Xhamat e zinj, qeveria lëshon pe: Do i lejojmë me kushte

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka njoftuar të enjten gjatë një interpelance me qytetarët se shumë shpejt do të lejohet përdorimi i xhamave të zinj të makinave duke respektuar rregulloren e BE-së por me disa kushte për drejtuesit e automjeteve.

Së shpejti do të bëhen publike udhëzimet e ministrisë ku do të parashikohen kushtet që duhet të respektojnë drejtuesit e automjeteve për të mbajtur xhamat e zinj dhe penalitetet që do të paguajnë në rast se nuk i respektojnë rregullat.

“Kemi një precedent sepse edhe vendet e tjera e kanë shfaqur këtë problematikë, pra kanë vendosur ndalimin e xhamave të zinj për arsye të krimit të organizuar. Këtë problematikë e ka hasur Portugalia. Me ligj u vendos që shikueshmëria e xhamave duhej të ishte 100%. Grupe interesi e ankimuan vendimin dhe u hap një çështje kundër Portugalisë dhe Gjykata Europiane e cilësoi shkelje të së drejtës së qytetarëve dhe shkelje të rregullores së BE-së. Pra ne e kemi një precedent dhe e dimë si do të veprojmë. Do kemi një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe strukturat e policisë së Shtetit dhe atë rrugore për të gjetur zgjidhjen e kësaj problematike”, tha Balluku.

Ndërsa Blendi Gonxhe, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor tha se janë mbi 400 mijë drejtues automjetesh që kanë kërkuar që të kenë xhama të zinj.

Ai tha se shumica e automjeteve që prodhohen në BE dhe jashtë BE-së vijnë që në momentin që dalin nga fabrika me xhamin ballor me  tejdukshmëri drite të reduktuar, shumica në masën 70%. Pritet që edhe në Shqipëri të lejohet që xhami i parë të të jetë me këtë masë tejdukshmërie. Ndërsa për xhamat e pasëm Gonxhja tha se “në rregulloren e BE-së është thënë qartë se nuk ka asnjë kufizim”. Gjithësesi ai bëri të ditur se shumë shpejt do të dalin të detajuara rregullat që duhen ndjekur nga drejtuesit e automjeteve për përdorimin e xhamave të zinj.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2291588450938625/?__xts__[0]=68.ARAf3dcOQmt7bUG_rZvaeOasrI4aLPZhtJXRVWpdXwxxoIerrmD066gnh2TgU_CMT3rS9wmi-IOYdlnbw2V0pp0WGxJHGOdM6hIAI7iEdr02Kg6lJijYGf0w4xL8BERR8AFLodYQ1RIORDjIY2IwUNQ9WS7PhUlAj4h2UtktR7A80CP0a_GaLuA_TNBtuDiJ5Aqjs8CjS13CNw9DHBNVnobOG0qH1MgsYxGJcjfcQ0GtCnHaYMLk1YVLqPXKHPfNUCMzHQty-OqDGLuWZztw9szJ8I9-VnQ4i7sSoRyUsVKF94yA0z0cTrXQF4urchrbVTlVnnBAxgivwcuvV_440e37XBTR2A&__tn__=-R
Skip to toolbar