Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të
zgjasë edhe me 5 muaj Hetimin e Përgjithshëm në Sektorin e Arsimit të Lartë,
për shkak se mungojnë informacionet e kërkuara nga disa Universitete publike
dhe private, të nevojshme për kryerjen e procedurës së hetimit të përgjithshëm
në sektorin e arsimit të lartë.
Hetimi ishte hapur në nëntor të vitit të
kaluar dhe raporti parashikohej të ishte gati më 26 maj. Por, sipas Autoritetit
të Konkurrencës, për shkak të mungesës së informacioneve të kërkuara nga disa
universitete publike dhe private, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur ta
shtyjë hetimin me pesë muaj të tjerë, deri në fund të tetorit të këtij viti.
Vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës
realizoi një studim në sektorin e arsimit të lartë. Studimi konkludoi se
diversiteti në këtë treg ka krijuar një treg të larmishëm, ku studentët janë të
lirë të zgjedhin. Zgjedhja e tyre, mbështetet në informacionin e ofruar nga
mekanizmat shtetërorë dhe nga vetë shkollat e larta publike ose private. Sipas
Autoriteti të Konkurrencës, ky informacion duhet të jetë i dhënë saktë në
mënyrë reale dhe transparente, sepse vetëm kështu ai krijon besueshmëri dhe
mundësi më të madhe zgjedhje nga studenti.
Pas vlerësim të gjetjeve, Autoriteti u shpreh
se është e vështirë të konkludohet për konkurrencën në Sektorin e Arsimit të
Lartë dhe për këtë nevojitet një trajtim më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës.
Për këtë qëllim, u vendos hapja e një hetimi të përgjithshëm, që do të
përfshijë periudhën nga 1 janari 2017 deri në 26 tetor 2019.