Komisioni i Ligjeve, seancë dëgjimore me kandidatët për Kushtetuesen

Kandidatët nga lista e Kuvendit, të cilët garojnë për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese folën të martën në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni i Ligjeve. Kuvendi nisi procedurat për zgjedhjen e tyre për plotësimin sa më shpejtë të vakancave të Kushtetueses. Para Komisionit të Ligjeve 3 kandidatet, Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska thanë se “përvojat e tyre në punë do të ndihmojnë në funksionimin e drejtë të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e një qëndrimi neutral ndaj debateve politike.” Seanca e cila u hap nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se Besnik Muçi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga lista e propozuar nga presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Kandidatja Arta Vorpsi pohoi se “përvoja e gjatë e imja do më ndihmoje në punën time për të çuar me tej të drejtën kushtetuese. Nuk kam qenë asnjëherë e angazhuar në ndonjë parti politike apo grupim politik”.

Kandidatja e dyte në seance dëgjimore Elsa Toska u shpreh se eksperienca e saj është e fokusuar tek e drejta kushtetuese. “Në vizionin tim Gjykata Kushtetuese duhet të behet neutralizuese e debateve kushtetuese politike. Objektivat sipas meje që duhet të ketë kjo gjykatë, do jenë në krijimin e një jurisprudence të re post-reformë. Ligji për Gjykatën Kushtetuese u ndryshua gjatë reformës në drejtësi, është ndër më të mirët dhe besoj se do i përgjigjet sfidave për të ardhmen në çështjen e të drejtave të njeriut dhe çështjeve kushtetuese”.

Fiona Papajorgji, kandidatja e tretë, u shpreh e bindur se i plotëson kushtet për të qenë pjesë e Kushtetueses. “Mendoj se plotësoj kushtet për të qenë anëtare e gjykatës Kushtetuese. Ka ardhur koha që Kushtetuesja të kalojë në stadin e forcimit të parimeve të vlerave kushtetuese”.

Pas seancës dëgjimore Komisioni i Ligjeve do të zgjedhë dy kandidatë dhe më pas do të shkojnë për miratim në Parlament me 84 vota. Kuvendi ka ende kohë në përcaktimin e dy kandidatëve nga lista e tij, dhe se fillimisht po pret që presidenti të plotësojë vakancat nga lista e tij.

Listat me 4 kandidatët për të plotësuar vakancat janë dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi më 14 tetor. Konkretisht Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Besnik Muçi janë 4 kandidatët që janë në listat e Kuvendit dhe Presidentit. Besnik Muçi është zgjedhur dhe betuar para Metës si anëtari i parë i Kushtetueses, edhe pse nuk ka kaluar fazën e dytë të vettingut. Presidenti ka afat për zgjedhjen e kandidaturës së dytë deri më 8 nëntor, ndërsa parlamenti deri me 14 nëntor. Duke qenë se këto kandidatë janë në listat si të Kuvendit dhe Presidencës, atëherë është bërë një koordinim i heshtur që presidentit t’i dërgohen më herët listat me emra për zgjedhjen e tyre dhe më pas Kuvendit, në mënyrë që të mos ketë përplasje të emrave.

Gjykata Kushtetuese, Kuvendi rihap garën për plotësimin e vakancës

Me kërkesë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi më datë 9 gusht 2019, Kuvendi ka rihapur garën për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese. KED i kërkoi zyrtarisht Kuvendit dhe Presidentit  shpalljen e vendeve vakante për anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, që u krijuan nga shkualifikimi nga gara i disa kandidatëve për shkak të vettingut, duke krijuar dy vakanca të lira në listat emërore të Presidentit dhe Kuvendit.

Të mërkurën më 21 gusht Kuvendi ka hapur zyrtarisht garën për aplikime të kandidatëve, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese që prite të ngrihet në shtator. Gara do të jetë e hapur deri më 15 shtator dhe më pas lista me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kuvendi ka paraqitur të gjitha kriteret që duhet të plotësohen nga gjyqtarët që duan të bëhen pjesë e garës për të plotësuar një vend vakant të krijuar pas largimit nga venttingu të gjyqtarit Fatos Lulo. (Lexo këtu kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët).

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është vetëm me një anëtar, Vitore Tusha, dhe sipas ligjit duhet të pakën 5 anëtarë që kjo gjykatë të jetë funksionale dhe të fillojë me shqyrtimin e çështjeve në themel. KED ka bërë gati listën me 6 kandidatë që do të plotësojnë 4 vendet vakante, ku dy do të zgjidhen nga Presidenti dhe dy nga Kuvendi. Aktualisht në listë janë 6 emrat e miratuara nga KED pas intervistës që ka bërë me ta, konkretisht Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferrllari dhe Regleta Panajoti.

Gjykata Kushtetuese pritet em interes të madh jo vetëm nga politika por edhe qytetarët, pasi një nga çështjet e rëndësishme që pritet të shqyrtojë të parën është kërkesa e qeverisë për shkarkimin e presidentit Meta.

Skip to toolbar