Prishën zgjedhjet në Nigeri, SHBA u heq vizat, po për Shqipërinë?

Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur sanksione duke mos u dhënë viza disa shtetasve nigerianë që kanë prishur zgjedhjet. “Këta individë kanë vepruar pa u ndëshkuar në kurris të popullit nigerian dhe kanë dëmtuar parimet demokratiket dhe të drejtat e njeriut”, është shprehur zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus të martën. Shkak i këtyre sanksioneve është bërë dhuna e ushtruar në zgjedhjet në Nigeri nga persona të ndryshëm, të cilët kanë cënuar demokracinë e procesit zgjedhor. Sanksionet për vizat kanë në shënjestër vetëm individë të caktuar, që ishin përfshirë në dhunën zgjedhore, e jo për popullatën e përgjithshme. DASH ka sqaruar se ky vendim nuk vjen si ndëshkim ndaj Nigerisë, por si një mundësi për rritjen e bashkëpunimit mes SHBA dhe shtetit afrikan, për të thelluar luftën ndaj korrupsionit dhe forcimin e demokracisë.

“Ky vendim pasqyron angazhimin e Departamentit të Shtetit për të punuar me qeverinë nigeriane për të realizuar angazhimin e saj të shprehur për t`i dhënë fund korrupsionit dhe për të forcuar demokracinë, llogaridhënien dhe respektin për të drejtat e njeriut”, ka thënë zëdhënësja e DASH. Më herët, në janar të këtij viti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar paralajmëruan se “kush cënon zgjedhjet, duke nxitur dhunën do të prekeshin nga kufizimet e udhëtimit drejt SHBA”. Dhe tashmë vendimi është marrë nga Departamenti i Shtetit. Mirëpo një rast i ngjashëm është edhe Shqipëria.

Fillimish, në nisje të fushatës elektorale për zgjedhjet  e 30 qershorit, ishte Kryeministri Edi Rama që u shpreh se “kush do të prish zgjedhjet nuk do të shkelë më në SHBA”. Konfirmi zyrtar, për këtë, erdhi tre ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, kur Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Mathew Palmer, i cili u shpreh se “kush do të ushtrojë dhunë në zgjedhje do të cilësohet si organizatë kriminale nga SHBA”, dhe për pasojë do të thotë se nuk do të marrë më vizë për në SHBA.

Në zgjedhjet e 30 qershorit u shmang dhuna nga opozita, por më herët gjatë fushatës, disa drejtues të bashkive, ish-deputetë dhe militantë u përfshinë në akte dhunë duke djegur dhe shkatërruar materialet zgjedhore. Për të gjithë këto persona rëndojnë akuza dhe janë hapur procese penale nga prokuroritë e rrethe, mes të cilëve është dhe kryebashkiakja në ikje e Shkodrës, Voltana Ademi, ish-deputetë dhe shumë simpatizantë të PD. Tashmë pritet me interes nëse SHBA do të marrë të njëjtin vendim si për Nigerinë, edhe ndaj shqiptarëve që cënuan zgjedhjet në 30 qershor!

Voltana Ademi çon 30 qershorin në Kushtetuese: Të shpallet pavlefshmëria e tyre

Shoqata e Bashkive ka dorëzuar ditën e enjte në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur procesin e 30 qershorit antikushtetuese. Kërkesa u dorëzuar nga kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi, e cila është njëherësh edhe kryetare e Bashkisë Shkodër. Ademi, tha se në këtë kërkesë parashtrohen dy çështje, konstatimi antikushtetues i procesit të 30 qershorit dhe verifikimin e kushtetutshmërisë së Bindjes Demokratike lidhur me regjistrimin e saj për 30 qershorin. Ademi tha se kjo kërkesë e Shoqatës së Bashkive të shqyrtohet sapo të krijohet Gjykata Kushtetuese dhe shpreson që Rama të mos pengojë ngritjen e saj.

