“Parti jashtë afateve Ligjore”, Patozi-Metës: Je produkt i pazareve të pista!

Ilir Meta firmosi mëngjesin e kësaj të hëne dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Gjatë fjalës së tij të gjatë, ku dha argumentat, që sipas tij ishin kushtetues dhe moral, Ilir Meta u shpreh ndër të tjera se partia Bindja Demokratike u krijuar për të legjitimuar zgjedhjet.

Menjëherë pas fjalës së Metës, ka ardhur reagimi i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, i cil është shprehur se fjalët e metës në adresë të partisë së tij, janë  një fushatë pozitive për BD. “Ndërsa për konsideratat e tij politike dhe jo insistucionale nuk shqetësohemi fare, madje i vlerësojmë ato si një kontribut pozitiv për fushatën e Bindjes Demokratike në këto zgjedhje”, thotë Patozi.

Më tej, Astrit Patozi vijon duke u shprehur se Bindja Demokratike nuk është fajtore në krizën politike në të cilën ndodhet vendi, kreu i kësaj partie thotë se “ndërkohë që vetë Presidenti i Republikës, si funksion dhe si personazh politik, është produkti më sinjifikativ i pazareve të pista midis tyre”.

Astrit Patozi i kërkon Ilir Metës të heshtë kur bëhet fjalë për Bindjen Demokratike, ashtu sikundër ka bërë dhe LSI, parti, të cilën, sipas Patozit, Ilir Meta ia la trashëgim bashkëshortes së vetë.

Por edhe në këtë kontekst, është më mirë që të pranojë heshtjen, me të cilën e ka përcjellë krijimin e Bindjes Demokratike, partia që ia la trashëgim bashkëshortes së vet, se sa të marrë si aksioma thashethemet që dëgjon nga një forcë tjetër politike, që nuk e ka fshehur mërzinë dhe shqetësimin për futjen tonë në garën e 30 qershorit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Patozit.

Fjalët e Metës për Bindjen Demokratike gjatë konferencës për shtyp:

Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkuron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore.

Kjo gjë tregon qartë së ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin që standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushën, por po shkelen në mënyrë flagrante.

I gjithë sistemi i qeverisjes lokale që do të funksiononte si rezultat i këtyre zgjedhjeve pa garë dhe konkurentë, nuk do të bazohej në një sistem zgjedhjesh, siç parashikon neni 1, pika 3 dhe neni 109 i Kushtetutës, por në një sistem emërimi të drejtpërdrejtë të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, i cili do të cenonte strukturën e demokracisë nga poshtë lart dhe pjesëmarrësve e zgjedhësve në qeverisjen vendore.

Patozi sulmon Metën

Për kryetarin e partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, vendimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, është një akt i pastër politik, por i nxitur nga deklaratat e Zëvendës-Ndihmës Sekretarit të Shtetit z.Palmer.

“Dje në Tiranë nuk kishte asgjë të re nga palët ndërluftuese të politikës sonë të vjetër. Edi Rama ishte në fushatë, ndërsa Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, në protestë. E vetmja e re dje për politikën në Shqipëri ishte intervista e zotit Palmer nga Uashingtoni, e cila me sa duket prishi qetësinë dhe zgjoi reagimin radikal të Presidentit”, shkruan Patozi, duke u shprehur më tej se kjo është një arsye më shumë që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje dhe të votojnë më 30 qershor.

