Kukësi ka prezantuar zyrtarisht Shpëtim Duron
si trajner për sezonin e ri. Gjatë fjalës para gazetarëve, Duro u shpreh se
detyra që po merr është një përgjegjësi e madhe për të. “Puna e trajnerit është
përgjegjësi në çdo skuadër. Edhe marrja e drejtimit të Kukësit është
përgjegjësi, edhe më e madhe, sepse Kukësi ka qenë protagonist me Skënderbeun
dhe Partizanin në dekadën e fundit, duke fituar edhe trofe. Është një kënaqësi
të marr drejtimin dhe falënderoj drejtuesit dhe presidentin për besimin.
Pozitive është që është fillimi i sezonit, ndaj kemi kohë”, është shprehur
Duro.
Sipas tij, Kukësi është nga ato ekipe që nuk
refuzohet për t`u drejtuar, ndërkohë në lidhje me raportin që do të ketë me
presidentin Safet Gjici, Duro është shprehur se: “Janë disa skuadra që nuk
refuzohen. Projekti dhe objektivat, skuadra cilësorë që ka, këto më binden të
pranoj. Puna e trajnerit e tillë është. Është hera e parë që bashkëpunoj me
Gjicin, është president ambicioz, që ka fituar shumë. Nga jashtë e kam parë që
skuadrat e ndërtuara këtu kanë qenë gjithnjë të forta, shpresojmë të bëjmë më
të mirën”.
Ekipi, sipas trajnerit të ri, është me lojtarë
cilësorë, ndaj për Shpëtim Duron puna në merkato do të jetë e vogël. “Nuk ka
arsye për të ndërhyrë fuqimisht në ekip. Do ketë ndonjë largim që do zëvendësohet.
Skuadra është cilësore, unë kam mendimet e mia ku mund të përforcohemi, në
bashkëpunim me Nexhipin, të cilin e kam pasur edhe futbollist, tani e kam
drejtues”, është shprehur Duro.
Ai ka treguar se ofertën e parë, që Safet
Gjici i ka bërë një trajneri në superiore disa vite më parë, ka qenë pikërisht ndja
tij. Shpëtim Duro ka vlerësuar edhe faktin që krah tij, si drejtor të klubit,
do të ketë Nderim Nexhipin, të cilin më herët e ka pasur futbollist te
Partizani dhe Shkëndija e Tetovës. Lidhur me rivalët në kampionat, duke u
shprehur se e shkuara mbetet e shkuar, ndërsa tani do të fokusohet te Kukësi.
“Kam punuar te Partizani, por jemi
profesionistë. Nuk e mohoj të shkuarën, por tani do të bëj të pamundurën për të
ndihmuar Kukësin të fitojë. Nuk i kam qejf termat mbrojtës, sulmues, janë
përkufizime të dala mode. Unë kam pasur gjithnjë ekipe të ekuilibruara,
elastike, në varësi të kundërshtarit. Rëndësi ka që skuadra të funksionojë”. Ka
thënë ndër të tjera në fjalët e para si trajner i Kukësit Shpëtim Duro.