Bardhi zbulon skemën e PD: Ja si do qëndrojë në zyrë Voltana dhe Xhelali

AKTUALITET


Partia Demokratike, po mundohet të gjejë çdo mënyrë, për të delegjitimuar 30 qershorin. Pas kërkesës së dërguar KQZ-së nga Gazmend Bardhi, ku të martën i kërkonte materialet zgjedhore për zgjedhjet, të mërkurën PD ndërmerr një tjetër hap. Është Gazmend Bardhi ai që tregon një tjetër mënyrë, se si PD do të veprojë për të mos njohur zgjedhjet. Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD, janë dy mënyra për të bërë të paligjshme mandatet e kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

“Sipas ligjeve të vendit, që një Kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit. Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve. Gjyqtarët, ku kandidatët e votimeve të shfuqizuara me dekretin e Presidentit, do të paraqiten për të marrë mandatin e paligjshëm, kanë dy mënyra për të mbrojtur shtetin e së drejtës nga sundimi mafioz i një personi të vetëm. Gjyqtarët të mos vërtetojnë si të vlefshëm mandatet, ose të pezullojnë gjykimin derisa dekreti i presidentit të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Gazmend Bardhi.


Megjithatë, kjo duket se do të jetë karta e fundit që opozita do të përdor, përpara se kryebashkiakët e PD dhe LSI të detyrohen të lirojnë zyrën deri më 12 gusht. Në fakt, Bardhi ka lënë të kuptohet, se kjo do të jetë lëvizja e fundit dhe e vetme, duke pamundësuar njohjen e mandateve të bashkiakëve të rinj në rrugë ligjore, por, gjithsesi pengim me forcë të futjes në zyrë të kryebashkiakëve të rinj nuk do të ketë. “Kjo është pengesa e fundit institucionale mes demokracisë dhe diktaturës!

Është pengesa e fundit institucionale që Edi Rama të marrë nën kontroll të plotë, me votime të paligjshme, edhe hallkën e fundit të pushtetit në vend, pushtetin lokal. Ne nuk kemi për ta lejuar kurrë që kjo të ndodhë, por mënyra për ta ndaluar me sa më pak kosto për vendin është që gjyqtarët t’i binden ligjit dhe të bëjnë drejtësi përmes ligjit”, shprehet Bardhi, duke hequr dorë nga dhuna, dhe përdorur hapësirat ligjore për të nxjerr të pavlefshëm mandatet e bashkiakëve të rinj të zgjedhur më 30 qershor.




Skip to toolbar