Komisioni i Ligjeve, seancë dëgjimore me kandidatët për Kushtetuesen

POLITIKË


Kandidatët nga lista e Kuvendit, të cilët garojnë për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese folën të martën në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni i Ligjeve. Kuvendi nisi procedurat për zgjedhjen e tyre për plotësimin sa më shpejtë të vakancave të Kushtetueses. Para Komisionit të Ligjeve 3 kandidatet, Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska thanë se “përvojat e tyre në punë do të ndihmojnë në funksionimin e drejtë të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e një qëndrimi neutral ndaj debateve politike.” Seanca e cila u hap nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se Besnik Muçi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga lista e propozuar nga presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Kandidatja Arta Vorpsi pohoi se “përvoja e gjatë e imja do më ndihmoje në punën time për të çuar me tej të drejtën kushtetuese. Nuk kam qenë asnjëherë e angazhuar në ndonjë parti politike apo grupim politik”.


Kandidatja e dyte në seance dëgjimore Elsa Toska u shpreh se eksperienca e saj është e fokusuar tek e drejta kushtetuese. “Në vizionin tim Gjykata Kushtetuese duhet të behet neutralizuese e debateve kushtetuese politike. Objektivat sipas meje që duhet të ketë kjo gjykatë, do jenë në krijimin e një jurisprudence të re post-reformë. Ligji për Gjykatën Kushtetuese u ndryshua gjatë reformës në drejtësi, është ndër më të mirët dhe besoj se do i përgjigjet sfidave për të ardhmen në çështjen e të drejtave të njeriut dhe çështjeve kushtetuese”.

Fiona Papajorgji, kandidatja e tretë, u shpreh e bindur se i plotëson kushtet për të qenë pjesë e Kushtetueses. “Mendoj se plotësoj kushtet për të qenë anëtare e gjykatës Kushtetuese. Ka ardhur koha që Kushtetuesja të kalojë në stadin e forcimit të parimeve të vlerave kushtetuese”.

Pas seancës dëgjimore Komisioni i Ligjeve do të zgjedhë dy kandidatë dhe më pas do të shkojnë për miratim në Parlament me 84 vota. Kuvendi ka ende kohë në përcaktimin e dy kandidatëve nga lista e tij, dhe se fillimisht po pret që presidenti të plotësojë vakancat nga lista e tij.

Listat me 4 kandidatët për të plotësuar vakancat janë dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi më 14 tetor. Konkretisht Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Besnik Muçi janë 4 kandidatët që janë në listat e Kuvendit dhe Presidentit. Besnik Muçi është zgjedhur dhe betuar para Metës si anëtari i parë i Kushtetueses, edhe pse nuk ka kaluar fazën e dytë të vettingut. Presidenti ka afat për zgjedhjen e kandidaturës së dytë deri më 8 nëntor, ndërsa parlamenti deri me 14 nëntor. Duke qenë se këto kandidatë janë në listat si të Kuvendit dhe Presidencës, atëherë është bërë një koordinim i heshtur që presidentit t’i dërgohen më herët listat me emra për zgjedhjen e tyre dhe më pas Kuvendit, në mënyrë që të mos ketë përplasje të emrave.




Skip to toolbar