Lulzim Basha është shprehur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit (nëse ato do të mbahen). Kreu i PD-së kërkon largim të Qeverisë, dhe krijimin e një kabineti tranzitor për të garantuar zgjedhje “të lira dhe të ndershme”, shprehet Basha. Por, ky komunikim publik i Lulzim Bashës, duket se nuk është në të njëjtën linjë me komunikimin brenda partisë.
Të paktën kështu ka lënë të kuptohet ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri, që ka folur në një studio televizive dhe është shprehur se “Ka një dekret të Presidentit, që zgjedhjet të mbahen më 13 tetor. Nuk mund ta hedhësh poshtë dhe as të bësh asnjë hap kundër këtij dekreti. Vetëm Gjykata Kushtetuese do ta gjykojë, çdo hap i gabuar do të gjykohet nga kjo gjykatë. Sot jemi pa drejtësi dhe pa gjykata. Ramin e tradhtoi padituria”, është shprehur Pampuri.
Tani, se kush tradhton kë, kjo kuptohet qartë. Pasi në fakt, është ish-deputetja demokrate që nxjerr zbuluar liderin e saj, që është zotuar se nuk merr pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit (gjithmonë nëse ato do të mbahen). Por, ky ligjërim i Pampurit s`mund të jetë kurrsesi jashtë linjës së mendimit politikë të partisë që ajo përfaqëson.
Dhe kjo kuptohet nga fakti që Pampuri në deklaratën e saj në vijim, ka përsëritur në një moment atë që tha Lulzim Basha në protestën e të hënës “se me Ramën nuk bëhet marrëveshje, pasi ai nuk i qëndroi asaj të 2017”. Ndërkohë, ish-deputetja ka shprehur dhe qëndrime të tjera zyrtare, që legjitimoin në fakt pranimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga opozita, siç ishte rasti i disa ditëve më parë, kur vetë Oriola Pampuri deklaroi në një konferencë për shtyp se PD do të padiste Taulant Ballën dhe Denar Bibën për shpërdorim detyre, për rezultatin e zgjedhjeve për Elbasanin. Thënë kjo, PD pranon ‘de facto” 30 qershorin, dhe nëpërmjet ish-deputetes jep sinjale për një marrëveshje me Qeverinë, për të shkuar përsëri në zgjedhje më 13 tetor.