AKTI I PRESIDENTIT NUK KA LIDHJE ME KUSHTETUTËN. REAGIMI ERDHI PAS INTERVISTËS SË METTHEW PALMER(Në përgjigje të…

Gepostet von Astrit Patozi am Sonntag, 9. Juni 2019

Astrit Patozi ka bindjen se shfuqizimi i dekretit për datën e zgjedhjeve nuk është një debat kushtetues, pasi sipas tij, këtë gjë Meta do e kishte ezauruar më herët. “Si njëra nga forcat politike pjesmarrëse në garën e 30 qershorit, ne mendojmë se këtu nuk kemi të bëjmë fare me një debat kushtetues. Po të kishte pasur të tillë, Presidenti i Republikës, me shumë gjasa, do ta kishte ezauruar atë përpara se të binte gongu i fushatës dhe jo tani që jemi gati në mesin e saj”, shkruan kreu i BD.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Në këtë linjë, Astrit Patozi shprehet se anulimi i zgjedhjeve në një moment të tillë, kur fushata ka nisur dhe shqiptarët presin 30 qershorin, do të ishte shumë i rëndë për vendin dhe kundër Kushtetutës.

Ti nuk mund t’u thuash sot miliona shqiptarëve, që janë përfshirë në këto zgjedhje, qoftë edhe duke parë në televizor fushatat e partive garuese, se loja duhet të anullohet. Sepse, kjo do të ishte shumë e rëndë. Unë besoj se një gjë e tillë shkon kundër kushtetutës, kundër precedentit, por edhe kundër logjikës më minimale”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Patozit.

Wadephul: Rama të pranojë Metën, Basha në zgjedhje

Këtë të diel, pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për shfuqizminin e dekretit të datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, ka ardhur reagimi i parë ndërkombëtar. Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemorkrat dhe Kristiansocial në Bundestag, Johann Daid Wadephul, ka reaguar për Deutsche Welle. Wadephul është shprehur se pas këtij vendimi, palët duhet të pajtohen dhe të nisin dialogun, ndërsa shton se duhet që ta pranojnë vendimin e kreut të shtetit.

Pas këtij vendimi të presidentit, ekziston një situatë e re politike. Të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Këtu përfshihen zgjedhje lokale demokratike me disa kandidatë të mundshëm. Kjo presupozon që të gjithë ta pranojnë vendimin e presidentit dhe pastaj të marrin pjesë në garën politike. Çdo gjë tjetër do të ishte jo evropiane dhe do t’i forconte në mënyrë të panevojshme dyshimet mbi dobinë e një procesit të aderimit”.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Kështu do të krijohej një bazë e re për një bashkëjetesë paqësore mes konkurrentëve politikë. Në Evropë, çdo qeveri duhet të pranojë një opozitë kritike, dhe çdo opozitë duhet të pranojë një qeveri efektive. Kjo është një bazë qenësore për një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik. Nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë drejt Evropës, sigurisht që do të marrë çdo mbështetje nga Gjermania“.

Një informacion që qarkullon prej një jave është se veprimi i Metes është sugjeruar nga Gjermania. Po në këtë rast me kë janë gjermanët? Ose kush është me gjermanin? Wahdepul është i CDU, por dhe një nga njerëzit e afërt me PD. Në lexim të parë duket sikur deklarata i kërkon vetëm Ramës të pranojë vendimin e Metës jo per hir të ligjit por të zgjidhjes. Por në vazhdim të deklarates ai është i qartë sa i përket edhe reagimit të opozitës: ajo duhet ta marrë vendimin e Metës si sinjalin e qartë që duhet të futet në zgjedhjet në afatin e ri.

Deklarata nuk permend asfare kushtin e famshëm “Rama Ik”. Kështu nëse neser Rama në Berlin “lëshon” pe dhe del me Merkel dhe pranon vendimin e Metës, Basha duhet të  dalë dhe t’i thotë PD dhe opinionit se do pranojë dekretin e Metës, uljen në Tavolinë me Kryeministrin Rama (sesi do ta thotë këtë kur pesë muaj rresht e kushtëzoi me të kundërtën akoma se dimë) dhe eventualisht do të futet në zgjedhje.

Po Rama si del nga kjo situatë? Diçka paralajmëron deklarata e Wandehpul kur thote se çdo veprim kundër kësaj klime të re, do ishte kundër imazhit të një vendi që don të hyjë në Europë. Nëse leshon pe, a shtohen gjasat që Rama të marrë në Berlin mbështetjen gjermane për negociatat? Kjo do ta bënte jo Kryeministrin që i mbylli ato, siç thotë opozita pesë muaj rresht.

