Liverpool kalon dhe Tottenham, titulli duket më afër

Liverpool nuk ka të ndalur në Premier League. Skuadra e Jurgen Klopp mposhti Tottenham me rezultatin 1-0 në transfertë, duke koleksionuar fitoren e radhës në kampionat.

Gjithashtu, Liverpool tregoi dhe njëherë se mbetet pa rivalë në sfidën për titullin kampion në Premier League.

Mjaftoi një gol i Roberto Firmino në të 37` për t`i dhënë fitoren “The Reds”. E gjithë ndeshja foli për skuadrën e Klopp, ndërsa skuadra e Mourinho u mundua të rivalizonte, por nuk arriti të ndryshonte fatet e lojës.

Liverpool kryeson kampionatin me 61 pikë, duke lënë pas Leicester me 45 pikë në vendin e dytë. Ndërkohë, Tottenham mbetet në vendin e 8-të me 30 pikë, larg zonës së arritjes së kupave të europës.

Video/ Dëmtim horror në Premier League, Son i thyen këmbën lojtarit të Everton

Një dëmtim horror mund të cilësohet ai që i shkaktoi futbollisti i Tottenham, Son Heung-Min rivalit të tij të Everton Andre Gomes në sfidën e të dielës në mbrëmje.

Në takimin që përfundoi 1-1, episodi më i rëndë ishte ai i në minutën e 79-t të takimit. Futbollisti i koreanoverior i Tottenham, gjatë një aksioni e goditi në mënyrë të frikshme futbollistin rival, duke i thyer këmbën.

Gomes u shtri në tokë duke mos u përmbajtur dot nga dhimbjet, ndërsa këmba e tij u deformua totalisht.

Pasi pa gjëmën që i bëri rivalit të tij, Son Heung-Min nuk e përmbajti dot të qarën, ndërsa doli me të kuq nga fusha e lojës.

Futbollisti i dëmtuar i Everton u dërgua me urgjencë në spital për trajtim mjekësor, pasi dëmtimi ishte tepër i rëndë. Për më tepër ndiqni pamjet:

Dëmtohet frikshëm Lloris, mjekët përdorin oksigjen (video)

Portieri i Tottenham, Hugo Lloris, u rrëzua frikshëm në fushën e lojës gjatë ndeshjes kundër Brighton. Kapiteni i “Spurs”, ra pasi tentoi të priste një top, që përfundoi në gol. Lloris u hodh për të kapur topin, por ra brenda portës me shpinë, duke dëmtuar rëndë krahun, shkruajnë mediat britanike.

Sipas BBC Sport, portieri i Tottenham dhe kombëtares së Francës, ndodhet në gjendje të rëndë, pasi mjekët përdorën oksigjen ndaj tij, para se ta transportonin me barrelë për në spital. Ende nuk dihet se si është gjendja shëndetësore e portierit, që tashmë ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, pas këtij lëndimi, vihet në dyshim grumbullimi i tij me kombëtaren e Francës. Ai mund të humb dy ndeshjet e radhës kualifikuese ndaj Islandës dhe Turqisë. Ndërkohë, Tottenham u mund nga Brighton me rezultatin 0-3.

VAR dhe Aguero tërbojnë Guardiolën, Tottenham përsërit ndeshjen e Championsit

Manchester City është ndalur në barazim 2-2 nga Tottenham në javën e dytë të Permier League. Skuadra e Pep Guardiolës, ndonëse kaloi dy herë në avantazh, arriti të përmbysej nga ekipi i Mauricio Pochetinos. Ishte Sterling që realizoi në minutën e 20` golin e avantazhit për Cityn. Një asist spektakolar nga De Bruyne, që gjuajti me të djathtën nga krahu tjetër i fushës, gjeti kokën e Sterling që realizoi në portën e Lloris.

Por tre minuta më vonë, ishte skuadra e Tottenham që gjeti rrjetën dhe vendosi barazpeshën në fushë. Lamela nga jashtë zone me të majtën mposhti portierin e Cityt, duke kthyer gjithçka në kushte të barabarta.

Megjithatë, skuadra e Guardiolas do të rigjente përsëri avantazhin. Ashtu si në golin e parë, Kevin de Bruyne asiston përsëri në zonë, aty ku Aguero mjafton duke shtyrë topin në portën e Lloris.

Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën Lucas shënon me kokë për Tottenham pas një gjuajtje të Lamelas nga goditja e këndit. Cityt i anulohet dhe një gol i shënuar nga Sterling, pasi ndërhyri VAR. Për skuadrën e Guardiolës dukej si i njëjti skenar, kur Tottenham e eliminoi disa muaj më parë nga Champions League. Ndërkohë, trajneri i Cityt, Pep Guardiola ka zhvilluar një debat me Sergio Aguero në minutën e 66` të takimit, kur trajneri e nxori argjentinasin nga loja.

