Zaloshnja: Shkollat duhen hapur. Normaliteti sjell normalizim!

Nga Eduard Zaloshnja

Studimet epidemiologjike botërore të plagosjeve (fatale e jofatale) nga tërmetet tregojnë se 99.9% e plagosjeve fatale ndodhin prej godistjes kryesore të tërmetit, ose në ndërtesa të dëmtuara strukturalisht nga goditja kryesore. Në tri dekadat e fundit, kanë vdekur mesatarisht në vit 20 mijë njerëz nga tërmetet, por vetëm 20 (0,1%) nga pasgoditjet në ndërtesa të padëmtuara strukturalisht prej goditjes kryesore.

Këto të dhëna të literaturës shkencore botërore duhet ta inkurajojnë Ministrinë e Arsimit që të rihapë shkollat në të gjithë vendin – jo vetëm në 9 qarqet e paprekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kuptohet që në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë, të cilat janë goditur rëndë materialisht e psikologjikisht nga ai tërmet tragjik, nuk mund të bëhet fjalë për një proces të rregullt mësimor. Fëmijët, madje edhe mësuesit e tyre, janë shumë të tronditur për të vazhduar procesin mësimor sikur asgjë s’ka ndodhur.

Sidoqoftë, vetë vajtja e fëmijëve në shkolla, ku mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme në ditët e para, i rikthen fëmijët në rutinën e shkollës, ndërkohë që i lejon edhe prindërit të shkojnë në punë (në vend që të rrijnë me fëmijët në shtëpi). Dhe kthimi i normalitetit të vajtjes në shkollë mund të sjellë edhe normalizimin e familjeve të traumatizuara të tri qarqeve të godituara rëndë nga tërmeti. Programi mësimor në këto tre qarqe mund të rikuperohet më vonë – normalizimi psikologjik i fëmijëve dhe i prindërve të tyre ka shumë, shumë më tepër rëndësi në këtë javë pas tërmetit.

Po me shkollat e dëmtuara strukturalisht ç’mund të bëhet?

Ndërkohë që ministritë e tjera janë të tejngarkuara me përballimin e situatës emergjente që krijoi tërmeti i 26 nëntorit, Ministria e Arsimit mund ta japë kontributin e vet më të çmuar, duke i shpërndarë fëmijët dhe mësuesit e shkollave të dëmtuara në shkollat fqinje të padëmtuara.

Siç u theksua më sipër, këtë javë mësimi nuk është parësor – parësore është vajtja e fëmijëve në shkolla!

Zaloshnja: 99% e banorëve të qarqeve Durrës e Tiranë, 99.9% të sigurt

Nga Eduard Zaloshnja

Nga të dhënat e deritashme, rezulton se rreth 99% e banorëve të qarqeve Durrës e Tiranë (dy qarqeve të goditura më rëndë nga tërmeti monstër i 26 nëntorit) jetojnë në banesa të padëmtuara nga tërmeti. Fatkeqsisht, shumica e këtyre banorëve, dalin jashtë shtëpive të tyre sapo ndiejnë lëkundjen më të vogël të pas-tërmetit monstër. Madje, disa hipin familjet e tyre në automjete dhe i vozisin nëpër autostrada…

Përveç atij 1-përqindëshit të popullsisë së rrezikuar realisht (që banesat u janë dëmtuar seriozisht), 99-përqindëshi alarmohet kot. Si një studiues që, për 18 vjet, kam analizuar plagosje nga shkaqe më të ndryshmet (me pasoja fatale apo jo fatale) në Pacific Institute for Research and Evaluation (me qendër në Uashington), mund të deklaroj me plot gojë se 99% e njerëzve të qarqeve Durrës e Tiranë (të cilëve nuk u janë dëmtuar ndërtesat) duhet të jenë 99.9% të sigurt se nuk do të vdesin nga një goditje tërmeti në ditët në vazhdim. Kjo bazohet në të dhënat botërore të 100 vjetëve të fundit për tërmetet dhe pasojat e tyre,