Gjithsesi në fund do fitonte Shqipëria. Kulla e barit nuk do të digjej, po të huazojmë një batutë filmash. Lajmi i keq per armiqtë e Ramës eshtë se nuk do të “digjej” as kulla e Surrelit.

Rama me qetësi pa dashuri: Zgjedhjet do mbahen ne 30 qershor

Rama është i vendosur në mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Përmes një statusi në Facebook, kryeministri ka konfirmuara atë që tha edhe më herët nga Berati: Zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor.

Me këtë koment te shkurtër, kryeministri Rama i ka dhënë përgjigjen deklaratës se presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve te 30 qershorit.

Luli dhe Mona protestë të qetë pas molotovit të Ilirit

Kryedemokrati Lulzim Basha i ka dhënë fund protestës së sotme të opozitës, si çdo herë, duke folur nga selia e PD dhe duke u komunikuar protestuesve të opozitës se lufta do të vazhdojë për të hequr Ramën si kryeministër. Por këtë herë, veprimet e tij duket se kanë qenë në sintoni të plotë me Presidentin Meta, ku të dyja daljet e tij në publik kanë qenë pas deklaratave të Metës.

Herën e parë, ai foli para protestuesve në bulevard, para kryeministrisë dhe zgjodhi momentin pasi Presidenti Meta kishte deklaruar në një njoftim për shtyp se kishte vendosur të shfuqizonte vendimin për datën e zgjedhjeve. Basha doli para protestuesve të opozitës dhe u dha lajmin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Më pas, Basha i ka drejtuar protestuesit drejt Kuvendit të Shqipërisë, duke vënë në zbatim të njëjtin skenar me shtatë protestat e tjera.

Para parlamentit, protestuesit kanë filluar sërish të ushtrojnë akte dhune duke qëlluar me flakadanë dhe kapsolla ndaj punonjësve të policisë. Në kulmin e dhunës ndaj punonjësve të policisë, Presidenti Meta bëri thirrjen e dytë, duke kërkuar që opozita të shpërndajë protestuesit dhe të ndalojnë dhunën. “Presidenti i Republikës, Ilir Meta i bën thirrje udhëheqësve të opozitës të ndalojnë protestën para Parlamentit dhe qytetarët të shpërndahen paqësisht”, thuhej në njoftimin e shkurtër të Presidencës. Pikërisht pas këtij momenti, funksionarët e PD kanë ndërhyrë, pikërisht me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili u ka bërë thirrje protestuesve të tërhiqen nga dhuna. Shumë protestues janë tërhequr, por disa të tjerë kanë vijuar të jenë të pranishëm para Kuvendit.

Por, njëkohësisht, Lulzim Basha ka dalë në selinë e PD-së, duke e cilësuar protestën me pjesëmarrje të padëgjuar më parë në katër muaj protestë. Pikërisht kështu e ka quajtur edhe protestën paraardhëse. Pjesëmarrja, sipas Bashës, fakton se ata janë shumicë, dhe se nuk do të ketë asnjë hap pas. Sa i përket episodeve të dhunës ku militantët hodhën kapsollë ndaj policisë tek Parlamenti, Basha tha se janë provokime nga qeveria.

