip to toolbar