Osmani: Dështimi i marrëveshjes do të ishte “gabim historik”

Vjosa Osmani, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cilëson gabim historik mosarritjen e një marrëveshje për krijimin e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Në një deklaratë për mediat në Kosovë, Osmani është shprehur se të hënën do të diskutohet në kryesinë e LDK për të parë qëndrimin rreth situatës së krijuar me krijimin e qeverisë.

 “Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK-së të mblidhen edhe një herë. Këto takime kanë qenë të parapara për të premten por janë shtyrë për të hënën për shkak të arsyeve teknike dhe një numër i deputetëve nuk janë në Kosovë. Të hënën do të diskutojmë këto rrethana të reja për të parë se cili është qëndrimi i kryesisë dhe deputetëve të cilët kanë marrë legjitimitetin qytetar. Pasi t’i dëgjojmë qëndrimet e tyre do të shohim se si do të procedohet më tutje”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo shton se nëse marrëveshja dështon do të ishte një gabim historik për Kosovën. “Nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri. Por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosjen. Si bartëse e listës e LDK-së dhe përfaqësuese e votuesve, e kam për detyrë që ta dërgoj vullnetin qytetar deri në fund. Do të insistoj deri në fund”, shtoi Osmani.

Gjatë ditëve të fundvitit, përfaqësuesve të dy partive në Kosovë është shprehur Osmani. Sipas saj takimet e reja do të vijojnë pas të hënës, kur të përcaktohet qëndrimin i LDK. “Nuk janë takuar, pas takimit të të hënës pasi t’i përcaktojmë qëndrimet tona atëherë do të ketë takime të reja dhe të shohim se si do të procedohet. Nuk dua të paragjykoj e rëndësishme është që marrëveshja të arrihet dhe nuk kam mirëkuptim ndaj kujtdo qoftë që krijon pengesa ndaj vullnetit qytetar. Të krijohet besimi dhe të krijojmë një atmosferë më të mirë të komunikimit dhe bashkëpunimit që t’i hapet rrugë marrëveshjes”, tha Vjosa Osmani.

Kurti takon Osmanin: Qeveria, drejt krijimit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti takoi të mërkurën përfaqësuesen e LDK-së, Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi rreth krijimit të kabinetit të ri qeveritar në Kosovë. Kurti bëri të ditur lajmin e takimit me Osmanin, duke publikuar një foto me të. Ndonëse nuk jep shumë detaje nga takimi, Albin Kurti lë të kuptohet se me Vjosa Osmanin janë vënë pikat mbi ‘i’ për krijimin e qeverisë së re.  

“Bashkë me Vjosën biseduam sot për përgatitjet për qeverisjen e re dhe sfidat që na presin. Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë. Bashkëpunimi ynë është përkushtimi ynë. Qëllimet e mira dhe punët e mbara janë përgjegjësi e jona ndaj qytetarëve të Republikës dhe institucioneve të shtetit”, shkruan Albin Kurti.

Kanë kaluar tre javë  nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ku Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës fituan shumicën e votave, por ende nuk ka asgjë zyrtare për emrat e kabinetit të ri qeveritar. Megjithatë, pas takimit të së mërkurës, duket se dy partitë kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe së shpejti do të krijojnë qeverinë e re.

Osmani: Kurti nuk mund të sillet si fitues absolut

Vjosa Osmani tha se koalicioni mes LDK dhe Vetëvendosjes do të bëhet me partneritet të barabartë, ku askush të mos sillet si fitues absolut dhe tjetri të trajtohet si aksesorë. Osmani tha se ka vullnet pozitiv nga të dyja partitë që të krijojnë së bashku një koalicion qeverisës, por duhet të arrihet edhe një pajtim i partive për çështjet e rëndësishme.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Osmani theksoi diferencat mes LDK dhe Vetëvendosjes, or shprehu besimin se mund të krijojnë një bashkëpunim të mirë për mirëqeverisjen e vendit.

