Lista e zezë e DASH, veç Dakos dhe Llalla e Doshi

AKTUALITET


Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar të martën pasdite vendimin e për t`i hequr të drejtën e përhershme Vangjush Dakos dhe anëtarëve të familjes së tij (bashkëshortes dhe dy fëmijëve), për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vendimin e DASH, thuhej se “Sekretari i Shtetit kur ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj kanë qenë të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm ose shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, atij individi dhe familjarëve të afërt të tij, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por rasti i Dakos nuk është i vetmi.

Në harkun kohor të një viti, DASH u ka ndaluar hyrjen në SHBA tre zyrtarëve apo ish zyrtarëve të rëndësishëm të shtetit shqiptar, me të njëjtin motiv, përfshirjen në akte korrupsioni të rëndësishëm. Të parit që iu ndalua hyrja në SHBA ishte ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.


Në 14 shkurt 2018, ditën e të dashuruarëve, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, publikoi vendimin për ndalimin e hyrjes të Adriatik Llallës dhe familjes së tij në SHBA. Shkaku ishte “informacioni i besueshëm për përfshirjen në korrupsion” të ish-kryeprokurorit Llalla, ndaj të cilit tashmë rëndojnë akuza në Shqipëri për “Pastrim parash”, çështje e cila është në dorë të prokurorëve të Krimeve të Rënda.

Dy muaj pasi DASH i komunikoi publikisht Adriatik Llallës ndalimin e hyrjes në SHBA, Departamenti i Shtetit bëri të njëjtën gjë për deputetin Tom Doshi. Edhe për deputetin Doshi, në vendimin e datës 16 prill 2018 të DASH, motivi ishte i njëjtë, “përfshirja në korrupsion”. për këtë arsye, atij dhe familjes së tij, i është ndaluar hyrja në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky është akti më ekstrem, që DASH merr ndaj personave që ka informacion se janë të përfshirë në akte korrupsioni të rëndësishëm. Gjithsesi, DASH ka marrë dhe masa të tjera ndaj zyrtarëve shqiptarë, për të cilët ka pasur informacione se kanë probleme në vendin tonë. Një ndër to, është refuzimi i vizave për të udhëtuar drejt SHBA-së, mes të cilëve është aktualisht nënkryetari i LSI Petrit Vasili. /Realstory.al/




Skip to toolbar