Real dhe Tottenham, mendohet shkëmbim Asension-Eriksen

Tottenham projekton një shkëmbim të madh me Real Madrid. Finalistët e Champions League kanë shfaqur inters për Marco Asensio, duke ofruar si shkëmbin Christian Eriksen. Pas vështirësive për transferimin e Paul Pogba, Real Madrid ka objektiva të tjerë. Ai është Christian Eriksen.

Mesfushori i Tottenham Hotspur vlerësohet në 100 milionë euro nga klubi i Premier Ligës përveç nëse Madrid dëshiron të përfshijë një lojtar që shkon në anën tjetër. Eriksen ka qenë i lidhur me Madridin për një kohë të gjatë, por negociatat duket se tani kanë filluar. Megjithatë, ndonëse kjo temë sapo ka nisur të diskutohet në Madird, për Zidane, Paul Pogba mbetet në plan të parë, por Eriksen është një opsion rezervë.

Nëse për Pogba duhet shumë punë për të arritur një marrëveshje, me Eriksen gjërat janë më të thjeshta, duke pasur parasysh faktin që lojtari ka vetëm një vit kontratë të mbetur me Tottenham. Nëse gjërat shkojnë në këtë rrugë, Spurs do të synojnë që në marrëveshjen e transferimit të përfshihet edhe Marco Asensio.

Mirëpo “Los Blancos” nuk është gati për të kryer një transferim të tillë duke lejuar që ti ikë një lojtar premtues si Asensio, pavarësisht sezonit të fundit që nuk shfaqi potencialin e tij të vërtetë.

Liverpool fiton Champions League pas 15 vjetësh, Tottenham e mbyll me lot

Liverpool është Kampion i Europës në Champions League këtë sezon. Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp mundi në finalen e madhe Tottenham, me rezultatin 0-2 për Reds. Një ndeshje pa shumë spektakël dhe emocione në pjesën e parë, ndryshoi katërcipërisht në të dytën, duke i dhënë fronin e më të mirëve të Europës ekipit të Jurgen Klopp.

Kjo është hera e gjashtë në histori për Liverpool, që fiton UEFA Champions League, duke u renditur mes ekipeve më të mira, që e kanë fituar më shumë këtë trofe. Ndërsa hera e fundit që Liverpool kishte fituar një finale të Ligës së Kampionëve ishte viti 2005.

Ndeshja nisi mirë për skuadrën e Liverpool, që arriti të shënonte golin e avantazhit pas gati dy minutash lojë. Në fakt ishte një penallti e fituar nga Mane pas 30 sekondash lojë nga nisja e pjesës së parë. Mohamed Salah mori përsipër të ekzekutojë gjuajtjen nga pika e bardhë, duke e dërguar topin në rrjetën e mbrojtur nga Hugo Lloris.

Kështu, Liverpool kalon në avantazh dhe mban të paprekur rrjetën në pjesën e parë. Megjithatë, minutat pas golit dukeshin si një ndeshje rutinë, dhe jo një finale Champions League. Të dyja ekipet kontrollojnë topin dhe mbrojnë mirë, por rastet para portës janë të kata.

Megjithatë, Liverpool arriti të kontrollonte topin në shumicën e kohës, por Tottenham bëri më shumë gjuajtje drejt kuadratit. Pas pushimit të pjesës së parë, Jurgen Klopp nxjerr nga fusha të rikthyerin nga dëmtimi, Firmino, dhe në vend të tij fut Origi.

Loja është më e hapur në fraksionin e dytë, me Tottenham që përpiqet të shënojë golin e barazimit. Skuadra e Mauricio Pochetino shkon disa herë para portës së Liverpool, por Alison dhe fati shpëton Liverpool disa herë. Son dhe Kane tentojnë vazhdimisht, por gjithë mundi shkon kot.

Kështu, nëse nuk shënon do pësosh, ky rregull i pashkruar i futbollit mori jetë në minutën e 87`, kur Origi shënon një gol të bukur nga brenda zonës dhe bën që të shpërthejë festa në “Wanda Metropolitano”. Kështu u mbyll ndeshja, Liverpool në krye të fronit të Europës, ndërsa Tottenham i mbetet ti gëzohet historisë me shkuarjen në finale.

Nis me spektakël finalja e Champions, Liverpool shënon nga “tuneli”

Ka nisur në mënyrë spektakolare sfida finale e Champions League mes Tottenham dhe Liverpool në “Ëanda Mteropolitano”.

Skuadra e Jurgen Klopp në më pak se 30 sekonda lojë ka fituar një penallti, e cila ëshë shndërruar në gol nga Mohamed Salah, që ka gjuajtur fort dhe ka dërguar topin në qendër të portës së mbrojtur nga Hugo Lloris.

Penalltia u fitua nga Mane, i cili arriti ta vidhte në mënyrë spektakolare atë ndaj Sisokos, pasi ky i fundit ngriti dorën, ndërkohë që Mane gjuan topin.