“Natyrisht që do të varet shumë nga vullneti i të dyja partive, unë mund ta konfirmoj që nga ana e LDK-së ka vullnet për bashkëpunim dhe ka përpjekje të sinqerta në mirëbesim të plotë që të arrijmë një marrëveshje, por kjo nuk do të varet vetëm nga vullneti ynë por edhe nga ajo se sa arrijmë pajtim për çështje që janë të rëndësisë të madhe për qeverisjen e ardhshme, prandaj ka edhe tema të rëndësishme që këto ditë po diskutohen ndërmjet grupeve punuese të cilat sidomos nga java e ardhshme do të intensifikojnë takimet. Është krejtësisht evidente se deri sa jemi dy parti me ideologji të ndryshme dhe për derisa njëra ka më shumë përvojë me qeverisje kurse tjetra më shumë në opozitë ka dallime që unë jam optimiste që ne mund t’i kalojmë” tha Osmani

Osmani tha se është shumë e rëndësishme që për politikën e jashtme të Kosovës qeveria të flasë në një zë dhe të kërkojmë njohjen e saj dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Si qeveri e ardhshme ne duhet të kemi harmonizim të plotë lidhur me këto qëndrime që pastaj mos të kemi shembullin e qeverisë së kaluar ku kryeministri kishte qëndrime të tjera në politikën e jashtme, ministrat e tij pastaj kishin qëndrime të tjera, presidenti të tjera dhe në këtë mënyrë vendosnin Republikën e Kosovës në një situatë jo vetëm të pa lakmueshme në aspektin e imazhit por edhe i bënin dëm subjektivitetit tonë ndërkombëtarë derisa edhe krijonin paqartësi tek shtetet jo vetëm që na kanë njohur por edhe ato që akoma nuk na kanë njohur lidhur me atë se si e sheh Kosova vetveten. Pra, ne si qeveri e ardhshme duhet të flasim me një zë, sa i përket asaj se si e shohim Republikën e Kosovës, si luftojmë për subjektivitetin e saj ndërkombëtar, si i kërkojmë njohjet dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare dhe cilat janë relacionet tona me shtetet e rajonit. Për këto duhet të pajtohemi në plotëni dhe jo vetëm parcialisht, para se të arrihet një marrëveshje.” tha Osmani

Ajo gjithashtu shtoi se afati i pranverës së vitit 2020 nuk është kërkuar nga aleatët perëndimorë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por për të sjellë prapë të dyja palët në tavolinë dhe për të rifilluar negociatat.

Kosovë, Kurti-Osmani arrijnë paktin për qeverinë e re

Kosova arrit marrëveshjen për të krijuar një qeveri të re mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani zhvilluan takimin, ku u dakordësuan të krijoni një qeveri së bashku, më të tkurrur në numër ministrash, por me produktive në punë. Nuk është bërë ende një ndarje e posteve pasi marrëveshja finale pritet të kryhet pasi të mbarojë numërimi i votave në 303 qendra votimi dhe shpallja e rezultati final nga KQZ-ja.

Vjosa Osmani tha se të dy partitë treguan një vullnet të mirë për të krijuar një qeveri së bashku, por po presim numërimin e të gjithë votave për të arritur marrëveshjen finale.

“Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive që diskutohen për detajet. Po presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se ta arrijmë marrëveshjen finale. Ka vullnet të mirë në të dy partitë”, ka thënë Osmani.

Albin Kurti tha se dy partitë Vetëvendosja dhe LDK-ja do të ulen për të harmonizuar programet. Ai theksoi se qeveria e re do të jetë më e vogël dhe se 30 % e saj do të jetë nga femrat.

“Pazare politike keni parë me PAN-in. Transparencë do të ketë qeveria e re. Natyrisht që Kosova ka humbur shumë kohë, dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Dhe pa humbur kohë në filluam bisedimet duke u nisur me idenë e përbashkët për Qeveri sa më efikase dhe shtet sa më të fuqishëm. Ne duam që ti dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga zhvillimi e demokracia.

U dakordësua, që të kemi një qeveri prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor minimalisht do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe zëvendësministrave. Do të kemi shumë më pak ministri e shumë më pak zëvendësministra. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet e projektet tona. Ne kemi diskutuar se si do t’i zvogëlojmë bashkojmë përgjegjësitë në kabinetin qeveritar. Porsa ta kemi rezultatin konkret  ne do të ju njoftojmë për emrat e përveçqë në qeverinë e ardhshme” tha Kurti

LDK, me kandidaten e parë femër për kryeministre në historinë e kombit

Vjosa Osmani, është e para kandidate grua për kryeministre në kombin shqiptar që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Osmani është një nga kandidaturat për të forta të kësaj partie dhe njihet  si një përkrahëse e fortë e mbrojtjes së territorit të Kosovës. Ajo është cilësuar nga mediat kosovare si Angela Merkel e Kosovës dhe është gruaja më e votuar ndonjëherë në Kosovë.

Kandidatja e LDK, Vjosa Osmani aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë.

Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj dhe të gjitha partitë janë fokusuar në fushatën elektorale dhe kandidati për kryeministër.

Skip to toolbar