Vrasja e njërit prej vëllezërve dhe plagosje e tjetrit në orët e mbrëmjes së 4 dhjetorit në Tepelenë, ende nuk ka sjellë persona të shoqëruar në polici. Sipas hetimeve paraprake dyshohet se ngjarja mund të jetë e lidhur me hakmarrjen apo larje hesapesh, pasi vëllai i mbetur i plagosur Artan Bresha, 43 vjeç, është një person me precedent penal. Ai është dënuar para 8 vitesh për trafikimin e 820 kilogramëve drogë me maune. Ndërsa vëllai tjetër, i cili mbeti i vdekur, Artur Bresha, 47 vjeç, punonte si roje në një kompani inertesh në Tepelenë. Atentati, dy vëllezërve, iu bë në banesën e tyre, ku dy persona të armatosur plagosen Artanin në këmbë dhe rrëmbyen vëllain e tij Arturin.
Arturi u vra rrugës dhe më pas trupi i tij u hodh pranë kompanisë ku punonte si roje. Viktima është qëlluar me automatik model ”56” nga dy persona, gjë që konfirmohet nga gjurmët e gjendura në vendngjarje.
I plagosuri Artan Bresha ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ende nuk ka dijeni se i vëllai ka ndërruar jetë. Deri në këto momente nuk ka asnjë person të shoqëruar në lidhje me atentatin.