“Jemi këtu duke iu referuar asaj që është e drejtë kushtetuese dhe publike në interes të qytetarëve. Dekreti duhet të merrej në konsideratë, shpresoj që në momentin e parë që të jetë në punë të nis gjykimin e një çështje me rëndësi. Ne shpresojmë që Rama të mos pengojë ngritjen e gjykatës dhe të marrë sa më shpejt çështjen në gjykim. Ne po veprojmë në mënyrë institucionale. Gjithë kryetarët e bashkive i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë, një e drejtë e jonë, për të ndërtuar demokracinë mbi bazën e shtetit. Apeloj që çështjet të hetohen dhe gjykohen në mënyrë të pavarur duke mos iu nënshtruar presionit politik.  Ajo që ne dimë është se kemi gjykata që kanë vepruar në mënyrë të ndryshme dhe kjo ngre një pikëpyetje të madhe e cila do çojë drejt një kaosi që do dojë një shpjegim se çfarë ka ndodhur.”- tha Ademi

Të mërkurën, Gjykata e Durrësit nuk pranoi t’i jap mandati kryetares së re të Bashkisë Durrës, Valbona Sako me pretendimin se partia Bindja Demokratike është regjistruar jashtë afateve gjyqësore ne zgjedhje, ndërsa Gjykata e Tiranës nuk i dha mandatin kryetarit të Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku pasi e cilësoi si moskompetencë të saj. Këto dy vendime vijnë në një kohë kur disa gjykata të tjera të vendit kanë miratuar mandatin për disa nga kryetarët e rinj të bashkive të vendit.

Voltana padit KZAZ-të: Prisni zhvillime të tjera

Voltana Ademi, kryebashkiakia në largim e Shkodrës, ka dorëzuar ditën e mërkurë në prokurori një kallëzim penal për krimet elektorale të kryera më 30 qershor. Ademi, ka depozituar kallëzim penal për katër KZAZ në këtë bashki, 2,3,4 dhe 5 për krime zgjedhore për procesin e 30 Qershorit.

Si zgjedhëse dhe kryetare e Bashkisë së Shkodrës, kam depozituar sot në Prokurorinë e Shkodrës kallëzimin penal për krimet elektorale të kryera të votimet e 30 qershorit. Ashtu siç kam paralajmëruar edhe më herët, kam paraqitur të gjitha provat që vërtetojnë shkeljet e ligjit në një proces që nuk kishte asgjë të përbashkët me zgjedhjet.” – tha Ademi

Voltana Ademi ka bërë thirrje për prokurorinë që të bëjë detyrën deri në fund dhe të mos i nënshtrohet asnjë lloj presioni, në mënyrë që shqiptarët të shohin drejtësinë të bëhet realitet.

Para mediave, i kam bërë thirrje prokurorisë të bëjë detyrën dhe të hetojë pa iu nënshtruar asnjë presioni politik dhe çfarëdo lloj tjetër dhe të zbatojë vetëm ligjin. Po ashtu, kam nënvizuar se qytetarët e Shkodrës dhe gjithë shqiptarët e meritojnë të mësojnë të vërtetën dhe të shohin drejtësinë të bëhet realitet.” – tha Ademi

Pas depozitimit në prokurori të kallëzimit, Voltana e pyetur nga gazetarët nëse do e lironte zyrën, ajo tha “ se deri më 13 Gusht zhvillime të tjera priten prandaj mendoj që t’ia lëmë secilës ditë zhvillimet” .

Pasi dogjën shkollat, ‘punëtorët’ Voltana e Mziu, asfaltojnë rrugët një muaj para largimit

Pas “kërcënimeve” se nuk do të lirojnë zyrën për bashkiakët e rinj të PS, drejtuesit në ikje të PD-LSI, që drejtojnë aktualisht disa bashki në vend, kanë ‘haruar’ kërcënimet dhe janë kujtuar të punojnë. Nga një vëzhgim në rrjetet sociale, të disa prej bashkiakëve të PD-LSI, Voltana Ademit në Shkodër, Xhelal Mziut në Kamëz, Miranda Rrirës në Prrenjas dhe Altin Toskës në Cerrik, shikon se pas protestës së 8 korrikut, kanë harruar postimet politike duke i zëvendësuar me ato të punëve publike.

Voltana, që u bë e famshme në Shkodër para zgjedhjeve për molotovin dhe heroizmin për të shkatërruar materialet zgjedhore në KZAZ-të të ndryshme të Bashkisë që drejton, ka nisur të postojë në facebook  foto të shoqëruara me tekste ku prezanton disa nga punët e saj publike, që janë duke u bërë këto ditë të korrikut.

Madje, kryebashkiakja e Shkodrës, na prezanton disa investimet që po kryhen në Velipojë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, madje bën mirë që po punon duke asfaltuar rrugët që të çojnë në plazhin e Velipojës, por nuk do të ishte më mirë që gjithë kohës që u mor me politikën e PD-së dhe dhunën ndaj KAZA-ve, ta shfrytëzonte për të asfaltuar rrugët e Velipojës, për të shmangur punimet në klumin e sezonit turistik?! Gjithsesi, e rëndësishme është  që znj.Ademi ka kuptuar se roli i saj është të kujdeset për punët publike dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të bashkisë që drejton.