Në fakt, të dhënat botërore tregojnë se probabiliteti që dikush të vdesë në një aksident automobilistik (fjala vjen, duke shkuar në një studio televizive, ku shkon për të mbjellë panik) është shumë, shumë, shumë më i madh se probabiliteti i vdekjes nga tërmeti. Mesatarisht 1 milion e 300 mijë njerëz kanë vdekur çdo vit në botë nga aksidentet automobilistike në dekadën e fundit. Ndërkohë, vetëm 20 mijë njerëz kanë vdekur mesatarisht nga tërmetet çdo vit në tre dekadat e fundit. Me fjalë të tjera, probabiliteti që dikush të vdesë nga një aksident rrugor është 65 herë më i madh se probabiliteti i vdekjes nga një tërmet.

Zaloshnja: Një sistem i ri zgjedhor me 100 deputetë

Nga Eduard Zaloshnja

David Kostelancik, drejtori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën Qendrore dhe Jugore, deklaroi në Tiranë se reforma zgjedhore duhet të përfundojë deri në fund të dhjetorit. Deri më sot ka patur shumë zëra që kanë kërkuar që reforma zgjedhore, të përfshijë jo vetëm procedurat zgjedhore, por edhe vetë sistemin zgjedhor.

Kritika kryesore që i bëhet sistemit aktual zgjedhor është ajo që lidhet me të drejtën që kanë de facto kryetarët e partive për të renditur kandidatët e tyre në listat e qarqeve. Kjo e drejtë i ka kthyer ata, thonë kritikët, në pashallarë të partive, që në orën 12 të natës çojnë në KQZ listat e kandidatëve, si t’u teket atyre.

Një kritikë tjetër që i bëhet sistemit aktual zgjedhor është pabarazia që krijon mes partive të vogla që futen në koalicion me të mëdhatë dhe atyre që garojnë më vete. Të parave u duhen gjysma e votave për të nxjerrë një deputet, krahasuar me të dytat.

Që të adresohen këto dy probleme, mund të përdoret një sistem zgjerdhor rajonal me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore, i ngjashëm me atë të Greqisë.

Kështu, Shqipëria mund të ndahet në 20 zona zgjedhore me nga 5 deputetë (gjithsej 100 deputetë në Kuvend), ku numri i zgjedhësve të jetë pothuaj i barabartë për çdo zonë. Në çdo zonë votimi kryhet me dy fleta; në të parën votuesi zgjedh partinë që preferon dhe në të dytën kandidatin e saj që pëlqen më shumë ta përfaqësojë partinë në Kuvend (nga 5 gjithsej). Në këtë mënyrë partinë në zonë do ta përfaqësojnë kandidatët që pëlqen më shumë zona dhe jo ata që pëlqen kryetari.

Lind pyetja, po 5 kandidatët e partisë për çdo zonë si mund të përzgjidhen? Me garë primare brenda partisë.

Pyetja tjetër, përse të mos ruhen zonat zgjedhore me bazë qarkun, siç janë sot? Në qarqe të mëdha si Tirana, Fieri, Elbasani e Durrësi, lista e kandidatëve do të ishte shumë e gjatë, gjë që mund të sjellë konfuzion tek votuesit. Me 5 kandidatë për çdo zonë, votimi bëhet më i thjeshtë.

Pyetja tjetër, përse të mos ketë 100 zona me nga një kandidat për çdo parti (sistem mazhoritar)? Përvoja e zgjedhjeve të viteve 2001 dhe 2005 tregoi se përplasjet mes kandidatëve “të fortë” ishte shumë e fortë në disa zona. Gjë që e tensiononte aq shumë situatë zgjedhore, sa që kërciste edhe pushka në disa raste, duke vënë në rrezik gjithë zgjedhjet).

Dhe pyetja më e rëndësishme, a u intereson partive aktuale ky sistem zgjedhor? Ndoshta jo, por Shqipërisë i intereson…

Sondazhi: Rama më shumë se PS, Basha më pak se PD (dhe sa gjysma e Ramës)

Nga Eduard Zaloshnja

Nga ekstrapolimi i përafërt që i bëra një sondazhit tim të ditëve të fundit, më rezultoi se rreth 855 mijë banorë të rritur të Shqipërisë kanë opinion pozitiv për kryeministrin Rama. Nga ana tjetër, rezulton se vetëm 410 mijë banorë të rritur të Shqipërisë kanë opinion pozitiv për kryeopozitarin Basha.

