Euroskeptikët rriten, por më shumë liberalët

Dy familjet më të mëdha të partive të Bashkimit Europian, Partia Popullore Evropiane (PPE) e qendrës së djathtë dhe partia e qendrës së majtë e udhëhequr nga Social Demokratët (S&D), kanë dalë humbëse në zgjedhjet Parlamentare të Bashkimit Evropian të mbajtura katër ditët e fundit. Të dyja grupimet kryesore kanë humbur për herë të parë në 40 vjet shumicën e debutetëve, çka vështirëson shumë krijimin e një koalicioni me shumicë në Parlamentin e ri Evropian.

Rreth 427 milionë votues nga 28 shtete anëtare të BE ushtruan të drejtën e votës në zgjedhjet për Parlamentin e BE, të mbajtura mes 23 dhe 26 majit. Nevojitet një numër prej 376 deputetësh për të krijuar shumicën në Parlamentin Evropian që ka në total 751 vende, duke përfshirë edhe vendet e Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka zgjedhur deputetët e saj edhe një herë pasi BE pranoi zgjatjen e Brexi-t, me afat të fundit datën 31 tetor 2019.

Partia Popullore Evropiane pritet të ketë në Parlamentin e ri Evropian 179 vende, nga 221 që kishte në Parlamentin e periudhës 2014-2019. Partia e qendrës së majtë të socialistëve evropianë pritet të ketë rreth 150 vende, nga 191 që kishte më parë. Aleanca Qendrore e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, ka dalë grupi i tretë më i madh, me 107 deputetë, nga 67 vende në Parlamentin 2014-2019.

Aleanca e Lirë ka bërë gjithashtu progres, duke marrë 70 vende, nga 50 që kishin në parlamentin e mëparshëm. 58 vende do të kenë konservatorët dhe reformatorët evropianë. Një grupim i ri i sapoformuar i Evropës së Kombeve dhe Lirive ka marrë gjithashtu 58 vende në Parlamentin e ri Evropian. 56 vende do të ketë grupimi Evropian i Lirive dhe Demokracisë së Drejtëpërdrejtë, nga 48 vende që kishte më parë.

Tashmë fati i tyre varet edhe nga pozicionimi që do të ketë partia Fidesz e hungarezit Viktor Orban. Fidesz është zyrtarisht pjesë e grupit të PPE, po prej disa kohësh anëtarësia e saj është e ngrirë, për shkak të vendimmarrjeve të qeverisë Orban, të quajtura ksenofobe dhe autoritare. Kështu potencialisht Orban mund të poziciononte europarlamentarët e tij me grupin ekstrem nacionalist, duke ndryshuar shumë balancën brenda Parlamentit Europian.

Grupimi Konfederal i të Majtës së Bashkuar dhe Mjedisi i Gjelbër i Veriut ka marrë 38 deputetë në këto zgjedhje, ndërsa 35 deputetë janë kategorizuar si grupimi “Të tjerë”. Zgjedhjet e 2019 në BE patën një pjesëmarrje prej 51%, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me 42.6% në 2014.

Tsipras pranon humbjen, thërret zgjedhje të parakohshme

Partia SYRIZA e Kryeministrit të Greqisë Alexis Tsipras humbi në zgjedhjet e Parlamentit Europian përballë opozitës konservatore të kryesuar nga Demokracia e Re. Kjo humbje, që në fakt nga partia në pushtet ishte meduar se do të ishte një votë besimi për politikën e qeverisë, e ka detyruar Tsiprasin të japë dorëheqjen dhe të thërrasë zgjedhje të përgjithshme parlamentare, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme.

Lajmin për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, Alexis Tsipras e dha nga selia e partisë së tij mbrëmjen e së dielës mbrëma, ku deklaroi se “rezultati nuk ishte në përputhje me pritshmëritë tona”. Më herët, udhëheqësi i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis kërkoi dorëheqjen e Trsipras dhe mbajten e zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi. “Greqia ka nevojë për një qeveri të re. Është e qartë se populli grek ka humbur besimin e tij për këtë qeveri”, tha ai.

“Kryeministri duhet të marrë përgjegjësitë e tij. Ai duhet të japë dorëheqjen dhe vendi duhet të mbajë zgjedhje kombëtare sa më parë që të jetë e mundur. Dielli po ngrihet mbi një Greqi më të ndritshme, një që ka vuajtur shumë, por ka gjetur forcën për të ndryshuar,” shtoi Mitsotakis. Ai premtoi të punojë shumë për të ndryshuar kursin e Greqisë në një Europë në ndryshim.

Kreu i PPE Manfred Weber shpalos prioritetet nëse fiton zgjedhjet parlamentare

Teksa qytetarët evropianë janë duke votuar për të zgjedhur Parlamentin e ri, kryetari i Partisë Popullore Europiane (PPE), Manfred Weber, kandidati kryesor për presidencën e Komisionit Evropian, ka folur në një intervistë për gazetën greke “Ekathimerini. Kreu i PPE ka përcaktuar objektivat kryesor nëse grupi i partive popullore do të fitojë zgjedhjet parlamentare. “Prioritetet e mia janë ndërtimi i një Evrope që mbron kufijtë e saj nga migracioni ilegal dhe kontrabandistët me 10.000 roje të reja kufitare deri në vitin 2022”.

“Një Europë që lufton terrorizmin dhe krimin e organizuar me një FBI evropiane, e cila do të ketë ekipe që shkëmbejnë informacione për të gjetur terroristët para se ata të sulmojnë. Një europë që ndal bisedimet e pranimit me Turqinë; që krijon mekanizma të rinj të sundimit të ligjit për të siguruar që Bashkimi Evropian të ruajë pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e shtypit dhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Manfred Weber, duke renditur disa nga objektivat e tij themelore nëse Partia Popullore Europiane fiton zgjedhjet e PE dhe merr kryesimin e Komisionit Europian.

Më tej, kreu i PPE është shprehur se Bashkimi Evropian është larguar nga njerëzit, dhe se ai do ta forcojë lidhjen e BE-së me njerëzit. “Këto zgjedhje janë historike, sepse ato do të përcaktojnë deri në çfarë shkalle Bashkimi Evropian është në gjendje të përmirësojë jetën e evropianëve, duke garantuar sigurinë dhe prosperitetin e ekonomive të tyre. Mund të ruajë qëndrueshmërinë e modelit tonë shoqëror ose të paralizohet përgjithmonë dhe të ndahet”.

“Për një kohë shumë të gjatë, projekti evropian është ndërtuar në një distancë të madhe nga njerëzit: unë dua ta rindërtoj atë lidhje mes bashkimit dhe qytetarëve të saj. Prioriteti im është të ndërtojmë një Evropë të fortë që do të mbrojë qytetarët dhe vlerat e saj, një Europë të zgjuar me ide dhe novacione, që kujdeset për qytetarët e saj”, ka thënë Weber në intervistën për gazetën greke.

Skip to toolbar