Të njëjtën gjë prezanton dhe Xhelal Mziu në facebook e tij, punë në disa rrugë të lagjeve të bashkisë që drejton. Edhe dy kryebashkiakët e LSI, Altin Toska dhe Miranda Rira, gjithashtu, pas protestës së fundit të opozitës, kanë nisur të publikojnë në rrjetet e tyre sociale disa investime që po kryejnë për komunitetin.  Për më tepër, shihni fotot në Realstory.al, ku shfaqen bashkiakët e PD-LSI, që i rikthehen detyrës së tyre funksionale, një muaj para se të largohen nga zyra që kanë.

I vuri zjarrin KZAZ-së, fiton lirinë Bardh Spahia

Gjykata e Apelit i ka dhënë lirinë ish-deputetit të Partisë Demokratike, Bardh Spahia. Pasi seanca e paradites u ndërpre, për shkak të mungesës së ish-deputetit të PD-së në seancë, pasdite Gjykata e Apelit në Shkodër e ka liruar ish-deputetin demokrat, duke e cilësuar arrestimin e tij të paligjshëm. Masa që ka caktuar Gjykata është “Detyrim paraqitje”.

Gjatë seancës, fitoi lirinë Bardh Spahia, ka qenë e pranishme dhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ndërsa Spahia është mbrojtur në gjyq nga Ivi Kaso dhe Ledion Nuraj. Bardh Spahia u arrestua para mbajtjes së procesit zgjedhor t ë30 qershorit, pasi mori pjesë në protestën ku u shkatërruan materialet zgjedhore të KZAZ-së në Shkodër, dhe ju vu flaka shkollës “Shenaze Juka”.

Ndaj tij rëndonin akuzat për veprat penale “Kundërshtim i punonjësve të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Rendit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Dëmtim me dashje i materialeve zgjedhore”.

Mbrëmjen e 18 qershorit disa militantë të PD bashkë me të cilë ishte dhe ish-deputeti demokrat sulmuan KZAZ nr.3 në Shkodër duke thyer xhamat e saj dhe më pas i kanë vënë flakën me benzinë. Përplasjet vijuan për disa momente dhe u desh ndërhyrja e policisë dhe forcave zjarrfikëse për të neutralizuar situatën e tensionuar.

Bardhi zbulon skemën e PD: Ja si do qëndrojë në zyrë Voltana dhe Xhelali

Partia Demokratike, po mundohet të gjejë çdo mënyrë, për të delegjitimuar 30 qershorin. Pas kërkesës së dërguar KQZ-së nga Gazmend Bardhi, ku të martën i kërkonte materialet zgjedhore për zgjedhjet, të mërkurën PD ndërmerr një tjetër hap. Është Gazmend Bardhi ai që tregon një tjetër mënyrë, se si PD do të veprojë për të mos njohur zgjedhjet. Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD, janë dy mënyra për të bërë të paligjshme mandatet e kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

“Sipas ligjeve të vendit, që një Kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit. Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve. Gjyqtarët, ku kandidatët e votimeve të shfuqizuara me dekretin e Presidentit, do të paraqiten për të marrë mandatin e paligjshëm, kanë dy mënyra për të mbrojtur shtetin e së drejtës nga sundimi mafioz i një personi të vetëm. Gjyqtarët të mos vërtetojnë si të vlefshëm mandatet, ose të pezullojnë gjykimin derisa dekreti i presidentit të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Gazmend Bardhi.

Megjithatë, kjo duket se do të jetë karta e fundit që opozita do të përdor, përpara se kryebashkiakët e PD dhe LSI të detyrohen të lirojnë zyrën deri më 12 gusht. Në fakt, Bardhi ka lënë të kuptohet, se kjo do të jetë lëvizja e fundit dhe e vetme, duke pamundësuar njohjen e mandateve të bashkiakëve të rinj në rrugë ligjore, por, gjithsesi pengim me forcë të futjes në zyrë të kryebashkiakëve të rinj nuk do të ketë. “Kjo është pengesa e fundit institucionale mes demokracisë dhe diktaturës!