“Zëri i sovranit ka diktuar dhe do diktojë. Është zëri i bashkuar i çdo shqiptari të ndershëm që lufton për vlerat dhe dinjitetin personal. Kjo i ka bashkuar qytetarët në protestën më kombëtare dhe më europiane që ka njohur vendi ynë. Qëndresa dhe vendosmëria është forca jonë. Forca juaj është e pandalshme. Është forca juaj që zgjoi nga terrori, varfëria dhe propaganda kriminale, zëri juaj kumboi nga Blerin në Bruksel, në Londër dhe Uashington. Zëri juaj dëshmoi se populli nuk mund t’i vërë çizmen në qafë, aq më tepër kreu i bandës kriminale në pushtet. Forca juaj sa vjen e shtohet, siç shtohen radhët e protestave tona. Ndaj sot kulari është në qafën e tiranisë, do ta tërheqim me duart tona, më vendosmëri dhe dashurinë për këtë vend derisa ta rrëzojmë tiraninë. E sotmja është një mbrëmje e rëndësishme për betejën tonë. Ne nuk do hedhim asnjë hap pas. Shqiptarët meritojnë dhe do kenë qeverinë evropiane”, deklaroi Basha, duke u kërkuar protestuesve të shpërndahen.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Meta merr parullën e Bashës dhe i jep fitore në tavolinë (prapë)

“Shqipëria si gjithë Europa”, keshtu e mbyllte dekretin e zhberjes se dekretit qe beri po vete Prsidenti i Republikës. Ilir Meta ka bërë një lëvizje të papritur për shumëkënd këtë të shtunë (por jo per ne).

Në sinkron të plotë me nisjen e protestës së opozitës, se do të shfuqizonte dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Kam vendosur të shfuqizoj dekretin nr. 10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019”, shkruhej në komunikatën e Ilir Metës, i cili shprehet se të hënën më 10 qershor, do të tregojë edhe arsyet e argumentuara pse e ka marrë këtë vendim. në rreshtat e njoftimit të së shtunës, lexohej se Presidenti Ilir Meta shprehej i shqetësuar për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mosreflektimit të asnjërës palë.

Por, megjithatë, ndonëse shqetësimi ishte për mosreflektimin e asnjërës palë, Ilir Meta i erdhi në ndihmë njërës palë, opozitës, duke vendosur zhbërjen e një vendimi kushtetues, të firmos më parë nga vetë ai. Argumentet e tij te henen mund te jene te shumte.

Por në mungese të Gjykatës kushtetuese, argumenteve të tij antikushtetuese do ti mungojë arbitri. Kryeministri tha në mbrëmje se zgjedhjet do të mbahen. Çfarë i mbetet tani të hënën të thotë Presidenti? Larg qoftë vetëflijimin e paralajmëruar. Domethënë dorëheqjen?

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Deklaratat e Palmer, Spiropali: Më troç se kaq, nuk ka

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas deklaratës së Zëvendës Ndihmës-Sekretarit të Shtetit në SHBA, Matthew Palmer, i cili bën përgjegjës Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin nëse do të ketë dhunë në protestë.

Spiropali përsëriti edhe njëherë qëndrimin e Palmer, se kush prek zgjedhjet e 30 qershorit,  nuk do të shkeli më në SHBA.

“Më qartë dhe me troç se kaq nuk ka! Përgjegjësit për dhunën janë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Nuk do të shkelin më në SHBA po s’u ndalën SOT! Zgjedhjet do të bëhen më 30 Qershor dhe PIKË!” shkruan Spiropali në Facebook.

Zgjedhjet në 30 qershor, tërhiqet edhe Meta: Nuk ka dekret tjetër

Pas deklaratave të Kryeministrit Rama të enjten në Real Story, ku cilësoi se presidenti ka qenë tepër i qartë në deklarata e tij se do të ishte dakord të shtynte datën e zgjedhjeve nëse palët do të ishin dakord” , ka ardhur edhe reagimi i presidentit Meta. Në një intervistë për Deutsche Welle, i pyetur se përse ka pritur kaq gjatë të ulte palët në tavolinë,  Meta tha se Rama “ashtu sikurse kam ndjekur edhe mbrëmë, do doja shumë të isha korrekt, ka qenë qartësisht refuzues për rishikimin e datës me mirëkuptim midis dy palëve për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse demokratike. Ashtu sikurse edhe zoti Basha dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës kanë vendosur si parakusht që zoti Rama të mos jetë në një tryezë të tillë në cilësinë e kryeministrit.” 

