Lamtumira për Xhevdet Ferrin, dedikimi i së bijës

Aktori Xhevdet Ferri u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 59-vjeçare, pas një beteje gati prej dy vitesh me një sëmundje të rëndë. Arti dhe kultura u tronditen nga një tjetër humbje, ndërkohë që dhimbja përfshiu gjithë adhuruesit e artit të aktorit të dhjetëra roleve të spikatura.

Ndërkohë që aktori përcillet sot në banesën e fundit, e bija e tij, Bora Feri, ka ndarë në rrjetin social, një foto bardhë e zi me të atin, me një dedikim shumë domethënës.

“O Captain! My Captain!”, shkruan Bora poshtë fotos ku pozojnë të dy. Thirrja është pjesë e poemës së njohur të Walt Whitman, shkruar në 1865-ën, për kapitenin që vdes kur anija e tij ka arritur në fund të një udhëtimi mes stuhisë dhe rrezikut dhe ishte dedikim për presidentin amerikan Abraham Lincoln. Bora prej pak kohësh është bërë nënë, ndërkohë që aktori gëzoi për pak kohë kënaqësinë e të qenit gjysh.

I njohur për rolet e tij protagoniste, Ferri e nisi karrierën e tij kur ishte ende student në Akademinë e Arteve, në degën e Dramës. Pas diplomimit në vitin 1982, ai mbeti si pedagog i Mjeshtërisë së Aktorit në këtë Akademi. E vazhdoi më tej karrierën akademike deri në detyrën si dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademie.

Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër dhe në kinema për herë të fundit publiku mundi ta shikonte në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit. Ka qenë i pranishëm edhe me rolet në teatër, edhe pse suksesin më të madh e arriti me filmin artistik. Ferri, përveç kontributit të çmuar si aktor, ka pasur edhe pozicione si ish-kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (1997-1998 dhe 2005-2009) apo ish-anëtar i Këshillit Miratues të Projekteve, ku mundi të tregojë edhe një herë përkushtimin e tij, për ta çuar filmin shqiptar në një tjetër nivel.

Në vitet 1999- 2001, Ferri ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar. Në vitin 2004 ishte një nga bashkëthemeluesit e Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë, duke qenë edhe kryetari i parë i kësaj shoqate. Krahas kontributit të tij të madh në fushën e artit e kulturës, Ferri ka qenë edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor në vitet e trazuara 1996-1997. Homazhet për ndarjen nga jeta të aktorit do të mbahen nesër në orën 13:00, ceremonia e përcjelljes do të jetë familjare.

“Lamtumirë Xhodë”! Arti e politika në lot për Xhevdet Ferrin

Ndarja nga jeta në mënyrë të parakohshme të aktorit të dashur shqiptar Xhevdet Ferri ka lënë në zi jo vetëm miqtë dhe familjarë të tij, por dhe artistët dhe politikën shqiptare, të cilët vlerësuan kontributin e tij të spikatur në kinematografi.

Me një postim të rrjetet sociale kryeministri Rama tha se lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta e Xhodës e ka lënë pa fjalë. “Lamtumirë Xhodë! S’kam fjalë” shkruan Rama në postimin që e shoqëron me një foto të Ferrit në një nga filmat e njohur ku ka luajtur, “Përrallë nga e kaluara”.

Edhe presidenti Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 59-vjeçare të Xhevdet Ferrit duke thënë se ai do të mbetet i paharruar për të gjithë.

Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur dhe një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë më të dashur për ne, Xhevdet Ferri. Si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e tij të shumtë, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë. Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve. Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar!” shkruan Meta.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe u shpreh se veprat e Xhevdet Ferrit do e mbajnë atë gjithmonë gjallë mes nesh duke listuar rolet e shumta të luajtura prej tij.  “Mos qani për të, duartrokiteni fort për veprat e tij!”

Kryetari i PD, Lulzim Basha shpreh mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Xhevdet Ferrit duke vlerësuar kontributin e tij në artin shqiptar dhe Partinë Demokratike ku ka qenë si deputet gjatë një legjislature.

“Mësova me dhimbje të thellë ndarjen e parakohshme nga jeta të Xhevdet Ferrit, njërit nga ikonat e kinematografisë shqiptare të viteve ’80 dhe një luftëtari të palodhur për mbijetesën e filmit shqiptar, gjatë viteve të tranzicionit. 40 vjet në skenë e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar, në një kontributor të palodhur të artit të mirë që bënte bashkë Durrësin e Tiranën, provincën e metropolin, në një kontributor të atij arti që aq shumë u duhet shqiptarëve në rrugën e vështirë drejt lartësimit të dinjitetit njerëzor. “

Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri.  Humbja e tij, për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme” shkruhet në reagimin e Bashës.

Kolegët dhe miqtë e tij artistë kanë shprehur gjithashtu ngushëllimet duket filluar nga Rajmonda Bulku, Viktor Zhusti, regjisori Saimir Kumbaro, Zamira Kita, Ndriçim Xhepa etj.   

Xhevdet Ferri u nda nga jeta më 16 janar në moshën 59-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të pashërueshme.

Arti në zi, shuhet aktori Xhevdet Ferri

Aktori Xhevdet Ferri është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, pas një beteje me një sëmundje të pashërueshme. Ai lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960 dhe ishte martuar me aktoren Rozeta Ferri, me të cilën ka luajtur në shumë filma si “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Gjoleka djali i Abazit” etj.

Në 1982 diplomohet në Akademinë e Arteve dega e dramës dhe më pas mbetet pedagog i mjeshtërisë se aktorit në këtë Akademi. Vazhdon karrierën akademike deri në detyrën si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademive. Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër, ku suksesin me të madh e njohu si aktor ne filmin artistik.

Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar. Në vitin 2004 është bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë duke qenë edhe Kryetari i pare i kësaj Shoqate.

Disa nga rolet e Xhevdet Ferrit:

Në kërkim të kujt – (2009) ….Prokurori

Gjallë – Alive! (2009) …Zefi

Time of the Comet (2007) …. babai Anjezes

Gjoleka, djali i Abazit (2006) …shoferi kamionit

Saimir – (2004) …Edmond

Dasma e Sakos – (1998) …Sako

Loin des barbares – (1994) …refugjat

Vitet e pritjes – (1990) …Gjoni

Treni niset në shtatë pa pesë – (1988) …Martini

Përrallë nga e kaluara – (1987)…Trimi

Dhe vjen një ditë – (1986) …..Gori

Hije që mbeten pas – (1985) …Agron Shkaba

Vendimi – (1984) ….Sadriu

Fushë e blertë fushë e kuqe – (1984) …Petriti

Besa e kuqe – (1982) …Pali

Era e ngrohtë e thellësive – (1982)

Gjurmë në kaltërsi – (1981 )…Astriti

Sketerre 43 – (1980) …Arjani

Vëllezër dhe shokë – (1980 )…Marko

Skip to toolbar