Është pengesa e fundit institucionale që Edi Rama të marrë nën kontroll të plotë, me votime të paligjshme, edhe hallkën e fundit të pushtetit në vend, pushtetin lokal. Ne nuk kemi për ta lejuar kurrë që kjo të ndodhë, por mënyra për ta ndaluar me sa më pak kosto për vendin është që gjyqtarët t’i binden ligjit dhe të bëjnë drejtësi përmes ligjit”, shprehet Bardhi, duke hequr dorë nga dhuna, dhe përdorur hapësirat ligjore për të nxjerr të pavlefshëm mandatet e bashkiakëve të rinj të zgjedhur më 30 qershor.

Bllokimi i qendrave të votimit, ndjekje penale Voltana Ademit

Janë dashur dy javë, që nga dita që në Shkodër nisën sulmet e KZAZ-ve deri  këtë të diel në pengimin e procesit zgjedhor, që Policia e Shtetit të nis hetimin ndaj kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Kjo e fundit  është zyrtarisht nën hetim, pasi akuzohet për veprën penale të “Pengimit të zgjedhësit”, pasi ka urdhëruar me shkrim punonjësit që ka nën varësi, të mbyllin disa Qendra Votimi.

“Procedohet Kryetarja Bashkisë Shkodër Voltana Ademi për veprën penale të “Pengimi i zgjedhësit”, pasi duke ushtruar funksionin dhe autoritetin e saj si kryetare e Bashkisë Shkodër, ka urdhëruar me shkrim  punonjësit e kësaj bashkie të mbyllin disa Qendra e Votimi (shkolla), të cilat administrohen në pronësi të Bashkisë Shkodër, konkretisht 53 Qendrat e Votimit. Materialet u referuan hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor , Shkoder   per vepren penale te “Pengimi i zgjedhësit” parashikuar nga neni 330/1/2 i Kodit Penal”, shkruhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi përmes një deklarate për mediat është shprehur se procedimi penal i bërë publik këtë të diel, në fakt sipas saj, është nisur ditë më parë. Ndër të tjera Ademi është shprehur se kjo e diel nuk është e lehtë për shkodranët dhe për të gjithë shqiptarët. “Sot është një ditë jo e lehtë për Shkodrën dhe Shqipërinë. Janë orë që e kthejnë pas në vitin 1990. Të gjithë e panë dje se si u dhunuan institucionet e qytetarëve të bashkisë së Shkodrës. Të gjitha janë të dokumentuara dhe do të çohen shumë shpejt dhe do të gjykohen të gjithë në Prokurorinë e Shkodrës. Çdo komunikim zyrtar ka qenë transparent. Procedimi penal ndaj meje nuk është i ditës së sotme. Gjatë gjithë këtyre ditëve kryeministri, ministri dhe prefekti e të gjithë me radhë kanë intimiduar një kryetare bashkie. Procedimi penal është vetëm një vendim politik i Edi Ramës. Ama ne nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi respektuar dekretin e Presidentit”, tha Ademi.

Voltana Ademi ka qenë kryebashkiakja më e “zjarrtë” opozitare që ka urdhëruar me shkrim bllokimin e Qendrave të Votimit, por që më herët nisën djegien e materialeve zgjedhore në KZAZ-në Nr. 2 në shkollën “Shenaze Juka” në Shkodër, dhe që kulmoi me anti-mitingun ndaj takimit elektoral që Kryeministri Edi Rama zhvilloi disa ditë më parë në Shkodër. Tashmë Voltana do të të duhet të tregojë “voltazhin” para Prokurorëve.

Voltana “Terminator” bëhet “goc e mirë”. Kundër zgjedhjeve, por me padi e ligje.

Dhuna e ushtruar pasdite e së enjtes në Shkodër mes protestuesve dhe forcave të rendit për të mos lejuar mbajtjen e një takimi elektoral të PS, Voltana Ademi, kryetarja e Bashkisë Shkodër, u tërhoq dhe bëri thirrje që protesta do të jetë paqësore. Sigurisht kjo thirrje ra në veshe të shurdhër, pasi pak pas përfundimit të takimit elektoral të PS, disa protestues gjuajtën me gurë mbi policinë. Ditën e premte ka venduar të flasë ndryshe, jo më me marshim protestë, por me akte ligjore dhe kallëzime penale në prokurori,  larg dhunës dhe gazit lotsjellës të një dite më parë që u zhvillua në pedonalen e qytetit.

Të premten, Voltana Ademi ka dorëzuar në Prokurorinë e Shkodrës një kallëzim penal ndaj drejtorit të Policisë së Shkodrës, KQZ-së dhe Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës, duke vijuar kështu betejën e saj për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor pas dekreti të presidentit Meta për shfuqizimin e tyre.