Duke i krahasuar këto shifra me të një sondazhi që zhvillova javën e parë të gushtit mbi partitë, rezulton se Rama ka 150 mijë simpatizantë më shumë se sa ka vota PS-ja, ndërsa Basha ka 120 mijë simpatizantë më pak se sa ka vota PD-ja (Shihni grafikun 1).

Grafiku 1.

Krahasuar me Berishën, kuota e Bashës është aktualisht 250 mijë më poshtë se sa e paraardhësit të tij. Por e kundërta ishte situata kur Basha zëvendësoi Berishën në krye të PD-së, në vitin 2013. Nga ektrapolimi i përafërt i një sondazhi që zhvillova atëherë, rezultonte se Basha kishte rreth 810 mijë simpatizantë, ndërsa Berisha 660 mijë.

Kuotat e Bashës pësuan një thepisje të fortë fill pas zgjedhjeve të 2017-ës, ku koalicioni i djathtë pësoi tkurrjen më dramatike në historinë e pluralizmit (nga 680 mijë vota më 2013 në 460 mijë vota më 2017). Kuota personale e Bashës u zhyt në nivelin 360 mijë, ndërsa e Berishës mbeti stabël 650 mijë (shihni grafikun 2)

Para zgjedhjeve të 2017-ës, Basha premtoi solemnisht se nuk do të futej në zgjedhje, nëse nuk jepte dorëheqjen Rama. Premtimin nuk e mbajti. Para zgjedhjeve të 2019-ës, Basha u betua solemnisht se nuk do të lejonte zhvillimin e votimit, me Edi Ramën kryeministër.  Votimi u zhvillua pas ultimatumit nga Uashingtoni.

Siç duket, këto premtime e betime bosh, kanë ndikuar në përgjysmimin e kuotave të tij personale në opinionin publik…

Grafiku 2.

Eduard Zaloshnja: Dilema afatgjatë e PD

Nga një projeksion që i bëra votave, bazuar në një sondazh që zhvillova ditët e para të korrikut, rezultonte që, nëse zhvillohen zgjedhje parlamentare sot, PS-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PSD+PDS+etj.) marrin gjithsej rreth 760 mijë vota, ose 22% të votave të 3.55 milionë zgjedhësve në lista. Ndërkohë, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) marrin gjithsej rreth 635 mijë vota, ose 18% të votave të zgjedhësve në lista dhe LSI-ja merr rreth 85 mijë vota, ose 2% të votave të zgjedhësve në lista.

Dhe problemi elektoral afatgjatë i PD-së është se PS-ja dhe satelitët e saj, gjatë dekadës së fundit, janë luhatur në intervalin e ngushtë 22%-24% (shihni grafikun shoqërues. Pra, si kur kanë qenë në opozitë edhe në pushtet, pesha e tyre elektorale ka qenë pothuajse konstante. Ndërsa PD-ja dhe satelitët e saj kanë patur një kurbë rënëse. Në vitin 2009, pesha e tyre elektorale ishte 25% (jo të gjitha ishin në koalicion me PD-në atëherë, si p.sh. LZHK, PDK e PBDNJ, por janë tani). Parvjet zbriti në 16% e tani ka arritur 18%.

Po a do t’i shërbente PD-së një koalicion paraelektoral me LSI-në për kaluar murin elektoral të PS-së dhe sateliteve të saj?

Siç duket qartë në grafik, votat e LSI-së kanë patur një mardhënie të tipit enë komunikuese me ato të PD-së. Kur LSI-ja ngrihet, PD-ja ulet dhe anasjelltas. Shumë pak vota duket të kenë kaluar nga PD-ja tek PS-ja dhe anasjelltas, sepse pesha elektorale e PS-së dhe satelitëve të saj ka mbetur pothuajse konstante në dekadën e fundit.

