Pak orë pasi u lirua nga Gjykata e Tiranës për bllokimin e rrugës te “Unaza e Re”, Klevis Balliu është bashkuar përsëri në protestën e banorëve të “Astirit”. Në fjalën e mbajtur gjtë protestës, Balliu është shprehur se “banorët janë gati të ulen në dialog me qeverinë”. Sipas tij, mazhoranca duhet të lërë datën dhe orën dhe qytetarët shkojnë për dialog.
“Jam krenar që jam pjesë e Partisë Demokratike. Edi Rama nuk do që të shkojmë në Europë. Shqipëria ka sot nevojë për qytetarët dhe jo për bandën e Habilajve. Ja ku janë qytetarët, qeveria të japë orën dhe datën dhe qytetarët janë gati të dialogojnë. Të dialogohet në lidhje me këtë çështje kaq shumë delikate për banorët e Unazës së Re”, është shprehur Balliu.
Më tej, ai i bëri thirrje gjykatës të lirojë tre banorë që mbahen në qeli, pasi akuzohen për bllokim të paligjshëm të rrugës. Pasi ndenji tre ditë në paraburgim, Klevis Balliu u bëri thirrje banorëve të protestojnë paqësisht pa shkelur ligjin.
“Ne duhet të nxjerrim nga burgu 3 heronjtë tanë. Iu bëj thirrje gjykatave që të nxjerrin heronjtë tanë, që janë baballarë. Ftoj që të gjithë qytetarët që të vazhdojnë protestën, në mënyrë paqësore, pasi nuk po shkelim asnjë ligj. Kjo është një protestë për kauzë kombëtare”, u shpreh Klevis Balliu.
Kujtojmë se Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg ndaj ish deputetit demokrat Klevis Balliu dhe 9 protestuesve të tjerë të cilët akuzohen për bllokimin e rrugës së Unazës së Madhe. Gjykata e Tiranës vendosi lirimin nga burgu të këtyre personave, duke vendosur masën detyrim paraqitje.