Bashkia e Shkodrës i akuzon për shpërdorimi detyre dhe mosrespektim të ligjit, duke mos zbatuar kërkesën për lirimin e KZAZ-ve, por kanë vijuar me paligjshmërinë duke dhunuar dhe duke i mbajtur ato të bllokuara, duke penguar Bashkinë Shkodër të ushtrojë lirshëm të drejtat e saj mbi pronat që ka në administrim.

Në shkresën e kallëzimit penal thuhet se Bashkia njeh dekretin e presidentit, i cili është akt normativ në fuqi dhe i zbatueshëm për të gjithë, por KZAZ-të kanë vazhduar ushtrimin e funksionit, duke konsumuar elementë të veprës penale. KQZ akuzohet se  nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë duke mos njoftuar Bashkinë Shkodër në lidhje me spostimin e tyre dhe duke mos liruar ambientet, ndërsa policia e Shkodrës i ka mbajtur të bllokuara këto mjedise duke mos lejuar bashkinë të bëj detyrën e saj. Shkolla “Shejnaze Juka” ku është vendosur KZAZ me numër 3 ka qenë një prej godinave të sulmuara ditë më parë nga militantët e PD-së, të cilës ju vu flaka edhe një klase, në përpjekje për të larguar materialet zgjedhore. Edhe pse në fakt mes tre liderëve kryesorë  Rama, Basha dhe Meta duker se gjuha është zbutur ndjeshëm, duke aluduar se mund të ketë edhe mundësi për arritjen e një marrëveshje, që të fusë opozitën në zgjedhje, Voltana duket e vendosur që të zbatojë dekretin e presidentit dhe të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Rama në Shkodër, mes Voltanës dhe policëve: Zgjedhje në 30 qershor

Është mbyllur pa incidente takimi elektoral që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me banorët e Shkodrës mbrëmjen e kësaj të enjte. Ndonëse protestues të Partisë Demokratike të udhëhequr nga Voltana Ademi zhvilluan një marshim që përfundoi në një anti-miting ku pati tension edhe përplasje për një moment me forcat e policisë, gjatë kohës që Edi Rama mbajti takimin elektoral, gjithçka është zhvilluar pa incidente. Gjatë fjalës së tij, Rama iu drejtua qytetarëve të Shkodrës me një pyetje retorike “çfarë interesi keni ju që të shkoni të hidheni në zjarr për Voltana Ademin?”, tha Rama. Më tej, ai u përmendi qytetarëve se Shkodra ka nevojë për një ndryshim rrënjësor, duke e cilësuar këtë betejë si një sfidë personale për të në katër vitet e ardhshme.

“4 vjet më parë ju thash vlonjatëve se ishte koha për të hapur një kapitull transformimi dhe kushdo e sheh Vlorën sot krahasur me 4 vjet më parë, e ka të vështirë ta njohë. Ndërsa sot ju them gjithë shkodranëve që Shkodra e 4 viteve të ardhshme është sfida ime personale për të bërë së bashku me Valdrinin më shumë në thuajse në 30 vite të marra së bashku nën drejtimin e atyre që sot kanë dalë në rrugë të madhe dhe nuk dinë më se cfarë kërkojnë tjetër përvec kërcënimeve, shantazheve, molotovëve dhe kaosit”, u shpreh Rama.

Kryeministri, duke e cilësuar Voltana Ademin kryetaren e bashkisë më të paaftë, majtas dhe djathtas, në 30 vite, shprehu keqardhjen që nuk ka mundësi që ndëshkimin ndaj saj të vite me votë në një garë alternativash. Më vjen shumë keq sinqerisht që nuk na u dha mundësia që drejtuesit, në këtë rast është drejtuese, më të paaftë që është ulur ndonjëherë në karrigen e një kryetari bashkie të majtë apo të djathtë në të gjitha vitet e shtetit shqiptar që nga koha koha kur për erë të parë është hapur dera e një bashkie, t’i jepnim mësim të merituar me votë në një garë alternativash, kandidaturash dhe ballafaqimi demokrat. Kjo nuk është në dorën tonë, këtë nuk e zgjodhëm ne. Ky nuk ishte as plani as qëllimi ynë”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri një moment pauze, nuk e ndalën protestuesit e Voltanës, por thirrja e Ezanit, që lajmëronte besimtarët myslimanë për faljen e mbrëmjes. Pasi kësaj, Rama shfrytëzoi momentin ku ironizoi përsëri Lulzim Bashës, pasi ky i fundit gjatë kohës që mbante fjalim në protestat e muajit maj, thoshte “të mbajmë një minutë heshtje për të respektuar besimtarët që agjërojnë. “Një stadium Shkodra sot e ka nga unë. Më vjen turp kur vijnë të huajt  dhe kthejnë kokën dhe shohin atë garazhin e Voltanës. Një projekt për vijën e liqenit, për ti dhënë Shirokës atë që i ka munguar, është i bllokuar projekti se Voltana nuk bashkëpunon. Për këtë do shkoni në luftë ju? çfarë fiton Shkodra nga kjo histori? Por ju çfarë fitoni (thirret ezani, Rama ndërpret fjalën). Po qeshja me Valdrinin se thoshte se Luli mbante një minutë heshtje për myslimanët që agjërjonë”, tha Rama.

