Luftëtari ndjek shembullin e Partizanit dhe Teutës, largon trajnerin Marantas

AKTUALITET


E shtuna ishte dita e shkarkimeve të trajnerëve në kampionatim elitar të futbollit në Shqipëri. Pas Partizanit që largoi trajnerin Lerda, Teutës që largoi Shkëmbin, ekipi i Luftëtarit në Gjirokastër pasoi duke larguar trajnerin grek Jorgos Marantas.

Lajmi është konfirmuar nga PanoramaSport, ndërkohë që klubi vetë nuk ka reaguar zyrtarisht. Marantas erdhi në krye të Luftëtarit këtë sezon, ndërsa ekipi i drejtuar prej tij ndodhet në vend të parafundit me 8 pikë. Skuadra gjirokastrite nuk fiton prej shtatorit një ndeshje në kampionat, ndërsa së bashku me Flamurtarin rrezikojnë që sezonin e ardhshëm të luajnë në Kategorinë e Parë.


Luftëtari pati probleme financiare këtë sezon, teksa ish-presidenti Grigor Tavo dha dorëheqjen nga drejtimi i klubit. Administratorët e rinj premtuan se do të investonin në skuadër, por mesaduket këto dy faza të kampionatit kanë treguar problemet e klubit.

Tashmë pritet të mësohet se kush do të drejtojë ekipin gjirokastrit. Kujtojmë se aktualisht janë katër ekipe në Superligë që nuk kanë trajner të parë. Tirana, Partizani, Teuta dhe Luftëtari do të duhet të gjejnë trajner të ri në vijim.




Skip to toolbar