Presidenti Meta tha gjithashtu se ai do ti vazhdojë përpjekjet e palodhura për rivendosjen e këtij dialogu  të domosdoshëm.

Pjesë nga intervista:

Deutsche Welle: Kur ju të ktheheni nesër në Tiranë, pra të shtunën, opozita do të mbajë protestën e tetë kombëtare në Shqipëri, kundër qeverisë dhe me kërkesën absolute prej së cilës nuk tërhiqet, për dorëheqjen e kryeministrit, duke kërkuar prej muajsh zgjedhje të parakohshme, por njëkohësisht edhe duke paralizuar jetën parlamentare në vend. A nuk ka pritur shumë gjatë presidenti pa reaguar me një ftesë konkrete për dialog mes palëve? Në mënyrë që zgjidhja të gjendet brenda vendit dhe jo me mbështetje nga Berlini, apo diku gjetkë në botë?

Ilir Meta: Ndoshta për koincidencë, në ditën që opozita bëri zyrtare vendimin e saj për të djegur mandatet, unë pata rastin që edhe atë ditë të isha në Berlin për të takuar presidentin gjerman Steinmeier, dhe dhashë një intervistë për Deutsche Wellen, dhe për fat të keq ftesa ime, apo thirrja ime nga të dy palët nuk u dëgjua, në mënyrë që opozita të bënte një hap pas, të mos shkonte drejt zyrtarizmit të këtij vendimi, por edhe maxhoranca të bënte dy hapa pas në mënyrë që të evitohej një përshkallëzim i mëtejshëm i ndarjeve dhe i një krize më të gjerë institucionale dhe përfaqësimi në vend. Por sidoqoftë, asnjëherë nuk është vonë. Unë në mënyrë të vazhdueshme kam nxitur vendosjen e dialogut, por për fat të keq të dy palët kanë vendosur disa kushte që e kanë bërë të pamundur një tryezë apo një takim zyrtar, pasi kryeministri Rama dhe kryetar i Partisë Socialiste, ashtu sikurse kam ndjekur edhe mbrëmë, do doja shumë të isha korrekt, ka qenë qartësisht refuzues për rishikimin e datës me mirëkuptim midis dy palëve për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse demokratike. Ashtu sikurse edhe zoti Basha dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës kanë vendosur si parakusht që zoti Rama të mos jetë në një tryezë të tillë në cilësinë e kryeministrit. Megjithatë, përpjekjet e mia do të jenë të palodhura, por edhe çdo kontribut i partnerëve tanë për rivendosjen e këtij dialogu dhe të këtij besimi, është jo vetëm i mirëpritur por është edhe i domosdoshëm.

Deutsche Welle: A mund të mbahen zgjedhjet lokale në këtë situatë, ndërkohë që datën e votimeve ju e keni përcaktuar konform kushtetutës. A ka mundësi shtyrjeje të datës së zgjedhjeve, brenda kuadrit kushtetues?

Ilir Meta: Nuk do të dëshiroja të shprehesha sot për këtë çështje. Ne i dimë edhe përvojat e mëparshme që vendi ynë ka pasur kur ka ekzistuar vullneti dhe përgjegjshmëria për stabilitetin e vendit, për të ardhmen e tij demokratike dhe plotësisht europiane, gjithnjë janë gjetur zgjidhje të mençura. Dhe në këtë drejtim unë nuk do të ndaloj së angazhuari institucionin e presidentit dhe natyrisht personalisht deri në fund për të shmangur çdo alternativë që nuk i shërben jo vetëm stabilitetit të vendit por edhe e largon në horizonte të padukshme mundësinë e çeljes së negociatave apo anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë besoj se të dy palët kanë për detyrë t’i përgjigjen vullnetit të gjithë qytetarëve shqiptarë, i cili është në shifra të jashtëzakonshme mbi 90 e ca përqind, për t’ i dhënë këtë mundësi historike Shqipërisë që të çeli së afërmi negociatat me Bashkimin Europian dhe unë besoj, se nëse kjo gatishmëri nga të dy palët do të reflektohet në orët dhe ditët që vijnë, edhe mbështetja nga Bundestagu do të jetë e plotë dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme për kurorëzimin me sukses të këtij qëllimi madhor për vendin tonë.