Duke ripërsëritur para qytetarëve shkodranë se opozita i trembet drejtësisë për pjesëmarrjen në zgjedhje, Rama u kujtoi atyre që janë bërë pjesë e akteve të dhunës, se ndëshkimi do të vijojë edhe pas 30 qershorit. “Krijohet idea sikur këtu gjithçka është një luftë deri në 30 qershor. Unë them që drejtësia do vazhdoi të kërkojë fajtorët e gjithë kësaj situate edhe pas 30 qershorit. Ata që janë punonjës bashkish, apo të policisë bashkiake, që shkojnë i bien murit me kokë, këtu do jen pas 30 qershorit. Si ai i verbri këtu që u nis për në emision dhe përfundoi në komisariat”, tha ndër të tjera Rama.

Voltana shkul gurët e pedonales që bëri vet, protestë për inat të Ramës apo Jozefinës? (video+foto)

Militantët e Partisë Demokratike të udhëhequr nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi kanë zhvilluar një antimiting, gjatë kohës që ishte parashikuar nisja e takimit elektoral të kryeministrit Edi Rama.

Disa qindra protestues, të cilët kanë marshuar në një prej rrugëve kryesore të Shkodrës, kanë tentuar të thyejnë kordonin e policisë së shtetit, që ishte vendosur në hyrjen e një tjetër rruge, që ndodhej pak metër nga sheshi ku do të zhvillohej takimi elektoral i kryeministrit me qytetarët e Shkodrës.

Realstory.al ka udhëtuar drejt qytetit verior këtë të enjte, duke sjellë për të gjithë lexuesit pamje me video ekskluzive dhe foto nga antimitingu i zhvilluar nga PD-ja. Në fakt, Voltana Ademi, e cila ka dalë në ballë të atij që e quajti “marshim qytetar”, por që ka përfunduar në një antimiting kundër Edi Ramës, apo ndoshta dhe Jozefinës (pasi kjo e fundit reagoi pak dië më parë kundër Voltanës).

Protestuesit kanë shkulur gurët e pedonales që ka bërë Voltana, e cila, ka folur gjatë këtij marshimi duke theksuar se do të “protestojë” por nuk ka thënë se do të “ndalojë zgjedhjet”. Policia, gjatë kohës që protestuesit kanë tentuar të thyejnë kordonin e sigurisë, ka përdorur ujë dhe gas lotsjellës, për të shpërndarë demonstruesit.

Më herët, disa militantët të PD-së në Lezhë dolën për të protestuar në mënyrë paqësore në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, por kreu i qeverisë shmangu këtë aks, për të mos nxitur tensione të situatës në rrugë.

Një person ka pasur nevojë për ndihmën e parë Albert Duka kryetari i Sindikatave të Pavarura në Shkodër, për të cilin ka ardhur në ndihmë ambulanca. Por në momentin që kjo e fundit është afruar në kordonin e polcisë, protestuesit kanë shkuar pas ambulancës për ë thyer përsëri kordonin e policisë. Protestuesit kanë sulmuar me sende të forta duke hedhur gur në drejtim të ambulancës. Në këtë moment ka ndërhyrë përsëri policia, që ka hedhur ujë dhe gas lotsjellës për të shpërndarë protestusit dhe për ti hapur rrugë ambulancës.

Pas disa momenteve të tensionuara, Voltana Ademi dhe drejtues të degës lokale të Partisë Demokratike në Shkodër, u kanë bërë thirrje protuestuesve që të ruajnë gjakftohtësinë. Gjithashtu, Ademi tha se nuk do të tentojnë të thyejmë kordonin e policisë, ndërkohë që kësaj të fundit i kërkoi që të mos hedhë më gaz lotsjellës.

Skip to toolbar