Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia po shqyrtojnë mundësin për një rikthim në marrëdhnie diplomatike normale midis tyre, duke përfshirë edhe një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Theresa May në samitin e udhëheqësve të G20 që do të zhvillohet në Japoni në fund të këtij muaji, shkruan The Guardian këtë të diel pasdite.
Nëse ky takim do të zhvillohet, do të ishte takimi i parë në këtë nivel që nga helmimi i ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, të cilët u helmuan në mars të vitit të kaluar në Britani. Ky episod bëri që Mbretëria e Bashkuar të dëbonte 23 diplomatë rusë nga vendi, ndërsa me të njëjtën gjuhë u përgjigj dhe Rusia.
Megjithatë, asnjë takim nuk do të ndodhte mes dy udhëheqësve nëse dy palët nuk do të siguroheshin më parë për një takim produktiv dhe një axhende të përbashkët të arritshme. Britania mbetet e sigurtë se shteti rus ishte përgjegjës për helmimin e Skripal, bazuar në informatat e ofruara nga Porton Down, qendra kërkimore e armëve kimike të qeverisë.
Ndonëse qeveria ruse është distancuar nga kjo ngjarje, dhe ia ka kaluar si përgjegjësi agjencive të spiunazhit, presidenti Vladimir Putin ka bërë shpesh deklarata që të bëjnë të dyshosh se ai ka dijeni për gjithçka. “Ai ishte agjenti juaj jo i yni. Kjo do të thotë që ka spiunuar kundër nesh dhe është e vështirë për mua të them se çfarë ka ndodhur me të më pas”, tha ai.