Një vit pasi kaloi shkallën e parë të Vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Xhezair Zaganjori do të mësojë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 26 korrik. Kjo datë është vendosur si dita kur do të jepet vendimi i KPA-së për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili u rikthye në rivlerësimin e Vettingut pas animimit që bëri Komisioneri Publik me rekomandim të ONM.
Sipas Komisionerit Publik, gjyqtari Zaganjori nuk justifikon pasurinë e tij, që shkon rreth 1 miliard lekë. Të mërkurën është mbajtur seanca e radhës dëgjimore për Zaganjorin në KPA, ku pala paditëse, Komisioneri Publik, ka shprehur dhe njëherë kërkesën për shkarkimin e tij. Pas mbledhjes, gjytari Zaganjori është shprehur për mediat se ndihet i qetë, pasi sipas tij, pasuria e tij është e justifikuar, dhe për këtë ai ka dorëzuar mbi 120 dokumente shkresore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
“Gjatë gjithë këtij procesi jam përpjekur për të bërë më të mirën që të paraqes jo vetëm dokumentet, por t’u përgjigjem mbi 100 pyetjeve duke sjellë mbi 120 dokumente, ndihem shumë i qetë dhe duhet të presim që Kolegji ti marrë në shqyrtim pretendimet e mia dhe të komisionerit, një pjesë e të cilave janë pranuar nga komisioneri, por faktet dhe deklarimin tim për pasurinë do të presim datën 26 për të marrë përgjigjen”.
“Unë mendoj që ato prova janë. Gjatë hetimit dhe gjykimit dokumentet që janë kërkuar nga Komisioneri dhe OMN apo KPK-ja unë jam përgjigjur, por disa prej tyre u citën si të përsëritura. Unë mendoj se duhet të merren parasysh, janë zyrtare dhe duhet të merren në konsideratë. Ai thotë mos merren, por vendos Kolegji”.
“Detyra e komisionerit është që të mbrojnë interesin e publikut dhe të ngrejë problemet, por mendoj se edhe ngritja e problemeve e ka një kufi, pasi ajo që është dokument zyrtar është prova. Synohet që të bëhet një reformë tërësore dhe ne kemi detyrë që ta respektojmë. Unë deri ditën e fundit dhe deri tani, me kompetencat që më njeh ligji se kam ndier veten në presion edhe dje kam firmosur plot shkresa për dorëheqje të gjyqtarëve të apelit”, është shprehur Zaganjori.