Tashmë Liverpool ka gjithçka në dorë, pasi ky gol i avantazhit i krijon mundësi Reds të mbrohet më mirë dhe të shrytëzojë me qetësi gabimet e kundërshtarit.

Tottenham-Liverpool, formacionet zyrtare, Kane dhe Firmino e nisin titullar

Në orën 21:00 të kësaj të shtune do të luhet ndeshja finale e Champions League, mes Tottenham dhe Liverpool në stadiumin “Wanda Metropolitano” në Madird.

Një orë para nisjes së ndeshjes janë zbardhur dhe formacionet zyrtare, me të cilat dy klubet angleze do të zbresin në fushën e blertë.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Tottenham i rikthehet sulmuesi Harry Kane, i cili e nis nga fillimi këtë ndeshje, duke shërbyer si një armë shtesë për skuadrën e Pochetinos.

Në krahun tjetër Liverpool do të ketë në krye të sulmit treshen e përbërë nga Salah, Firmino  dhe Mane. Pikërisht rikthimi i Firmino është lajmi më i mirë për Reds, që sot synojnë të shkruajnë historinë.

Ndërkohë, Klopp ka zgjedhur të luajë me 4-3-3, ku në portë do të jetë Alisson, në mbrojtje Robertson, Van Djik, Matip dhe Alexandër-Arlond, ndërsa në mesin e fushës do të jetë Henderson, Fabinho, Wijnaldum.

Pochetino e ka nisur me 4-2-3-1, ku në portë do të jetë Lloris, në mbrojtje Rose, Vertonghen, Alderëeireld, Trippier. Para tyre do të jenë Winks dhe Sissoko, ndërsa në mesin e fushës  do të jenë Son, Eriksen dhe Alli.

Harry Kane: Jam gati për finalen e Champions, por vendos Pochetino

Sulmuesi i Tottenham, Harry Kane ka konfirmuar se do të jetë gati për të luajtur në finalen e Champions League ndaj Liverpool. 25 vjeçari dëmtoi ligamentet në ndeshjen e 9 prillit kundër Manchester City në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.

“Ndihem mirë, nuk kam pasur më probleme deri tani”, ka thënë Kane për mediat. “Fillova të stërvitem me ekipin në fundin e javës së kaluar. Këtë javë do të stërvitem në palestër për të marrë ngarkesën e nevojshme”, ka vijuar sulmuesi i “Spurs”.

“Pastaj është në dorën e trajnerit, ai do ta vlerësojë dhe do të vendosë nëse jam gati të luaj apo jo, deri më tani, ndihem mirë dhe gati”, është shprehur Harry Kane. Sulmuesi ka shënuar 24 gola në të gjitha ndeshjet për Tottenham këtë sezon, pavarësisht mungesës për gjashtë javë në janar dhe shkurt, kur dëmtoi ligamentin në kyçin e këmbës.

Ndërkohë, trajneri i Tottenham Mauricio Pochetino, i pyetur rreth aktivizmit të Kane në Madrid, është shprehur se nuk mund ta thotë me bindje se ai do të jetë. “Nuk mund të them se ai është me 100%, nëse ai do të jetë në dispozicion, në stol apo jashtë, por ne jemi të lumtur për progresin e tij”, ka thënë Pochetino.  

Harry Kane do të jetë në finalen e Champions League

Harry Kane pritet të jetë në dispozicion të Tottenham për ndeshjen finale të Champions League kundër Liverpool, që do të luhet më 2 qershor. Sulmuesi i “Spurs” nuk aktivizohet me ekipin e tij që prej ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, që Tottenham luajti kundër Manchester City-t.

Lajmin se sulmuesi 25-vjeçar do të jetë gati për ndeshjen ndaj Liverpool në Madrid, e ka dhënë ish-mbrojtësi i Tottenham, Graham Roberts, që tashmë shërben si ambasador i “Spurs”. Roberts ka folur për “Sky Sports”, ku ka konfimuar se Harry Kane i ka thënë personalisht se ndihet gati për të luajtur.

Unë organizova një darkë bamirësie, ku ishte i ftuar dhe Harry Kane. Pyetja e parë që i bëra ishte ‘A je i aftë?’, dhe ai tha po”, ka thënë Graham Roberts. “Ai është duke bërë përpjekje që të jetë gati. Dje (të mërkurën) ai është bashkuar në stërvitje me pjesën tjetër të lojtarëve”, ka thënë ndër të tjera ish-mbrojtësi i Tottenham, duke i dhënë një lajm të mirë tifozëve për ndeshjen finale të Champions League ndaj Liverpool.

Harry Kane u dëmtua në ligament në atë ndeshje, duke dalë nga fusha i detyruar. Më vonë trajneri Pochetino konfirmoi se Kane do të jetë gati për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, nëse skuadra do të kalonte në gjysmëfinale Ajax-in, që tashmë është fakt.

Skip to toolbar