Nuk justifikon pasurinë, Zaganjori rikthehet përsëri në sitën e Vettingut

AKTUALITET


Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, aktualisht Kryetar i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori ka dalë këtë të martë para Kolegjit të Posaçëm të Ankimimit, me kërkesën e Komisionerit Publik. Ky organ, Komisioneri Publik, me rekomandim të ONM, të cilët nuk ishin dakord me vendimin e KPK, ka ankimuar vendimin e dhënë nga Kolegji i Pavarur i Kualifikimit, i cili në korrik të vitit 2018 e la në detyrë Xhezair Zaganjorin, duke e kaluar Vettingun me sukses.

Por, Komisioneri Publik pretendon se ka parregullsi në deklarimet e pasurisë së Zaganjorit, ndaj, kërkon rivlerësim të tij. Gjatë seancës të së martës para KPA-së, Komisioneri Publik ka dhënë shpjegime dhe argumente të reja, duke u shprehur se gjyqtari Zaganjori s`ka burime për të justifikuar pasurinë dhe në deklaratat vjetore, ka vlera më të ulëta sesa realja.


“KPK ka bërë interpretim të gabuar të ligjit me rastin e Zaganjorit. Subjekti i rivleresimit ka katër pasuri në zotërim. I ka në bashkëpronësi me bashkëshorten. Zaganjori ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe nuk ka burime të mjaftueshme financiare për ta justifikuar atë. Në deklaratat vjetore ka deklaruar vlera më të ulëta sesa realja. Ndërsa në deklaratën e vettingut vlera e pasurive është më e lartë. Pra ka pasaktësi. Pasaktësitë në vlera reflektohen edhe në kontratat e shitjes, në të cilat vlera për apartament është 500 mijë lekë”.

“Për dyqanin është përcaktuar 125 mijë lekë dhe vlera për bodrumin, 125 mijë lekë dhe për zyrën 125 mijë lekë. Nga aktet në dosje, nuk provohet burimi i ligjshëm për vënien e këtyre pasurive. Sa i takon transfertave monetare nëpërmjet bankës, nuk provohen një pjesë e tyre. Nuk ka paraqitur dokumentacion provues për barrën e provës dhe justifikimet e tij ngelin në nivel deklarativ. Në lidhje me burimin e ligjshëm të krijimit të të ardhurave për krijimin e pasurive të sipërcituara janë të ardhurat nga shitja e një apartamenti tjetër, të ardhura personale dhe të ardhura nga qiraja”, ka deklaruar Komisioneri Publik.

Vetë Zaganjori në dalje deklaroi se në shtëpinë e tij jeton që prej vitit 1997. Por tha se kishte gjetur kontratën e sipërmarrjes 30 vjet më parë dhe se prona i përkiste fisit të gruas prej 200 vjetësh.

Tani pritet vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili ka në dorë të vendosë nëse gjyqtari Zaganjori do të konfirmohet në detyrë, apo ky organ, pra KPA, do të rrëzojë vendimin e një viti më parë nga KPK, duke shkarkuar nga detyra dhe larguar nga sistemi i drejtësisë Xhezair Zaganjorin.




Skip to toolbar