Me pak fjalë PD-ja duhet ta ndajë mendjen nëse do të rithithë votat, si dikur në vitin 2009, dhe të bëjë koalicion paselektoral me LSI-në (në qoftë se i nevojitet), ose të bëjë koalicion paraelektoral me të, me vetëdijen se një pjesë të votave do t’i ndajë me të sipas parimit të enëve komunikuese…

Zaloshnja: Teoria qesharake “8 me 2” dhe rezultati “180 me 62”

Eduard Zaloshnja

Në mediat tona po qarkullon një teori qesharake, sipas së cilës opozita fitoi 8 me 2 ndaj qeverisë në 30 qershor. Kjo sepse 8 ndër 10 shqiptarë në listat e zgjedhësve nuk votuan, dhe vetëm 2 ndër 10 votuan (rezultati zyrtar i pjesëmarrjes ishte 21.6%, por kjo është tjetër histori).

Sipas kësaj teorie, emigrantët që nuk erdhën të votojnë iu përgjigjën thirrjes së opozitës për bojkot. Në fakt, nga 1.44 milionë shtetasit në moshë për votim që jetojnë jashtë vendit, vetëm pak mijëra vijnë zakonisht për të votuar –  me autobuzë të paguar nga partitë politike…

Sipas kësaj teorie disa qindra mijëra banorë të rritur të Shqipërisë, të cilët zakonisht nuk votojnë në zgjedhje lokale, kësaj rradhe nuk votuan, sepse iu përgjigjën thirrjes së opozitës për bojkot (e jo sepse e kanë zakon të mos votojnë, pavarsisht se kush garon).

Sipas kësaj teorie, votuesit e djathtë që braktisën PD-në në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk votuan në 30 qershor, sepse iu përgjigjën thirrjes së opozitës për bojkot (e jo sepse kanë humbur dëshirën për të votuar për cilindoqoftë).

Sipas kësaj teorie, votuesit e majtë që nuk e morën mundimin të votojnë në 30 qershor (thjesht ngaqë fituesit diheshin paraprakisht), iu përgjigjën thirrjes së opozitës për bojkot (e jo dëshirës për të shkuar në plazh, për sa kohë e majta e kishte në xhep fitoren edhe pa votën e tyre) 

Duke i mbledhur të gjithë këta mosvotues të mësipërm dhe duke shtuar ata që vërtetë iu përgjigjën thirrjes së  opozitës për bojkot, teoricienët mediatikë mbërrijnë tek rezultati 8 me 2.

Po të ndjekim teorinë e tyre, rezultati i zgjedhjeve të fundit presidenciale amerikane ishte 180 me 62 (rezultat basketbollistik ky), ngaqë për Presidentin Trump votuan vetëm 62 milionë amerikanë nga 242 milionë me të drejtë vote.  Dhe SHBA ka një përqindje të vogël të shtetasve të vet jashtë vendit (por që mund ta dërgojnë votën e tyre me postë). Me pak fjalë, 180 milionë amerikanë të rritur vendosën të mos votojnë për Presidentitn Trump. Sipas teoricienëve tanë ai nuk duhej të qeveriste sot…

Ose po të vijmë në shtëpinë tone. Sipas teoricienëve të mësipërm, Berisha nuk duhej të formonte qeverinë në vitin 2005, sepse koalicioni i udhëhequr prej tij (Aleanca për Liri, Drejtësi e Mirëqënie) mori vetëm 562 mijë vota nga 2.85 milionë zgjedhës që ishin në listat e zgjedhësve (që përbëjnë vetëm 19.7% të totalit). Pra i bie që Berisha t’i ketë humbur zgjedhjet atëherë me rezultatn 8 me 2 (vetëm 2 ndër 10 zgjedhës në lista votuan për të), pavarsisht se koalicioni i tij fitoi të drejtën për të qeverisur vendin…

Në qoftë se zhvillohen sot zgjedhje parlamentare, sipas teoricienëve të mësipërm, fitues legjitim mund të quhet vetëm ai koalicion që merr mbi gjysmën e votave të 3.54 milionë shtetasve në listat zgjedhore (d.m.th mbi 1.77 milionë vota). Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare morën pjesë gjithsej 1.6 milionë zgjedhës…

Skip to toolbar