Mbërrin në atdhe trupi i dëshmores së atdheut, Zarife Hasanaj

Trupi i pajetë i dëshmores së atdheut, nëntetare Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, mbërriti në atdhe.

Arkivoli me trupin e nëntetare Hasanajt, i mbuluar me flamurin kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e saj shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO-s.

Për të pritur trupin e nëntetares Hasanaj, në Aeroportin “Nënë Tereza” dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmores së atdheut.

Pas pritjes me nderim ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i nëntetare Hasanajt u dërgua për në banesën e saj, për të vijuar me ritet tradicionale familjare.

Homazhet për dëshmoren e atdheut dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e premte në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00 – 12:30.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, nëntetare Hasanajt do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Vdekja e efektives shqiptare, reagon kryeministri letones

Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins ka shprehur ngushëllimet e tij për rastin tragjik të shpërthimit të një mine ku mbeti e vdekur efektivja e Forcave të Armatosura Shqiptare, Zarife Hasanaj dhe u plagosën dy ushtarakët e tjerë, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.

“Një ditë e trishtuar për të gjithë ne për shkak të aksidentit tragjik në bazën ushtarake Adazi. Ngushëllimet e mia për familjen e një anëtari të Forcave të Armatosura Shqiptare, që humbi jetën.
Uroj një shërim të shpejtë të ushtarëve të tjerë të lënduar. Letonia është mirënjohëse për Shqipërinë për kontributin e saj në misionin NATO.”

Zarife Hasanaj ishte pjesë e misionit të NATO-s për demontimin e minave gjatë një misioni në Letoni.

Humb jetën ushtarakja, Rama e Meta bëhen bashkë në ngushëllim

Ndarja nga jeta në krye të detyrës të ushtarakes shqiptare në Letoi, Zarife Hasanaj ka sjellë reagimin e krerëve të politikës të cilët kanë përçuar ngushëllimet e tyre tek familjarët e saj.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni.

Meta thotë po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj.

Edhe kryeministri Rama në një status në Tëitter i ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të ushtarakes.

“Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë!Ngushëllime familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”, shkruan Kryeministri🙏

Edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka postuar në facebook mesazhin e saj.

“Dhimbje e madhe për humbjen e dëshmores së Forcave të Armatosura, nëntetares Zarife HASANAJ. Në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonë e do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pafund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj. Djemve tanë të plagosur, major Klodian TANUSHI dhe rreshter Julian KAPAJ, u uroj shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjes sonë të Forcave të Armatosura.”, shkruan Xhaçka.

Skip to toolbar