Së dyti, dua të theksoj se është shumë e rëndësishme për opozitën, meqenëse nesër është paralajmëruar një protestë tjetër e madhe kombëtare, sikurse e përmendët edhe ju, se sa e rëndësishme është vetëpërmbajtja dhe demonstrimi tërësisht paqësor, në mënyrë që kauza e tyre për të pasur zgjedhje me standarde të vërteta europiane, të ketë mbështetje maksimale brenda dhe jashtë vendit. Prandaj, edhe një herë do të apeloja për udhëheqësit e opozitës që të marrin të gjitha përgjegjësitë për të garantuar një manifestim të standardeve europiane, të mos provokohen nga askush brenda tyre por edhe përballë tyre, në këto orë në këto ditë të rëndësishme për vendin tonë.

Lexo intervistën e plotë këtu

Rama: Zgjedhjet e ardhshme në 2021, ato lokale në 2023

‘Zgjedhjet e qeverisë do të mbahen në 2021 dhe zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen në 2023” tha Rama, i cili theksoi se këto data nuk do të ndryshojnë, janë kushtetuese. I pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse pas zgjedhjeve të 30 qershorit do të kishte negociata, kryeministri Rama tha se nuk do të ketë asnjë negociatë që lidhet se kush do të qeverisë, por mund të ketë dialog me opozitën për interesat kombëtar.

‘Deri para fillimit të fushatës i kam bërë 6 letra për t’u ulur në tavolinën e dialogut. Pas 30 qershorit, ditës së zgjedhjeve mund të ketë negociata për interesin kombëtar, por jo negociata për të përcaktuar se kush do të qeverisë. Qeverinë e përcakton populli zgjedhjet e ardhshme janë në 2021 dhe zgjedhjet e tjera lokale janë në 2023. Dorëheqjen time e ka në dorë shumica në parlament ose e kam vetë në dorë. Opozita nuk vendos dot kush do të qeverisë, pasi i takon popullit të vendos.”

Rama: Asnjë negociatë deri në 30 qershor

Kryeministri Rama konfirmoi edhe një herë nga studio e “Real Story” se data 30 qershor nuk do të ndryshojë, zgjedhjet do të mbahen dhe nuk do të ketë asnjë negociatë. Kjo do të jetë një datë historike për të treguar vijën  e kuqe të një politike që kërkon të marrë peng popullin dhe demokracinë e një vendi.

 ‘Nuk ka shtyrje zgjedhjet dhe nuk do të këtë asnjë negocim me asnjë. Unë jam në fushatë elektorale dhe 30 qershori është një datë historike pasi do të vihet vija e kuqe për këtë lloj politike që kërkon të marrë peng vendin, popullin dhe demokracinë e një vendi duke e kërcënuar me molotov, kapsolla e dhunë në rrugë. Kjo vije e kuqe duhet të vihet se përndryshe çfarë kuptimi ka. Nesër do të vijë një parti tjetër dhe do kërkojë të njëjtën gjë duke kapur peng demokracinë. Nuk kemi asnjë presion ndërkombëtar për datën e zgjedhjeve.’

Rama tha gjithashtu se “Nëse zgjedhjet bëhen sot ne fitojmë më fort se ne 2017. Ketë nuk e kam bindje por e kam fakt. Opozita ka filluar dishezën në periudhën prill-maj. Shqiptarët nuk e pranojnë këtë lloj dhune dhe qasje që po bën opozita.”

Skip to toolbar