E zyrtarizon UEFA, Shqipëri-Moldavi do të luhet në Elbasan (foto)

Shqipëria do të pres Moldavinë më 11 qershor, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020. Në fund të vitit të kaluar por dhe gjatë muajve të parë të këtij viti, FSHF-ja deklaroi se ky takim do të luhej në stadiumin “Arena Kombëtare”, që duhet të përfundonte në qershor.

Megjithatë, me kalimin e muajve, diçka ka ndryshuar pasi nga ecuria e punimeve në stadiumin e ri kombëtar, është lënë të kuptohet se impianti 22 mijë vendësh nuk do të jetë gati për këtë ndeshje.

Mirëpo “Arena Kombëtare” ishte konfirmuar nga FSHF-ja në UEFA, si stadiumi ku do të luhej ndeshja zyrtare mes Shqipërisë dhe Moldavisë më 11 qershor. Fakti që punimet do të zgjaten, ka detyruar FSHF-në të njoftojë UEFA-n për ndryshimin e stadiumit.

Sipas rregullores, Federata Shqiptare e Futbollit duhet të njoftojë të paktën 30 ditë para UEFA-n për stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja. Kjo gjë ka ndodhur, ndonëse federata nuk ka publikuar asgjë zyrtare, është UEFA ajo që zbulon stadiumin ku do të zhvillohet ky takim

“Elbasan Arena” është impianti që UEFA ka listuar në faqen e saj zyrtare për ndeshjen e 11 qershorit mes Shqipërisë dhe Moldavisë. Ky ndryshim në protokollin e UEFA-s është bërë së fundi, pasi deri disa ditë më parë emri i stadiumit ku do të zhvillohej ky takim, nuk ishte shkruar në të dhënat e kësaj ndeshje në faqen zyrtare të UEFA-s.

UEFA dënon Malin e Zi, Kosova “fërkon” duart!

Federata e Futbollit të Malit të Zi është dënuar nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, me këtë të fundit që e detyron federatën e shtetit fqinj të Shqipërisë, të luajë ndeshjen e ardhshme në shtëpi të ekipit kombëtar me dyer të mbyllura dhe të paguajë 20 mijë euro gjobë.

Ky dënim i rëndë vjen pas sjelljeve antisportive të tifozëve malazez ndaj lojtarëve të ekipit anglez, në ndeshjen që Mali i Zi luajti kundër Anglise, në takimin e vlefshëm për eleminatoret e europianit gjatë muajit mars.

Sipas vendimeve të publikuara sot në faqen zyrtare të UEFA-s, gjatë ndeshjes Mali Zi-Angli, tifozët vendas kanë hedhur mjete piroteknike në fushë, objekte dhe sende të forta, janë thirrur kore raciste dhe janë thyer masat e sigurisë në stadium.

Megjithatë, lajmi më i rëndësishëm është fakti se nga ky dënim i Malit të Zi përfiton Kosova, pasi “Dardanët”, janë ekipi i radhës që Mali i Zi pret në shtëpi në ndeshjen e ardhshme të kualifikueseve të Euro 2020.

Përfundon seanca në CAS, Skënderbeu pret vendim e rëndësishëm!

Skënderbeu ka përfunduar seancën dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër. Drejtuesit e klubit korçar së bashku me avokatin e studios ligjore, që ka punuar gjatë kësaj periudhe për të mbrojtur Skënderbeun, kanë dhënë argumentet e tyre në lidhje me rrëzimin e dënimit të dhënë nga UEFA, që konsiston në 10 vite përjashtim nga kupat e europës dhe 1 milion euro gjobë, pas akuzës së ngritur për trukim ndeshjesh.

Seanca dëgjimore me trupën gjykuese në CAS ka nisur në orët e paradites, duke zgjatur deri rreth orës 18:00 pasdite. Nga sa mësohet deri tani, Skënderbeu e ngritur mbrojtjen mbi dy pika themelore, atë të përfshirjes direkte në trukime, gjë e cila nuk është vërtetuar, sipas klubit të korçar dhe pika e dytë ajo e përfitimit direkt nga trukimet, që gjithashtu nuk është vërtetuar nëse drejtuesit e klubit korçar kanë përfituar para nga bastet e vëna gjatë kohës që UEFA dyshon se janë kryer manipulimet e rezultateve.

Ndërkohë, UEFA pretendon në një raport të hartuar nga dy anëtar të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, se Skënderbeu është përfshirë në rregullimin e rezultateve në ndeshjet ndërkombëtare, që ka luajtur në kompeticionet ndërkombëtare të organizuara nga UEFA. CAS pritet të zbardhë vendimin brenda katër javësh, për të mësuar nëse do të mbetet në fuqi vendimi fillestar i UEFA-s, apo do të rrëzohet.  

Skip to toolbar