Kurti letër Mustafës: Konjufca nuk largohet, kthehuni në tryezë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje i dërgoi një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Letra e Albin Kurtit nis duke shprehur keqardhjen për ndërprerjen e takimeve për diskutimin e koalicionit qeverisës. “Është për të ardhur keq që keni vendosur t`i ndërprisni takimet tona për koalicionin qeverisës duke më detyruar të shkruaj letra, thua se jemi kundërshtarë politikë apo jetojmë në kontinente të ndryshme. Unë besoj që ju ose përfaqësuesit tuaj, duhet të ktheheni në tryezën e bisedimeve për t`u marrë vesh bashkë për qeverinë e re”, shkruhet që në hyrje të letrës, që Albin Kurti i drejton Isa Mustafës.

Ndërsa, më tej, kreu i Vetëvendosjes i kërkon kreut të LDK-së të heq dorë nga kërkesa për largimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që u votua unanimisht në seancën e konstituimit. “Mbi të gjitha, është për të ardhur keq që ju vazhdoni të insistoni që ne të bëjmë marrëveshje për ta larguar Kryetarin e zgjedhur të Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konufca. Për mua kjo qasje është jodemokratike”, shprehet Kurti.

Duke përmendur zhvillimet e datës 26 dhjetor, ditë kur u bë konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës, nga ku LDK votoi unanimisht zgjedhjen e Konjufcës si Kryetar, Albin Kurti i kërkon Isa Mustafës të heq dorë nga kërkesa për të ndryshuar kryeparlamentarin. “Kosva e pavarur është Republikë demokratike në Evropën e shekullit 21, dhe jo monarki absolute nga Evropa e shekujve të kaluar. Institucionet e Kosovës nuk janë mjete partiake a personale por vlera shtetarore e demokratike. Ju lutem hiqni dorë nga kjo mënyrë jodemokratike e veprimit politik. Ne të dy nuk jemi diktatorë, nuk bën të sillemi a veprojmë si të tillë”, thotë Albin Kurti.

Gjithashtu, Albin Kurti i kujton Isa Mustafës ofertat që Vetëvendosja i bëri LDK që kryetarin e Kuvendit ta merrte ajo, përpara se të shkohej në konstituimin e Kuvendit, ndërsa i përmend ofertën që i ka bërë LDK-së për qeverinë e re. “Bujarisht ju kemi ofruar më shumë se gjysmën e qeverisë (në raportin 6:5 të ministrive) juve si parti që keni dalë e dyta në zgjedhje. E kemi pranuar edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit e cila nuk është fare urgjente dhe për të cilën nuk kemi garuar. U treguam shumë të gatshëm të rrisim pjesëmarrjen e LDK-së në qeverisje, në pushtet. Mirëpo nuk mundemi tash t`i delegjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkës. Zgjedhja e z. Konjufca ishte legale dhe legjitime”, thotë ndër të tjera Albin Kurti. /Realstory.al/

Bashkimi Shqipëri-Kosovë, Zaimi: Pjesë e programit, por jo tani

Koordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Arbër Zaimi u shpreh në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se Albin Kurti i bëri thirrje për bashkëpunim LDK-së para zgjedhjeve, për të siguruara fitoren. “Prej një viti VV është duke i bërë ftesë LDK për qeverisje. Zgjedhjet priteshin. Ftesa ndaj LDK nuk do të thotë ndryshim qëndrimi, por një moderim. Asnjë politikan nuk i shtyn para idetë e veta në mënyrë të madhe. Ne kemi bërë thirrje për një bashkëpunim para elektoral me LDK. Kurti bëri dhe një letër, ku bëmë dhe një ofertë, që kandidatja e tyre të merrte numrin 1 në listë. Për të siguruar rezultatin e zgjedhjeve. Mendoj se kjo strategji i ka dhënë frytet e veta VV”, tha Zaimi.

Sipas Zaimit, suksesi i Vetëvendojses erdhi pasi Albin Kurti vendosi të hapte partinë, duke futur në listat e kandidatëve, emra që përfaqsojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë. “Ne i kishim disa plane për të mbrritur te qeverisja. Është ajo që Kurti e tha, nuk mendoj se asnjë prej synimeve madhore mund të realizohen me mjete afatshkurtra. Albini, gjatë fushatës është shprehur se do të jetë kryeministër i gjithë qytetarëve të Kosovës. Baza elektorale e VV ka ardhur duke u rritur. Mendimet e veta ai nuk do i tregtojë, por do i negociojë. Hapja e VV për të krijuar një listë heterogjene, ka prodhuar këtë rritje në numër që i dha vendin e parë. Pra hapja për përfaqësim të shtresave të ndryshme të shoqërisë ishte çelësi i suksesit”, tha Zaimi.

Sipas tij, në programin e VV, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë qëndron, por zbatimi i tij nuk i përket një plani afatshkurtër. “Bashkimi me Shqipërinë qëndron në programin e VV. Por nuk do të zbatohet direkt. Nuk besoj se kjo zgjidhet me referendum. Nëse ndodh, nuk ndodh duke cënuar paqen në rajon, duke thyer marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Është një aspirat që nuk mund të harrohet. Duhet të thellohen marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë”, tha Zaimi. /Realstory.al/

Skip to toolbar