Zaloshnja: Shkollat duhen hapur. Normaliteti sjell normalizim!

AKTUALITET


Nga Eduard Zaloshnja

Studimet epidemiologjike botërore të plagosjeve (fatale e jofatale) nga tërmetet tregojnë se 99.9% e plagosjeve fatale ndodhin prej godistjes kryesore të tërmetit, ose në ndërtesa të dëmtuara strukturalisht nga goditja kryesore. Në tri dekadat e fundit, kanë vdekur mesatarisht në vit 20 mijë njerëz nga tërmetet, por vetëm 20 (0,1%) nga pasgoditjet në ndërtesa të padëmtuara strukturalisht prej goditjes kryesore.


Këto të dhëna të literaturës shkencore botërore duhet ta inkurajojnë Ministrinë e Arsimit që të rihapë shkollat në të gjithë vendin – jo vetëm në 9 qarqet e paprekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kuptohet që në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë, të cilat janë goditur rëndë materialisht e psikologjikisht nga ai tërmet tragjik, nuk mund të bëhet fjalë për një proces të rregullt mësimor. Fëmijët, madje edhe mësuesit e tyre, janë shumë të tronditur për të vazhduar procesin mësimor sikur asgjë s’ka ndodhur.

Sidoqoftë, vetë vajtja e fëmijëve në shkolla, ku mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme në ditët e para, i rikthen fëmijët në rutinën e shkollës, ndërkohë që i lejon edhe prindërit të shkojnë në punë (në vend që të rrijnë me fëmijët në shtëpi). Dhe kthimi i normalitetit të vajtjes në shkollë mund të sjellë edhe normalizimin e familjeve të traumatizuara të tri qarqeve të godituara rëndë nga tërmeti. Programi mësimor në këto tre qarqe mund të rikuperohet më vonë – normalizimi psikologjik i fëmijëve dhe i prindërve të tyre ka shumë, shumë më tepër rëndësi në këtë javë pas tërmetit.

Po me shkollat e dëmtuara strukturalisht ç’mund të bëhet?

Ndërkohë që ministritë e tjera janë të tejngarkuara me përballimin e situatës emergjente që krijoi tërmeti i 26 nëntorit, Ministria e Arsimit mund ta japë kontributin e vet më të çmuar, duke i shpërndarë fëmijët dhe mësuesit e shkollave të dëmtuara në shkollat fqinje të padëmtuara.

Siç u theksua më sipër, këtë javë mësimi nuk është parësor – parësore është vajtja e fëmijëve në shkolla!




Skip to toolbar