PD, flamurin e dhunës, PS votën/ Kuvendi nuk ndal punën, votohen ligjet e integrimit

#NËRADAR


Dhuna tentoi të zhvendoset në Parlament. Berisha me flamurin e dhunës, socialistët me votat për integrimin. Jashtë, një grup modest protestuesish paqësorë erdhën shumë vonë. Elementin e vetëm ndryshe, dhunën, ua kishte marrë Sali Berisha.

Flamurin dhe revolucionin e kishte marrë në dorë Fideli. Jo Kastro, por Kreka.

Nga ana tjetër, socialistët u detyruan të mos jenë vonë për Shqipërinë. Miratuan me 76 vota ligjet të cilave Brukseli u kishte vendosur afat deri këtë tetor, për të mbyllur kapitujt e tjerë të negociatave me BE.

“Duhet ta dinë qartë, Kuvendi i Shqipërisë nuk do të humbë qoftë edhe një seancë të vetme për vendime të tjera, me përjashtim të votimit të ligjeve që lidhen me rrugën tonë drejt BE”, tha Balla.

70 minuta zgjati Parlamenti. I kënaqur doli vetëm dirigjenti, në mbyllje u dha të vetëve edhe urdhrin e radhës:

“E shtuna, është dita e protestës më të madhe kombëtare e thirrur në mbështetje të protestës studentore dhe gjimnazeve”, tha Berisha.

Pra, të shtunën studentët në gjithë Evropën do t’i udhëheqin ekstremistët e majtë, ndërsa në Tiranë, profesor doktor Sali Berisha.

Dhuna në Tiranë mund të regjistrojë fitore të vogla. Por betejat e vërteta janë ato zgjedhore. Socialistët e ftuan Berishën në duel. Por jo tani.

“Le të marrim pjesë në zgjedhjet vendore, në Tiranë apo në të gjithë Shqipërinë, ta masin një herë se sa e kanë mbështetjen dhe pastaj mes 15 prillit dhe 15 majit të 2029 janë zgjedhjet parlamentare” tha Balla.



Skip to toolbar